Postuar më: 24 Mars 2018

Zyra "One stop shop", për një shërbim më të mirë policor për qytetarët

Në kuadër të ristrukturimit të DVP, Elbasan jo vetëm në strukturë por edhe në filozofi, në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe projektin suedez SCPA, krijohen zyra të reja në zonat policore për të qenë sa më afër problemeve që hasen në komunitet.

Zv/ministrja e Brendshme, Romina Kuko, sëbashku me Drejtorin Vendor të Policisë Elbasan Altin Qato, përfaqësues të pushtetit vendor dhe të projektit suedez, ka inspektuar zyrën e përbashkët të shërbimit, në një nga zonat policore në qytet.

Altin Qato: Ne kemi krijuar një kontakt të fortë me Bashkinë për të ngritur zyrat e punonjësve tanë të Policisë sipas zonave policore. Kemi filluar të identifikojmë këto ambjente, dhe po i përgatisim sëbashku me Bashkinë, ne si Drejtori Vendore por edhe me projektin suedez, për të bërë të mundur që të kemi zyra komode dhe të jenë afër problemeve dhe shqetësimeve të njerëzve.

Në çdo zonë policore do të kemi një patrullë në turn, e cila përbëhet nga dy veta. Janë 10 punonjës policie në Patrullën e Përgjithshme. Kemi dy inspektorë krimesh. Inspektorë të Rendit të Policisë në komunitet kemi tre, dhe të gjithë sëbashku do të kenë një zyrë të vetme.

Punonjësit e policisë në zonën policore, nuk ndërrojnë territorin, por ndërrojnë turnet. Në çdo moment që ka nevojë për të ballafaquar, për të bërë ndonjë verifikim, për të komunikuar me inspektorët e zonës ose inspektorët e krimeve vijnë dhe paraqiten në këtë zyrë. Pra i gjithë grupi është përgjegjës për zonën policore.

Në zyrat e reja punonjësit e Policisë si dhe të adiminstratës vendore njihen me shqetësimet dhe problemet e komunitetit, ku secili merr përsipër zgjidhjen e problemeve sipas kompetencave.
Me këtë model krijojmë raportin me tre aktorët, qytetarët të cilëve ne i shërbejmë, pjesa administrative i shërben çfarë ka të bëjë me pushtetin vendor, ne për sigurinë dhe bashkërisht i zgjidhim këto probleme.

RominaKuko: Kjo është zyra e parë që ne inagurojmë dhe Elbasani është pararoja për këtë marrëdhënie që është shumë e rëndësishme. Falënderoj përfaqësuesin e pushtit vendor për dashamirësinë e treguar, por edhe për partneritetin me Policisë. Sepse me të vërtetë që Policia ka përgjegjësinë e saj, detyrat për sigurinë dhe rendin publik, por e vetme nuk mund t'ia dalë dot. Kështu që pa ndihmesën dhe mbështetjen e pushtetit vendor dhe të qytetarëve është e vështirë. Gjithashtu falënderoj edhe pëfaqësuesit e projektin suedez për gjithë kontributin e tyre në pilotimin e ristruktrimit të DVP.Elbasan

Altin Qato: Të ndiejmë efektin e konceptit skuadër. Kjo është një skuadër me 15 veta. Çdo moment ato janë dy në turne, por mund të bashkohen për një situatë që është e rënduar ose ka ankesa komuniteti, që një specialist i rendit të mos e ndiejë veten i vetëm. Dhe risia është që nuk kemi konceptin "shef". Këtu nuk ka shef. Të gjithë janë të barabartë dhe janë të detyruar të diskutojnë bashkë për zgjidhjen. Secili ka punën e vet, e diskutojnë bashkë, e zgjidhin bashkë. Në këtë mënyrë e ndiejnë të gjithë përgjegjësinë, ndaj e kemi bërë këtë zyrë. Inspektorët e Policimit në Komunitet dhe Inspektorët e Krimeve e kanë zyrën në Drejtori ose në Komisariat, por në këtë territor jemi bashkë.