Postuar më: 23 Prill 2018

Berat/Forumi për Siguri Publike: Hapi i parë i një marrëdhënieje të re me komunitetin

Dokumentat e bashkëngjitura

Në Berat u mbajt forumi i katërt qytetar për Sigurinë Publike, me pjesëmarrjen e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit, Kryebashkiakut të Beratit, Drejtorëve të shkollave të qarkut, grupeve e interesit dhe shoqërisë civile.

Fjala e plotë e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj:

Është një kënaqësi e veçantë për mua si Ministër i Brendshëm të marr pjesë në këtë Forum Qytetar dialogu, bashkëpunimi e bashkëbisedimi me qytetarët e Beratit, me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, të komuniteteve fetare, përfaqësues të nderuar të qeverisjes vendore dhe të gjithë grupet e interesit.

Ky është një proces dialogimi për çështjet e rendit, qetësisë, sigurisë. Por është dhe një proces transparence dhe llogaridhënieje për ne, për Ministrinë e Brendshme, për të gjithë organizatën e Policisë së Shtetit (Drejtorinë e Përgjithshme dhe Vendore të saj), sepse Policia mbahet nga taksat tuaja. Ju shpenzoni paratë tuaja për ta mbajtur e pasur Policinë, që ajo t’ju shërbejë për t’ju ofruar qetësi e siguri. Dhe ju me çdo qytetar të këtij vendi keni gjithë të drejtën të dini çfarë bëjmë, çfarë nuk bëjmë mirë, çfarë duhet të bëjmë për të reaguar dhe për t’u dhënë zgjidhje problematikave e shqetësimeve tuaja – si komunitete dhe çdo qytetari në veçanti.

Ky është qëllimi i këtij procesi, i këtyre forumeve qytetare që janë vetëm hapi i parë. Hapi i parë nga pikëpamja e ndërtimit të një marrëdhënieje të re ndërmjet Policisë, organeve të Qeverisjes Vendore dhe komunitetit.

Ne sapo e kemi filluar këtë dialog në të gjitha qarqet e vendit. Por nuk do ndalojmë këtu. Sepse ky nuk është një qëllim në vetvete, por një projekt të cilin do e vazhdojmë: do të bëjmë transparente punën tonë, do të japim llogari për çfarë kemi bërë, do të angazhohemi se çfarë duhet të bëjmë në raport me ato shqetësime që ngritët sot apo në vazhdim. E atë që bëmë këtu në nivel Qarku do vijojmë ta bëjmë në të gjitha Bashkitë, e në një fazë tjetër në të gjitha Njësitë Administrative. Ku të gjithë punonjësit e Policisë, sipas nivelit që kanë në hierarkinë e tyre (drejtori dhe ekipi i tij drejtues në nivel qarku, drejtuesit e komisariateve në nivel komisariati, drejtuesit e Zonave Policore në nivel njësish administrative) do vazhdojnë me ngritjen e Këshillave të Sigurisë Vendore.

Çfarë janë Këshillat e Sigurisë Vendore?

Janë disa organizma ku marrin pjesë disa agjenci ligjzbatuese – si Policia e Shtetit por jo vetëm, edhe Prokuroria, përfaqësues të qeverisjes vendore, të komuniteteve fetare, grupet e interesit, organizatat e shoqërisë civile – në këto këshilla ku debatohet e diskutohet periodikisht për problemet, shqetësimet që ka komuniteti. Ku drejtuesit e këtyre agjencive ligjzbatuese informojnë e japin llogari, dhe ndërkohë sigurojnë një bashkëveprim, një ndërveprim me të gjitha këto struktura të nevojshme.

Pse duam ta bëjmë këtë gjë? Sepse kemi bindjen së pari që duhet të jemi më shumë në vëmendje dhe nën kërkesë llogarie nga ana e komuniteteve dhe qytetarëve këtu, në mënyrë që ta bëjmë më mirë punën tonë e të jemi shumë më të përgjegjshëm për punën që bëjmë. Por nga ana tjetër, sepse gjykojmë se është shumë e domosdoshme që të kuptojmë të gjithë bashkë që çështjet e rendit, të qetësisë e sigurisë, nuk mund të zgjidhen vetëm me Policinë.

Se nuk i zgjidhin me policinë as vendet e tjera të qytetëruara.

Dëgjova këtu që disa që folën, që trajtuan çështje apo ngritën pyetje janë emigrantë, kanë jetuar apo punuar për kohë të caktuara edhe jashtë vendit. Shumica prej jush jam shumë i bindur ka qenë jashtë vendit dhe i është dhënë mundësia të shohë pikërisht këtë fakt: që ka një marrëdhënie, një ndërlidhje, një ndërveprim mes Policisë dhe komuniteteve.

Askush atje nuk e quan spiunllëk nëse do të ngrejë telefonin dhe do të thotë ka këtë shqetësim, ka këtë problem apo X apo Y është duke shkelur ligjet, sepse me atë mënyrë parandalon një krim. Dhe nga ana tjetër i jep vetes, familjes së tij, lagjes së tij, komunitetit të tij më shumë siguri dhe rend. Por dhe nga ana tjetër është e pamundur që ne të vendosim në çdo rrugicë, lagje, objekt nga një polic, s’e kjo do të ishte kosto për njerëzit, po do të ishte ineficente. Madje ne jemi vendi ku sheh më shumë policë kur udhëton se në çdo vend tjetër. Ka dhe arsye të tjera po pa dyshim një nga arsyet është pikërisht dhe kjo.

Është kjo arsye që duam të shndërrojmë këtë në një marrëdhënie shumë më proaktive ndërmjet Policisë dhe komuniteteve përkatëse. Do të vazhdojmë akoma më tej me atë që e tha drejtori Vendor dhe që përforcoi Drejtori i Përgjithshëm: me një riorganizim të ri të Policisë. Me një riorganizim të ri të Policisë në territor në mënyrë që të kemi mundësi të kontrollojmë më mirë territorin. Në mënyrë që Policia edhe me këto forca që ka edhe me ndonjë shtesë në numër në muajt e ardhshëm të ketë mundësi të jetë më prezente dhe të jetë 24 orë në kontrollin e territorit. Jo të ketë patrullë vetëm paradite apo vetëm pasdite dhe në qendrën e qytetit, por në të gjitha zonat e qyteteve dhe gjatë gjithë 24 orëve.

Duke çuar pak më afër komunitetet përmes këtij organizimi të ri oficerët e Policisë Kriminale, që ashtu siç merremi me çështje që lidhen me krimin e organizuar, të merremi më mirë dhe me krimin urban, me atë krimin e vogël që ndoshta shpesh herë shqetëson më shumë komunitetet në përditshmërinë e jetës së tyre. Kryesorja, në këto zona policore, të ketë një prezencë, një rol të ridimensionuar, një rol të ri të oficerëve të policisë në komunitet.

Oficerët e policisë në komunitet janë shumë të rëndësishëm. Është e vërtetë që ekzistojnë por nuk kanë peshën, përgjegjësinë dhe rolin e duhur. Me këtë riorganizim ne u japim atyre detyra të mirëfillta. Që do të thotë që ata të shndërrohen, e thënë pak më shqip, drejtpërsëdrejti në polic i komunitetit, polic i lagjes. Në mënyrë që çdonjëri në shtëpinë e tij ta di kë ka policin e lagjes.

Në mënyrë që çdonjëri ta dijë se cila është ajo strukturë që i shërben drejtpërsëdrejti atij, që të ketë mundësi të qajë dhe hallin, edhe problemin, dhe të sinjalizojë. Po nga ana tjetër ne të njohim se kush është në lagjen tonë. Kush banon, çfarë problemesh ka, kush ka shqetësim. Cilët nga fëmijët, të rinjtë mund të bien pre e grupeve kriminale, e individëve që merren me veprimtari kriminale, në mënyrë që të ndërtohet pastaj me familjet e tyre, me komunitetin përkatës një marrëdhënie për të parandaluar futjen e tyre të mëtejshme në rrugën e krimit.

Duke u dhënë këtë rol, mos u çudisni që një ditë, shumë shpejt, këta oficerë të Policisë së komunitetit do të trokasin në dyert tuaja dhe do të thonë: Unë jam oficeri i Policisë në komunitet, unë përgjigjem për komunitetin këtu, dhe unë jam në dispozicionin tuaj 24 orë në 24 për t’ju shërbyer.

Duke e bërë këtë gjë, natyrisht edhe nga pikëpamja fizike e lehtësojmë procesin. Zonat policore do të kenë dhe zyra dhe komunitet dhe organet e qeverisjes vendore do të na ndihmojnë, do të bashkëpunojmë bashkë që t’i ngremë këto zyra, që të jenë eficiente. Do të jenë edhe fizikisht, por mbi të gjitha do të jenë me një marrëdhënie të drejtpërdrejtë. Por ka dhe një gjë tjetër, këta do të vlerësohen për këtë gjë. Çdo të thotë kjo? Që në fund të vitit, ose kujt t’i duhet që të bëjë karrierë, të ngrihet në përgjegjësi apo të vlerësohet në gradat e tij ai do të duhet të marrë një certifikatë të Këshillit të Sigurisë në komunitet dhe të komunitetit vendor.

Pse duam ta bëjmë ne këtë gjë? Që ai, edhe në këtë mënyrë, kushdo që është në radhët e Policisë së Shtetit të kuptojë të ndërgjegjësohet që është në shërbim, po jo në shërbim të ministrit, jo në shërbim të drejtorit, po në shërbim të qytetarit. Dhe para se të vlerësohet nga ministri apo sipas përkatësisë nga drejtori përkatës, ai të vlerësohet nga qytetari dhe drejtorit, në vlerësimin që do t’i bëjë, në gradët që do t’i japë, duhet të mbajë në konsideratë, pikërisht vlerësimin e komuniteteve.

Kjo është e gjitha ajo çfarë ne duam të bëjmë, ajo çfarë ne kemi filluar dhe ky është vetëm hapi i parë dhe unë jam këtu bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm, bashkë me kolegët e tjerë, me Zv.ministrin, me kolegët e mi deputetë gjithashtu që t’ju siguroj që ky projekt do të shkojë deri në fund dhe kjo nuk do të jetë një shfaqje, një rastësi, por një proces që do të vazhdojë për të dhënë pikërisht këtë produkt që dëshirojmë.

Natyrisht policia është një organizatë që ka shumë përgjegjësi, ka detyra të rëndësishme që ia jep kushtetuta dhe ligjet e këtij vendi. Pa dyshim fokusi kryesor janë çështjet që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar, parandalimin e terrorizimit, por nuk janë më pak të rëndësishme çështjet që lidhen me krimin e vogël ose krimin urban, ose krimin e përditshëm, me fenomenet negative që ka shoqëria. Dhe unë dëshiroj të them që nëse sot do të kisha mundësinë t’i jepja një çmim në shkallë vendi për çështjet e rendit dhe sigurisë, jemi në një mendje me Drejtorin e Përgjithshëm, që në Republikën e Shqipërisë, çmimi i parë do t’i jepej qarkut të Beratit.

Edhe vetë kur kam ardhur ministër dhe kam parë statistikat jam surprizuar. Rezultatet janë me të vërtetë shumë pozitive dhe merita e parë, kontributi i parë i takon qytetarisë tuaj. I takon qytetarëve që banojnë në këtë qark me vlerat që demonstrojnë, kontributin që japin qytetet tuaja, fshatrat tuaja të jenë sa më të qeta dhe sa më të sigurta. Natyrisht besoj unë dhe këtu ndaj të njëjtin mendim edhe me atë çfarë ju shprehët që ka një meritë, ka një vlerësim pozitiv, ka një kontribut konkret edhe për punën e organeve të policisë në qarkun e Beratit.

Zv.ministri që për koinçidencë është edhe nga Berati me origjinë, shprehu një tregues konkret të zhvilluar nga agjencitë ndërkombëtare, jo nga ne sipas të cilave rezulton fakti që policia në sondazhet që është bërë këtu në qarkun e Beratit, është agjencia që ka shkallën e besueshmërisë më të lartë dhe kjo është një gjë shumë pozitive, por nuk është e mjaftueshme. Ne duam që përmes këtij procesi, por edhe një impenjimi shumë më të madh dhe një angazhimi shumë më të mirë të tonin, të adresojmë shumë më mirë se tani disa problematika një pjesë të cilave ju i trajtuat këtu gjatë këtij bashkëbisedimi.

Zonja me të drejtë trajtoi çështjen, po si do ta bëni ju policinë akoma më të besueshme? Është e besueshme, por akoma më të besueshme. Kjo është një sfidë për ne. Dhe Vettingu që shpjegoi zv.ministri ka pikërisht këtë qëllim. Dhe ne nuk i ndajmë në të vjetër dhe të rinj policët. Këtu dua t’ju kërkoj ndjesë, por duhet t’ju korrigjoj. Për ne nuk ka asnjë rëndësi çfarë moshe kanë njerëzit e policisë, natyrisht djem dhe vajza të reja që kanë hyrë në polici janë shumë më të arsimuar.

Si të gjithë ne, edhe mua vetë, brezat që vijnë janë shumë më të arsimuar se brezi im, por përtej këtij dallimi moshor, ne do t’i diferencojmë apo do t’i vlerësojmë mbi bazën e disa kritereve, standardeve që kanë të bëjnë me ndershmërinë e tyre, që kanë të bëjnë me pastërtinë e tyre, që kanë të bëjnë me aftësinë për t’i shërbyer komunitetit, sepse ne kemi bindjen që nuk mund të rrish ditën në zyrat e policisë dhe në darkë të darkosh në shoqërinë e njerëzve me prirje ose aktivitet kriminal.

Nuk mund të jesh në mëngjes polic dhe pasdite të jesh bashkëpunëtor i një krimineli. Në këtë kontekst këta njerëz do të duhet të largohen përfundimisht nga policia, këtë qëllim ka Vettingu. Duke qëndruar ata më të mirët, ata më të ndershmit, ata që e kuptojnë që puna në polici është e vështirë, është një sfidë, por është shërbim dhe kërkon që të kesh disa cilësi të veçanta.

Ne do të mund të sigurojmë këtu njerëz që zbatojnë ligjin dhe vetëm ligjin pavarësisht se kë kanë përballë. Kanë ministrin, apo qytetarin. Kanë zyrtarin, apo pensionistin. Kanë politikanin, apo një të pamundur fizikisht. Ligji është dhe duhet të jetë i barabartë për të gjithë. Vetëm një trup policore e pastruar nga individë të tillë mund ta garantojë këtë mënyrë të zbatimit të ligjit.

Natyrisht ne jemi të interesuar edhe për disa fenomene të tjera. Unë e vlerësoj faktin dhe ndihem mirë kur dëgjoj se ju kemi vlerësime pozitive për punën që bën policia.

Ju ngritët këtu çështje që kanë të bëjnë me sigurinë rrugore dhe Drejtori i Përgjithshëm dha përgjigje, që në një farë mënyre është një farë lloji llogaridhënie edhe për atë, si dhe për mua, për gjëra që duhet të përmirësojmë. Ne duhet të jemi aq të ndërgjegjshëm për faktin dhe që për shpeshherë punonjësve të policisë i mungon etika ndonjëherë. Të gjithëve mund të na qëlloj që të shkelim rregullat.

Mund të më ketë qëlluar edhe mua. Edhe unë kam marrë gjobë nga polici. Nuk më ka ardhur mirë, sigurisht. Askujt nuk i vjen mirë, kur i duhet të paguajë për një shkelje të rregullave, por është ndjerë mirë kur e ka marrë atë gjobën duke u respektuar.

Është ndjerë mirë që kur është ndaluar i është thënë: mirëmbrëma! Ju lutem! Dhe i është kërkuar vetëm zbatimi i ligjit. Dhe ne jemi duke vendosur fort theksin, drejtori i ri, ekipi i tij është duke vendosur fort theksin tek etika në shërbimin e punonjësve të policisë. Prandaj ju lutem. Vlerësojeni policinë për shërbimin që bën, por vlerësojeni edhe për sjelljen e saj.

Unë dëshiroj t’ju them, që nëse keni raste konkrete të sjelljes jo etike, të shërbimit jo të mirë, të shkeljes së ligjit, apo të figurës jo ligjore dhe jo korrekte të punonjësve të Policisë së Shtetit, sinjalizoni dhe i denonconi fort raste të tilla dhe të jeni të sigurt se ne do reagojmë brenda të gjitha kompetencave dhe mjeteve ligjore për të ndëshkuar çdo polic, çdo punonjës policie që nuk shërben mirë dhe që nuk zbaton drejt ligjin.

Në vijim të çështjeve të tjera dua t’i përgjigjem disa prej tyre. Ndër to shqetësime që u trajtua lidhur me çështjet e sigurisë në shkolla. Drejtori dha komentin e tij, për mënyrën sesi ata janë duke punuar për këtë gjë.

Shqetësimin që ka ai për mënyrën sesi e sheh dhe unë bie plotësisht dakord me drejtorin dhe dua të garantoj nxënësit që janë këtu, mësuesit dhe në mënyrë të veçantë prindërit, që kjo iniciativë që është në kujdesin e drejtpërdrejt të Kryeministrit të vendit dhe që është një detyrim dhe një bashkëpunim, një projekt i përbashkët mes Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Arsimit dhe drejtorive vendore të arsimit synon që atë projekt pilot që po e zbatojmë në Tiranë ta shtrijmë në vitin e ri shkollor në të gjitha shkollat e mesme të republikës.

Çfarë është ai? Nuk është një polic i mirëfilltë, por e thënë më saktë është një polic jashtë mureve të shkollës dhe edukator brenda mureve të shkollës që synon të jetë një lloj pike kontakti marrëdhënie, ndërmjet shkollës dhe policisë. Pra nëse ka disa probleme që lidhen me perimetrin e shkollës, me influenca të jashtme, me lëvizjen, me qarkullimin siç u ngrit këtu etj, ai i njeh, i evidenton këto problematika, i bën prezente dhe kërkon zgjidhjen nga policia dhe organet e qeverisjes vendore sipas përgjegjësisë përkatëse.

Nëse janë pastaj probleme që kanë të bëjnë me dhunën brenda shkollës, me rastet e përdorimit qoftë të lëndëve narkotike që besoj që është dhe duhet të jetë një fenomen shumë i rrallë dhe duhet të kujdesimi të gjithë për këtë gjë, ndërtojmë një marrëdhënie edukimi me psikologun, me drejtuesit e shkollës, me komunitetin e prindërve në mënyrë që të reagojmë në mënyrë të shpejtë që këto fenomene të parandalohen për të mos u shndërruar më pas në sjellje, apo zakone.

Ky do të jetë një rol i dyfishtë dhe ne besojmë se do të japi frytet e nevojshme për të dhënë më shumë qetësi për prindërit në investimin e madhe dhe të vështirë që bëjnë për edukimin e fëmijëve të tyre, por do t’u japë edhe më shumë qetësi dhe siguri trupës mësimore për ta ushtruar më mirë detyrën me shumë përgjegjësi që ata kanë me edukimin e brezit të ri, por natyrisht do t’u japë më shumë qetësi edhe vetë të rinjve dhe të rejave në edukimin e tyre shkollor për të qenë edhe më të sigurt jo thjesht në lëvizje por dhe në mjediset e shkollimit dhe të edukimit.

Bie dakord që ka disa shqetësime që lidhen, me sa mbajta shënim, me vjedhjet; vjedhjet e vogla në përgjithësi dhe objektet e kultit në veçanti por që reagoi më drejtpërdrejt Drejtori dhe për të mos i përsëritur gjërat. Ky është një shqetësim që e kemi ndeshur edhe ne qarqe të tjera. Ne jemi duke e adresuar me kujdes por dëshiroj të them që kjo është një fenomen, që nuk mund të përballet vetëm nga policia.

Policia e ka shumë më të thjeshtë kur janë çështje që lidhen me krimin e organizuar, me krimin e rëndë, por e ka pak më të vështirë, nga pikëpamja e identifikimit, kur janë krimet e vogla sepse zhvillohen në mënyrë të tillë në territor.

Kjo do të kërkonte një marrëdhënie tjetër, një bashkëpunim shumë më të mirë ndërmjet qytetarëve, komuniteteve dhe policisë.

Jam i bindur që drejtori i ri do ta ketë në qendër të vëmendjes dhe do të bashkëpunojë shumë më mirë për këtë çështje dhe çështje të tjera që preokupojnë qytetarët këtu në qarkun e Beratit, ashtu sikundër do duhet të jetë shumë më i fokusuar lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me mjedisin.

Duhet të jetë e qartë në mënyrë të veçantë një fenomen për ata që janë pjesë dhe zhvillues të një fenomeni të shëmtuar siç janë këto guroret e qytetit, siç u trajtua edhe gjatë asaj periudhe që ne ishim këtu me qeverinë në një proces dialogu, bashkëbisedimi, llogaridhënieje para pak kohësh, dhe që përbën një shqetësim për zonën tuaj.

Unë besoj se me forcën e ligjit, me autoritetin e ligjit, brenda kufijve të ligjit, policia vendore këtu, Drejtori, do të duhet të fokusohen. Sepse ju keni një pasuri të mrekullueshme, e cila nuk duhet të shpërdorohet se është për sot, është edhe për nesër. Eshtë për ne që jetojmë sot, është edhe për fëmijët tanë, për nipërit dhe mbesat që do të vazhdojnë të jetojnë në këtë vend dhe që dëshirojnë që të jetë sa më i jetueshëm, sa më i bukur për ne dhe për të gjithë ata që vijnë si turistë, për t’i shijuar këto bukuri dhe natyrisht edhe për të shpenzuar gjë që fuqizon gjithashtu ekonominë tonë. Problemet e mjedisit janë probleme që ne u jemi qasur, por jo siç duhet dhe jemi fokusuar shumë më tepër gjatë kësaj periudhe dhe besoj që do të merremi e do të jemi shumë më të angazhuar për t’i trajtuar akoma më me kujdes. Ashtu sikundër, jam shumë i vetëdijshëm, e kam diskutuar edhe me Drejtorin e Përgjithshëm, e diskutuam edhe herën e kaluar që ishim në Berat, që ne do të na duhet një plan më i kujdesshëm nga pikëpamja e qarkullimit rrugor, dhe këtu do të dëshironim fort mbështetjen dhe bashkëpunimin me autoritetet vendore, edhe nga pikëpamja e zhurmave, qetësisë, duke qenë se Berati është një qytet turistik dhe duhet të ketë rregulla specifike, kujdes specifik dhe angazhim prioritar për t’i trajtuar këto fenomene, nga autoritetet vendore po se po, dhe nga policia vendore gjithashtu.

Siç e thashë ky është vetëm hapi i parë i kësaj marrëdhënieje të re që ne duam të ndërtojmë midis policisë dhe komunitetit, midis organeve vendore të policisë, organeve të qeverisjes vendore këtu, komuniteteve fetare, shoqërisë civile, dhe të gjithë aktorëve të tjerë të rëndësishëm që kanë vlerë dhe që ndikojnë me punën, me kontributin e tyre në forcimin e rendit dhe të sigurisë.

Unë jam sot këtu jo thjesht dhe vetëm për të dhënë llogari, së bashku me bashkëpunëtorët e mi të policisë, por edhe për t’u angazhuar që shumë shpejt, do të jemi përsëri këtu për të raportuar se çfarë bëmë mbi këto problematika, mbi këto shqetësime të trajtuara nga ju.

Edhe njëherë shumë faleminderit dhe vlerësimet maksimale për prezencën dhe mbi të gjitha, për kontributin që jepni për ta mbajtur qytetin tuaj, vendin tuaj, sa më të qetë, sa më të sigurt, për ju dhe për fëmijët tuaj. Dhe shumë faleminderit për mbështetjen që na jepni ne në punën tonë, se na e bëni më të lehtë, dhe për më shumë sukses.

Faleminderit!