Gjirokastër – Takim informues mbi parandalimin e migracionit të parregullt

17 – 18 Janar 2018, Gjirokastër – Zyra e Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave në bashkëpunim me Komitetin Rajonal Antitrafik, Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit (Departamenti për Kufirin dhe Migracionin)  dhe Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), në vijim të aktiviteteve ndërgjegjësuese në zbatim të projektit “Mbi parandalimin e migracionit të parregullt”, në datat 17 dhe 18 janar zhvilluan takime informuese në qarkun e Gjirokastrës.

Takimet e organizuara përfshinë një workshop me anëtarë të Komitetit Rajonal dhe Tryezës Teknike Antitrafik, si dhe përfaqësues nga bashka, sistemi arsimor, shërbimi social shtetëror, sistemi shëndetësor, njësitë e qeverisjes vendore, punonjësit e Mbrojtjes së fëmijëve, etj., ku u diskutua rreth identifikimit të viktimave të trafikimit, migracionit të parregullt, rolit të shkollës në parandalimin  e trafikimit dhe të migracionit të parregullt, etj., ku morën pjesë 18 pjesëmarrës.

Gjithashtu, u zhvilluan takime informuese më nxënës të shkollës së mesme “Siri Shapllo” me një pjesëmarrje prej 40 nxënësish, i cili vijoi me një workshop me mësuesit e kësaj shkolle me pjesëmarrjen e 21 mësuesve. Nxënësve iu shpërndanë pyetësorë vlerësimi para dhe pas takimit, për të mbledhur reagimet e studentëve dhe informacioni i mbledhur do të përdoret për vlerësimin e ndikimit në fund të fushatës.

Më tej u zhvillua një takim me punonjësit e Zyrës Rajonale të Punësimit, ku u informuan për fushatën kombëtare dhe ngritjen e vetëdijes lidhur me parandalimin e migracionit të parregullt.

Po kështu, përgjatë dy ditëve u zhvilluan biseda të lira në bare të ndryshme të qytetit dhe u shpërndanë fletëpalosje, në vende të tjera publike. Gjithsej në qarkun Gjirokastër po shpërndahen 4000 fletëpalosje.

Takimet në do të vijonë në qarqet: Vlorë, Fier, Berat, Lezhë dhe Tiranë.