Fier: Takime ndërgjegjësuese për projektin “Mbi parandalimin e migracionit të parregullt”

14-15 Shkurt 2018, Fier – Zyra e Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave në bashkëpunim me Komitetin Rajonal Antitrafik, Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit (Departamenti për Kufirin dhe Migracionin)  dhe Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), në vijim të aktiviteteve ndërgjegjësuese në zbatim të projektit “Mbi parandalimin e migracionit të parregullt”, në datën 14 dhe 15 shkurt zhvilluan takime informuese në qarkun e Fierit.

Takimet e organizuara përfshinë një workshop me anëtarë të Tryezës Teknike Antitrafik, si dhe përfaqësues nga bashkia, këshilli i qarkut, sistemi arsimor, shërbimi social shtetëror, sistemi shëndetësor, njësitë e qeverisjes vendore, punonjësit e Mbrojtjes së fëmijëve etj., për një total prej 31 pjesëmarrësish. Për t’u përmendur është komentimi i theksuar në lidhje me situatën aktuale në lidhje me të miturit e pashoqëruar nga komuniteti rom kryesisht në Itali, i cili sipas përfaqësuesve të autoriteteve lokale dhe kontakteve të ndryshme po zvogëlohet.

Nga anëtarët e Tryezës Teknike u diskutuan ndërhyrjet specifike të cilat aktualisht ofrojnë alternativa për zhvillimin e kapaciteteve lokale, krijimin e shërbimeve për kategoritë e cenueshme, ofrimin e kurseve të arsimit profesional dhe ndjekjen e sa më lart, me krijimin e mundësive për punësim në vendet e tyre. Nga ata u kërkua

– mbështetje për të investuar në sektorin e bujqësisë, në mënyrë që të kontribuojnë në rritjen e mundësive të vetëpunësimit në rajon;

– mbështetje për zhvillimin e strategjive lokale për zhvillimin e komunitetit dhe mundësitë për hapjen e vendeve të punës;

– si dhe për hartimin e programeve për të adresuar nevojat e komunitetit rom, specifik të këtij rajoni.

Pas workshopit, anëtarët e Tryezës Teknike vijuan takimin, ku diskutuan mbi punën e bërë dhe problematikat e hasura në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore nga anëtarët e Tryezës Teknike. Koordinatori i Përgjithshëm i Institucionit të Fierit shpërndau draftin e planit të aktiviteteve për çdo institucion për vitin 2018, si dhe u përditësua lista e anëtarëve të Tryezës Teknike dhe u shpërndanë fletëpalosjet e ardhura nga Koordinatori Kombëtar.

Gjithashtu, u zhvilluan takime informuese me pjesëmarrjen e 25 nxënësve të shkollës së mesme “Adem Vrapi”  në Roskovec, i cili vijoi me një workshop me pjesëmarrjen e 25 mësuesve të kësaj shkolle. Nxënësve iu shpërndanë pyetësorë vlerësimi para dhe pas takimit, për të mbledhur reagimet e studentëve, dhe informacioni i mbledhur do të përdoret për vlerësimin e ndikimit në fund të fushatës.

Më tej u zhvillua një takim me punonjësit e Zyrës Rajonale të Punësimit ku u informuan për fushatën kombëtare dhe ngritjen e vetëdijes lidhur me parandalimin e migracionit të parregullt.