Postuar më: 13 Nëntor 2017

Ministria e Brendshme në 1 javë - Buletin nr. 8

Buletini nr. 8 - 'Ministria e Brendshme në 1 javë'

(6 nëntor 2017 - 12 nëntor)

MINISTRI

Prezantimi i operacionit “Forca e Ligjit”

Ditën e martë, më 7 nëntor 2017, në ambientet e Ministrisë së Brendshme, u prezantua “Plani i veprimit për luftën ndaj krimit të organizuar – Operacioni “Forca e Ligjit”. Në prezantim morën pjesë Ministrja e Drejtësisë, anëtarë të Komisionit të Sigurisë të Kuvendit të Shqipërisë, Ministri britanik i Shtetit për Evropën dhe Amerikën, ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të agjencive të huaja dhe misioneve të asistencës si FBI, ICITAP, PAMECA dhe Interforze si dhe drejtues dhe zyrtarë të lartë të organeve dhe agjencive ligj-zbatuese shqiptare si Prokuroria e Republikës së Shqipërisë, SHISH dhe Policisë së Shtetit.

Zëvendësministri Lamallari dhe Drejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, z. Idajet Faskaj shpjeguan strukturën, organizmin dhe kompetencat e organeve përgjegjëse për zbatimin e këtij plani si dhe objektivat, metodat, përbërjen dhe fokusin e tyre.

Ministri britanik i Shtetit për Evropën dhe Amerikën, Sir Alan Duncan, përgëzoi iniciativën. Ai theksoi se “Krimi i organizuar është një plagë që duhet ta luftojmë bashkërisht, pasi na infekton të gjithëve, këtu në Shqipëri, në të gjithë Ballkanin deri në Mbretërinë e Bashkuar”. Ai shprehu vlerësime për vendosmërinë e qeverisë shqiptare në këtë ndërmarrje, duke çmuar qasjen ndërinstitucionale si thelbësore në fitimin e luftë ndaj krimit të organizuar.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Sh. T. Z. Donald Lu, tha se ndihma e partnerëve ndërkombëtarë për policinë shqiptare do të synojë zhvillimin e kapaciteteve në luftën kundër krimit të organizuar. Ambasadori Lu vlerësoi nismën, duke e quajtur krimin e organizuar “një problem serioz dhe kërcënim për sigurinë kombëtare pasi deri tani organet e drejtësisë penale kanë dështuar ndaj grupeve kriminale” si dhe konfirmoi mbështetjen e SHBA në luftën kundër krimit të organizuar pavarësisht lidhjeve me politikën, biznesin, gjyqtarët apo prokurorët”. “Është koha që të hamë peshkun e madh” – përfundoi ai.

Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Sh.S. Znj. Romana Vlahutin siguroi për vazhdueshmërinë e asistencës evropiane për përpjekjet ligj-zbatuese të Shtetit shqiptar. Ajo theksoi se “nuk duhet të ketë më të paprekshëm të cilët arrijnë të blejnë drejtësinë” dhe se “Forca e Ligjit do të jetë një hap vendimtar drejt një shteti që do të jetë më i fortë se çfarëdo lloj krimi”.

Ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, z. Fatmir Xhafaj, konfirmoi vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare për t’u përballur “pa kompromis dhe retorikë” me krimin e organizuar. Ai theksoi se krimi - dhe për më tepër krimi i organizuar - nuk ka markë shqiptare, as është emblema e shqiptarëve dhe se Shqipëria nuk është e vetmja në këtë rajon dhe në këtë botë të trazuar që e vuan këtë të keqe të madhe“, por “krijimi i organeve ligj-zbatuese speciale, me objektiv të fokusuar në luftën kundër grupeve të organizuara kriminale, është vetëm fillimi i një rruge, e cila do të ndryshojë rrënjësisht situatën e krimit në Shqipëri”. “Pavarësisht progresit të bërë në këto 3-4 vitet e fundit në luftën kundër krimit të organizuar, ne do të luftojmë të arrijmë standardin e një shoqërie ku sundojnë ligji dhe drejtësia, kudo dhe kurdoherë” tha Ministri Xhafaj. Ministri konfirmoi mbështetjen e Kryeministrit Rama, “i cili e ka mbështetur dhe fuqishëm po  e nxit realizimin e kësaj sipërmarrje politike dhe ligjore shumë të rëndësishme” dhe nënvizoi gatishmërinë e tij dhe të Ministrisë për bashkëpunim “me këdo, që luftën kundër krimit të organizuar nuk e shikon si çështje qëndrimesh dhe preferencash politike, as si çështje karrigeje për pushtet, por si çështje jetike, për të tashmen dhe për të ardhmen Evropiane të vendit”.

Ministri i Brendshëm vuri në dukje se “ndryshimet e pritshme në drejtësinë penale dhe para së gjithash në organin e prokurorisë, duke pastruar njëherë e mirë pallatin e drejtësisë nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar do të bëjnë të mundur që lufta kundër krimit të organizuar të rezultojë e suksesshme.”

Takim i Ministrit të Brendshëm me përfaqësuesit e trupit diplomatik në Shqipëri

Të hënën më 6 nëntor 2017, në një takim me përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, të organizuar nga Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Sh.S. Znj. Romana Vlahutin, Ministri Xhafaj prezantoi objektivat dhe nismat e Ministrisë së Brendshme për mandatin qeverisës në vijim. Ministri prezantoi pikat kryesore të operacionit “Forca e Ligjit” duke theksuar se nismat e Ministrisë së Brendshme duke filluar që nga planet për heqjen e Shqipërisë nga lista e vendeve që kultivojnë kanabis deri tek “Vetting-u” i Policisë së Shtetit dhe përmirësimi i Policimit në Komunitet, duke kaluar nëpërmjet operacionit “Forca e Ligjit”, janë pjesë e qëllimit të përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme dhe qeverisë shqiptare; krijimit të institucioneve të forta, me profesionistë me integritet, si dhe përmirësimi i shërbimeve për publikun.

Përfaqësuesit e trupit diplomatik në Tiranë, shprehën mbështetjen e plotë për këto nisma, duke garantuar asistencën me ekspertë nga organizma të njohura të luftës kundër krimit nga vendet respektive.

Buxheti i Ministrisë së Brendshme

Ministri Xhafaj prezantoi në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare projekt-buxhetin e Ministrisë së Brendshme për vitin 2018. Ministri bëri të ditur se krahas buxhetit të shtetit, për programe të ndryshme të Ministrisë janë akorduar buxhet shtesë nga agjencitë mbështetëse të vendeve partnere, të cilat kanë të bëjnë me asistencë teknike dhe në investime logjistike.  Një pjesë thelbësore e investimeve të reja të p/buxhetit të ardhshëm do të shkojë për teknologji të re dhe inovative, për rritjen e kapaciteteve teknike të Policisë së Shtetit. Sipas Ministrit Xhafaj, ky është buxheti më i lartë i kërkuar për Ministrinë e Brendshme në 10 vitet e fundit.

Takimi i Ministrit të Brendshëm në Bulqizë

Të premten, më 11 nëntor 2017, Ministri Xhafaj zhvilloi një vizitë në qytetin e Bulqizës. Drejtuesit vendorë të Policisë së Shtetit informuan për situatën e rendit dhe kriminalitetit në Qarkun Dibër me fokus marrëdhëniet me bizneset në minierën e Bulqizës dhe nën-kontraktorëve që punojnë në zona të thella për ndërtimin e hidrocentraleve në zonën e Ternovës. Më pas, Ministri Xhafaj u takua me përfaqësues të pushtetit vendor dhe biznesit të rrethit Bulqizë. Përfaqësuesit u shprehën në lidhje me punën e organeve vendore të Policisë së Shtetit dhe situatën e rendit publik në zonë. Ministri i Brendshëm i vlerësoi si të drejta disa shqetësime të ngritura gjatë takimit, i falënderoi të pranishmit për opinionin se ata ndjehen të sigurt në punë, si dhe mbështeti idenë e veprimit të fortë të Shtetit, duke pohuar se nuk do të tolerohet askush që shkel ligjin.

Franca dhe Belgjika kthejnë 36 shtetas azilkërkues

Këtë javë u deportuan 36 shtetas shqiptarë, të cilët kishin kërkuar azil në Francë dhe Belgjikë. Operacioni i kthimit, organizuar nga bashkëpunimi i autoriteteve franceze, belge dhe shqiptare, të cilat kanë arritur në përfundimin se shtetasit në fjalë kanë shkelur rregullat e lëvizjes së lirë në zonën “Schengen”. Refuzimi i kërkesës për azil u sjell pasoja pasi këtyre shtetasve, të kthyer tashmë, u ndalohet të qarkullojnë në zonën Schengen për një periudhë të caktuar kohe. Gjatë muajve të fundit Policia e Shtetit ka marrë masa shtesë për kontrollin e të gjitha pikave të kalimit kufitar, për parandalimin e udhëtimit të azil-kërkuesve të mundshëm.

POLICIA E SHTETIT

Në Shkodër, Drejtoria Vendore e Policisë finalizoi me sukses një operacion antikanabis gjatë të cilit u sekuestruan në total 1502 kg kanabis, u arrestuan 6 shtetas si autorë, u shpallën në kërkim 2 të tjerë, si dhe u sekuestruan disa automjete si prova materiale. Operacioni u krye në një hotel në zonën e plazhit të Velipojës, ku ishte parkuar një mjet i mbushur me pako me lëndë narkotike. Një sasi tjetër kanabisi, e futur në 6 çanta shpine, u gjet në ambientet e brendshme të hotelit. Njëri nga autorët ishte punonjës policie në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit Tiranë, i cili u arrestua nga SHÇBA. Policia, bashkë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, po punon për dokumentimin e plotë ligjor  të këtij aktiviteti kriminal, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të implikuar  në këtë ngjarje.

Në Vlorë Drejtoria Vendore e Policisë ka kryer disa operacione anti-kanabis gjatë të cilave janë sekuestruar gjithsej rreth 39 kg kanabis dhe janë arrestuar 6 shtetas si autorë. Një tjetër shtetas është shpallur në kërkim. Gjithashtu, në fshatin Kotë të Vlorës u arrestua një shtetas të cilit iu gjetën në shtëpi 9.7 kg lëndë narkotike. Po në Vlorë, Policia në bashkëpunim me prokurorinë ka arrestuar dy shtetas, për shkak se i kanë marrë një shtetasi një shumë prej 2000 eurosh, kundrejt premtimit për ta punësuar në strukturat e Forcave të Armatosura. Njëri prej të arrestuarve ishte punonjës i Policisë Ushtarake në Vlorë dhe akuzohen për veprën penale të “Korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike, kryer në bashkëpunim''.

Në Sarandë, në fshatin Vrinë, pas kontrollit të kryer nga efektivët e Policisë, u zbuluan 22 kg kanabis në banesën e një shtetasi i cili u arrestua,  ndërsa i biri, arriti t’u shpëtojë forcave të policisë, me ndihmën e familjarëve dhe fqinjve. Ky shtetas u shpall në kërkim dhe u vu në pranga dy ditë më vonë. Në banesat e dy shtetasve të tjerë nga fshati Vrinë, u sekuestruan përkatësisht 3.7 kg dhe 3.4 kg kanabis. Autorët u vunë në pranga.

Në Fier, Policia  arrestoi 2 shtetas pasi brenda banesës së tyre u gjetën të fshehura 41.3 kg kanabis, e paketuar me qëllim trafikimi jashtë vendit. Ky aksion u finalizua pas informacioneve të marra në rrugë operative dhe përdorimit të metodave speciale të hetimit.

Në Durrës, Policia ka arrestuar një shtetas të shpallur në kërkim, i cili ishte dënuar nga gjykata e Vlorës me 12 vite burg për “Vrasje me dashje” dhe "Armëmbajtje pa leje". Në vitin 2014 ky shtetas ka vrarë 1 person dhe ka plagosur 1 tjetër në qytetin e Vlorës dhe kishte qëndruar i fshehur gjatë gjithë kësaj periudhe.

Në Korçë, Policia dhe SHÇBA vunë në pranga 7 persona dhe shpallën në kërkim 2 të tjerë pas një operacioni për kontrabandë mallrash nga Greqia drejt Shqipërisë. Në këtë skemë ishte i përfshirë edhe një punonjës policie, 3 doganierë të doganës Kapshticë dhe 3 shtetas të tjerë. Policia shpalli në kërkim si autorë edhe dy shtetas të tjerë dhe po punohet për kapjen e tyre. Shtetasit janë kapur në Bilisht duke transportuar ngarkesa me veshje të ndryshme kontrabandë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Ngarkesat me veshje futeshin nga Greqia në drejtim të Shqipërisë, përmes Pikës së Kalimit Kufitar të Kapshticës, duke shmangur praktikat doganore.

Në Kuçovë, Policia arrestoi dy shtetas 20 e 21 vjeç, për shkak se u kapën me një armë zjarri pistoletë, pa leje, në rrugë. Dy të rinjtë tentuan të largohen me vrap, por u arrestuan në flagrancë. Ndaj tyre janë ngritur akuzat për “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” kryer në bashkëpunim.

Në Lezhë, Policia arrestoi 3 persona, të cilët shfrytëzonin për prostitucion një vajzë të mitur, 16 vjeçe. Për të njëjtën ngjarje, u shpall në kërkim edhe një tjetër. Mbi shtetasit e arrestuar rëndojnë akuzat për “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura”, dhe “Shfrytëzim prostitucioni”.