Postuar më: 01 Maj 2018

Korçë/Forumi Qytetar për Siguri Publike

Dokumentat e bashkëngjitura

Fjala e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në Forumin Qytetar për Sigurinë Publike në Korçë:

Ju falënderoj për pjesëmarrjen por në mënyrë të veçantë për problematikat që keni ngritur. Nuk e fsheh që janë ndër pyetjet më interesante që kam marrë në gjithë këtë proces. Dhe që pa dyshim flet shumë, është edhe kjo gjithashtu një tregues i asaj marrëdhënieje të shëndetshme që ka këtu ndërmjet policisë dhe komunitetit, por mbi të gjitha është treguesi më i mirë i ndjeshmërisë që kanë qytetarët e kësaj zonë ndaj çështjeve që kanë të bëjnë me rendin dhe sigurinë publike. Sepse duhet të kuptojmë njëherë e mirë të gjithë që policia ka detyra të rëndësishme, që burojnë nga kushtetuta dhe nga ligji që të ofrojë siguri në vend por çështjet e qetësisë, të rendit janë çështje që nuk mund të zgjidhen vetëm dhe vetëm nga policia. Por janë rrjedhojë, janë rezultat i kontributit të një sërë aktorëve, vendorë gjithashtu, por, besojmë ne, edhe i vetë komunitetit dhe qytetarit. Kjo është një marrëdhënie, kjo është një qasje, një sjellje që e kanë qytetarët në të gjitha vendet e BE-së.

Ju korçarët jeni nga më të shëtiturit që në origjinë dhe e dini shumë mirë se si kanë funksionuar dhe si funksionojnë disa gjëra jashtë nesh. E dini shumë mirë marrëdhënien që njerëzit kanë me policinë. Fakti që vetë qytetarët vendosen në ruajtje të qetësisë, të rendit, praktika të kësaj natyre si kjo që ne po duam të ndërtojmë janë të zakonshme në vendet e BE-së. Qoftë nga pikëpamja e sensibilitetit që kanë njerëzit për të trajtuar probleme të paligjshmërisë apo fenomene të shkeljes së ligjit, sepse janë të vetëdijshëm që çdo parandalim, çdo ndëshkim i këtyre paligjshmërive është në të mirë të tyre, por edhe sepse janë të bindur që vetëm me një marrëdhënie të tillë të shëndetshme ndërmjet policisë, komunitetit dhe strukturave përfaqësuese të tyre, mund të kemi mjedise shumë më të qeta dhe shumë më të sigurta dhe ne këtë e kemi shumë seriozisht. Për t’iu përgjigjur pyetjes së studentes, ne po hapim një dialog ndërmjet strukturave të policisë dhe qytetarit. Një dialog që synon në radhë të parë transparencën dhe llogaridhënien tonë. 

 

Ministri, Ministria, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, gjithë trupa e policisë mbahet nga taksat e qytetarëve shqiptarë. Shqiptarët paguajnë taksa dhe një pjesë e taksave të tyre i shkon pikërisht gjithë kësaj trupe, pikërisht për të siguruar ata për të qenë të qetë, për t’iu siguruar jetën, për t’iu siguruar pronën, për t’iu dhënë rend, qetësi kudo që ata banojnë dhe punojnë. Ne kemi detyrimin që për këtë gjë, në zbatim edhe të kushtetutës dhe të ligjit të informojmë, të jemi transparentë dhe të japim llogari. Ne jemi sot këtu në këtë proces si një hap i parë, pikërisht për të bërë këtë gjë, për të thënë se çfarë jemi ne duke bërë, cilat janë çështjet që ne kemi trajtuar, cilat janë problemet që ne kemi, të angazhohemi me shumë përgjegjësi për trajtimin dhe zgjidhjen e tyre dhe kjo, ne besojmë, se do të na justifikojë shumë më mirë para jush, para qytetarëve, por nga ana tjetër, do të na bëjë ne, që nga ministri, Drejtori i Përgjithshëm dhe çdo punonjës i thjeshtë i Policisë së Shtetit, shumë më të përgjegjshëm për detyrën dhe përgjegjësitë që kemi.

Pra ky proces, në radhë të parë na ndihmon ne që të jemi shumë më të përgjegjshëm në ushtrimin e kësaj detyre, por nga ana tjetër besoj se ju ndihmon dhe ju, i ndihmon dhe qytetarët që të kuptojnë se cilat janë problemet, gjithashtu do të trajtojnë se cilat janë shqetësimet që ata kanë dhe të kërkojnë llogari për zgjidhjen e tyre.

Unë jam i bindur që 90% e juaja nuk e njihnin deri pak minuta më parë kush ishte Drejtori Vendor i Policisë, por nga sot ju dini kush është. Mbas disa ditësh, kur të shkojmë nëpër bashki që të organizojmë takime të kësaj natyre, ju do të dini kush është shefi i komisariatit, por nesër, drejtori vendor i policisë nuk është më si sot. Sot drejtori ka dalë dhe ka dhënë llogari, ka thënë cilat janë problemet, ka dëgjuar cilat janë shqetësimet dhe kur të vijë prap këtu do të duhet të thotë se çfarë bëri për të reaguar, për të vepruar, për t’i trajtuar dhe për t’i zgjidhur këto shqetësime dhe problematika. Që do të thotë që do të duhet të jetë shumë më i kujdesshëm, shumë më i përgjegjshëm dhe të jetë i suksesshëm që të mund të qendrojë në këtë detyrë, sepse ne jemi duke ndërtuar këtu një proces llogaridhënieje, një proces transparence, por siç e tha me shumë të drejtë Lorenci, ne këtë do ta kemi edhe si një proces vlerësimi.

Ç’do të thotë kjo? Nëse Drejtori do të duhet nesër të qendrojë në detyrën e tij, nëse do të duhet të vlerësohet që të ecë në karrierën e tij, ai do të duhet të marrë një vlerësim nga komuniteti, të cilit i ka shërbyer. Nëse ai punonjës i policisë që punon në territor sot, dëshiron të bëjë karrierë nesër, ai do të marrë një vlerësim nga komuniteti, por jo një vlerësim të parapërgatitur me letër që punonjësi “filan” dhe punonjësi “fistek”, që është x-i apo y-i është i zoti! Por duke iu nënshtruar pikërisht vlerësimit në komunitetin përkatës dhe kjo lidhje do t’i bëjë punonjësit e shtetit, zyrtarët e shtetit, në Ministri dhe në polici në rastin konkret, shumë më të përgjegjshëm se deri tani.

Dhe ajo që tha Drejtori, që ka të bëjë me organizimin e zonave policore nuk është një rastësi. Ne i kemi ndarë bashkitë me një organizim të ri, në disa zona policore, ka drejtoria vendore, komisariati dhe zonat policore brenda bashkive, të cilat përfshijnë në një territor të caktuar oficerët dhe agjentët e policisë kriminale, patrullat e përgjithshme që lëvizin në territor dhe oficerët e policisë në komunitet, përmes kësaj ne duam që këto tre shërbime të rëndësishme, pra ata që merren me krimin edhe me atë krimin e vogël që ndodh aty në territor, edhe patrullën që lëviz jo më si deri tani, por që do duhet të lëvizë 24 orë në 24 orë në territoret e lagjeve,- me këtë organizim të ri policor, - edhe oficerin e policisë në komunitet ta kemi përgjegjës, të fokusuar tek një territor konkret dhe tek një komunitet i përcaktuar që jeton në atë territor. Kjo do të na bëjë që të kemi një kontroll më të mirë të territorit, për të parandaluar dhe për të ndëshkuar që në fillesat e tyre çdo lloj paligjshmërie që ndodh në territor, por ajo që është shumë e rëndësishme që të kemi një marrëdhënie të re ndërmjet kësaj trupe policore dhe komunitetit përkatës. 

Që do të thotë që ky punonjësi i policisë të jetë i fokusuar tek ky territor, tek ky komunitet, t’i njohë ata dhe ata ta njohin. Pra, e thënë pak më thjeshtë ky oficeri i policisë duhet të jetë ‘Polici i Lagjes’, që ta njohë lagjen kush banon dhe çfarë problemesh ka dhe t’i përgjigjet asaj në çdo kohë, sepse në qytete si Korça, Pogradeci si dhe në qytete të tjera me radhë, të gjitha pothuajse, që të mos i marr një nga një, janë qytete të mëdha. Dhe nëse ti je nga komisariati e ke të vështirë të kuptosh se çfarë ndodh në mjedis, kurse në këtë mënyrë aty ka oficerë policie që janë përgjegjës për atë. Jo vetëm nga pikëpamja e vendosjes së tyre në territor po ky është dhe një lloj shërbimi që ofrohet, ku me shumë të drejtë drejtori Vendor i Policisë  falënderoi autoritetet vendore që kanë mundësuar që të fillojnë të kenë zyrat e tyre të policimit në komunitet, edhe nga pikëpamja fizike, në mënyrë që edhe shërbimi të shkojë më drejtpërdrejt.

Nga ana tjetër kjo është një mundësi për të pasur një shërbim më afër qytetarëve, jo vetëm të atij që shkon në Komisariat, jo atij që ka mundësi të shkojë tek Drejtoria Vendore, por në radhë të parë që të shkojë policia tek qytetari, tek problemi që është atje në territor. Duke thënë këtë ne duam që të tërheqim vëmendjen edhe në një çështje tjetër.

Ne jemi shumë të fokusuar tek çështjet që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar. Padyshim ky është një prioritet i Qeverisë. Kryeministri e ka bërë të qartë që në krye të këtij mandati që ky është prioritet kyç i Qeverisë, sepse krimi i organizuar cenon sigurinë kombëtare, pronën  dhe jetën. Cwnon, pengon zhvillimin ekonomik, jetën sociale të shoqërisë edhe imazhin e vendit.

Ne jemi fort të angazhuar. Kemi ndërmarrë një operacion shumë konkret, operacionin “Forca e Ligjit”. Kemi evidentuar grupet kriminale që veprojnë në territor, brenda dhe jashtë territorit të vendit. Kemi goditur një pjesë të tyre. Kemi një sërë hetimesh të rëndësishme me Task-Forcat që janë në kuadrin e operacionit “Forca e Ligjit”, në bashkëpunim me Prokurorinë, për të goditur shumë shpejt një pjesë të këtyre grupeve kriminale. 

Por, duke u marrë me çështje që kanë të bëjnë me krimin e organizuar padyshim nuk do të thotë se kemi trajtuar gjithë gamën e problemeve që lidhen me kriminalitetin, në mënyrë të veçantë me problemet që shqetësojnë qytetarët.

Nëse do të zbresim pak më poshtë këtu mendoj që ka disa probleme. Ka disa probleme që u ngritën edhe përmes pyetjeve tuaja. Problemet që lidhen me mjediset e sigurisë në shkollë. Ato që lidhen me qarkullimin, me prerjen e paligjshme të pyjeve, me mjedisin, me vjedhjet e banesave, me sigurinë ushqimore, me zhurmat, - janë të rëndësishme gjithashtu,- dhe një sërë fenomenesh të tjera që nodshta për në lart, për policinë mund të konsiderohen të vogla, por për atë që banon aty tek lagjja e tij është një problem i madh. 

Ky është qëllimi edhe i këtij riorganizimi të ri, që të konsiderojë problem të madh problemin e çdo qytetari pavarësisht nga përmasat që ai ka. Mund të mos jetë një vrasje, dhe mund të mos ketë vrasje, shyqyr të mos ketë vrasje, punojmë që të mos ketë vrasje. Por nuk janë më pak të rëndësishme, problemet që ka, apo të dhunës në territor apo mjediset e shkollave, sepse janë dhimbje, janë shqetësim, janë preokupim, janë cwnim i rendit dhe i qetësisë publike. Në këtë kontekst ky organizim i ri synon që të merret më shumë me trajtimin e këtyre fenomeneve dhe para së gjithash t’i parandalojë.

Ne jemi të fokusuar dhe jemi duke u marrë me këto çështje, psh., me sigurinë ushqimore jemi duke bërë një punë shumë të mirë. Sapo kemi filluar një ndryshim cilësor besoj unë, nga pikëpamja e një koordinimi të përbashkët në mënyrë që t’ju japim më shumë siguri njerëzve, në atë çfarë hanë dhe në atë çfarë ushqehen, ata në mënyrë të veçantë fëmijët, sepse ka të bëjë me rritjen e shëndetshme të brezave të sotëm dhe të nesërm.

Nuk është një punë e lehtë, por ne kemi marrë përsipër një angazhim si një përgjegjësi të madhe përpara qytetarëve. Dhe unë pres që edhe në këtë aspekt, strukturat vendore të policisë këtu, të fokusohen shumë më mirë se deri tani, sepse njerëzit kanë gjithë të drejtën të jenë të preokupuar dhe të kërkojnë më shumë llogari ndaj nesh, organeve të pushtetit ekzekutiv në mënyrë që ata të jenë të sigurtë, në atë sesi ushqehen ata dhe fëmijët e tyre.

Po kështu është shumë i drejtë shqetësimi që ngritët, që ka të bëjë me sigurinë në shkolla. Studentja këtu edhe një zonjë e nderuar mësuese, e trajtuan këtë çështje. Ne kemi nisur një projekt pilot në Tiranë, në 15 shkolla, me vendosjen e Oficerëve të Sigurisë në shkolla.

Pyetja ishte me të drejtë, se çfarë janë këta. E kam thënë edhe në mjedise të tjera të kësaj natyre, sepse është një nga pyetjet që thuhet në çdo forum dhe kjo tregon shqetësimin e madh që kanë qytetarët në këtë aspekt dhe kanë të drejtë se bëhet fjalë për fëmijët e tyre, për mirërritjen dhe edukimin e tyre. Që këta janë polic përsa i përket marrëdhënies jashtë territorit të shkollës dhe janë edukator brenda territorit të shkollës. 

Them polic dhe me funksione policore jashtë territorit të shkollës, sepse shërbejnë si pika lidhje, koordinimi me strukturat policore për të  krijuar një mjedis të qetë për ambientet tona shkollore dhe studentore, përfshirë edhe trajtimin e fenomeneve që kanë të bëjnë me përdorimin e drogave në mjediset shkollore. Janë edukator brenda, sepse sëbashku me mësuesit dhe me drejtuesit, me autoritetet e arsimit, por edhe komunitetin e prindërve do të duhet të trajtojnë probleme  që kanë të bëjnë me dhunën brenda mjediseve shkollore dhe në mënyrë të veçantë me mundësinë apo përfshirjen e elementëve të veçantë në aktivitete kriminale për t’i parandaluar këto fenomene. 

Dhe ne besojmë se kjo, një inciativë e përbashkët e Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit, nën kujdesin personal të Kryeministrit të vendit, do të jetë një inciativë frytdhënëse për të krijuar një mjedis shumë më të qetë dhe shumë më të sigurt në mjediset tona shkollore.

Duke thënë këtë, dua t’i japë dhe një përgjigje një pyetje e cila u bë në lidhje me Vetting-un. Unë besoj fort që Vettingu është një gjë shumë e rëndësishme për policinë. Kam besuar që në ditën e parë kur isha Kryetar i Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtësi, për Vettingun në radhët e prokurorisë dhe gjyqtarëve. Ashtu besoj edhe tani dhe ka qenë akti i parë që unë kam bërë si Ministër, sapo kam këtë detyrë me këtë nismë ligjore, që Vettingu do t’i shërbejë shumë Policisë së Shtetit. 

Unë bie dakord që ne kemi në radhët e Policisë së Shtetit, një shumicë dërrmuese, burra dhe gra, djem dhe vajza të pakorruptuar, të ndershëm, të përkushtuar që janë plotësisht të përgjegjshëm që nuk janë thjesht për një punë të zakonshme, por janë në një shërbim të veçantë, ndaj vendit dhe qytetarëve dhe këta janë shumica. 

Nga ana tjetër, jam plotësisht i bindur dhe treguesit janë të tillë që tregojnë që ka jo pak, punonjës policie që janë edhe të korruptuar për shkak se me heshtjen e tyre kanë ndihmuar aktivitete të caktuara kriminale, ose në mënyrë aktive i kanë shërbyer këtyre veprimtarive kriminale, ose sepse janë përfshirë drejtpërsëdrejti në to. Jo vetëm janë të korruptuar, por kanë cenuar edhe figurën e policit. 

Nuk mund të jesh, e kam thënë edhe një herë tjetër dhe e përsëris, nuk mund të jesh në mëngjes punonjës policie në zyrën e Policisë së Shtetit dhe pasdite mik dhe bashkëpunëtor i krimit. Këto të dyja nuk rrinë bashkë. Prandaj është i domosdoshëm, sepse nga njëra anë do të garantojë besueshmërinë brenda vetë trupës së policisë, sepse puna e policisë është një punë me shumë përgjegjësi, është një punë me risk të madh dhe ti duhet të dish kë ke në krahë. Dhe ti nëse je i përkushtuar, i angazhuar derisa të sakrifikosh edhe jetën në mbrojtje të pronës dhe jetës së qytetarëve, këtë do ta bësh duke pasur në krah një koleg që i beson. Përveç kësaj i gjithë ky shërbim nuk mund të jetë i tillë i besueshëm nëse njerëzit tek figura e policit nuk shikojnë shërbëtorin e ligjit. Dhe besimi tek polici është i rëndësishëm se është besimi te shteti. Po a është ky një proces që e dëmton policinë? Jo unë nuk besoj. Besoj fort që e ndihmon policinë. Pjesa tjetër që është folur për një ngarkesë etj, është e gjitha një spekulim. Është një spekulim i qëllimshëm. 

E para, sepse ne e kemi ndërtuar këtë proces që të jetë sa më i lehtë dhe i mbështetur nga pikëpamja e trajnimit, e asistencës. Unë shpresoj të ketë funksionuar kjo gjë tek strukturat e policisë. E dyta, sepse ne e kemi lehtësuar nga të gjitha llojet e detyrimeve që kanë për të mbledhur dokumente pa fund, përkundrazi. E treta, ky ka qenë një proces i zhvilluar në kohë, ka marrë gjithë kohën e nevojshme, por edhe nëse ka diçka që nuk ka shkuar mirë nga kjo pikëpamje, kemi dhënë porositë e nevojshme. Këtu janë punonjësit e policisë dhe mund ta dëgjojnë. Edhe nëse ka një gabim në plotësimin e formularëve kjo nuk i penalizon ata. 

Është diçka tjetër që i penalizon: nëse janë të korruptuar, nëse rezultojnë që kanë lidhje me botën e krimit dhe nëse kanë shkelje të rënda në ushtrimin e detyrës së tyre. Këta, më vjen keq por, nuk ka përse t’i duhen më trupës së Policisë apo qytetarëve në figurën e policit. Ata janë qytetarë të këtij vendi dhe mund të bëjnë shumë mirë një detyrë tjetër – por nuk mund të bëjnë më punën e punonjësit të policisë.

Dua t’i jap përgjigje dhe një pyetjeje që u ngrit këtu. Ne kemi hapur një proces Vettingu në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Mirëpo drejtësia penale është me tre brinjë: Gjykata, Prokuroria dhe Policia. Nëse dy prej tyre i nënshtrohen Vettingut, nuk ka logjikë që të mos i nënshtrohet dhe kjo brinjë e tretë. Pasi, në fund të fundit, ajo që bën Policia dhe Prokuroria është lënda e parë për Gjykatën në pikëpamjen e asaj që ajo gjykon. Por nëse kemi gjyqtarë të pakorruptuar, prokurorë të pakorruptuar dhe policë të pakorruptuar që i shërbejnë ligjit dhe vetëm ligjit, unë ju siguroj se do kemi shumë më pak politikanë dhe zyrtarë të korruptuar në këtë vend. Sepse sistemi i drejtësisë, e këto agjenci të rëndësishme ligjzbatuese si Policia, Prokuroria e Gjykata që jep drejtësi, nëse janë misione të ndershme e të afta profesionalisht, nuk korruptohen nga politika dhe zyrtarët e shtetit.

Dhe kjo është pikërisht ajo që do çojë në pritshmërinë e lartë për t’u dhënë më pas ndëshkimin e duhur gjithë zyrtarëve që kanë abuzuar me pushtetin – ose siç i quani ndryshe ju me të drejtë “peshqit e mëdhenj”. Sepse që “peshku i madh” të përfundojë aty ku duhet, duhet të ketë rrjetë, dhe rrjeta janë Policia-Prokuroria-Gjykata. Pa këto të treja nuk është e mundur. Pasi nëse njëra prej tyre nuk funksionon, nuk funksionon i gjithë sistemi. Dhe kjo reformë që bëjmë pikërisht në këto tre agjenci siguron mundësinë që të kemi agjenci ligjzbatuese të afta për të frenuar çdo lloj abuzimi me pushtetin. Ndaj kemi thënë dhe themi që duam të ndërtojmë një Polici të Shtetit në zbatim të ligjit dhe detyrave shtetërore dhe jo një Polici në funksion të pushtetit të radhës!

Këto janë reforma të mëdha që nuk realizohen brenda një dite. As brenda një muaji. Por është diçka shumë e rëndësishme që ne kemi pasur kurajon dhe guximin që kemi hyrë në këtë proces të reformës. Pasi dallimi mes shteteve që përparojnë me qëndrueshmëri demokratike dhe ekonomike dhe shoqërive me probleme, është pikërisht tek fakti si funksionon ky sistem. Këtë mund ta konstatoni lehtësisht dhe në vende të tjera. Kudo ka zyrtarë të korruptuar, ka dhe politikanë të korruptuar. Por ka diçka të padiskutueshme: nuk ka gjyqtarë të korruptuar, nuk ka prokurorë të korruptuar, ka shumë pak (për të mos thënë aspak) policë të korruptuar. Dhe këtu nis diferenca mes shoqërive dhe shteteve. E kjo reformë synon pikërisht këtë gjë.

Ndaj, përtej shqetësimeve që mund të ketë mbi ngarkesat e problematikat në implementimin e tyre, qëllimi është pozitiv. Dhe unë besoj se do japë efekte e rezultate pozitive. E atëherë do flasim dhe për një luftë shumë më eficente se deri tani, edhe ndaj krimit të organizuar, por në mënyrë të veçantë ndaj korrupsionit.

Ne kemi shumë gjëra për të bërë dhe jemi futur në këtë proces ndërveprimi, marrëdhënieje interaktive me komunitetin, të cilin do ta vazhdojmë me një qëllim shumë të mirë: për të pasur një marrëdhënie shumë më të shëndetshme, një komunikim shumë më të mirë me qytetarët në territor, por në mënyrë të veçantë një bashkëpunim shumë më të mirë me autoritetet vendore.

Dhe përfitoj nga rasti t’u kërkoj drejtuesve të pushtetit vendor, organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit që të jenë të përfshira aktivisht në këtë marrëdhënie.

Shumë shpejt do nisim një fazë tjetër të procesit. Këtë lloj komunikimi do ta shtrijmë në të gjitha bashkitë. Do fillojmë ngritjen e Këshillave të Sigurisë Vendore – ku do të ketë përfaqësues të qeverisjes vendore, të Policisë, të Prokurorisë dhe agjencive të tjera ligjzbatuese, të shoqërisë civile dhe komuniteteve fetare – të cilat do trajtojnë drejtpërsëdrejti çështje që kanë të bëjnë me rendin, sigurinë dhe luftën kundër kriminalitetit në një territor të caktuar. Çka do jetë një mundësi shumë e mirë për të bashkëvepruar e ndërvepruar të gjithë këta faktorë dhe aktorë të rëndësishëm në nivel vendor.

Dhe shpresoj që Qarku i Korçës dhe bashkitë e përfshira të kenë mundësinë të demonstrojnë një marrëdhënie tjetër dhe të japin një model të këtij komunikimi, të kësaj marrëdhënieje mes Policisë dhe komunitetit.

Dhe njëherë shumë faleminderit dhe gjithë të mirat!