Postuar më: 16 Prill 2018

Elbasan/Ministri në Forumin Qytetar për Sigurinë, mbi rëndësinë e Policimit në Komunitet

16 Prill 2018 – U zhvillua në Elbasan Forumi Qytetar për Sigurinë, me pjesëmarrjen e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, deputetë të qarkut, kryebashkiaku i Elbasanit dhe 6 drejtues të njësive vendore, grupet e interesit, shoqëria civile (një përfaqësues i së cilës moderoi takimin) dhe rreth 400 qytetarë, përfshirë studentë e të rinj. Kjo nismë do aplikohet dhe në 11 qarqet e tjera të vendit në ditët në vijim.

Ky forum u mbajt pikërisht në qarkun ku nisi edhe Projekti Pilot për Policimin në Komunitet si dhe për strukturën e re të Policisë së Shtetit. Në këtë forum qytetarët u drejtuan zyrtarëve të lartë të pranishëm pyetjet më shqetësuese: që nga siguria, lufta kundër krimit, drogës, qetësia publike dhe probleme të tjera që shqetësojnë shtetasit dhe komunitetin. Ministri Xhafaj vuri theksin tek parandalimi i krimit në komunitet (si detyrë paralele e Policisë krahas luftës kundër krimit të organizuar dhe pasurive kriminale dhe ndëshkimit të autorëve) si dhe arritjet e deritanishme të Operacionit “Forca e Ligjit”. Ai vuri theksin në rëndësinë e bashkëpunimit të të gjithë aktorëve vendorë për parandalimin e kriminalitetit dhe rritjen e sigurisë në komunitet.

Puna e Policisë së Elbasanit është vlerësuar nga komuniteti i Qarkut, siç rezulton dhe nga një sondazh i  pavarur, detajet e të cilit do bëhen së shpejti publike.

Në vijim, fjala e mbajtur nga Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj:

 

Ministri Fatmir Xhafaj: Së pari, dëshiroj t’ju falënderoj shumë, shumë përzemërsisht të gjithëve. Në mënyrë të veçantë qytetarët e Elbasanit, që janë pjesëmarrës në këtë event, në këtë Forum Qytetar për sigurinë e tyre, të qytetit e komunitetit ku ju jetoni.

 

Është e vërtetë që pak muaj më parë kam qenë i pranishëm në një takim të Këshillit të Sigurisë këtu, në qytetin e Elbasanit, pjesë e një projekti shumë të rëndësishëm të Policimit në Komunitet. Ishte pjesëmarrja në këtë event, ishte ky takim, ishte ajo që munda të shoh aty që u bë pikënisje për ta zgjeruar më tej këtë koncept. Për ta çuar shumë më përpara. Dhe për të ndërtuar jo thjesht një “Këshill”, por një marrëdhënie të re të Policisë me qytetarët, me komunitetin.

 

Ky forum sot këtu nuk është një institucion, që do të funksionojë si i tillë.

Ky forum është pikënisja për të realizuar pikërisht këtë filozofi, këtë marrëdhënie të strukturuar ndërmjet Policisë, organeve të qeverisjes vendore, komunitetit, organizatave të shoqërisë civile, komuniteteve të ndryshme fetare, me një qëllim të vetëm: për të pasur më shumë rend, qetësi dhe siguri në komunitetet tona.

 

Policia e Shtetit sot është përpara disa sfidave të rëndësishme, që kanë të bëjnë me forcimin e rendit dhe sigurisë. Policia e Shtetit, në zbatim të disa prioriteteve të rëndësishme të Qeverisë dhe shoqërisë Shqiptare është e angazhuar në disa sfida të rëndësishme. Ndër to, pa dyshim sfidat kryesore janë ato që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar dhe parandalimin e fenomeneve të terrorizmit. Policia e Shtetit është e angazhuar aktivisht për t’u përballur me krimin, e në mënyrë të veçantë me krimin e organizuar.

 

Ky prioritet i qeverisë – i jetësuar dhe në një Plan Masash konkrete për luftën kundër krimit të organizuar, si dhe në një operacion të posaçëm të quajtur “Operacioni Forca e Ligjit” –  është i fokusuar pikërisht tek goditja e këtyre grupeve kriminale të cilat cenojnë sigurinë, rendin, ekonominë, jetën e përditshme dhe imazhin e vendit.

 

Dhe unë dua t’ju them sot: Ky ka qenë dhe është një operacion i suksesshëm.

 

Brenda pak muajve kemi arritur të skedojmë të gjitha grupet kriminale që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, apo ushtrojnë veprimtarinë e tyre edhe jashtë vendit në bashkëpunim me grupe të tjera kriminale. Dhe jo vetëm kemi evidentuar cilat janë këto grupe kriminale, por në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë (Prokurorisë së Rretheve Gjyqësore dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda) kemi mundur të godasim një pjesë të rëndësishme të tyre.

 

Jemi ende në fillimet e këtij operacioni, janë vetëm 3-4 muaj dhe kemi goditur 7 grupe të tilla kriminale, me rreth 100 persona të arrestuar, drejtues apo anëtarë të tyre.

 

Ne besojmë fort dhe jemi shumë të angazhuar e të përkushtuar. Policia e Shtetit, përmes strukturave të posaçme si Task Forcës  Speciale Qendrore dhe Task Forcave Rajonale të dedikuara për luftën kundër krimit të organizuar, të ngritura në çdo qark, janë duke punuar për t’i ndëshkuar këto grupe kriminale, për t’i venë para drejtësisë dhe forcës së ligjit. Ata personalisht. Por njëkohësisht dhe asetet kriminale të krijuara prej tyre nga kjo veprimtari kriminale.

 

Natyrisht duhet të jemi të ndërgjegjshëm që shqetësime të kësaj natyre ka pasur dhe ka dhe në qytetin e Elbasanit. Kemi këtu 2-3 grupe kriminale të cilat i njohim shumë mirë. Po punojmë për to, për të dokumentuar, në mënyrë që shumë shpejt të mund t’i vëmë para përgjegjësisë penale.

 

Shteti është shumë më i fortë se çdo lloj krimineli.

Për secilin prej tyre duhet të jetë shumë e qartë që Policia do t’ua nxijë jetën, në mënyrë që veprimtaria e tyre kriminale të mund të përballet me drejtësinë, të ndëshkohet në formën e saj më të ashpër. Sepse krijojnë shqetësime për sigurinë, rendin, jetën e qytetarëve, ekonominë, pasurinë. Dhe këtu ne jemi në një betejë pa kompromis. Jemi të vendosur për t’u shkuar deri në fund kësaj përballjeje. Sepse jemi të bindur se jemi thjesht duke bërë detyrën. Detyrën në zbatim të asaj që na ngarkon Kushtetuta dhe Ligji. Detyrën në shërbim të qytetarëve.

 

Por këta janë një pakicë shumë e vogël. Dhe Policia nuk është e dedikuar vetëm në këtë aspekt, por para së gjithash funksioni tjetër i saj është të adresojë shqetësimet dhe problematikat e përditshme të komuniteteve dhe çdo qytetari. Të parandalojë përfshirjen në veprimtari kriminale të të rinjve e të rejave veçanërisht. Të parandalojë përpjekjet që grupe të caktuara kriminale bëjnë për t’i përhapur këto fenomene, në mënyrë të veçantë në radhët e të rinjve dhe të rejave. Dhe parandalimi është një mision shumë i rëndësishëm i shoqërisë. I Policisë që ka për përgjegjësinë e ndëshkimit. Por jo vetëm i Policisë. Parandalimi duhet të jetë shqetësimi i të gjithë shoqërisë. I çdo familjeje. I çdo qytetari. Sepse duke parandaluar shpëtojmë një njeri nga rruga e krimit. Duke parandaluar bëjmë jetën tonë më të qetë, më të mirë. Dhe pikërisht këtë gjë synon ky projekt.

 

Ky projekt synon pikërisht parandalimi e krimit në komunitet.

Pa dyshim edhe ndëshkimin e çdo lloj veprimtarie kriminale por në mënyrë të veçantë të atyre fenomeneve që cenojnë jetën e përditshme të qytetarit.

 

Unë jam i surprizuar. Jo vetëm nga pjesëmarrja. Por dhe nga vlerësimet që u bënë këtu për Policinë dhe bashkëpunimi që Policia ka mundur të ndërtojë këtu me organet e Qeverisjes Vendore dhe  komunitetet përkatëse.

 

Unë jam akoma më i surprizuar nga pyetjet e bëra. Sepse kuptova pikërisht që jemi në rrugën e drejtë. Këtë duam dhe ne. T’u japim përgjigje e të reagojmë ndaj këtyre shqetësimeve të përditshme, si ato që ngritët ju në pyetjet tuaja.

Të reagojmë për sigurinë rrugore.

Të reagojmë për sigurinë ushqimore, të asaj çfarë hamë ne dhe fëmijët tanë në mënyrë të veçantë.

Të parandalojmë e të reagojmë më mirë për krimin mjedisor.

Të parandalojmë e të reagojmë më mirë për qetësinë e përditshme publike.

 

Ju bëtë një pyetje: “Ç‘do të thotë një polic model?”.

E kam të thjeshtë përgjigjen: Një polic model zbaton në çdo moment të tij ligjin dhe vetëm ligjin. Ligjin dhe vetëm ligjin! Dhe e zbaton këtë ligj në mënyrë të njëjtë dhe të barabartë. Si për politikanët e sërës sime, ashtu edhe për qytetarin e zakonshëm. Si për njeriun me pushtet, ashtu edhe për njeriun e zakonshëm. Si për atë që ka pasuri, edhe atë që ka pension – dhe para së gjithash duke parë më shumë e duke qenë më i fokusuar te ky i dyti, sepse polici (ligji) është aleati kryesor i çdo njeriu të thjeshtë. Pushteti e ka vetë forcën e tij, paraja e ka vetë forcën e saj, por qytetarët e zakonshëm, qytetarët e thjeshtë kanë nevojë pikërisht për pushtetin e ligjit. Kanë nevojë për mbështetjen e atyre që i shërbejnë ligjit. Dhe policia e ka detyrë funksionale këtë gjë.

 

E di që ka disa probleme edhe në radhët e policisë. Nuk mund të jetë e imunizuar policia nga problematikat dhe ekseset që ka shoqëria. Pa dyshim ka më shumë politikanë me probleme dhe që bëjnë dëm më të madh në shoqëri. Por ka edhe policë të cilët nuk i përgjigjen standardit ligjor dhe etik të qenies në këtë funksion shërbimi të rëndësishëm. Për këtë jam i vetëdijshëm.

 

Kjo është edhe arsyeja që ne ndërmorëm një proces të tillë siç është vetingu në radhët e policisë. Veting i cili është duke dhënë frytet e para, duke provuar rëndësinë e këtij projekti të rëndësishëm siç është vetingut në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ku është fokusuar fort kjo mazhorancë. Po me të njëjtin përkushtim kjo qeveri, Kryeministri i vendit, janë të angazhuar pikërisht edhe në këtë proces skanimi brenda radhëve të policisë. Dhe qëllimi ynë nuk është të ndëshkojmë policinë. Përkundrazi. Duke larguar nga radhët e Policisë së Shtetit ata që janë të korruptuar, të inkriminuar apo të padenjë e të paaftë për ta bërë këtë detyrë, ne i japim në radhë të parë mbështetje pjesës së shëndetshme të policisë. Dhe duke qenë me figurë të pastër, të pakorruptuar, të përkushtuar ndaj ligjit burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat që shërbejnë, ata do të jenë shumë më besnikë të ligjit dhe drejtpërdrejt në shërbim të qytetarëve. Dhe këtë lloj shërbimi nuk mund ta garantojë një punonjës policie ose nëpunës shteti i korruptuar apo i vënë në shërbim të njerëzve të inkriminuar.

 

Ky është qëllimi i vetingut: ta shëndoshë akoma më shumë organizatën e Policisë së Shtetit.

Ky ka qenë dhe mbetet qëllimi kryesor i qeverisë, i imi si Ministër, i ekipit që unë drejtoj, i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit: të vëmë në krye të funksioneve të rëndësishme të kësaj organizate punonjës policie të përkushtuar, në shërbimin ndaj ligjit dhe me figurë të pastër. Ky është qëllimi i Vetingut. Dhe unë besoj fort te ky proces. Siç kam besuar shumë fort për këtë gjë gjatë hartimit dhe tashmë gjatë zbatimit të këtij ligji të procesit të Vetingut në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Dhe unë besoj që ky proces skanimi do ta bëjë më të shëndetshme organizatën e Policisë së Shtetit dhe, kryesorja, do ta bëjë Policinë edhe më të besueshme se sot te qytetarët, respektimi i të cilëve është funksioni themelor i Policisë së Shtetit.

 

Jam shumë i kënaqur teksa kam parë këto kohë një sondazh që kemi bërë. Zv.Ministri që e drejton të gjithë këtë proces është këtu dhe do të dëshiroja ta kishin bërë më parë, por do të jepet mundësia një herë tjetër ta prezantojë. Është një sondazh i zhvilluar në qytetin e Elbasanit para pak kohësh. Nuk e kemi bërë ne – as qeveria, as ministria, as Drejtori i Përgjithshëm i Policisë. E kanë bërë organizata ndërkombëtare. Dhe nga ky sondazh i bërë me qytetarët e Elbasanit ka vlerësime shumë të mira për punën e policisë, për atë çfarë policia është duke bërë, për ekipin e ri drejtues të saj. Dhe po ju them që ne kemi marrë jo rastësisht një nga drejtuesit më me eksperiencë në Policinë e Shtetit, e kemi sakrifikuar, dhe e kemi sjellë këtu në Elbasan të drejtojë Policinë e Shtetit. Edhe si reflektim i asaj tronditjeje që u krijua para disa muajsh me rendin dhe sigurinë këtu. Por edhe për shkak se duam që këtë projekt ta zbatojmë më së pari këtu në Elbasan, në qarkun e njerëzve të kulturuar, të traditave të pasura, të kulturës dhe të arsimit.

 

Por çfarë është ky projekt në vetvete?

Dua ta shpjegoj këtë pak më thjeshtë.

 

Ne duam të hapim një marrëdhënie të re ndërmjet këtij organi ligjzbatues dhe qytetarëve. Policia është në shërbim të qytetarit dhe në zbatim të ligjit. Por si komunikon policia me qytetarët, vetëm nëpërmjet shërbimit të saj?

Sa dhe si e ndiejnë qytetarët që policia është e tyre, dhe në shërbim të tyre?

 

Pikërisht ky proces komunikimi, ndërveprimi synon transparencë në radhë të parë të punës së policisë, llogaridhënie të drejtuesve të policisë. Komuniteti duhet ta dijë kush është Drejtori i Policisë, kush është Zëvendësi i tij, kush janë shefat e komisariateve. Komuniteti, në një zonë akoma më të ngushtë, duhet të dijë kush është Oficeri i Policisë që shërben në atë zonë, si i shërben ai atyre njerëzve që jetojnë në atë zonë të caktuar. Në fund fare, të gjithë këta qytetarë duhet të shprehen për punën e drejtorit të policisë. Dhe njerëzit e policisë duhet ta kenë të qartë që do të jenë në krye të këtyre funksioneve nëse u shërbejnë mirë atij komuniteti e nëse ata i vlerësojnë pozitivisht. Jo sipas shijes dhe dëshirës për të vënë X-in apo Y-in në atë detyrë, apo sipas forcës që ka Drejtori i Përgjithshëm i Policisë (që është organi i emërtesës në piramidën e policisë), por në bazë të kritereve objektive të shërbimit ndaj qytetarëve.

 

Që do të thotë se në mënyrë periodike, sot drejtori i qarkut këtu në këtë forum, nesër drejtuesit e komisariateve në bashkitë përkatëse, do të kenë forume të tilla ku do të informojnë për punën e tyre dhe do të japim llogari. Dhe vlerësimin e punës së tyre, do ta bëjnë po qytetarët. Dhe ky do të jetë një kriter shumë i rëndësishëm për karrierën e tyre policore. Vetëm kështu ata do të kuptojnë forcën, peshën që ka çdo qytetar me karrierën e tyre. Kjo do të jetë një mundësi që ata të kuptojnë përgjegjësinë dhe detyrimin që kanë për t’u shërbyer qytetarëve.

 

Kjo ka dhe një vlerë tjetër. Përmes një raportimi, qytetarët kuptojnë se cilat janë problemet që kemi në fushën e krimit, në mënyrë të veçantë me krimin e vogël, me ato eksese që mund të shndërrohen në veprimtari kriminale nëse i lejojmë të zhvillohen. Kjo do ta bëjë komunitetin të kuptojë më mirë problemet. Por njëkohësisht do ta orientojë, do ta ndihmojë që të jetë më ndërveprues me Policinë.

 

Duhet të jemi të qartë për një gjë.

Policia është organ ligjzbatues i rëndësishëm për ndëshkimin në radhë të parë. Por ajo ka rol edhe për parandalimin. Por parandalimi nuk mund të jetë funksion dhe përgjegjësi vetëm e policisë. Nuk mund ta bëjë e vetme policia. Duhet ta bëjmë të gjithë bashkë. Nuk mund të vendosim polic në çdo hyrje pallati. Nuk mund të vendosim polic në çdo qoshe lagje. Natyrisht mund të organizojmë më mirë shërbimet e policisë në territor – dhe këtë jemi duke bërë me organizimin e ri të policisë.

 

E kemi ndarë Bashkinë e Elbasanit në 7 zona policore në mos gaboj, tha Drejtori.

Çfarë janë 7 zonat policore?

Dhe cili është qëllimi i kësaj ndarje të re që kemi bërë?

 

7 zona policore ku përmblidhen tre shërbime. Policia Kriminale (pra oficeri që merret me ndjekjen e krimit dhe në mënyrë të veçantë të krimit urban). Oficerët e Policisë së Patrullës së Përgjithshme (që kanë për detyrë ruajtjen e rendit dhe sigurisë, jo vetëm kur i bie radha motorit të kalojnë në lagje por duke qenë permanent 24 orë në shërbim në atë territor, ditën edhe natën). Dhe ata që unë, që ky projekt i konsideron shumë të rëndësishëm, Oficerët e Policimit në Komunitet.

 

Përmes këtij riorganizimi ne duam që të ketë një kontroll më të mirë të territorit.

Çfarë quaj unë kontroll më të mirë të territorit?

Që të ketë më shumë siguri mjedisore.

 

Nëse ka Polici do të thotë që mjediset tona do të mbahen më të pastra. Do të shfrytëzohen më mirë pasuritë natyrore. Mjedisi ynë dhe do të ndotet më pak. Natyrisht nuk është detyrë vetëm e Policisë, por Policia mund të shërbejë dhe ka rol në këtë aspekt. Ashtu sikundër edhe në ndërtimet e paligjshme, që shkaktojnë jo pak shqetësime për anën urbane dhe për shumë qytetarë dhe banesat e tyre për zhurmat që thatë ju këtu dhe për një sërë fenomenesh të tjera negative që ndodhin në territor. Jo që ato të zmadhohen sa të kthehen në konflikt apo edhe të vështira pastaj për t’u menaxhuar. Por që ne t’i kapim që në lindje të tyre këto fenomeneve.

 

Kjo pra do të thotë një kontroll më i mirë i territorit: që të mos presësh sa të bëhet mali i mbetjeve farmaceutike që nuk ka ekskavator që i heq, por që në momentin e parë të reagosh. Por krahas kontrollit të mirë të territorit, në funksion të parandalimit siç thashë ne synojmë një marrëdhënie të re midis oficerëve të policisë dhe komunitetit – dhe posaçërisht midis oficerëve të dedikuar për komunitet. E thënë shkurt (dhe merreni si të doni) “oficeri i policisë së lagjes”, do të thoshte Sotiraqi, miku im.

 

Pra, polici i lagjes, i komunitetit, edhe nëse është një punonjës policie i mirë, i zoti, do t’i duhet të njohë shumë mirë çdo banor të atij komuniteti si mundësia që t’i shërbejë atyre. Të njohë edhe deputetin, por të njohë edhe atë pensionistin. Të njohë biznesmenin, por të njohë edhe atë që është me qëndrim të detyruar në shtëpi, që ka një hall (qoftë zhurmat nga poshtë apo shqetësime të tjera që ia bëjnë jetën akoma më të vështirë sesa e ka). Të njohë shoqërinë civile, por të njohë edhe komunitetin Rom dhe hallet që ata kanë. Ky është polici që ne duam të fuqizojmë, roli i policit në komunitet.

 

Nga ana tjetër komuniteti duhet ta dijë se kush është polici që përgjigjet për të.

Me kë do ta qajë hallin ai qytetari nëse ka një problem atje ku është duke banuar, punuar, apo shërbyer? Ku duhet të shkojë? Do të duhet të marrë rrugën për në komisariat, apo te drejtori? Jo, duhet të shkojë polici i lagjes tek ai!

 

Duam të ndërtojmë këtë marrëdhënie të re, në mënyrë që sigurinë dhe rendin ta ndjejmë çdo ditë te shtëpia jonë, te rrugica jonë, te kafja e lagjes tonë. Ky është qëllimi i këtij organizimi të ri policor që është duke u zbatuar si projekt pilot në Elbasan dhe më pas në të gjithë territorin e vendit. Duke bërë këtë synojmë të kemi më shumë prezencë, por më shumë prezencë efiçente në territor, në shërbim të komunitetit e të njerëzve të thjeshtë në to.

 

Natyrisht kjo është një sfidë për ne. Një sfidë e madhe.

Unë jam shumë i ndërgjegjshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë gjithashtu.

Drejtori, ekipi i tij dhe çdo punonjës policie duhet të jetë dhe besoj është fort i ndërgjegjshëm që kjo është sfidë e madhe, sepse ne po hapim një marrëdhënie të re. Do të japim llogari, do të jemi më shumë transparentë, por do të kërkojmë që të kontrollohemi më shumë nga qytetarët, si mundësia më e mirë për të na mbajtur në standarde, në parametra të zbatimit të ligjit. Ne jemi këtu në zbatim të ligjit, në shërbim të qytetarëve, për t’i shërbyer në çdo moment atyre dhe për të goditur me forcën e ligjit çdo lloj veprimtarie kriminale apo terroriste që synon të cenojë sigurinë dhe rendit e qytetarëve në Republikën e Shqipërisë.

 

Ne jemi të vendosur për ta bërë këtë gjë, por jemi po aq të sigurt se nuk mund të bëjmë vetëm pa marrëdhënien me Pushtetin Vendor: me drejtuesit e bashkive, me këshillat bashkiakë dhe organet e tjera të qeverisjes vendore. Me Prefektin dhe ekipin e tij. Me organizatat e shoqërisë civile. Me komunitetet e respektuara fetare. Me mësuesit dhe pedagogët. Me drejtuesit e universitetit dhe të arsimit shkollor të të gjitha niveleve. Me grupet e interesit.

 

Prandaj jemi sot këtu. Për ta shpjeguar dhe për ta qartësuar këtë gjë. Për të premtuar dhe për t’u angazhuar, por njëkohësisht për të kërkuar edhe mbështetjen tuaj. Që të gjithë së bashku të mund ta bëjmë këtë vend, këtë qytet, çdo komunitet akoma më mirë të banueshme, shumë më të qetë dhe shumë më të sigurt. Sepse këtu do të jetojmë ne, do të rriten fëmijët tanë, këtu do të ndërtohet e ardhmja e shoqërisë tonë.

 

Shumë faleminderit për mirëkuptimin dhe mbështetjen.

Dhe një herë ju them: Ne jemi në shërbim tuaj, në zbatim të ligjit.

 

Faleminderit.