Kukës – Takimi ndërgjegjësues i radhës për projektin mbi parandalimin e migracionit të parregullt


5-6 Dhjetor, Qarku Kukës – Zyra e Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, në bashkëpunim me Komitetin Rajonal Antitrafik, Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit (Departamenti për Kufirin dhe Migracionin) dhe Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), në vijim të aktiviteteve ndërgjegjësuese në zbatim të projektit “Mbi parandalimin e migracionit të parregullt”, në datat 5 dhe 6 dhjetor zhvilluan takime informuese në qarkun e Kukësit.

Takimet e organizuara përfshinë një workshop me anëtarë të Tryezës Teknike Antitrafik, si dhe përfaqësues nga Këshilli i qarkut, nënprefektët, sistemi arsimor, njësitë e qeverisjes vendore, ku morën pjesë 24 pjesëmarrës dhe u diskutua rreth identifikimit të viktimave të trafikimit, migracionit të parregullt, rolit të shkollës në parandalimin e trafikimit dhe të migracionit të parregullt, etj.

Për t’u theksuar nga diskutimet është se arsyet ekonomike dhe mungesa e mundësive për individët janë faktorët kryesor shtytës të artikuluar nga pjesëmarrësit në takime të ndryshme.

Gjithashtu, u zhvilluan takime informues më nxënës të shkollës së mesme “Havzi Nela” me një pjesëmarrje prej 33 nxënësish dhe 44 mësuesve të kësaj shkolle. Më tej u zhvillua një takim me punonjësit e Zyrës Rajonale të Punësimit, ku u informuan për fushatën kombëtare dhe rritjen e vetëdijes lidhur me parandalimin e migracionit të parregullt.

Po kështu, përgjatë dy ditëve u zhvilluan biseda të lira në bare të ndryshme të qytetit dhe u shpërndanë fletëpalosje në vende të tjera publike. Gjithsej në qarkun Kukës po shpërndahen 4000 fletëpalosje.

Sipas kalendarit kombëtar të fushatës informuese, në datë 20-21 dhjetor do të zhvillohen takime në Korçë.