Postuar më: 20 Prill 2018

Fier/Forumi Qytetar për Siguri Publike: Transparencë dhe llogaridhënie

Dokumentat e bashkëngjitura

Fjala e Ministrit Xhafaj në Fier, në aktivitetin “Forumi Qytetar për Sigurinë Publike”:

“Dëshiroj t’ju falënderoj shumë për mbështetjen që i keni dhënë strukurave të policisë vendore këtu në Qarkun e Fierit, të vlerësoj bashkëpunimin shumë të mirë që strukturat vendore të policisë kanë me organet e qeverisjes vendore, shoqërinë civile, komunitet fetare këtu dhe një sërë aktorësh të tjerë të rëndësishëm – pa bashkëpunimin e të cilëve nuk mund të flasim sot për rend, qetësi dhe siguri.

Kjo çka po bëjmë nuk është as më shumë e as më pak nevoja që Policia të jetë më mirë. Jo thjesht dhe vetëm në një mbulim më të mirë të territorit. Por në radhë të parë në një marrëdhënie më të mirë me qytetarët, por t’u shërbyer më mirë interesit të çdo qytetari – edhe në Qarkun e Fierit. Për një jetë më të qetë e të sigurt.

Ju bëtë një pyetje me shumë të drejtë, kam përshtypjen zonja duhet të jetë e shoqërisë civile.

Dhe unë dua të them që ky nuk është një show. Ky është një takim pune. Një raport i ri që ne, Qeveria dhe strukturat, organet ligjzbatuese duan të ndërtojnë me qytetarët, në funksion të shërbimit ndaj tyre dhe një marrëdhënieje të re me ta. Dhe konkretisht, më specifikisht, për çështjet e rendit dhe sigurisë publike. 
Por ky është vetëm hapi i parë. Hapi i parë ku organet ligjzbatuese vendore të Policisë së Shtetit janë sot këtu për të bërë transparencën e punës së tyre dhe për të dhënë llogari para qytetarëve. Një proces i cili do të vazhdojë jo vetëm në qarqet e tjera dhe në nivel qarku, por do shtrihet në çdo bashki e çdo njësi administrative.

Pse duam ta bëjmë këtë? Sepse Policia mbahet nga taksat e qytetarëve dhe është në funksion e në shërbim të qytetarëve në respekt të ligjit.
Që do të thotë që ajo duhet të jetë transparente.

Duhet të japë llogari për atë se çfarë bën në ushtrimin e detyrës së saj për t’i shërbyer qytetarëve. Por llogarinë e para nuk duhet t’ia japë drejtorit, nuk duhet t’ia japë ministrit, por duhet t’ua japë qytetarëve të cilëve iu shërben.

Unë besoj fort që drejtori i Policisë këtu dhe të gjithë drejtuesit Vendorë të Policisë nesër do të jenë ndryshe. Pse do të jenë ndryshe? Sepse sot kanë dalë para jush. Jam i bindur që shumica këtu nuk e njihnin deri dje kush ishte drejtori i Policisë, por sot e njohin fizikisht. Sot njohin dhe përgjegjësinë që ka ai për të shërbyer. Nga ana tjetër ai nesër do të duhet të mendojë shumë më mirë për këtë marrëdhënie, për këtë shërbim që ai dhe ekipi i tij duhet të vendosë në funksion të qytetarëve. 
Ky proces llogaridhënieje është më shumë përgjegjësi për drejtorin Vendor dhe ekipin e tij, për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, për Ministrinë gjithashtu, në shërbimin që bëjnë në funksion të rendit dhe të qetësisë publike. Përveç kësaj, ne do të vazhdojmë me ristrukturimin e Policisë në territor. Çfarë duam të bëjmë ne me këtë strukturim të ri të Policisë në territor? Duam, dhe thashmë është bërë fakt, një riorganizim të ri të strukturave policore mbi bazën e zonave policore.

Fieri dhe të gjitha bashkitë do të ndahen në disa zona policore. Në zona policore ku janë njëkohësisht edhe oficeri i Policisë Kriminale, - pra ai që merret me krimin aty, në territor,- edhe Patrulla që patrullon për rendin dhe qetësinë në çdo lagje dhe në çdo pjesë të territorit, dhe veçanërisht oficerët e Policisë në Komunitet. Pse them veçanërisht oficerët e Policisë në Komunitet? Sepse është momenti që ta forcojmë rolin e tyre. Punonjësit e Policisë që shërbejnë në lagje e fshatra të caktuara, në mënyrë që qytetarët kudo ku janë në mëhallën, lagjen, fshatin e tyre të dinë se cili është polici që i shërben atij komuniteti. Dhe nga ana tjetër ky punonjës policie të njohë shumë mirë banorët e komunitetit që i shërben.

Dhe duke patur në një zonë policore edhe oficerin e Policisë Kriminale edhe oficerin e Policimit në Komunitet, duke patur gjithashtu edhe Patrullën e Përgjithshme ne arrijmë të bëjmë një mbulim të gjithë problematikës që ka territori qoftë nga pikëpamja e fenomeneve të paligjshmërisë që shfaqen në territor qoftë nga problematikat që kanë vete qytetarët.

Dhe ky është një shërbim që shkon afër qytetarit dhe nga pikëpamja fizike nëse sot duhet të ngrihet dikush nga njëra anë e Fierit për të shkuar në Komisariat apo në Drejtori nesër do të shkojë të zyra e shërbimit policor në zonën policore në pikën më të afërt të tij.
Krahas kësaj ne do të duam që të ndërtojmë dhe një proces vlerësimi të komunitetit për oficerët e Policisë që shërbejnë në territore të caktuara në mënyrë që kushdo që dëshiron të bëjë karrierë në Polici duhet të marri vlerësimin e qytetarëve që iu ka shërbyer jo kjo dhe vetëm sipas preferencës së organeve drejtuese të Policisë por duke u mbështetur fort në vlerësimin e komunitetit përkatës. E gjithë kjo marrëdhënie synon që policia të jetë shumë më mirë prezente në territor synon të ketë një marrëdhënie te drejtpërdrejtë ndërmjet Policisë dhe qytetarit.

Por ky është vetëm hapi i parë i këtij procesi.
Dhe meqenëse e mora fjalën dua të them dhe një gjë tjetër.

Që është gjithashtu një llogaridhënie e imja, e ekipit tim si ministër, drejtorit të Përgjithshëm dhe ekipit të tij gjithashtu.

Për qeverinë ka qenë dhe mbetet prioritet lufta kundër krimit të organizuar.

Qeveria ka miratuar vitin e kaluar një plan masash të detajuar në luftën kundër krimit të organizuar dukë mbështetur një operacion të gjerë të quajtur “Forca e ligjit“ që synon të godasë fort grupet e strukturuara kriminale që janë në territor. Por jo vetëm kaq. Jo vetëm ndëshkimin penal të tyre por edhe goditjen e pasurive kriminale që këto grupe kanë vendosur. Pra nga njëra anë ndëshkimi penal i tyre dhe nga ana tjetër heqja e bazës ekonomike që i mban gjallë ato. Ne jemi të vendosur për ta bërë këtë luftë pa kompromis ndaj grupeve kriminale. Sot që po flasim në shkallë vendi ne kemi goditur 7 grupe të tilla kriminale si dhe për një pjesë të konsiderueshme të tyre kemi nisur hetimin pasuror të grupeve kriminale.

Ky është një problem që nuk është vetëm në disa pjesë të territorit sigurisht, por në Fier dhe Lushnje gjithashtu ka disa probleme të kësaj natyre. Ka disa element, ka disa individë, por edhe grupe kriminale të cilët kanë guxuar të përballen jo në pak raste edhe me policinë. Ne jemi të angazhuar fort sëbashku me Prokurorinë në një proces hetimi ndaj këtyre grupeve kriminale.

Kemi goditur disa prej tyre dhe shumë shpejt do të shikoni rezultate konkrete edhe në Fier edhe në Lushnje ku ka pasur edhe ka dukuri të kësaj natyre.

Nga ana tjetër dëshiroj të theksoj që ne jemi të angazhuar fort edhe në një betejë pa kompromis me fenomenin e kanabisit. Vitin e kaluar të gjithë sëbashku, Policia e Shtetit, organet e qeverisjes vendore në bashkëpunim edhe me qytetarët e qarkut të Fierit ne arritëm një sukses të konsiderueshëm duke e ndërprerë këtë fenomen dhe duke e hequr përfundimisht vendin nga harta e vendeve që kultivojnë kanabisin. Ne jemi të vendosur që edhe gjatë këtij viti ky fenomen të mos përsëritet më.

Por për këtë kërkojmë edhe mbështetjen dhe mirëkuptimin tuaj. Unë e di që në disa raste nuk është e lehtë, në disa raste ka pasur edhe ndonjë tension të vogël, me kontrolle të ushtruara nga policia, në sera, në objekte të ndryshme, por duhet të na mirëkuptoni. Kjo mund të jetë pak e bezdisshme për disa, por është një gjë shumë e madhe, një gjë shumë e rëndësishme për të gjithë qytetarët, për të gjithë vendin. Unë dëshiroj t’ju them që në këtë proces, ne jemi fort të angazhuar.

Kryeministri, qeveria, ka caktuar prioritete të rëndësishme për luftën kundër krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti. Por ne nuk mund t’i përballojmë të vetëm këto sfida të rëndësishme; nuk mund t’i përballojmë të vetëm pa bashkëpunimin me të gjitha organet e qeverisjes vendore; pa bashkëpunimin me komunitetet fetare; pa bashkëpunimin me organizatat e shoqërisë civile, por në mënyrë të veçantë, pa mbështetjen e çdo qytetari këtu në qarkun e Fierit.

E kemi pak të vështirë ne kur na duhet të sinjalizojmë policinë. Eshtë i vërtetë shqetësimi që u ngrit këtu për Bubullimën. Ka pasur shqetësime të kësaj natyre edhe në disa zona të tjera, disa persona janë arrestuar ditët e fundit për atë fenomen, para 2 javësh më thotë drejtori. Eshtë një proces që po vazhdon nga organet e policisë vendore. Por ama duhet të themi edhe tjetrën që jo në pak raste, qytetarët kanë pasur përgjigje.

Por ç‘t’u themi ne, kjo është detyra juaj! Eshtë e vërtetë që është detyrë e policisë, por ne nuk mund të vendosim polic në çdo rrugë, dhe nuk duhet ta pretendojmë që të vendosim polic në çdo cep pallati.

Dhe nuk duhet ta kemi të vështirë që ashtu siç ndodhe në çdo vend demokratik, çdonjëri të telefonojë, njoftojë dhe t’i japë informacion policisë në mënyrë që ajo ta bëjë punë sa më mirë. Pa këtë bashkëpunim, pa këtë marrëdhënie, policia nuk mund ta bëjë ashtu siç duhet detyrën e saj për një kontroll më të mirë të territorit dhe për një goditje të fortë ndaj çdo grupi kriminal dhe ndaj çdo paligjshmëri që ndodh në territor.

Unë besoj që ky forum, ky dialog që po hapim së bashku, do të jetë një moment reflektimi, përgjegjësie për ne, por reflektimi për të gjithë për të pasur një marrëdhënie të re dhe një bashkëpunim të ri ndërmjet policisë dhe qytetarëve, edhe këtu në qarkun e Fierit.
Edhe njëherë faleminderit.

Përgjigjet e ministrit Xhafaj për pyetjet e qytetarëve në Forumin Qytetar për Sigurinë Publike, në Fier:

Ministri Xhafaj: Ka disa pyetje që kanë të bëjnë kryesisht me disa eksese ose disa vepra penale të veçanta.

Pyetjet fokusohen ndër të tjera edhe në çështjet që lidhen me krimin kibernetik. Është i drejtë shqetësimi. Është një lloj vepre penale e cila është përhapur gjerësisht vitet e fundit jo vetëm në Shqipëri, por në radhë të parë shumë e zhvilluar në vendet e tjera për arsye të zhvillimit teknologjik.

Ne kemi pasur kapacitete të kufizuara në këtë aspekt, por gjatë vitit të kaluar dhe vitin në vazhdim, kemi shtuar së tepërmi kapacitetet. Jemi duke programuar rekrutimin e të rinjve në radhët e Policisë së Shtetit me formim të posaçëm për këto lloj veprash penale si dhe kemi rritur asistencën e partnerëve ndërkombëtarë të strukturave të specializuara në fushën e krimit kibernetik.

Përsa i përket asaj çfarë u tha për sigurinë ushqimore, dua ta them hapur ky është një problem për ne, sepse nuk është vetëm shqetësim për çfarë ne hamë, por për atë sesi ne rrisim fëmijët tanë.

Gjithashtu më duhet të them dhe ta pranoj publikisht që ne në këtë aspekt nuk kemi qenë fort të impenjuar. Jemi marrë shumë me luftën ndaj krimit të organizuar, me kanabisin dhe shumë çështje të tjera, por kemi qenë të pavëmendshëm, ose shumë pak të fokusuar me çështjen që lidhen me sigurinë ushqimore. Ky është një problem i ndjeshëm, e di shumë mirë për secilin ndaj jush, sepse edhe unë jetoj në këtë vend.

Dhe unë i marr ushqimet në këtë vend, aty ku i marrin edhe komshinjtë e mi dhe e di shumë mirë që ka jo pak probleme me cilësinë e tyre. Kjo është arsyeja që ne e kemi vendosur fort theksin tek kjo çështje. Kemi orientuar strukturat e Krimit Ekonomik dhe në përgjithësi strukturat përkatëse në Policinë e Shtetit që të jenë shumë më të fokusuara tek këto problematika.

Kemi hapur disa çështje penale. I kemi referuar në Prokurori dhe unë shpresoj që të kemi rezultate konkrete në mënyrë që furnizuesit e këtyre mallrave, strukturat e tjera të ekzekutivit, strukturat e tjera shtetërore që merren me inspektimi të ndryshme në këtë fushë të jenë akoma më shumë përgjegjëse në mënyrë që të përmirësojmë ndjeshëm cilësinë e produkteve ushqimore në prodhim, në tregtim dhe në konsum.

E ritheksoj, nëse ka një gjë që ne nuk ndihemi mirë para jush, qytetarëve, është edhe kjo çështje.

Unë këtu jam bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm që të angazhohemi para jush që në këtë aspekt do të ketë një vëmendje të shtuar të strukturave të policisë, por jam shumë i bindur se pas disa theksesh që janë vendosur herë pas here në qeveri nga Kryeministri, të njëjtën gjë do të bëjnë edhe strukturat, organet e tjera shtetërore për këto çështje.

Bie dakord edhe për shqetësimin në lidhje me lojërat e fatit.

Në analizën 6 mujore që bëra unë si Ministër së bashku me ekipin e zv.ministrave, Drejtorin e Përgjithshëm para pak ditësh, kjo ishte një nga çështjet që Kryeministri nënvizoi një lloj tërheqje ose një lloj mungese vëmendje të strukturave të policisë në territor.

Dhe unë jam sot këtu për t’ju thënë që kjo çështje do të marrë një fokus të veçantë në javët dhe muajt në vijim. Të tjerat do të ishin fjalë. Le t'ja lëmë punës konkrete në terren.

Për shqetësimin që ngriti nxënësja e shkollës “Perikli Ikonomi”, jam i bindur që ka të bëjë me nevojën që ka për të pasur një marrëdhënie shumë më të mirë ndërmjet strukturave të policisë dhe strukturave shkollore.

Ndoshta nuk i është dhënë mundësia të merrni dijeni për një projekt që ne kemi nisur në Tiranë. Kemi nisur një projekt pilot në 15 shkolla të kryeqytetit me Oficerët e Sigurisë në shkolla, projekt i cili është në bashkëpunim midis Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Brendshme, nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit dhe që ka marrë angazhimin e Drejtorisë së Policisë, strukturave arsimore dhe Akademisë së Sigurisë.

Sot në Tiranë, funksionojnë në këto 15 shkolla, 15 oficerë të Sigurisë. Në shtator kjo është një përvojë që do të shtrihet në të gjitha shkollat e vendit.

Ne synojmë jo thjeshtë të vendosim një polic në territorin e shkollës, por të vendosim aty një njeri me dije të veçanta, njohuri të veçanta, me komunikim të veçantë me strukturat e policisë, për të pasur një urë lidhëse ndërmjet shërbimeve policore dhe autoriteteve të shkollës. Kur them autoriteteve të shkollës kam parasysh si Drejtoritë Arsimore, si drejtuesit e shkollës, ashtu edhe komunitetin e prindërve.

Për të trajtuar raste të dhunës ndërmjet nxënësve, por në mënyrë të veçantë për t’i mbrojtur mjediset tona shkollore nga çdo ndikim i jashtëm dhe në mënyrë të veçantë nga individë me prirje kriminale për të nxitur përfshirjen e të rinjve dhe të rejave në veprimtari kriminale, apo për eksese të ndryshme që dëmtojnë shëndetin fizik dhe shëndetin mendor të tyre.

Të jeni të sigurt që ky projekt do të jetë një projekt që do të krijojë një marrëdhënie të re ndërmjet shkollës dhe policisë, por mbi të gjitha do t’i japi mundësi nxënësve, djemve dhe vajzave në shkollë të ciklit të mesëm që të mund të jetojnë në një mjedis shumë më të qetë, shumë më të sigurt në funksion të mirërritjes dhe edukimit të tyre.

Ky është një shërbim i ri që qeveria përmes Policisë së Shtetit dhe organeve të arsimit po i afron komunitetit të nxënësve dhe prindërve në mënyrë që prindërit të jenë shumë më të qetë për fëmijët e tyre në mjediset e shkollave.

Ju faleminderit!