Postuar më: 13 Prill 2018

Lezhë/Sekuestro preventive mbi 2 pallate dhe një truall

Më datë 13.04.2018, nga specialistët e Seksionit kundër Krimit Ekonomik Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, u ekzekutua urdhëri datë 13.04.2018, i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë,  për ekzekutimin e vendimit penal nr.127 datë 13.04.2018 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për masën e sigurimit pasuror "sekuestro preventive" mbi pasuritë e paluajtshme, pallate në ndërtim të një shoqërie sh.p.k. në Lezhë, në adresë Kune, Shëngjin, në pronësi dhe administrator të shtetasit A.U.

Konkretisht:

-  një pallat 5 katësh dhe në proces kati i fundit, me sipërfaqe të sheshit të ndërtimit 2,000 m2;

- një pallat 7 katësh dhe në proces kati i fundit, me sipërfaqe të sheshit të ndërtimit 4,712m2.

Sekuestroja e këtyre pasurive u bë pasi nga vendimi penal i Gjykatës,  lejet e ndërtimit të këtyre pallateve kanë rezultuar të siguruara në kundërshtim me ligjin të falsifikuara.

Gjithashtu, po më datë 13.04.2018, nga specialistët e Seksionit kundër Krimit Ekonomik Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, u bë ekzekutimi i urdhërit datë 13.04.2018, i  Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për ekzekutimin e vendimit penal Nr. 128 datë 13.04.2018, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, e cila ka vendosur masën e sigurimit pasuror "sekuestro preventive" mbi pasuritë e paluajtshme (dhe në gjendjen faktike në të cilën ndodhet objekti i ndërtimit, në ndërtim e sipër) konkretisht Truall me sipërfaqe 1146.6 m2, në adresë lagje "Besëlidhja" Lezhë, në pronësi të shtetasit B.D.

Arsyeja e vendosjes së kësaj sekuestro është bërë pasi nga vendimi penal i Gjykatës, leja për ndërtim ka rezultuar e siguruar në kundërshtim me ligjin. Njëkohësisht, pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë, u kryen veprimet duke vendosur kufizimet përkatëse në zbatim të vendimit penal të Gjykatës.

Ky procedim policor me rezultat "sekuestro preventive", është rezultat i  bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë së  Lezhës, e cila ka referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, materialet proceduriale mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm,  në lidhje me këto 2 raste për veprat penale "Ndërtim i paligjshëm" dhe "Falsifikim dokumentash" si dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, e cila ka regjistruar procedimin penal duke kryer më pas veprimet e mëtejshme.