Postuar më: 02 Maj 2018

Durrës - Forumi Qytetar për Sigurinë Publike

Në Durrës është mbajtur Forumi Qytetar për Sigurinë Publike, formati i llogaridhënies së Policisë së Shtetit përballë qytetarëve. Në takimin e organizuar në Amfiteatrin e Durrësit morën pjesë Ministri i Brendshëm Xhafaj, drejtues të policisë, kryetarët e njësive vendore, deputetë e qindra banorë.

Ndërhyrja e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në Forum:

Përshëndetje të gjithëve, këtë pyetje që bëtë (gazetarit Bashkim Hoxha), po ta thoshte secili nga këta këtu mund të ishte edhe individuale e mund të përkthehej nga një në dy veta, por kur e thotë miku edhe kolegu im, Bashkimi, kjo amplifikohet pastaj në atë emisionin e mëngjesit bëhet për aq milion shqiptarë, bëhet temë dite.

E vërteta është që e kam thënë këtë por pjesërisht kështu siç e cituat ju.

Dua ta ndaj në 2 momente, - momenti i parë është fakti që qeveria ka miratuar një plan masash, një plan veprimi për luftën kundër krimit të organizuar duke mbështetur një operacion, të quajtur Operacioni “Forca e Ligjit”, i dedikuar, i fokusuar në luftën kundër grupeve të strukturuara kriminale.

Dhe në kontekstin e këtij operacioni, strukturat e ngritura për ta realizuar këtë, Task Forcat Qendrore pranë Policisë së Shtetit dhe Task Forcat Rajonale pranë Drejtorive Vendore të policisë, si hap të parë të tyre kanë bërë skanimin e të gjithë grupeve kriminale, drejtuesve të tyre dhe tashmë, të pasurisë që posedojnë këto grupe kriminale, pasuri e krijuar nga aktiviteti kriminal.

Natyrisht, nga momenti i identifikimit, deri te momenti i të provuarit dhe pastaj të shndërrimit të saj në një provë për efekt hetimi dhe gjykimi, është një proces, i cili shpesh herë herë mund të zgjasë me muaj por mund të zgjasë edhe me vite. Sepse, pavarësisht se mund të jemi fort mirë në dijeni të përbërjes së grupeve, të aktiviteteve të tyre po aq e rëndësishme është dhe sigurimi i provave të nevojshme konform ligjit, sepse flasim për një procedurë ligjore, për një shtet të së drejtës.

Ajo çfarë unë kam thënë dhe i qëndroj është fakti që ne sot jemi në gjendje të dimë se cilat janë grupet kriminale, cili është aktiviteti i tyre çfarë fuqie posedojnë ato dhe njëkohësisht jemi në një veprimtari aktive policore, tashmë dhe në bashkëpunim dhe në drejtimin e Prokurorisë, prokurorive respektive, prokurorive të rretheve gjyqësore dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda për juridiksionin e saj edhe për ti vënë këto përpara përgjegjësisë penale.

Një pjesë e këtyre grupeve kriminale rreth 9 të tilla në shkallë vendi janë në proces hetimi dhe duke mbajtur në konsideratë faktin se janë arrestuar një numër i caktuar personash si pjesë e këtyre grupeve kriminale.

Ndërkohë që po flasim Task Forca Qendrore dhe Task Forcat Rajonale janë në një hetim intensiv për disa grupe kriminale, një pjesë ose një numër i cili për hir të së vërtetës është edhe këtu në Durrës. Ne jemi duke punuar fort për t’i goditur ato jo, nga pikëpamja fizike, por nga pikëpamja e ligjit, e forcës dhe e provës së ligjit dhe për t’i vendosur përpara përgjegjësisë.

Jemi duke punuar ne me kapacitetet tona, por jemi duke punuar ngushtë edhe në bashkëpunim me partnerët që janë po aq të interesuar për të shkëmbyer informacionin e nevojshëm dhe për të punuar bashkërisht në këtë aspekt.

Ajo që është shumë interesante dhe që dua ta bëjë fort mirë të qartë, është fakti që krahas ndëshkimit ligjor për veprimtarinë kriminale ne jemi fort të fokusuar edhe te hetimi dhe goditja e aseteve kriminale të tyre.

Kjo është shumë e rëndësishme që të gjithë ata të kuptojnë që është e vërtetë që mund të bëjnë disa muaj dhe disa vite burg, por fuqia e tyre ekonomike, pasuria e vendosur për shkak të kësaj veprimtarie kriminale nuk do të jetë më pronë e tyre, por do të kthehet në shërbim të qytetarëve.

Ky është një operacion i cili ka vetëm 3-4 muaj që ka nisur dhe nuk besoj që në këtë vend presin që në 3-4 ne mund t’u japim goditje të menjëhershme, të njëkohshme të gjitha grupeve kriminale.

Ky është një proces që do kohën e vet, por e rëndësishme është vullneti i plotë i qeverisë, angazhimi maksimal i strukturave policore dhe njëkohësisht i agjencive të tjera ligj zbatuese të përfshirë në këtë proces si dhe bashkëpunimi shumë i mirë i ndërtuar me partnerët ndërkombëtarë.

Natyrisht, duke thënë gjithë këtë, unë nuk dua të them dhe nuk e pranoj gjithsesi faktin që 2 apo 3 grupe kriminale, që për hir të së vërtetës janë grupe që kanë një aktivitet të gjatë në shumë vite, jo të krijuara sot, por ndoshta në 10-15 vjet këtu në qytetin e Durrësit, dhe janë grupe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, nuk përbëjnë dhe nuk janë karakteristika dalluese e këtij komuniteti, përkundrazi.

Ata nuk kanë asgjë të përbashkët me komunitetin e qarkut të Durrësit, me banorë, me qytetarë të Durrësit, të Krujës dhe Fushë Krujës.

Ashtu sikundër nuk kanë asgjë të përbashkët me qytetarët e Durrësit, të Krujës, të Fushë Krujës, të Shijakut të gjithë ata që janë marrë me kultivimin e kanabisit në vitet e mëparshme.

Dhe me këtë rast dua të them që përtej atij rezultati shumë të mirë të arritur vitin e kaluar, dhe që ne jemi shumë të bindur që do ta certifikojmë edhe gjatë këtij viti, jo vetëm në saj të punës që është duke bërë Policia, por në bashkëpunim edhe me agjencitë e tjera dhe me organet e qeverisjes vendore, dua të bëj një apel në mënyrë të veçantë për banorët e disa fshatrave të Krujës dhe Fushë-Krujës. Meqenëse jemi këtu në Qarkun e Durrësit, për ne ka qenë shqetësim fenomeni i kultivimit të kanabisit.

Dua t’ju them të gjithë këtyre banorëve, së pari njëherë duhet t’u kërkoj mirëkuptimin, për disa kontrolle intensive që ne kemi kryer dhe vazhdojmë të kryejmë në këtë territor, me shqetësimin se ky fenomen ka qenë dhe potencialisht mund të jetë i pranishëm në këto pjesë të territorit të qarkut tuaj, por nga ana tjetër duke kërkuar këtë ndjesë, dua të kërkoj dhe bashkëpunimin e tyre në mënyre që fenomene të kësaj natyre, që janë me pasoja të mëdha shoqërore dhe ekonomike, të mos përsëriten më.

Dhe të jemi të vendosur që të çojmë përballë ligjit, të çojmë përballë drejtësisë, cilindo që do të merret, do të ndihmojë, do të mbështesë apo do të favorizojë kultivimin e kanabisit.

Përgjigja e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj pas pyetjeve të qytetarëve:

Ministri Xhafaj: Dëshiroj t’i falënderoj të dy zotërinjtë, me sa kuptova ishin ish-punonjës policie, edhe për sugjerimet shumë dashamirëse, edhe për fjalët e mira që thanë në adresë të policisë, por do të kërkoja mirëkuptimin e tyre dhe të gjithëve që janë këtu të pranishëm, të sqaroj që ky është i pari forum në qarkun e Durrësit. Takime të kësaj natyre ne do të t’i ndërtojmë si hap të dytë në çdo bashki, dhe pastaj në çdo njësi administrative.

Dhe ky është pjesë e një procesi, e një cikli llogaridhënieje që qeveria shqiptare, nën drejtimin e Kryeministrit të vendit ka ndërmarrë për të bërë transparencën e problematikave të fushave përkatëse, për të dhënë llogari për çfarë është bërë dhe njëkohësisht për të dëgjuar dhe për të marrë opinionet, sugjerimet, komentet e qytetarëve, për punën, në rastin konkret, të Policisë së Shtetit, të Ministrisë së Brendshme dhe njëkohësisht për të dhënë edhe ne se cilat janë prioritetet, çështjet që jemi duke trajtuar dhe angazhimet tona në këto fusha respektive. Pra është një proces llogaridhënieje i ndërtuar me të gjitha institucionet e shtetit, me të gjitha ministritë, në fushën e përgjegjësive përkatëse.

Për ne ka edhe një vlerë të dyfishtë, sepse krah këtij procesi llogaridhënieje dhe prandaj jam edhe unë si ministër, është edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit gjithashtu i pranishëm në këtë forum qytetar, krahas drejtuesve vendorë të policisë për të dhënë llogari, për t’ju informuar çfarë jemi duke bërë, por njëkohësisht për t’ju dëgjuar se çfarë duhet bërë më mirë në komunitetet përkatëse. Dhe për ne ka një arsye të dyfishtë për shkak se kjo është pjesë e një projekti që kemi ndërmarrë – projektit të “Policimit në Komunitet”, që ka disa elementë në përbërje të tij dhe një ndër të cilët, siç e sqaroi paksa Drejtori në fillim të fjalës së tij, ka të bëjë me një organizim të ri të policisë në territor. Ky organizim i ri i policisë në territor synon që ta zbresë punonjësin e policisë, forcën e policisë në territoret dhe në komunitetet përkatëse.

Ne kemi shkurtuar strukturat qendrore të policisë, nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Hapi i parë që bëri Drejtori i ri i Policisë së Shtetit sa erdhi në detyrë, është pikërisht shkurtimi i strukturës së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, drejtorive vendore duke u dhënë më shumë peshë komisariateve, por duke shkuar akoma më tej, duke ndërtuar “zona policore”. Durrësin dhe të gjitha bashkitë ne i kemi ndarë, dhe Durrësi ka 6 zona policore.

Çfarë është një zonë policore?

Një zonë policore është një territor i caktuar në të cilin bashkohen së bashku 3 shërbime: policia kriminale, oficerët e policisë kriminale së bashku me agjentët e policisë kriminale, të cilët janë të fokusuar në atë territor për paligjshmërinë dhe veprimtarinë kriminale që ndodh në atë territor të caktuar. Janë patrullat e përgjithshme, që do të thotë që ne do të kemi më shumë prezencë të kontrollit të territorit. Nëse patrullat sot ishin të organizuara në të gjithë territorin dhe kryesisht paradite dhe pasdite, tani do të jenë 24 orë në lëvizje. Pra do të kemi një prezencë më të madhe të kontrollit të territorit nga patrullat e përgjithshme.

Dhe pjesa e tretë ose elementi i tretë që është në këtë zonë policore janë oficerët e policimit në komunitet, ose quajini ndryshe, nëse keni qejf, “polici i lagjes”. Se çfarë janë oficerët e policisë kriminale, pakashumë e keni të qartë. Se çfarë janë patrullat e përgjithshme, besoj edhe atë e keni të qartë dhe natyrisht ka vend që ne të përmirësojmë dhe të fuqizojmë punën e tyre, edhe mbështetjen e tyre siç thatë juve me të drejtë. Por më i rëndësishmi sipas meje, në këtë trekëndësh, është oficeri i policimit në komunitet, ose ai, siç e quajnë zakonisht në gjuhë më të thjeshtë – polici i lagjes.

Cila është detyra e tij? Detyra e tij është të njohë zonën, të njohë komunitetin, banorët e atij komuniteti. Dhe nga ana tjetër, banorët e asaj zone, të dinë kush është polici i tyre, kush është njeriu më të cilin ata do të qajnë një hall, do të qajnë një problem, për vete apo për mikro-mjedisin, për lagjen, për rrugicën apo për pallatin ku ata banojnë.

Kjo besojmë se do ta sjellë shumë afër policinë ndaj qytetarëve, do të krijojë një lidhje më të afërt ndërmjet policisë dhe qytetarëve për hallet e tyre të përditshme. Sepse jo çdo gjë që na shqetëson ne, që padyshim janë probleme të rëndësishme siç janë grupet kriminale dhe lufta ndaj tyre sepse kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare dhe me një sërë pasojash të tjera të rëndësishme shoqërore, janë edhe problemet e përditshme të qytetarëve. Qytetarët , ju, në familjen tuaj, në shkallën tuaj, në pallatin, në lagjen, ka plot halle të tjera të quajtura ndryshe, të vogla, por të cilat kërkojnë shumë vëmendje. Këto nuk mund t’i zgjidhë drejtoria vendore, nuk mund t’i zgjidhë komisariati, do t’i zgjidhin pikërisht këta punonjës policie që janë tek ajo “Zona policore”. Do t’i zgjidhë pikërisht ky polici i komunitetit, ose ky që mund ta quani ndryshe, polici i lagjes.

Kjo do të ndihmojë jo thjesht dhe vetëm ata që kanë mundësinë, jo vetëm ata që kanë pushtetin, jo vetëm ata që kanë aftësinë fizike ndoshta edhe të shkojnë deri te drejtoria vendore, deri te shefi i komisariatit, por edhe ata që janë të pamundur për ta bërë një gjë të tillë, edhe fizikisht. Sepse edhe nga pikëpamja fizike këta do të kenë mjedise pune pikërisht në këto territore për ta afruar edhe fizikisht lidhjen ndërmjet policisë dhe qytetarëve të një zone të caktuar.

Nga ana tjetër që është shumë e rëndësishme duhet kuptuar që ky proces llogaridhënie fillon këtu, por nuk mbaron këtu. Pse, fillon këtu dhe nuk mbaron këtu? E ka sqaruar këto ditë shumë qartë Kryeministri, për domosdoshmërinë e një marrëdhënie të re mes administratës dhe qytetarit, por po flasim në rastin konkret për policinë, sepse sëbashku me Drejtorin e Përgjithshëm ja jemi bërë të qartë të gjithë oficerëve të policisë që janë këtu dhe kudo që ata punojnë.

Ndër të tjera një kriter shumë i rëndësishëm për vlerësimin dhe promovimin e tyre, do të jetë vlerësimi i komunitetit. Pra nëse ai oficeri i Policisë në Komunitet do të ngrihet në gradë, të vlerësohet apo të promovohet, do të duhet të ketë vlerësimin pozitiv nga komuniteti përkatës. Drejtori sot doli në të parin takim publik të tij dhe të drejtuesve të tjerë vendorë me qytetarët. Nesër nuk do të jetë kështu për drejtorin i cili për fatin e mirë është një nga drejtuesit e mirë të Policisë së Shtetit dhe përfitoj nga rasti t’i japë vlerësime pozitiv këtu publikisht si Ministër i Brendshëm. Por do të jetë ndryshe nesër, sepse sot ka marrë edhe angazhimin për një raport tjetër, për një marrëdhënie tjetër dhe nesër do të duhet të vijë të raportojë se çfarë bëri për këtë gjë.

Pra i gjithë ky proces siç thashë, ky është hapi i parë, ndërkohë ne do ta shoqërojmë edhe me një sërë masash të tjera të rëndësishme, siç janë ngritja e Këshillave të Sigurisë Vendore. Qeveria shumë shpejt do të miratojë ngritjen e disa strukturave të posaçme, në nivel qarku dhe nivel bashkish, që do të jenë Këshillat e Sigurisë Vendore në të cilat do të marrin pjesë drejtuesit e agjencive ligjzbatuese në territorin përkatës, përfaqësues të komuniteteve fetare që i kemi dhe këtu dhe dëshiroj t’u them edhe në emër të kolegëve të mi, shumë faleminderit që jeni prezent, sepse ndihma juaj është shumë e çmuar, përfaqësues të shoqërisë civile dhe padyshim autoritetet vendore në nivel qarku dhe në nivel bashkie dhe unë dëshiroj me këtë rast të falënderojë shumë drejtuesit vendor këtu në Durrës për bashkëpunimin shumë të mirë që kanë me Policinë e Shtetit, duke trajtuar sëbashku një sërë problematikash të rëndësishme.

Dhe në kontekstin e situatës së Durrësit, dua të them që përgjithësisht, sëbashku me drejtorin, në analizën 4 mujore që kemi bërë, kemi arritur në përfundimin se Policia në Qarkun e Durrësit ka përmirësime të ndjeshme pozitive, në treguesit statistikorë të punës së saj. Dhe dua ta vlerësoj punën e drejtuesve për ndryshimet pozitive, për frymën që kanë krijuar, për marrëdhëniet shumë të mira që kanë ndërtuar, por duke shpresuar që kjo do të shoqërohet edhe me një sërë rezultatesh të rëndësishme jo vetëm në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, jo vetëm në fushën e luftës kundër kultivimit të kanabisit, por edhe në trajtimine disa fenomeneve të tjera të rëndësishme, siç janë për shembull: çështjet që lidhen me rendin dhe qetësinë publike.

Zhurmat në Durrës janë katastrofale. Është një katastrofë të lëvizësh sidomos tani në sezonin veror në Durrës. Besoj që sëbashku me Kryetarin e Bashkisë do të mund të përcaktojmë qartë se cilat do të jenë masat dhe koha e nevojshme që të kemi mundësi për të pushuar dhe në këtë kontekst policia do të marrë detyrat dhe përgjegjësitë e veta.

Ka një sërë problemesh që lidhen me mjedisin për të cilat do të duhet që policia të jetë shumë më e vëmendshme. Jo vetëm sepse Durrësi është një qytet i rëndësishëm turistik, por edhe sepse është një çështje që ka të bëjë me shëndetin e qytetarëve, në mënyrë të veçantë të fëmijëve tanë.

Dhe çështja tjetër e rëndësishme ka të bëjë me Portin e Durrësit. Me qenë se jemi këtu, dëshiroj të trajtojë një çështje për të cilën kam marrë mesazhe, email, letra nga qytetarë dhe biznesi këtu në Durrës. Ka një lloj sensibiliteti, një lloj shqetësimi lidhur me kontrollet që ne ushtrojmë në pikat tona kufitare.

E di dhe jam shumë i ndërgjegjshëm për këtë gjë që janë pak masa shumë të forta, por unë besoj që janë të domosdoshme. Do të dëshiroja të kem mirëkuptimin tuaj, në mënyrë të veçantë të biznesit, sepse janë masa që kanë të bëjnë me forcimin e regjimit të kufirit dhe janë njëkohësisht masa parandaluese për të luftuar disa fenomene negative siç është trafikimi i qenieve njerëzore dhe drogës. Ka disa gjëra, ju mirëkuptojë të gjithë ata që kanë ngritur këto shqetësime të cilat imponojnë një mënyrë më të mirë të organizimit të të gjithë aktorëve që janë në Portin e Durrësit.

Kryeministri në analizën 6 mujore të Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë ka dhënë porosi për këtë çështje. Unë besoj që të gjithë ne ministra përgjegjës të fushave përkatëse dhe të gjithë aktorët që janë këtu, Autoriteti Portual, Doganat, Tatimet dhe padyshim Policia Kufitare do të punojnë sëbashku gjatë kësaj periudhe për të parë se çfarë mund të përmirësojnë dhe për ta lehtësuar më tej lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe në mënyrë të veçantë lëvizjen e mallrave dhe për të krijuar më shumë brenda këtij kufiri rregullash më shumë hapësirë për një shërbim më efikas ndaj biznesit. Gjithsesi do të dëshiroja mirëkuptimin tuaj, sepse kjo është në interes të sigurisë publike, është në interes të atyre prioriteteve të rëndësishme që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar.

Duke vazhduar për tu përgjigjur pyetjeve, shqetësimeve për komentet e bëra, po e filloj drejtpërsëdrejti me një dëshirë të përbashkët.

Ne duam një polici europiane, të standardeve europiane. Kjo është ajo që ne synojmë, ky do të jetë objektivi ynë që brenda mandatit katër vjeçar të kësaj qeverie, Policia e Republikës së Shqipërisë të renditet në standardet më të mira europiane.

Këtij qëllimi i shërbejnë edhe këto nisma, këtij qëllimi i shërbejnë edhe këto projekte. Dhe kur flasim për një projekt siç është “Policimi në komunitet”, duhet t’ju them që nuk është një shpikje shqiptare, as Këshillat e Sigurisë nuk janë një shpikje shqiptare, ju ftoj ju dhe cilindo tjetër të shkojmë në Britani që është një vend i zhvilluar demokratik, shtet i së drejtës së konsoliduar dhe me një ekonomi të fuqishme, ku ekzistojnë pikërisht këto këshilla të komunitetit që trajtojnë pikërisht çështje të rendit dhe të qetësisë publike. Jo vetëm kaq, ku qytetarët patrullojnë për çështje të rendit bashkë me policinë në rrugët e Londrës. Pra ky nuk është një projekt shqiptar, ky është një model europian, i një marrëdhënie ndryshe të policisë me komunitetin. E nëse në modele të tilla i marrim dhe i përthyejmë në kushtet tona dhe në realitetet tona, unë mendoj se kemi bërë një gjë të mirë në shërbim të shoqërisë.

Tani është një fakt i njohur, ne kur ka një problem dhe duhet të themi diçka në polici, rëndomë për shkak të psikologjisë sonë, konsiderohet që ky spiunoi atje në lagje. Kurse pikërisht në këtë Britani që ne po flasim, që është një standard, që është një model, kjo konsiderohet një detyrë qytetare, sepse duke ngritur një shqetësim te policia që mund të mos të përkasë fare, mund të mos shqetësoi ty fare por shqetëson zonën aty, mjedisin aty, komunitetin aty, i ke bërë nder vetes, i ke shërbyer vetes, familjes tende, komunitetit aty, dhe ne duam që pikërisht ta ndërtojmë këtë marrëdhënie, natyrisht përgjegjësit kryesor në këtë raport jemi ne.

Dhe ne dalim këtu pikërisht për ta dhënë këtë llogari, për ta marrë këtë përgjegjësi, këtë angazhim që kur të rivijmë këtu të themi dhe se çfarë kemi bërë.

Se unë e kuptoj shumë mirë, e kam thënë shpeshherë kur flas me zonja dhe zotërinj që shërbejnë në polici. 99% e qytetarëve në këtë vend nuk e kanë numrin e telefonit të Kryeministrit, të Ministrit të Brendshëm, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Deputetit, Kryetarit të Bashkisë, por një numër e kanë të gjithë qytetarët, numrin e Policisë së Shtetit. Këtij numri i bije edhe po të bjeri zjarr, edhe larg qoftë po të kishte një aksident, nganjëherë edhe po të mos jesh mirë me shëndet, i bije numrit të policisë.

Natyrisht kjo është një e drejtë e qytetarëve ndaj nesh, ndaj Policisë së Shtetit, sepse ata paguajnë nga taksat e tyre për ta mbajtur Policinë e Shtetit që Policia e Shtetit t’u shërbej atyre. Dhe ne pikërisht këtë duam të bëjmë, dhe motoja jonë cila është? Ne duam të ndërtojmë një polici të standardit europian në zbatim të ligjit dhe në shërbim të qytetarit në mënyrë që ligjin ta zbatojë njësoj si për mua ministrin, dhe për zonjën aty, si për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, edhe për pensionistin atje, si për Drejtorin Vendor, edhe për studentin atje. Pra ligji të jetë i barabartë për të gjithë. Natyrisht ky është një proces dhe në këtë proces edhe policia ka edhe problemet e veta. Kjo është arsyeja që krahas këtij projekti ne kemi ndërtuar edhe një projekt tjetër brenda policisë për ta shëndoshur organizatën e policisë.

Vetingu në radhët e policisë. Pse e kemi bërë këtë gjë? Që të largojmë nga radhët e policisë të gjithë ata polic që janë të korruptuar, të inkriminuar dhe të paaftë për ta bërë detyrën, sepse qenia në Policinë e Shtetit nuk është një punë e zakonshme, është një mision, është një shërbim ndaj vendit dhe ndaj qytetarëve.

Ashtu siç e thatë ju me shumë të drejtë, dhe unë i përulem me shumë respekt për vlerësimet që bëtë për Policinë e Shtetit, që sakrifikojnë dhe kjo është një sakrificë, një sakrificë në interes të vendit, në interes të qytetarëve por që mund ta bëjnë vetëm njerëz me integritet të lartë. Dhe nëse ne kemi gjyqtarë me integritet, prokurorë dhe policë me integritet, kemi shtet të së drejtës dhe po patëm shtet të së drejtës kemi dhe demokraci të konsoliduar, kemi dhe zhvillim ekonomik.

Kjo është arsyeja që gjatë këtyre viteve ne kemi ndërmarrë reforma të rëndësishme që kanë të bëjnë me reformimin e drejtësisë dhe tashmë edhe të policisë, por duke thënë këtë gjë unë pranoj që kjo pjesë e policisë është pakica, shumica janë burra dhe gra, djem dhe vajza që punojnë, sakrifikojnë në kushte të vështira. Ka një vlerësim shumë të mirë të gjatë mandatit të mëparshëm përsa i përket pagesës, po jo aq sa do duhej të kishim në raport dhe me policitë e tjera, por që nuk i ka penguar ata që ti përgjigjen ritmit të përgjegjësive dhe detyrave dhe unë ndjehem mirë si Ministër i Brendshëm kur Kancelaria e një nga vendeve më të fuqishme, një personalitet Europian, në Berlin flet për Vettingun në radhët e Policisë së Shtetit dhe për rezultatet e arritura nga Shqipëria në luftën kundër krimit të organizuar dhe këto nuk kanë të bëjnë me Ministrin, jam shumë i ndërgjegjshëm, kanë bëjnë me këta burra dhe gra që shërbejnë në Policinë e Shtetit.

Se shkoj në Paris dhe na jepet mundësia të takojmë Presidentin e Francës dhe në mes të gjithë ministrave të tjerë i jep vlerësime maksimale për atë çfarë është duke bërë Shqipëria në luftën kundër krimit të organizuar dhe menaxhimin e kufijve dhe përgjithësisht në bashkëpunimin policor ndërkombëtar, kjo padyshim është shprehje vullnetit të qeverisë, e punës që bëjmë ne, por në radhë të parë ju takon merita këtyre burrave dhe grave, këtyre djemve dhe vajzave që shërbejnë duke sakrifikuar në radhët e Policisë së Shtetit. Natyrisht ne ndihemi mirë që pati një progres, ndihemi mirë që kemi vullnetin dhe jemi duke punuar për të luftuar grupet kriminale të cilat janë prezente nuk janë krijuar sot, as dje, as para një viti, por kanë një histori të gjatë.

Ju keni këtu grupe kriminale që i njihni në qytetin e Durrësit dhe njihni të famshmin Lul Berisha. Këtu në Durrës nuk është bërë as sot, as dje, ka vite të tëra, ka hyrë dhe ka dalë nga burgu. I ka shpëtuar drejtësisë me gjithë përpjekjet e policisë.

Natyrisht ka pasur dhe ka dhe gjynahe policia në këtë histori, por është në vite dhe askush nuk mund të thotë sot që ne për një muaj apo për dy muaj do përballemi dhe do të japim goditje grupeve të kësaj natyre. Po është shumë e rëndësishme që ne jemi plotësisht të vendosur, të angazhuar dhe punojmë çdo ditë dhe në bashkëpunim me partnerët për të goditur këto grupe kriminale.

Unë kur thashë që këto nuk janë shqetësim i qytetarëve nuk thashë që ato nuk përbëjnë shqetësim për qytetarët, përkundrazi se kanë të bëjnë me çështjet e sigurisë kombëtare, por thashë se qytetarët në jetën e tyre të përditshme kanë dhe disa probleme të tjera, kanë të bëjnë me rendin, kanë të bëjnë me qetësinë, kanë të bëjnë me mikromjedisin e tyre dhe qytetari shqetësohet shumë kur sheh një vrasje në televizor.

Ka dhimbje për viktimën apo ngjarjen që ka ndodhur, ka dhe revoltë kur ka gjëra të kësaj natyre, por ka po aq zemërim kur dikush që parkon në mënyrë të gabuar nuk e çan njëri kokën dhe nuk hyn dot në banesën e tij. Ka po aq zemërim ajo vajza dhe me shumë të drejtë në qoftë se ajo nuk ka drita dhe nuk një shërbim policor në qoftë se ajo do të ketë nevojë për një ndihmë, patjetër.

Kanë shumë të drejtë nëse plehrat hidhen rrugës dhe askush nuk i penalizon, kanë shumë të drejtë në qoftë se siguria ushqimore dhe produktet ushqimore me të cilat ushqehen ne dhe fëmijët tanë janë të një cilësie shumë të dobët.

Sigurisht të gjitha këto nuk janë përgjegjësi e vetme e policisë, janë dhe detyrë e policisë, prandaj të gjithë bashkë këtu, ne organet e qeverisjes vendore, agjencitë e tjera shtetërore, shoqëria civile të cilën e falënderoj për pjesëmarrjen, për angazhimin, komunitet fetare që janë këtu dhe në mënyrë të veçantë ky brez i ri, këta djem dhe vajza dhe që janë për mua në këto gjashtë takime surpriza e këtij forumi dhe ndoshta nga gjërat më të mira në të gjashtë këto forume që kemi zhvilluar deri më sot, prania në shumicë e djemve dhe e vajzave, të rinj dhe të rejave të shkollave të mesme dhe studentëve të Universitetit të Durrësit, të cilët i dhanë më shumë kuptim edhe i dhanë më shumë mendim edhe më shumë angazhim këtij projekti tonë për sot dhe për nesër.

Dhe me qe nëse janë këtu do them në përgjigje dhe të shqetësimit të tyre, t’ju bëj me dije një projekt tjetër të rëndësishëm që është pjesë e Policimit në Komunitet, që për hir të vërtetës është angazhim i dy ministrive, i Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Brendshme dhe iniciativë personale e Kryeministrit të vendit. Krijimin ose ngritjen e strukturës së oficerëve të policisë së sigurisë në shkollë.

Ky është një projekt pilot që jemi duke e zbatuar në Tiranë, në 15 shkolla të Tiranës, në shtator do të jetë në të gjitha shkollat e mesme dhe shkollat e larta të vendit. Oficerët e Sigurisë në shkolla. Çfarë kuptojmë me Oficerët e Sigurisë në shkollë? Do të jenë disa djem dhe vajza të rinj, me arsim të lartë, të trajnuar nga Akademia e Sigurisë, të cilët jashtë perimetrit të shkollës, do të luajnë rolin e oficerit të policisë, pikës ndërlidhëse ndërmjet shkollës dhe policisë dhe organeve të qeverisjes vendore.

Brenda territorit të shkollës do të jenë edukatorë për çështjet e rendit dhe sigurisë, nën urdhrat e autoriteteve arsimore. Pra, në një kuptim do të jenë në rolin e edukatorit, për të parandaluar fenomene si akte të dhunës brenda ambienteve të shkollës, dhe në një kuptim do të jenë, do të sillen në formën e oficerit të policisë, për të parandaluar dhe për të goditur në rastet e interferencave të aktiviteteve kriminale ose përpjekjeve të individëve apo grupeve kriminale për të tërhequr në rrugën e krimit të rinj dhe të reja, dhe në mënyrë të veçantë për të ndaluar fenomenin e konsumit të drogave në mjediset shkollore, i cili është një fenomen për fat të mirë ende jo shumë i përhapur, por prezent.

Ne ta shohim në sy ta pranojmë që në fillimet e tij, në mënyrë që të kemi mundësi ta parandalojmë dhe ta luftojmë. Natyrisht, duke thënë të gjitha këto, ne jemi plotësisht të ndërgjegjshëm, plotësisht të ndërgjegjshëm që ka shumë, shumë për të bërë. Ka shumë çështje që meritojnë një vëmendje të shtuar të Ministrisë të cilën unë drejtoj dhe jam përgjegjës para qeverisë, Parlamentit dhe qytetarëve të këtij vendi, dhe në mënyrë të veçantë strukturave të policisë.

Natyrisht që ky është një proces në përmirësim, dhe ne besojmë fort që do të kemi rezultate shumë më të mira, do të kemi këto rezultate në saj të qartësisë dhe vendosmërisë të asaj se çfarë duam të bëjmë, do ti kemi në saj të profesionalizmit në rritje të strukturave tona policore, por jemi pikërisht këtu, për të shtrirë dorën e bashkëpunimit me të gjithë aktorët vendor të komuniteteve tona, në mënyrë që çështjet e rendit dhe sigurisë siç janë çështje komplekse, të kenë edhe kontribut të të gjithëve, në mënyrë të përbashkët për të pasur më shumë siguri , rend dhe qetësi në qytetet tona, në komunitetet tona, në familjet tona.

Unë dëshiroj t’ju falënderoj përzemërsisht që ishit këtu t’ju falënderoj në mënyrë të veçantë për kritikat që adresuat ndaj nesh, për problemet që ngritët për pyetjet të cilat ne i mbajtëm shënim me shumë kujdes, u përpoqëm edhe të reagonim dhe të jepnim përgjigje, jo për t’u kundërpërgjigjur, por për të informuar dhe për të marrë përgjegjësi për çfarë ju keni shqetësim, dhe njëkohësisht të angazhohemi këtu publikisht, që ky është një proces që fillon këtu dhe do të vazhdojë në çdo njësi, çdo bashki, çdo njësi administrative dhe në komunitete shumë më të vogla për këta të rinj, për ta forcuar më tej shërbimin policor dhe në mënyrë të veçantë marrëdhënien polici - komunitet në funksion të rendit dhe sigurisë publike.

Shumë faleminderit të gjithëve!