Postuar më: 18 Prill 2018

Dibër/Forumi Qytetar për Siguri Publike, llogaridhënia e Policisë me qytetarët

Dokumentat e bashkëngjitura

Dibër/Forumi Qytetar për Siguri Publike, llogaridhënia e Policisë me qytetarët

Ministri Xhafaj: Me kontributin e çdo qytetari, institucioni, organizate, komuniteti, mund ta mbajmë të frenuar kriminalitetin

Xhafaj: Organizimi i ri i Policisë, synon një shërbim më të mirë ndaj qytetarit

Xhafaj: Nëse ka një Drejtësi dhe Polici me integritet, më pak e lehtë që politika të abuzojë me interesat e qytetarëve

Xhafaj: Nëse ka njerëz të ndershëm në Polici, nuk do të hezitojnë të veprojnë për çdo lloj korrupsioni financiar në të gjitha nivelet

Drejtori Veliu: Riorganizim i Policisë së Qarkullimit në bazë qarku, për të mbuluar çdo aks rrugor

Ambasadori britanik: Parandalimi është puna me komunitetin, për t’u përballur me krimin

Dibra ishte qarku i dytë ku u mbajt Forumi për Sigurinë Publike, një format i llogaridhënies së Policisë përballë qytetarëve. Të pranishëm ishin ministri i Brendshëm, ambasadori britanik në Tiranë, deputetë të zonës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, përfaqësues të pushtetit vendor dhe qindra qytetarë.

Ministri Xhafaj tha se çështjet e rendit publik nuk duhet t’i ndajnë partitë politike apo njerëzit sipas bindjeve, pasi të gjithë kërkojnë jetë më të qetë. Ai shtoi se për të pasur një qytet të sigurt, duhet të gjithë të bashkëpunojnë me policinë.

“Nëse flasim për parandalim, a ka detyra Policia? Absolutisht po. Dhe ne jemi plotësisht të ndërgjegjshëm për këtë gjë. Por nëse ndëshkimi është aktiviteti dhe funksioni ynë kryesor, përgjegjësia jonë kryesore, padyshim parandalimi është një përgjegjësi dhe një detyrë për ne, por unë besoj fort që është një detyrë dhe një angazhim jo thjesht dhe vetëm për Policinë, por për të gjithë, për çdo qytetar të këtij vendi. Sepse nga kontributi i çdo qytetari, çdo institucioni, i çdo organizate, i çdo komuniteti ne mund ta mbajmë të frenuar kriminalitetin, mund ta parandalojmë futjen e të rinjve dhe të rejave në rrugën e krimit dhe ta bëjmë më të shëndetshme shoqërinë tonë”, theksoi z.Xhafaj.

Ministri tha se projekti i Policimit në Komunitet, do të ketë në fokus një kontroll më të mirë të territorit. Ai shtoi se synohet gjithashtu një transparencë më e mirë të punës së Policisë si dhe llogaridhënie e drejtuesve të saj.

Unë jam shumë i bindur që Drejtori i Policisë do të mendojë gjatë për këtë event. Sot dhe në vijim do ta ketë më të vështirë punën e tij, sesa dje. Se ka dalë para qytetarëve, ka folur para tyre. Nesër do të vijë përsëri këtu Drejtori dhe ne të gjithë bashkë dhe nuk themi më se çfarë duam të bëjmë, por edhe se çfarë kemi bërë dhe çfarë mund të bëjmë më mirë dhe çfarë mund të bëjmë sërish akoma më mirë bashkë. Ky është një instrument, një mekanizëm që policia, drejtuesit e policisë, Ministri i Brendshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, ekipi i tij në nivel qendror dhe nivel vendor të kuptojnë se jemi këtu, jo thjesht për të qenë në një karrige, por për të qenë në shërbim të qytetarëve. Dhe organizimi i ri që ne kemi filluar në Polici synon pikërisht këtë gjë, një shërbim më të mirë. Çdo njeri në lagjen e vet, në komunitetin e vet të dijë se kë ka punonjës policie, cili është polici që i shërben. Nga ana tjetër polici të njohë se kujt i shërben, çfarë problemesh ata kanë”, nënvizoi z.Xhafaj.

“Fakti që morëm një ftesë për të qenë në këtë event është një konfirmim i radhës i dëshirës dhe i bashkëpunimit të qeverisë britanike me qeverinë shqiptare për të zgjidhur çështjen e krimit. Ne jemi shumë të lumtur të ndajmë eksperiencën tonë sesi i jemi përqasur luftës kundër krimit të organizuar. Parandalimi është puna me komunitetin, për t’u përballur me krimin, është pikërisht ajo që Ministri propozoi”, nënvizoi ambasadori britanik në Tiranë Duncan Norman, pjesë e takimit. 

Duke u ndalur tek Vetting-u në Policinë e Shtetit, ai deklaroi se qëllimi nuk është largimi i disa punonjësve dhe zëvendësimi i tyre, por të pasurit e një trupe policore me integritet moral.

Kemi qenë fare të qartë kur nisëm Reformën në Drejtësi (për të cilën ka njerëz pro e kundër, ka njerëz që besojnë më pak dhe shpresojnë ta shohin që të besojnë më shumë, ka dhe kundërshtarë pa dyshim). Por që në ditën e parë kur e kam nisur Reformën në Drejtësi, dhe që në ditën e parë kur erdha në Ministrinë e Brendshme, kam qenë dhe vijoj të jem i bindur se nëse ka një Drejtësi dhe një Polici me njerëz me integritet e të ndershëm, e ka shumë më pak të lehtë mundësinë politika dhe çdo lloj pushteti të abuzojë me interesat e qytetarëve. Nëse ka njerëz të ndershëm në Polici, në Policinë Kriminale, ata nuk hezitojnë që për çdo lloj korrupsioni ekonomik dhe financiar në të gjitha nivelet, të veprojnë, të reagojnë dhe të ndëshkojnë. Por nëse edhe ata janë të korruptuar, të gjithë janë të korruptuar. Nëse njerëzit që shërbejnë në Drejtësi e Polici janë njerëz të ndershëm e me integritet, ata  mund t’i vënë kufirin tek thana çdo lloj zyrtari që abuzon me interesat e ligjshme të qytetarëve. Ndaj kam qenë fare i qartë në nisje të këtij procesi. Kemi qenë të gjithë të vendosur”, u shpreh ministri i Brendshëm.

Drejtori i Përgjitshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu duke iu përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve dibranë që qarkullimin, tha se me riformatimin që do t’i bëhet Policisë Rrugore do të ketë një organizim më të mirë në të gjithë qarkun me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Dua të ndaj edhe me ju që mbi bazën e studimit të bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Policia Rrugore do të riformatohet dhe do të ristrukturohet përsa i përket organizimit të saj, duke u organizuar mbi bazë qarku me qëllim që ne të mbulojmë të gjithë akset kryesore rrugore dhe jo t’i kemi prezent vetëm në disa akse kryesore ku ju të shikoni në çdo 2 km, dy pika kontrolli dhe pjesa tjetër e pambuluar apo pjesë të tjera të rrugëve rurale, të cilat kanë qenë problematike dhe fatkeqësisht edhe në qarkun tuaj ne kemi patur disa aksidente me viktima”, tha kreu i Policisë.

Përsa u përket konflikteve që ndodhin në zonat rurale, Veliu theksoi se objektivi i kësaj strategjie është t’u gjendemi qytetarit në momentin dhe kohën e duhur.

Në çdo komunë apo njësi administrative, e cila është aktualisht në qarkun tuaj, në bashkëpunim me qeverisjen vendore ne do të kërkojmë zyra ku do të jenë jo vetëm specialistët e Policimit në Komunitet të asaj krahine, por të mbështetur edhe nga shërbime të tjera që qytetari për problematika të caktuara të drejtohet te këto ambiente dhe jo të lëvizë dy orë apo tre orë që të mbërrijë në Komisariatin më të afërt apo në Stacionin e Policisë më të afërt, por për ta trajtuar problemin dhe për ta zgjidhur direkt në atë zonë ku ai banon, duke kërkuar patjetër dhe ndihmën e aktorëve të tjerë siç janë qeverisja vendore apo duke kërkuar dhe ndihmën e aktorëve të tjerë të Drejtorive të institucioneve që operojnë në qarkun tuaj”, shtoi ndër të tjera Drejtori i Policisë.