Postuar më: 05 Mars 2018

Ministria e Brendshme në 1 javë - Buletin nr. 24

Buletini nr. 24,

Ministria e Brendshme në 1 javë (26 Shkurt - 4 Mars 2018)

KUVEND

Parlamenti miraton në parim projektligjin e Vetting-ut në Polici, Gardë e SHÇBA

Parlamenti miratoi në parim me 81 vota ‘pro’ projektligjin “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, i njohur si Vetting-u. Në fjalën para deputetëve, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj deklaroi se nisma ka qëllim kryesor pasjen e një trupe të shërbimit të policisë me standardet më të mira të profesionalizmit dhe të integritetit moral. Sipas ministrit, projektligji synon të sjellë transformim rrënjësor të organizatës së Policisë së Shtetit në këto 20 vitet e fundit për ta kthyer atë në një polici të standardeve evropiane. Ai shtoi se për të garantuar një proces sa më objektiv dhe të paanshëm, organet e vlerësimit do të jenë të pavarura nga Ministria e Brendshme. Në këtë formë do të rritet besimi edhe te qytetarët. Ministri theksoi se ky proces do të mundësojë një hap tjetër të rëndësishëm në rrugën e reformave sistemike, për t’u dhënë qytetarëve një shtet të së drejtës me institucione funksionale.

“Drejtësia penale, u shpreh Xhafaj, është një trekëndësh organik: Gjykatë – Prokurori – Polici. Është e domosdoshme që atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve, që meritojnë dhe që do kalojnë me sukses këtë proces, të jemi në gjendje t’ju garantojmë mbështetjen dhe shërbimet e një agjencie ligjzbatuese si Policia e Shtetit, të dedikuar dhe përkushtuar”. Gjatë seancës në Kuvend theksoi se standardet që do të vendosë ky ligj, janë të njëjta me ato që ekzistojnë ndër agjencitë ligj zbatuese në vende me demokraci të zhvilluar si SHBA, Britani, Itali etj.

MINISTRI

Falenderim për aksionin e Policisë në Durrës

Ministri i Brendshëm falënderoi dhe inkurajoi forcat e Policisë pas aksionit të kapjes së një sasie rekord kokaine që kishte hyrë nga porti i Durrësit. Në Twitter, ministri shkroi “një super operacion i Policisë së Shtetit dhe Hetimit Doganor u zhvillua në diskrecion të plotë dhe me rezultatin e pritshëm spektakolar, falë një punë me përkushtim dhe sakrificë njerëzore. Falenderim dhe mirënjohje të thellë për punonjësit e policisë te përfshirë në këtë operacion, si dhe për përfaqësuesit e agjencive të tjera qeveritare ligj zbatuese që u bënë pjesë e tij. Inkurajim për të vazhduar në këtë rrugë. Keqardhje e madhe jo vetëm si Ministër, por edhe si qytetar i këtij vendi, për reagimet komplet absurde e kundër produktive, si dhe çdo për trillim të papërgjegjshëm të atyre që kurrë nuk thanë një fjalë të mirë për policinë. Faleminderit qytetarëve dhe partnerëve për inkurajimin dhe mbështetjen që po i japin Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për çfarë ne jemi duke bërë. Mirënjohje për gjithçka!”

Prokurori Kombëtar Kundër Mafias Federico Cafiero De Raho në Tiranë

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj priti Prokurorin Kombëtar Antimafia, Federico Cafiero De Raho me të cilin biseduan për çështje të bashkëpunimit dypalësh në luftë kundër krimit të organizuar transnacional, si dhe për intensifikimin e aksioneve të përbashkëta mes agjencive ligjzbatuese të të dy vendeve. Ministri Xhafaj tha se krimi nuk ka nacionalitet, ndaj kjo imponon krijimin e një marrëdhënieje të re mes vendeve në këtë luftë, duke shtrirë e thelluar bashkëpunimin. Ai nënvizoi se për të pasur efikasitet në këtë bashkëpunim, duhet shkëmbim informacioni më i shpejtë, analiza dhe hetime të përbashkëta me skuadra mobile si dhe trajnime speciale për Policinë shqiptare.

Gjatë takimit Ministri Xhafaj e njohu Kryeprokurorin  De Raho, me dokumentin politik të Ministrisë së Brendshme, reformat që janë në proces në Policinë e Shtetit në kuadër të Vetting-ut, përmes së cilës synohet të shëndoshet organizata dhe promovohen punonjësit me integritet. Ministri bëri gjithashtu një ekspoze për delegacionin italian, në lidhje me ecurinë dhe rezultatet e operacionit kundër krimit të organizuar dhe grupeve kriminale, “Forca e Ligjit”. Takimi me Prokurorin kombëtar italian antimafia, Cafiero De Raho, dhe delegacionin që e shoqëronte u vlerësua si mjaft i dobishëm, i frytshëm dhe profesional.

Emisioni “Real Story” me një panel analistësh

Këtë javë Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj mori pjesë në emisionin “Real Story” në Vizion Plus, me gazetarin Sokol Balla dhe një panel analistësh, përkatësisht Skënder Minxhozi, Arjan Vasjari e Artan Hoxha. Pyetjet më të shumta dhe çështjet që u rrahën më fort ishin në lidhje me super aksionin e suksesshëm të Policisë së Shtetit në Durrës, ku u sekuestruan 613 kg kokainë. Ministri Xhafaj shpjegoi disa detaje në lidhje me teknikat e përdorura nga agjencitë ligj zbatuese në vend për zbulimin e kësaj ngarkese rekord droge, që bazohen në një analizë risku inteligjence dhe informacione. Ai nënvizoi edhe bashkëpunimin që ekziston me partnerët ndërkombëtarë dhe falënderoi për ndihmën që ata i japin Policisë së Shtetit, ndërsa në lidhje me kokainën e sekuestruar, shpjegoi që aksioni është kryer nga Policia shqiptare, në bashkëpunim me Hetimin Doganor e Prokurorinë. Duke folur për kontrollin që ushtrohet ndaj mjeteve në pikat kufitare, ai tha se sot bëhet 100% kontroll i të gjitha automjeteve, e madje kjo është një mase ekstreme por e detyruar. Përveç suksesit të policisë në aksionet antidrogë, ministri foli për operacionin ‘Forca e Ligjit’, procedimet që janë në vazhdim për abuzimin me tokat e terrenet shtetërore, si dhe për procesin e Vettingut në Policinë e Shtetit. Ai deklaroi se ky proces në Policinë e Shtetit vjen në një moment të përshtatshëm, pasi shkon në sintoni edhe me Reformën në Drejtësi dhe vetimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Emisioni “Përballë” në RTSH

Tema e Vettingut në radhët e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së ka dominuar në bisedën në studio të ministrit Xhafaj me gazetarin Lutfi Dervishi, në RTSH. Ministri ka shpjeguar nevojën për kryerjen e këtij procesi në Polici, duke e lidhur me domosdoshmërinë  që kanë strukturat ligj zbatuese për një verifikim të tillë periodik. Ai falënderoi kolegët e opozitës për mbështetjen e draftit, si dhe propozimet e kritikat konstruktive. Sa i përket organizimit të Policisë së Shtetit, Xhafaj bëri të qartë se do të ketë një sërë ndryshimesh të rëndësishme, që kanë të bëjnë me ndarjen më mirë të funksioneve të strukturave të ndryshme, brenda Policisë. Ai tha se shumë shpejt do të bëhet një riorganizim i Policisë së Shtetit, nga pikëpamja e prezencës, kontrollit të territorit dhe marrëdhënies me publikun, në favor të rritjes së numrit të punonjësve të policisë që janë në territor. “Pesha më e madhe e kontrollit të territorit dhe marrëdhënieve me qytetarin do të jetë te komisariatet. Brenda çdo Komisariati kemi bërë një ndryshim që është thelbësor sipas meje dhe që është pjesa kyç e këtij reformimi të rëndësishëm, ndërtohen ato që quhen zonat policore”, nënvizoi Ministri Xhafaj gjatë intervistës në studio. Lufta kundër krimit të organizuar nëpërmjet operacionit ‘Forca e Ligjit’ ishte një temë tjetër e trajtuar gjerësisht në intervistën e Ministrit me analistin Lutfi Dervishi.

POLICIA E SHTETIT

Reagim pas akuzave të opozitës për kokainën e sekuestruar

Policia e Shtetit reagoi pas deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, lidhur me operacionin e kapjes së një ngarkese me kokainë.  Sipas policisë operacioni është kryer në bashkëpunim me Hetimin Doganor, që në bazë të analizës së riskut ka sinjalizuar Policinë e Shtetit, për një dyshim të arsyeshëm lidhur me mjetin që transportonte drogën e ardhur nga Kolumbia. Operacioni është një sukses i padiskutueshëm i agjencive ligjzbatuese shqiptare, që është finalizuar falë bashkëpunimit intensiv me Hetimin Doganor dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Ekspertë britanikë, trajnim për Policinë e Shtetit

Ambasada Britanike në Shqipëri zhvilloi  trajnimin me temë “Planifikimi strategjik për sigurinë dhe zhvillimin” në Policinë e Shtetit, në të cilin morën pjesë drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Trajnimi u bë në ambientet e Akademisë së Sigurisë, për 3 ditë dhe lektore kryesore ishte një eksperte e fushës. Në fokus të leksioneve dhe diskutimeve  të zhvilluara ishin strategjitë e sigurisë, hartimi dhe implementimi i tyre. Drejtuesja e këtij trajnimi znj.Fitzgerald, është specializuar në Programet e Menaxhimit të Sektorit të Sigurisë, Universitetin Cranfield Britani.

Kurs trajnimi rajonal për ekspertizën kriminalistike të të dhënave live

Rritja e njohurive dhe aftësive të profesionistëve të drejtësisë penale nga Evropa Juglindore në fushën e ekspertizës kriminalistike të të dhënave live ishte fokusi i një kursi trajnimi një-javor organizuar në Akademinë e Sigurisë me mbështetjen e OSBE-së. Kursi u ndoq nga 20 profesionistë që shërbejnë pranë institucioneve të ndryshme të drejtësisë penale nga Shqipëria, Bosnja-Hercegovina dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia. Trajnimi u ofroi pjesëmarrësve njohuri teorike bazë rreth ekspertizës kriminalistike së të dhënave live, si dhe aftësi praktike për të realizuar ekspertizën kriminalistike të të dhënave live dhe për të përftuar të dhënat nga sistemet operative Windows, Linux dhe Mac. Kursi i trajnimit u zhvillua nga Grupi Evropian i Trajnimit dhe Edukimit për Krimin Kibernetik (ECTEG), anëtare e të cilit është edhe OSBE-ja, duke përdorur për drejtimin e tij dy ekspertë të jashtëm nga agjencitë ligjzbatuese gjermane dhe norvegjeze. Ky kurs është pjesë e një projekti më të gjerë rajonal të OSBE-së për rritjen e kapaciteteve dhe është i treti në një varg veprimtarish rajonale trajnimi që trajtojnë aspekte të ndryshme tematike të luftës ndaj krimit kibernetik dhe krimit të mundësuar nga kibernetika, të cilat zhvillohen nga janari deri në prill të këtij viti.

OPERACIONE

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) Korçë, arrestoi 2 punonjës të Policisë në Pikën Kufitare të Kapshticës, me detyrë kontrollor në vijën e dytë dhe  shoqërues qeni. Arrestimi i tyre është bërë për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, pasi duke qenë me shërbim nuk kanë kontrolluar dhe kapur një automjet me drogë, i cili u bllokua nga Policia greke. Në automjetin që drejtohej nga një shtetas shqiptar pas kontrollit policia greke konstatoi në karrocerinë e mjetit 60 kilogram kanabis.

Në Durrës, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor sekuestruan 613 kilogram e 350 gram kokainë, me vlerë tregu 180 milion euro. Policia arrestoi dy shtetas, të cilët rezultuan të përfshirë si dhe shpalli 1 shtetas tjetër në kërkim. Lënda narkotike e mbërritur në Portin e Durrësit në një konteiner bananesh, kishte ardhur në datën 19 shkurt 2018 nga Kolumbia dhe ishte mbajtur në vëzhgim. Operacioni ka nisur gjatë mbrëmjes së datës 27 shkurt, në Portin detar të Durrësit, në momentin që ngarkesa e ligjshme me banane, u mor në dorëzim nga firma porositëse. Në momentin që kamioni ka mbërritur në ambjentet e firmës, Policia që e kishte nën vëzhgim ka ndërhyrë dhe pas kontrollit të imtësishëm zbuloi sasinë rekord të kokainës të ndarë në 528 pako. Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda për identifikimin dhe arrestimin e persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Në Tiranë, Policia pas një pune intensive hetimore dhe profesionale, arrestoi autorët dhe zbardhi ngjarjen e 14 shkurtit, ku një person u vra me armë zjarri në kryeqytet. Në bashkëpunim me Prokurorinë, gjatë operacionit “Triss” u arrestuan dy shtetas të dyshuar si autorë të ngjarjes, të lënë në burg edhe nga Gjykata, ku njëri prej tyre është ekzekutori. Pista kryesore ku janë fokusuar hetimet është ajo e borxheve që nuk kishte shlyer viktima.

Në Vlorë, Policia zbardhi ngjarjen e ndodhur në Janar të këtij viti në lagjen “24 Maji”, ku nënë e bir u vranë dhe më pas u dogjën në banesën e tyre. Duke zbatuar metoda speciale të hetimit, agjentët arrestuan dy autorët e dyshuar të kësaj vrasje dhe sekuestroi armën e ftohtë me të cilën është kryer krimi. Dy shtetasit e arrestuar për motive të dobëta, kanë dhunuar e më pas kanë nënë e bir si dhe kanë shkaktuar zjarr në banesë me qëllim fshehjen e provave.

Në Sarandë, Policia goditi një grup kriminal, arrestoi 12 shtetas dhe shpalli në kërkim 4 të tjerë gjatë operacionit “Piramida”. Sipas policisë ky grup kriminal ka organizuar transport të lëndëve narkotike nga Tepelena dhe Gjirokastra në drejtim të zonave kufitare të Bashkisë Konispol, me qëllim trafikimin e saj drejt Greqisë.

Në Tiranë, Policia finalizoi një operacioni antidrogë ku sekuestroi 1 kilogram e 52 gram lëndë narkotike të dyshuar kokainë, si dhe arrestoi dy persona. Droga e sekuestruar u zbulua në automjetin ku udhëtonin dy shtetasit e arrestuar. Sipas policisë lënda narkotike ishte e destinuar të shitej në Tiranë, në lokalet e natës dhe në zonën e ish-Bllokut.

Në Vlorë, Policia arrestoi tre persona dhe shpalli në kërkim dy të tjerë për një plagosje të trefishtë të ndodhur në qytetin bregdetar. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur në lagjen “28 Nëntori”, ku si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mes dy grupesh të cilët lëviznin me 2 automjete, janë plagosur tre persona.

Në Durrës, Policia ekzekutoi  vendimin e Gjykatës të Shkallës së Parë, Durrës për vendosjen e sekuestros preventive të katër apartamenteve në Tiranë e Durrës, si dhe një klinikë dentare në Tiranë, në pronësi të një shtetaseje të arrestuar me akuzën e mashtrimit. Shtetësja e arrestuar ka mashtruar disa persona në Tiranë dhe Durrës duke përfituar një vlerë përafërsisht rreth 2 milionë euro.

Në Krujë, Policia ka arrestuar një person ndërkohë po punon për arrestimin e tre të tjerëve për veprat penale "Vrasje në tentativë" dhe "Armëmbajtje pa leje". Sipas policisë këta shtetas kanë tentuar të vrasin me armë zjarri një person në Fushë-Krujë.

Në Tiranë, Policia arrestoi një shtetas mbi të cilin ishte dhënë masa e sigurisë “Arrest shtëpie”. Gjatë kontrollit fizik atij iu gjet një pistoletë, ndërkohë në banesë policia sekuestroi një automatik, fishekë, detonatorë dhe disa celularë.

Në Tiranë, Policia arrestoi dy shtetas për veprën penale "Mashtrim" dhe "Falsifikim i dokumenteve". Arrestimi i tyre u bë pasi kanë mashtruar 25 persona të ndryshëm, të cilëve u kanë marrë në total një shumë prej 40 000 euro, duke u premtuar se do t'i pajisnin me pasaporta të shtetësisë bullgare.

Në Tiranë, Policia arrestoi një shtetas dhe shpalli një tjetër në kërkim për veprën penale “Mashtrim" dhe "Falsifikim i dokumenteve”. Ky shtetas në bashkëpunim me një tjetër kanë mashtruar, një shtetas kanadez duke i marrë një shumë prej 260 000 dollarësh dhe një shtetas shqiptar duke i marrë një shumë prej 50 000 eurosh.

Në Tiranë, Policia arrestoi një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Arrestimi i tij u bë me qëllim  ekstradimi drejt Italisë. Gjykata e Trentos, e ka dënuar këtë shtetas me 6 vite burg për veprat penale “Grabitje“, “Armëmbajtje pa leje“, “Shfrytëzim prostitucioni“.

Në Skrapar, Policia arrestoi një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma. Gjykata e Torinos, kishte lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për kryerjen e veprës penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.

Në Fier, Polica kapi në kohë rekord 3 autorët e plagosjes së dy shtetasve gjatë vjedhjes së një pike të këmbimit valutor. Të arrestuarit kanë vjedhur një pikë këmbimi valutor, nën kërcënimin e armës. Ata kanë plagosur 2 shtetas, pronarin e exchange, dhe një shtetas tjetër që ndodhej aty pranë. Policia sekuestroi çantën me paratë që u vodhën në exchange.

Në Lezhë, Policia kapi një shtetas të shpallur në kërkim, pasi ishte i dënuar nga gjykata me 5 vite burg për veprën “Plagosja me dashje”. Policia kreu veprimet e mëtejshme procedurale.

Në Tiranë, Policia Rrugore ka vijuar masat shtesë për rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë. Janë ushtruar kontrolle për evidentimin dhe ndëshkimin e përdoruesve të rrugës që nuk respektojnë sinjalistikën rrugore.