Postuar më: 09 Maj 2018

Elbasan/Finalizohet operacioni “Dekani”, 7 në pranga për korrupsion

Goditet një grup në fushën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, dekan, pedagog, student e sekser në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan.

Finalizimi i operacionit mëngjesin e sotëm, në pranga  7 persona.

Nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan u finalizua me sukses operacioni “Dekani”.

Në kuadër të këtij operacioni pas një hetimi disa mujor me metoda speciale u bë e mundur arrestimi i shtetasve:

1. A.R.,55 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin "Aleksandër Xhuvani"; 

2. E.L., 54 vjeçe, banues në Elbasan, me detyrë Shefe e Departamentit të Gazetarisë në Fakultetin e Shkencave Humane në Universitetin "Aleksandër Xhuvani";

3. E.C., 29 vjeçe, banues në Gostime Cërrik, pedagoge e jashtme në Fakultetin Ekonomik në Universitetin "Aleksandër Xhuvani";

4. P.K., 53 vjeç, banues në Elbasan, në rolin e sekserit;

5. A.K., 31 vjeç, banues në Tiranë, në rolin e sekserit;

6. A.N., 51 vjeç, banues në Cërrik, në rolin e sekserit;

7. M.C., 21 vjeç, banues në Gostime, Cërrik, student.

Arrestimi i tyre u krye në zbatim të vendimit nr.315, datë 08.05.2018, të Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, e cila ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale të parashikuara nga neni 245/1/2 dhe 259, i Kodit Penal, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Personat e arrestuar në bashkëpunim me njeri-tjetrin në kohë të ndryshme duke shpërdoruar funksionin publik kanë kërkuar dhe ushtruar ndikim të paligjshëm në rolin e sekserit dhe pedagogut në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, për marrjen e notave kaluese nga studentet gjatë sezoneve të provimeve. 

Vazhdojnë hetimet për evidentimin e veprimtarisë kriminale edhe ndaj persona të tjerë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.