Postuar më: 02 Maj 2018

Fjala e zv.ministres Kuko në takimin "Projektet për Shqipërinë që duam"

Fjala e zëvendësministres së Brendshme Romina Kuko në takimin ‘Projektet për Shqipërinë që duam':

Përshëndetje të gjithëve,
në emër të Ministrisë së Brendshme do të doja të prezantoja platformën e projektit “Policimi në Komunitet”, angazhimin qytetar për siguri.

Një projekt i cili ka një impakt të drejtpërdrejtë në jetën e të gjithëve ne.

Në thelb, “Policimi në Komunitet” është një filozofi dhe në të njëjtën kohë është një strategji organizative policore. Për më shumë, “policimi në komunitet” është një transformim në konceptin dhe mënyrën e të menduarit, por gjithashtu e transformon Policinë e Shtetit, nga një agjenci ligj zbatuese, në një agjenci proaktive të dhënies së shërbimit policor.

Parimi themelor i kësaj reforme është ai i ndërveprimit ndërmjet policisë vendore dhe aktorëve të tjerë vendorë, përgjegjës për sigurinë e qytetarëve, nga njëra anë, dhe gjithashtu ndërveprimin e drejtpërdrejtë të policisë me qytetarët nga ana tjetër.

Objektivi i parë i projektit ‘Policimi në komunitet’, është modernizimi i shërbimit policor nëpërmjet riorganizimit të policisë në nivelin qendror dhe vendor.

Ky ristrukturim është duke u zhvilluar si në nivel qendror ashtu edhe në nivel vendor ku struktura policore është bërë më horizontale duke i dhënë fokus të veçantë shërbimit të policisë në terren nëpërmjet oficerëve të “Policimit në komunitet”.

Në fokus të këtij ristrukturimi është riorganizimi i komisariatit duke e zbritur shërbimin policor më pranë qytetarëve. Kjo synon të arrihet nëpërmjet risisë së ngritjes së strukturave të veçanta për policimin në komunitet.

Një tjetër element i rëndësishëm i këtij riorganizimi është krijimi i Zonës Policore ku shërbimi i policimit në komunitet, patrulla e përgjithshme dhe policia kriminale janë të mbledhura të gjitha në të njëjtën zonë policore ku mund të japin një shërbim më të mirë dhe më të shpejtë ndaj qytetarëve.

Objektivi i dytë është krijimi i një marrëdhënieje të re me qytetarët nëpërmjet Forumeve Qytetare për Siguri Publike. Një risi e nisur në muajin prill 2018 dhe tashmë në vazhdim, është llogaridhënia para publikut e Drejtorive Vendore të Policisë nëpërmjet Forumeve Qytetare të Sigurisë Publike.

Forumet po organizohen në formë takimesh të përbashkëta ndërmjet përfaqësuesve të Policisë në Qark dhe Bashki, autoriteteve vendore dhe qytetarëve.

Mbështetur në filozofinë e policimit në komunitet, qytetarët pjesëmarrës në këto forume do të nxiten të shprehin problematikat e tyre, por gjithashtu të kërkojnë llogari nga drejtuesit vendorë të policisë.

Objektivi i tretë është shtrirja kapilare e shërbimit qytetar nëpërmjet hapjes së Zyrave të Shërbimit Qytetar. Ndryshimi i modelit të ofrimit të shërbimeve të policisë për publikun, është një tjetër risi, duke iu dhënë mundësi qytetarëve të marrin shërbime nga zyrat e posaçme për oficerin e policimit në komunitet pranë bashkive dhe njësive administrative.

Kjo bëhet për të hequr fluksin të qytetarëve nga komisariatet dhe drejtoritë e policisë dhe në të njëjtën kohë për të sjellë më afër policinë te qytetari, me parimin se çdo problem i vogël i qytetarëve, është një problem i vërtetë për ne.

Objektivi i fundit është ndërveprimi i aktorëve vendorë nëpërmjet Këshillave Vendore të Sigurisë Publike.

Ministria e Brendshme ka përfshirë konceptin e bashkëpunimit multi-agjenci në ofrimin e sigurisë duke krijuar platforma të krijimit të besimit siç janë Këshillat Vendore të Sigurisë Publike (KVSP), që janë organe këshilluese në qarqe e bashki, në të cilat marrin pjesë të gjithë aktorët lokalë, përfshirë prokuroria dhe gjykata.

Nëpërmjet parimit të paralajmërimit të hershëm, i gjithë projekti ka të bëjë me identifikimin e problematikave të cilat cenojnë sigurinë e komunitetit, duke patur parimin që sa më pak parandalohet, aq më pak kriminalitet trajtohet.

Faleminderit!