Postuar më: 04 Maj 2018

Lezhë - Forumi Qytetar për Siguri Publike

Fjala e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në Forumin Qytetar për Sigurinë Publike në Lezhë:

Së pari sa më shumë që shkojmë nëpër qarqe të ndryshme të vendit për të organizuar këtë forum, aq më shumë bindemi që jemi duke bërë gjënë e duhur. Unë dua t'ju falënderoj shumë përzemërsisht jo vetëm për pjesëmarrjen por edhe për sugjerimet dhe në mënyrë të veçantë për pyetjet që adresuat sepse ato ishin shumë domethënëse dhe besoj që siç edhe e patë vetë janë një reflektim për Drejtorinë Vendore të Policisë, për Drejtorinë e Përgjithshme dhe për Ministrinë e Brendshme.

Ky është një proces pikë së pari llogaridhënës. Ne jemi këtu në këto takime, që janë takimet e para të këtij procesi, në radhë të parë për të dhënë llogari para qytetarëve, për të dhënë llogari se si jemi duke bërë punën, se si është duke punuar Drejtoria Vendore e Policisë, se çfarë prioritetesh dhe çfarë është duke bërë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, se si është e angazhuar Ministria e Brendshme, Ministri dhe ekipi i tij në mbështetje të këtyre prioriteteve, sepse është detyrimi ynë për ta bërë këtë gjë.

Është detyrimi ynë sepse ju paguani taksa. Ju paguani për Policinë e Shtetit, për Qeverinë tuaj, për Ministrinë e Brendshme, dhe keni gjithë të drejtën e botës, keni të drejtën kushtetuese, të drejtën ligjore që të informoheni për shërbimin që duhet të merrni nëpër përgjigje të detyrimit që ne kemi.

Dhe ky është një proces llogaridhënie që ka filluar me ne dhe do të vazhdojë me të gjitha degët e tjera të qeverisjes. Kolegu im Ndreu i cili ishte njohës shumë i mirë i çështjeve të Rendit dhe të Sigurisë për shkak të karrierës së gjatë në polici, por duke qenë tani deputet, jam shumë i bindur që në ditët në vijim do t'ju informojë për disa tryeza, bashkëbisedime, takime llogaridhënëse që Qeveria dhe përfaqësuesit në nivele të ndryshme do të zhvillojnë për çështje të caktuara në të gjithë territorin e vendit.

Çështjet e rendit dhe të sigurisë janë përgjegjësi e Policisë por duhet të jenë edhe kontributi i të gjithëve. Në disa nga pyetjet, siç e konstatuat edhe ju vetë, policia është aktor kryesor, por nuk është aktor i vetëm. Policia nuk mund t'i përballojë e vetme shumë problematika që ka në komunitet pa pjesëmarrjen dhe kontributin e gjithë aktorëve të tjerë: qeverisjen vendore, organizatat e shoqërisë civile, komunitetet fetare, përfaqësuesit e tjerë vendorë edhe kryetarët e fshatrave siç një pjesë e tyre ngritën jo pak probleme këtu, dhe një sërë aktorësh të tjerë të rëndësishëm.

Pra dhe qëllimi tjetër i këtyre forumeve është pikërisht që të tërheqë vëmendjen në këtë fakt që ne kemi përgjegjësitë tona, angazhimet tona, kemi detyrat tona në këtë proces, por këtë nuk mund ta bëjmë të vetëm pa pjesëmarrjen e të gjithëve dhe në radhë ta parë, pa pjesëmarrjen e qytetarëve. Duhet të jetë një gjë shumë e qartë, ne nuk mund të vëmë polic në çdo hyrje pallati, nuk mund të vëmë polic në çdo rrugë fshati, nuk mund të vëmë polic dhe nuk duhet të vëmë polic në çdo shezlong. Kjo do të ishte një marrëzi dhe nuk mund ta bëjmë këtë gjë. Por ama sesi mund të jemi ne atje, pra në çdo pallat, në çdo rrugë, në çdo lagje, pikërisht vetëm nëse kemi një marrëdhënie të mirë ndërmjet policisë dhe qytetarëve. Nëse qytetarët e ndjejnë të nevojshme, gjithashtu e konsiderojnë detyrë qytetare, detyrë ndaj sigurisë së tyre informimin në kohë të policisë. Ajo që ne jemi të preokupuar është fakti që shpeshherë ka një shkëputje në këtë kontekst, që do të thotë që jo pak herë njerëzit mendojnë që kjo është çështje e policisë, duhet të jetë policia aty dhe e shkëpusin detyrimin e tyre nga kjo marrëdhënie me policinë.

Prandaj ne përmes këtyre forumeve, dëshirojmë të tërheqim vëmendjen e të gjithëve, të çdo qytetari për një përfshirje shumë aktive në çështjet e sigurisë dhe të rendit dhe të qetësisë në territoret ku banoni dhe jetoni dhe pa këtë marrëdhënie, policia e ka të pamundur ta bëjë detyrën e saj. Nga ana tjetër policia ka përgjegjësinë që të përgjigjet në kohë, ka përgjegjësi dhe detyrimin që të shërbejë në kohë dhe t'i shërbejë njësojë edhe atij që ka fuqi dhe pushtet, edhe qytetarit më të thjeshtë në territor.

Policia ka detyrimin t'i shërbejë njësojë edhe atij që e ka xhepin plot edhe atij që është me pension.

Në këtë kuptim unë bie shumë dakord në lidhje me atë që tha drejtori Vendor dhe Drejtori i Përgjithshëm lidhur me punën e atij zotërisë që trajtoi çështjen e këtyre motorëve. Por besoj që Drejtorit duhet t'i ketë shkuar në mendje dhe një gjë tjetër, që ashtu siç ndalon atë me të drejtë sipas ligjit, duhet të ndalojë cilindo tjetër që shkon rrugëve me makina të shtrenjta, xhiron dhe gomat e vë në rrezik jetën e qytetarëve. Se nuk mund të ketë një polici për papaqin, për atë motorin që nuk dihet se ku i bien rrugës rrotat dhe një polici tjetër për atë që lëviz me makina të shtrenjta dhe që i bën karshillëk shtetit. Nuk mund të ketë dy polici. Një polici ka.

Ashtu sikundër nuk mund të ketë një polic paradite në Policinë e Shtetit dhe në mbasdite apo në darkë duke ngrënë dhe duke pirë me persona me precedentë kriminalë. Kjo nuk është polici. Nuk është Policia e Shtetit. Këtu duhet të dalë tek ajo pyetja që më bëri nxënësi i shkollës së mesme, tek Vettingu.

Kjo është arsyeja pse ne vendosëm që të hyjë Policia në një proces Vettingu, sepse duam që trupa e Policisë të jetë një trup e pastër, e shëndetshme. E kam thënë që në krye të këtij procesi, ne jemi me fat dhe është një tregues shumë i mirë fakti që, njerëzit, qytetarët në Republikën e Shqipërisë e konsiderojnë Policinë ndër institucionet më të besueshme. Në të gjitha sondazhet policia rezulton ndër institucionet më të besueshme.

Dhe kjo është meritë e atyre burrave dhe grave, djemve dhe vajzave që punojnë me përkushtim dhe deri në sakrificë në radhët e Policisë. Po ashtu sikurse shumica është e tillë ka dhe një pjesë që nuk e meritojnë të jenë në radhët e Policisë së Shtetit. Vettingu synon pikërisht këtë gjë: që ta pastrojë Policinë nga individë që janë të korruptuar dhe në mënyrë të veçantë të inkriminuar. Qenia në Polici nuk është një punë e zakonshme. Qenia në Polici është një shërbim dhe është një mision i rëndësishëm në shoqëri.

Zotëria tha nuk di kujt telefoni t'i bie, ose unë mund ta kem një numër telefoni. Por sa përqind nga ju e kanë numrin e ministrit, si ai që më ka bërë mua mesazh, shumë pak.

Sa përqind e juaja këtu dhe e gjithë qytetarëve të Lezhës e kanë numrin e Drejtorit të Përgjithshëm, përfshi dhe deputetit apo të tjerë, shumë pak, se është normale. Po është e sigurt që 99 përqind gjëja e parë që i shkon në mendje është numri i Policisë. Mbrapa atij numri ka një njeri që është punonjësi i Policisë së Shtetit.

Nëse ai është i përgjegjshëm mund të shpëtojë një jetë, një pasuri, mund të japë një shpresë. Në të kundërt ai i bën njerëzit të mos kenë besim tek shteti. Prandaj është i rëndësishëm procesi i Vettingut, sepse është i rëndësishëm roli, misioni dhe përgjegjësia e punonjësit të Policisë së Shtetit. Polici është imazhi dhe figura e parë e shtetit. Sa më i përgjegjshëm të jetë ai në funksionin dhe rolin e tij aq më i përgjegjshëm është shteti në raport me qytetarët e tij.

Kam qenë dhe mbetem i bindur çdo ditë që Vettingu në Policinë e Shtetit ishte dhe është i domosdoshëm, për ta forcuar integritetin e Policisë, për të rritur besueshmërinë brenda radhëve të Policisë, por dhe mbi të gjitha besueshmërinë e qytetarëve tek Policia, të cilët duan të shohin tek polici një njeri me figurë të pastër, njeri me integritet, një njeri në shërbim të tyre. Duke thënë të gjithë këtë dua të distancohem prerë nga disa spekulime që janë lidhur me këtë proces. Ky nuk është një proces letrash.

Ky nuk është një proces formularësh. Se pse X apo Y nuk arriti ta bëjë dokumentin në kohë apo nuk arriti ta plotësojë atë sipas formës më të mirë të mundshme që është kërkuar. E kam thënë dhe e përsëris këtu meqenëse janë zonja dhe zotërinj të Policisë së Shtetit. Kjo është gjëja më e parëndësishme. Le t’i dorëzojnë në shumicë dhe jam shumë i kënaqur që shumica e tyre, pothuajse në pjesën dërrmuese deri sot që flasim i kanë dorëzuar ato formularët dhe dokumentet e nevojshme që i duhen.

Ne nuk do të shikojmë se cilat janë gabimet teknike. Nuk do të shikojmë edhe nëse mungojnë një apo dy dokumente, sepse janë gjëra që plotësohen në proces. Nuk është ky problemi që kemi ne. Nuk e kemi ne me atë policin që e vuri në kolonën 1 në vend që ta vinte te kolana tre dhe e vendosi në kolonën 7 se duhet ta vendoste firmën te kolona 9. Jo mo jo, nuk e kemi me ata ne, ata le t’i dorëzojnë ashtu siç i kanë ato.

Ne e kemi me ata që është çuditërisht polic qarkullimi dhe njëkohësisht është pronar hoteli. Nuk mund të jenë të dyja. Se hotelin nuk e ka bërë nga motori, hotelin e ka bërë nga xhepat e qytetarëve që i ka vjelë në rrugë atje padrejtësisht. Me ata e kemi ne 1-2-3-10 sa janë.

E kemi me ata që shkojnë në mëngjes në zyrë veshin uniformën e policit dhe pasdite dalin dhe u japin garanci atyre për atë çfarë kanë bërë paradite dhe çfarë do të duhej të kishin bërë, me ata e kemi ne.

Nuk e kemi me këta që mund të plotësojnë formularin gabim, apo se i mungon një dokument në formular oficerit të gardës, apo policit, jo mo se kemi fare me këta. Është një spekulim e gjitha kjo. Ne e kemi me këtë pakicë të vogël, me disa, me pak njerëz që kanë cënuar rëndë figurën dhe imazhin e punonjësve të policisë, i cili është në këtë funksion për t’i shërbyer ligjit, për t’i shërbyer qytetarëve.

Natyrisht duke dëgjuar këtu gjithë ato vlerësime për punonjësit e policisë, padyshim si Ministër i Brendshëm, si anëtar i kësaj qeveri, unë ndihem mirë dhe uroj të jetë kështu. Dhe dua t’ju them dhe një gjë tjetër, që ky është vetëm fillimi. Unë jam shumë i bindur që drejtori nuk do jetë siç është sot nesër. Shumica e juaja nuk e dinte kush ishte Drejtori i Policisë së Qarkut.

E njihja unë Pjerini, kolegët e tij kush është drejtori, por ju sot e njohët kush është drejtori, me zë dhe me figurë. Sot ai bëri një llogaridhënie të parë, por nesër ku ai të vijë nuk do thotë më sesi ishte dje, por do thotë çfarë bëra nga dje deri më sot. Dhe ne këtë do ta shtrijmë edhe më poshtë.

Që do të thotë që Shefi i Komisariatit, oficeri i policisë së zonës do të ngjitet në karrierë, do të vlerësohet në karrierë, mbasi të ketë marrë vlerësimin dhe besimin e komunitetit, sepse prandaj është ai, që t’i shërbej banorëve, t’i shërbej qytetarëve. Nëse qytetarët e asaj zone nuk japin mbështetje dhe vlerësimin, ai nuk ka pse të bëj karrierë më tej, sepse nuk e ka merituar. Këtë sistem po ndërtojmë ne, që të ketë mundësi të jetë i lidhur, oficeri i policisë me komunitetin përkatës.

Duke i vlerësuar të gjithë vlerësimet pozitive që thatë ju, dëshiroj të them edhe disa gjëra që është më mirë t’i themi, duke ju bashkuar sigurisht çështjes që lidhet me atë çfarë trajtoj znj.Ambasadore Vlahutin, në lidhje me azilkërkimin dhe migracionin e paligjshëm.

Dua të them që ka disa fenomene që nuk i bëjnë nder kësaj zone, por nuk i bëjnë nder as imazhit të vendit. Ne kemi jo pak të rinj dhe të reja, kryesisht nga zona e Laçit të cilët janë përfshirë në disa veprimtari kriminale jashtë vendit, kryesisht me vjedhjen e banesave, të makinave etj. Dhe ky është një fenomen i shëmtuar.

Jo vetëm sepse është një veprimtari e pastër kriminale, por edhe sepse cenon rëndë imazhin e vendit, imazhin e shqiptarit. Sepse cenon rëndë, jetën, punën, imazhin e këtyre qindrave, djemve, vajzave, burrave dhe grave që jetojnë në vendet e ndryshme të Europës me punën dhe me djersën e tyre.

Ne kemi nisur së bashku me Gjermaninë dhe disa vende të tjera disa operacione në këtë aspekt. Një operacion që ne e quajmë “Anti-Skifter”.

Kemi krijuar grupe policie bashkë me policitë e vendeve të tjera. Do të hapim këto ditë edhe një faqe publike për sendet e vjedhura dhe sendet e grabitura. Do të jemi të qartë që ky është një fenomen që, jo vetëm siç thashë nga pikëpamja kriminale dhe i ndëshkueshëm, por edhe me efekt negativ për vendin.

Natyrisht unë e quaj shumë pozitive faktin që Policia gjermane i është drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe kërkon miratimin tim si ministër, për të miratuar disa punonjës policie që do të shkojnë të punojnë pranë policëve gjerman. Është çështje standardi kjo. Është edhe çështje, këtu ka të drejtë Pjerini, është çështje besimi tek aftësia dhe cilësitë e Policisë së Shtetit.

Por unë dua t’u them gjithë këtyre djemve që kanë gjetur rrugën e gabuar dhe ndëshkimi do të jetë i dyanshëm, do të jetë edhe për ata atje, edhe këtu. Sepse ne tashti kemi filluar të zbatojmë hapjen njëkohësisht të çështjeve penale, jo vetëm atje ku ndodh ngjarja penale, por edhe në territorin e Shqipërisë.

Jo më larg se sot, unë besoj pasdite ndoshta, kur ta finalizojë, Policia e Shtetit ka dy operacione shumë të suksesshme me Spanjën dhe Gjermaninë, që kanë të bëjnë me aktivitet të rëndë kriminal. Dhe ne kemi filluar njëkohësisht me partnerët tanë çështjet penale. Natyrisht këto janë çështje paksa të rënda por janë disa çështje tjerë që policia vendore këtu duhet të jetë akoma më e fokusuar. Duhet të vazhdojë ose më saktë duhet të thellohet hetimi penal për çështjen e pronave.

Ajo që ka ndodhur në bregdetin e Lezhës është një batërdi, një papërgjegjshmëri, është një akt kriminal. Dhe nuk e kemi vetëm këtu në Lezhë, tani do të dëgjoni shumë shpejt në Durrës, pastaj në Vlorë. Sepse është një shpërdorim i rëndë jo vetëm i përgjegjësisë dhe i besimit ndaj zyrtarit të shtetit por mbi të gjitha, ndaj pronës së përbashkët.

Ashtu sikundër Drejtoria Vendore e Policisë këtu duhet të mendojë shumë më mirë për turizmin, për mjedisin. Kishe shumë të drejtë. Me punën dhe sakrificën tënde ti dhe disa prej jush nga Lezha keni krijuar një gjë fantastike, që i bëjnë nder këtij qyteti dhe që janë një publicitet i jashtëzakonshëm, por ne kemi përgjegjësi për aq sa na takon të vëmë dhe përpara përgjegjësisë dhe aktorë të tjerë, prandaj është edhe prefekti këtu për ta koordinuar gjithë këtë proces në mënyrë që çështjet e mjedisit të jenë parësore, edhe për Policinë e Shtetit.

Ashtu sikundër bie shumë dakord në çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë në zonat turistike.
Eshtë e vërtetë që ne kemi marrë masa shumë më të forta besoj unë, gjatë këtij viti për sezonin turistik. Drejtori i Përgjithshëm këtu mori angazhime konkrete, drejtori vendor mori angazhime konkrete, do vijë shumë shpejt koha që përsëri këta të japin llogari para jush.

Dhe jeni ju që do t’u thoni, para sezonit turistik morët angazhim, çfarë bëtë për angazhimin që morët?
Njëkohësisht unë dëshiroj t’ju informoj që me Drejtorin e Përgjithshëm jemi duke parë mundësinë e një projekti shumë të rëndësishëm, siç është vendosja e kamerave në të gjitha akset rrugore të vendit në mënyrë që ju të shikoni gjithmonë e më pak policë në rrugë, por të ketë një monitorim të pandërprerë të të gjithë akseve rrugore.

Shumë shpejt besoj unë, ne do të finalizojmë një projekt që të gjitha akset rrugore të Republikës, të monitorohen me kamera! Ashtu sikundër edhe zona të caktuara, siç janë zonat turistike, të monitorohen me kamera për aq sa lejohet në mënyrë që të shikojmë gjithmonë e më pak policë por të kemi më shumë vëzhgim dhe kontroll në funksion të sigurisë, së rendit dhe qetësisë publike. Merreni edhe këtë një angazhim të ministrit të Brendshëm, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në mënyrë që kur të vijmë herën tjetër, të na thoni: - çfarë bëtë për atë angazhimin që morët?

Unë e di që ka shumë probleme, që lidhen me çështjet e rendit, sigurisë dhe të qetësisë.

Ne jemi fort të angazhuar për ta vënë policinë në ato parametra që të ofrojë më shumë siguri, rend dhe qetësi. Këtë gjë nuk do ta bëjmë thjesht dhe vetëm se na duhet për BE-në! Se na duhet që të pranohemi anëtarë të BE-së! Por, siç tha Ambasadorja, siç e theksuat edhe ju, sepse ne jemi qytetarë europianë dhe duhet të jemi të tillë edhe në standardet që aplikojmë edhe në këtë çështje, siç është çështja e rendit dhe sigurisë publike. Dhe këtë gjë ne mund ta bëjmë vetëm vetëm duke ndërvepruar, vetëm duke bashkëpunuar me qytetarët, me të gjithë aktorët.

Unë shpresoj që ky forum, ky diskutim, ky dialog ndërmjet nesh, sot që është i pari në të gjithë këtë proces, do t’i japë një dimension, një marrëdhënie të re komunikimit, bashkëpunimit, ndërveprimit midis policisë në qarkun e Lezhës dhe komunitetit, banorëve, qytetarëve të respektuar të këtij qarku.
Edhe njëherë, shumë faleminderit të gjithëve, edhe që na duruat ne, edhe për shkak të temperaturës që ishte këtu.
Faleminderit!