Postuar më: 16 Prill 2018

Ministria e Brendshme në 1 javë - Buletin nr. 30

Dokumentat e bashkëngjitura

Buletini nr. 30,  

Ministria e Brendshme në 1 javë (9 Prill-15 Prill 2018)

MINISTRI

Takim me një grup deputetësh të Parlamentit gjerman

Ministri i Brendshëm, z.Fatmir Xhafaj priti në një takim z. Manuel Sarrazin, deputet i Parlamentit gjerman (Bundestag), i cili shoqërohej dhe nga znj. Susanne Schütz, Ambasadore e  Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë. Gjatë takimit, bashkëbiseduesit u ndalën në hapat konkretë që ka ndërmarrë Qeveria shqiptare, e veçanërisht Ministria e Brendshme, në luftën ndaj krimit të organizuar, emigracionit të paligjshëm dhe azilkërkimit, si dhe në disa nga reformat që janë ndërmarrë muajt e fundit me qëllim spastrimin e radhëve të Policisë nga elementët e inkriminuar, si dhe forcimin e rolit të saj në komunitet. Ministri Xhafaj u ilustroi deputetëve gjermanë disa nga detajet e Vetting-ut të sapo nisur në Policinë e Shtetit, duke u shprehur i sigurt se rezultatet e këtij procesi do të rrisin cilësinë e punës së krejt trupës policore shqiptare, duke i dhënë asaj vendin e merituar krah formacioneve homologe europiane. Gjithashtu, z.Xhafaj evidentoi përpjekjet e suksesshme të ndërmarra gjatë këtyre muajve në kuadrin e Operacionit “Forca e Ligjit” kundër grupeve të organizuara të trafikut kriminal. Rezultatet e shënuara morën përgëzimin e të ftuarve. Z. Sarrazin e siguroi ministrin Xhafaj se angazhimi i tij institucional dhe i Partisë së Gjelbër që ai përfaqëson është bindshëm në favor të hapjes së negociatave mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, duke çmuar arritjet e kësaj të fundit në fushën e rendit publik dhe luftës ndaj krimit të organizuar.

 

Nis procesi i Vetting-ut në PSH, Gardë dhe SHÇBA

Procesi i Vetting-ut në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave ka nisur zyrtarisht. Rreth 12 mijë efektivë duhet të dorëzojnë formularët e vetëdeklarimit brenda afatit 30-ditor, deri në 5 maj 2018. Zv/ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, gjatë një interviste për ATSH tha se “ky ligj parashikon që tashmë të ngrihet dhe Komisioni i Vlerësimit. Për t’i ardhur në ndihmë punonjësve të policisë për të plotësuar dhe të jenë sa më të qartë për plotësimin e formularit të vetëdeklarimit janë ngritur grupe pune në të gjitha drejtoritë e policisë në vend, pasi formulari do të plotësohet nga të gjithë punonjësit e policisë pa përjashtim dhe të gjithë duhet të jenë të qartë mbi atë që duhet të deklarojnë”. Ndërkohë Ministria e Brendshme ka përgatitur Guidën e vlerësimit të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së. Sipas zv.ministrit Hodaj, fillimisht do të bëjnë vetëdeklarimin 300 punonjësit e policisë të gradës së lartë, për të vijuar më pas me nivelet më të ulëta sipas formulës së parashikuar.

(Lexoni intervistën e zv.ministrit të Brendshëm Julian Hodaj-kliko)

 

Takim informal i Ministrave të Brendshëm të Ballkanit Perëndimor

Në Sofje të Bullgarisë u mbajt këtë javë takimi informal i Ministrave të Brendshëm të Balkanit Perëndimor dhe Qendror. Delegacionin shqiptar e kryesoi zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda. Takimi u mbajt nën drejtimin e ministrit të Brendshëm të Bullgarisë, z.Valentin Radev. Tema të diskutimit ishin çështjet e sigurisë, që aktualisht janë sfida për rajon si ajo e menaxhimit të integruar të kufijve, përpjekjet për të minimizuar migracionin e paligjshëm. Një vend të veçantë zuri angazhimi i përbashëkt për luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Ministri i Brendshëm Radev duke vlerësuar arritjet e secilit vend aspirant, shprehu mbështetjen e Bullgarisë për vendet e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

 

Zv.Ministri Voda intervistë në Fax News

Zv.Ministri i Brendshëm, Znj. Rovena Voda ka qenë e ftuar në televizionin Fax News. Gjatë intervistës zv.Ministri Voda deklaroi se masa e arrestit me burg për 11 protestuesit kuksianë ishte një vendim i arsyetuar ligjërisht. Zv.ministri Voda u shpreh se ”ka pasur një Gjykatë, e cila sigurisht ka dhënë një vendim, dhe është një Gjykatë që respekton format dhe parimet, një Gjykatë që përmbush kriteret e një trupe të paanshme, të posaçme, për të garantuar parimin e një procesi të rregullt ligjor. Unë mendoj se vendimi është i arsyetuar, i bazuar në ligj, nuk mund të them se masa ishte më e ashpër, nga 23 persona të ndaluar të cilët u paraqitën për masë, nuk u dha masa për të gjithë e arrestit me burg”. Për sa i përket procedimit të policëve në Kukës, Znj. Voda deklaroi se është një vendim i pavend i nxitur nga opozita, kjo sepse janë plagosur 14 policë, ndërkohë që nuk është dëmtuar asnjë qytetar.

(Lexoni intervistën e Zv.Ministrit të Brendshëm Rovena Voda - kliko)

 

Riatdhesohen rreth 4500 shtetas shqiptarë për tre muaj nga vendet e BE

Vijon riatdhesimi i shtetasve shqiptarë nga vendet e Bashkimit Europian. Në Rinas gjatë kësaj jave u riatdhesuan 30 shtetas nga Franca dhe Belgjika. Zv/drejtorja e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj deklaroi se "Policia e Shtetit edhe për vitin 2018, do të vijojë zbatimin e masave shtesë për parandalimin e fenomenit të azilkërkimit". Si rezultat i bashkëpunimit dhe koordinimit me Frontex dhe policitë homologe, gjatë 3 muajve të parë të 2018 janë riatdhesuar 4492 shtetas shqiptarë të parregullt, nga vendet e BE-së.

(Prononcimi i plotë i zv.drejtores së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj)

 

SHÇBA arreston dy punonjës të Policisë Kufitare në Shkodër

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) arrestoi dy punonjës të Policisë Kufitare në Shkodër për shpërdorim detyre. Sipas hetimeve rezulton se kundrejt pagesave që shkonin deri në 100 euro, këta punonjës policie lejonin kalimin në pikën kufitare të shtetasve shqiptarë që u ishte ndaluar udhëtimi në zonën Shengen, si dhe regjistronin e vulosnin fiktivisht pasaportat e shtetasve të ndryshëm për të evituar shkeljen e afatit të qëndrimit në zonën Shengen.

 

Takime sensibilizuese kundër kultivimit të kanabisit

Vijojnë takimet sensibilizuese kundër kultivimit të bimëve narkotike. Në kuadër të zbatim të Planit të masave Drejtoria e Vendore e Policisë Vlorë zhvilloi një takim sensibilizues në fshatin Kotë, me nxënës të shkollave të mesme. Drejtori Vendor i Policisë Gentjan Shehaj apeloi banorët të qëndrojnë larg veprimtarive të paligjshme dhe ftoi ata për të bashkëpunuar me agjencitë ligj zbatuese. Takim sensibilizues kundër kultivimit të bimëve narkotike u zhvillua edhe në Shkodër, me pjesëmarrjen e Drejtorit të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë Publike Gjovalin Loka dhe drejtues të pushtetit e Policisë vendore, në fshatin Gur i Zi.

 

OPERACIONET E POLICISË

Në Lezhë janë vendosur sekuestro preventive mbi 2 pallate dhe 1 truall. Specialistët e Seksionit kundër Krimit Ekonomik Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë ekzekutuan urdhërin e Prokurorisë për masën e sigurimit pasuror "sekuestro preventive" mbi pasuritë e paluajtshme, pallate në ndërtim të një shoqërie në adresë Kune, Shëngjin. Konkretisht u sekuestruan një pallat 5 katësh dhe në proces kati i fundit, me sipërfaqe të sheshit të ndërtimit 2,000 m2 dhe një pallat 7 katësh dhe në proces kati i fundit, me sipërfaqe të sheshit të ndërtimit 4,712m2. Sekuestroja e këtyre pasurive u bë pasi lejet e ndërtimit të këtyre pallateve kanë rezultuar të siguruara në kundërshtim me ligjin, pra të falsifikuara. Gjithashtu u ekzekutua masa e sigurimit pasuror "sekuestro preventive" mbi pasuritë e paluajtshme, truall, me sipërfaqe 1146.6 m2, në lagjen "Besëlidhja" Lezhë. Arsyeja e vendosjes së kësaj sekuestro është bërë pasi leja për ndërtim ka rezultuar e siguruar në kundërshtim me ligjin. Procedimet me rezultat "sekuestro preventive" janë rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë së Lezhës dhe Prokurorisë.

Në Tiranë, Policia zbardhi në kohë rekord një vrasje të ndodhur në rrugën "Aleksandër Moisiu". Vetëm pak orë pas ngjarjes, agjentët identifikuan dhe shpallën në kërkim autorin e dyshuar të ngjarjes. Vrasja dyshohet se ka ndodhur për motive hakmarrjeje.

Në Durrës, Policia goditi 4 raste të kontrabandës së mallrave në Port dhe arrestoi 5 shtetas. Mes të arrestuarve ishte dhe  një doganier ndaj të cilit rëndon akuza e “Shpërdorimit të detyrës”. Gjatë kontrolleve Policia sekuestroi edhe një sasi kafeje, televizorë dhe mallra të tjera të futura kontrabandë.

Në Kukës, Policia Kufitare goditi një rast të trafikimit të armëve të zjarrit. Specialistët e Policisë në zbatim të planit të masave për goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit, si dhe vënie para përgjegjësisë ligjore të autorëve, arrestuan në flagrancë një shtetas Kosovar. Gjatë kontrollit fizik, poshtë xhupit, 44-vjeçarit nga Prishtina iu gjetën e sekuestruan 3 armë zjarri, pistoletë.