Postuar më: 12 Mars 2018

Ministria e Brendshme në 1 javë - Buletin nr. 25

Dokumentat e bashkëngjitura

Buletini nr. 25,

Ministria e Brendshme në 1 javë (5 Mars-11 Mars 2018)

MINISTRIA

Fjala në Parlament për sekuestrimin e sasisë rekord të kokainës

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj gjatë fjalës së mbajtur në Parlament u ndal në operacionin e zhvilluar nga Policia e Shtetit për kapjen e një sasie prej 613 kilogramësh kokainë. Ai ka përshëndetur punën e punonjësve të policisë dhe atyre të Hetimit Doganor, të cilët dëshmuan profesionalizëm të lartë. Ministri deklaroi se identifikimi dhe zbulimi i kësaj sasie kokaine është meritë e këtyre strukturave, të cilat nuk kanë pasur asnjë lloj informacioni paraprak të jashtëm. Për z.Xhafaj sasia e substancës së ndaluar është një tregues i qartë vullnetit të shprehur para disa muajsh kur u ngrit Task Forca Speciale, në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, me qëllim luftën ndaj krimit të organizuar. Ai përgëzoi edhe punën e bërë nga strukturat e Policisë së Shtetit gjatë kohëve të fundit, për zbardhjen e disa vrasjeve të ndodhura në vend. Ministri ftoi të gjithë deputetët që të njohin e pranojnë suksesin e Policisë së Shtetit sa herë që ai është prezent, si dhe ta falënderojnë atë për rezultatet shumë pozitive të arritura. Ai theksoi se nxjerrja përfundimisht e Shqipërisë nga harta e vendeve që kultivojnë bimë narkotike në vitin 2017, përbën një arritje të madhe të Policisë së Shtetit.

Miratohet në Kuvend me 88 vota pro ligji i Vetting-ut

Parlamenti miratoi me 88 vota pro ligjin  për “Vlerësimin kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së”, i njohur si Vetting-u. Zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj në një konferencë për shtyp, deklaroi se kjo reformë është dëshmi e qartë e vullnetit të qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme për të ndërtuar institucione të forta me njerëz me integritet dhe  për të konsoliduar agjencitë ligjzbatuese. Sipas Hodajt, miratimi nen për nen dhe në tërësi u shty për një javë, jo për arsye votash, por për të pasur mundësi për të diskutuar në detaje propozime apo këndvështrime të tjera, të cilat mund t’i shërbenin përmirësimit të mekanizmit të vlerësimit. “Në këtë kontekst vlerësojmë qëndrimin e grupit parlamentar të LSI dhe sidomos të deputetëve të përfshirë direkt në diskutime konstruktive” theksoi Zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj.

7 marsi - zv.ministrja Voda dhe homologu maqedonas, bashkëbisedim me studentët

Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda dhe homologu maqedonas Agim Nuhiu me rastin e 7 marsit, Ditës së Mësuesve, kanë zhvilluar një bashkëbisedim me studentë të Universitetit "Aleksandër Moisiu" në Durrës. Gjatë takimit dy zyrtarët u janë përgjigjur pyetjeve të studentëve në lidhje me situatën në Maqedoni, ruajtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut, luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe problemet e sigurisë së shekullit XXI, si sfida për të dy vendet.

Janar 2018: Shqipëria jo më në 6 vendet me numrin më të lartë të azilkërkuesve në BE

Sipas raportit të EASO në janar 2018, në 28 shtetet anëtare të BE-së, plus Norvegji dhe Zvicër (BE+) janë depozituar rreth 54 000 kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare. Janë lëshuar thuajse 60,000 vendime të shkallës së parë dhe janë ende në pritje të një vendimi rreth 450,000 raste të tjera. Këto shifra janë më të ulëta se sa pjesa më e madhe e vitit 2017, por përsëri tregojnë se situata e azilit në Evropë ende nuk është stabilizuar, nga pasojat e aplikimeve të shumta gjatë viteve 2015-2016. Pavarësisht numrit të madh të vendimeve për azil nga sistemet kombëtare të azilit në BE janë afër gjysmë milion raste që mbeten në pritje.

Projekti i oficerëve të sigurisë në shkolla

Drejtori i Akademisë së Sigurisë Bilbil Memaj ishte i ftuar në emisionin "Mirëmëngjesi Shqipëri" në RTSH për projektin e oficerëve të sigurisë në shkolla. Drejtori i Akademisë së Sigurisë ka shpjeguar rëndësinë e këtij projekti pilot. Sipas Memajt, tashmë ka përfunduar trajnimi i 15 oficerëve të parë, të cilët do të qëndrojnë në shkollat e mesme në kryeqytet. Sipas tij është shumë e rëndësishme për të pasur shkolla të mesme të sigurta, pasi edhe vetë gjimnazistët janë një kategori e ekspozuar ndaj shkeljes së ligjit.

POLICIA E SHTETIT -  OPERACIONE 

Fier, në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, Drejtoria Vendore e Policisë Fier në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, kanë realizuar goditjen e një tjetër grupi kriminal me 16 anëtarë në fushën e falsifikimit dhe favorizimit të emigracionit të paligjshëm. Pas një hetimi disa mujor të kryer nga strukturat e Task Forcës në Drejtorinë Vendore të Policisë dhe Prokurorisë Fier, nëpërmjet përdorimit të metodave speciale të hetimit, në bashkëpunim dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u bë i mundur të finalizohet me sukses operacionin policor i koduar "Pagesa e fundit". Këta shtetas ushtronin aktivitetin kriminal në fushën e falsifikimit të monedhave, falsifikimit të dokumentave shkollore, dokumentave të gjendjes civile, të pasaportave, dokumentave të emigrimit dhe të qëndrimit në vende të ndryshme të Bashkimit Europian, Kanada, Mbretëri e Bashkuar, Irlandë etj. Ata u merrnin porosi për pajisjen me dokumenta te falsifikuar, personave të ndryshëm me banim në Fier, Lushnje, Mallkastër, nga Qarku i Beratit, Korçës, Vlorës, kundrejt pagesave që varionin nga 600 Euro deri 12,000 Paund.

Në Fier, Policia zbardhi vrasjen e një shtetasi të ndodhur një vit më parë. Policia arrestoi autorin e ngjarjes i cili ishte shok me viktimën. Ai e kishte vrarë me mjete të forta shokun dhe më pas trupin e kishte hedhur për të humbur gjurmët.

Në Shkodër, Policia parandaloi një ngjarje të rëndë. Pas një konflikti për motive të dobëta, një shtetas ka qëlluar me çifte në drejtim të automjetit ku ndodhej personi me të cilin ishte konfliktuar. Pas ndërhyrjes së agjentëve ai u arrestua.

Në  Vaun e Dejës, Policia arrestoi një shtetas për veprat penale të prodhim e shitje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje. Gjatë kontrollit në banesë iu sekuestruan një sasi lëndë narkotike, armë zjarri dhe lëndë plasëse.

Në Tiranë, Policia arrestoi në flagrancë një inspektor të Drejtorisë Rajonale të Hetimit Tatimor për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit. Sipas policisë, inspektori i ka kërkuar një shumë parash një shtetasi në formë rryshfeti, për të mos e ndëshkuar  me gjobë.

Në Dibër, Policia në bashkëpunim Interpol Tiranën, arrestuan një shtetas. Ai ishte shpallur  në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, për veprat penale “Vrasje” dhe “Vjedhje me armë me pasojë vdekjen”.

Në Rinas, janë riatdhesuar vullnetarisht 178 shtetas shqiptarë nga Franca,  pas refuzimit të kërkesës së tyre për azil. Vetëm në këto dy muaj janë kryer 156 operacione riatdhesimi, në bashkëpunim me FRONTEX-in dhe vendet e destinacionit, ku janë riatdhesuar 1044 shtetas.

Në Tiranë, policia arrestoi një shtetas për veprën penale të vjedhjes. Ai është autor i disa vjedhjeve të ndodhura në kryeqytet. Arrestimi i tij u bë në sajë të provave shkencore duke dokumentuar 6 vjedhje. Gjithashtu në Kuçovë, Policia arrestoi një shtetas të shpallur në kërkim për vjedhje.

Në Tiranë, Policia arrestoi një shtetas për mashtrim. Sipas policisë ai kishte mashtruar një tjetër shtetas duke i marrë një shumë të konsiderueshme parash për blerjen e një apartamenti, i cili ishte shitur më parë.

Në Tiranë, Policia Rrugore vijon punën për ndëshkimin e drejtuesve që shkelin rregullat e qarkullimit. Nisur nga shqetësimet e qytetarëve për bllokimin e rrugëve në blloqet e banimit, policia vendosi 83 masa administrative për parkim të gabuar. Gjithashtu janë ndëshkuar 65 drejtues mjetesh për mos respektimin e korsive të rezervuara për shërbimet publike. Në Elbasan, Policia arrestoi një shtetas i cili dyshohet se është shkaktar i një aksidenti me pasojë vdekjen.

Në Rinas, shërbimet e Policisë Kufitare ne hyrje ushtruan kontroll fizik ndaj shtetasit izraelit E.R., 49 vjeç, lindur dhe banues ne Izrael. Gjatë kontrollit në bashkëpunim me Doganën Rinas, shtetasit E.R., i cili udhëtonte nga Moska për në Shqipëri, iu gjetën një sasi valute në kartemonedha euro të padeklaruara në degën e Doganës Rinas, prej 250.000 euro.