Postuar më: 26 Shkurt 2018

Ministria e Brendshme në 1 javë - Buletin nr. 23

Buletini nr. 23,

Ministria e Brendshme në 1 javë (19 Shkurt - 25 Shkurt 2018)

MINISTRI

Ministri Xhafaj prezantoi në Komisionin e Sigurisë Kombëtare projektligjin e Vetting-ut

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj prezantoi në Komisionin e Sigurisë Kombëtare projektligjin për "Për vlerësimin kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së, në Ministrinë e Brendshme", Vetting-u”. Ministri Xhafaj deklaroi se projektligji synon të spastrojë radhët e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, nga individë që kanë probleme me integritetin, që mund të jenë të përfshirë në afera korruptive, në lidhje kriminale si dhe që mund të jenë dhe rezultojnë të paaftë profesionalisht. “Projektligji ka për qëllim edhe të evidentojë, mbështesë dhe promovojë fort ata punonjës të Policisë së Shtetit, të Gardës, të SHÇBA-së, që plotësojnë kriteret ligjore, morale e profesionale për të shërbyer në këto struktura kyç për rendin dhe sigurinë”, u shpreh ministri. Ai tha se në përfundim të këtij procesi synohet që nga njëra anë të rritet e forcohet besueshmëria brenda radhëve dhe strukturave të këtyre institucioneve dhe nga ana tjetër të rritet besueshmëria e qytetarëve te institucionet e sigurisë. Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve në lidhje me Vetting-un, ministri u shpreh se procesi duhet të shtrihet edhe te politikanët. Ai pohoi se nëse do të bëhet një ligji Vetting-u për politikanët, ai do të ishte i pari që do ta votonte. Ministri Xhafaj theksoi se në mënyrën si është ndërtuar dhe vetë reforma në drejtësi shumë shpejt që do të mund të kemi dhe Vetting për politikën, qoftë për çështje të figurës, qoftë për çështje të njerëzve në politikë. Projektligji u miratua në Komisionet parlamentare dhe kaloi për miratim në seancë. 

Ministri Xhafaj vizitë në Britaninë e Madhe

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj zhvilloi vizitë pune 2 ditore në Mbretërinë e Bashkuar, ku u takua me zyrtarët më të lartë të çështjeve të brendshme dhe sigurisë, me të cilët bisedoi për çështje me interes të përbashkët. Në fokus të bisedimeve me Sekretaren e Shtetit për Çështjet e Brendshme znj.Amber Rudd ishin çështjet e luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të qenieve njerëzore dhe bashkëpunimit më të zgjeruar mes organizatave policore të dy vendeve. Gjatë takimit Ministri Xhafaj bëri një panoramë të luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të qenieve njerëzore dhe azilkërkimit, si dhe prezantoi detaje kyçe rreth Planit të Veprimit - Operacionit “Forca e Ligjit”.

Sekretarja Rudd nënvizoi se ishte e entuziasmuar nga rezultatet e deritanishme të operacionit dhe qasja e qeverisë shqiptare rreth këtij fenomeni është i njëjtë me atë çka bëhet në Mbretërinë e Bashkuar. Në vijim, znj.Rudd theksoi se duhet thelluar bashkëpunimi mes dy vendet me qëllim që t’u jepet qytetarëve më shumë rend dhe siguri. Ajo pohoi se është shumë e rëndësishme që Shqipëria të vazhdojë në rrugën e nisur për të luajtur një rol të rëndësishëm në Ballkan në luftën kundër krimit të organizuar, që bëhet përherë e më i sofistikuar dhe i kalon kufijtë e shteteve.

Në takimin e zhvilluar tek Agjencia Kombëtare, palët diskutuan për operacione konkrete të përbashkëta për krimin e organizuar, korrupsionin dhe pastrimin e parave, si dhe mbështetjen që kjo Agjenci do të japë për çështjen e Vetting-ut rritjen e kapaciteteve teknike e logjistike të Policisë shqiptare.

Në takimin me Ministrin britanik për Sigurinë z.Ben Wallace, u ra dakord për një axhendë pune, në interes të përpjekjeve për veprime të bashkërenduara në luftën kundër krimit të organizuar. Ministri britanik do të jetë shumë shpejt në Tiranë për të konkretizuar këto veprime.

Një tjetër takim me shumë interes, ishte ai me Ministrin britanik për Europën dhe Amerikën, Sir Alan Duncan. Ministri Xhafaj dhe ministri Sir Alan Duncan ranë dakord për të krijuar një model bashkëpunimi në rajon, në kuadrin e Samitit të Londrës për çështjet e sigurisë në Ballkan që mbahet në Londër në korrik 2018.

Analiza e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu morën pjesë këtë javë në analizën vjetore të Policisë së Beratit. Ky qark, në vitin 2017 nuk kishte asnjë vrasje apo ngjarje të rëndë kriminale si dhe numër minimal aksidentesh. Ministri Xhafaj vlerësoi strukturat për punën dhe rezultatet. Ai parashtroi domosdoshmërinë për një polici etike në komunikim me qytetarët. Gjithashtu ministri ritheksoi 3 prioritetet për vitin 2018: Integriteti i Policisë (Vettingu); kontrolli i plotë i territorit dhe riorganizim i strukturave për të rritur kontaktet me qytetarët. Ministri anoncoi dhe nismën për llogaridhënie të drejtuesve lokalë të Policisë përballë qytetarëve në çdo Drejtori qarku. Gjithashtu theksoi vullnetin dhe angazhimin maksimal për luftën kundër krimit të organizuar. Pas analizës, Drejtori Veliu tha për mediat se "përveç problematikave dhe rezultateve të evidentuara në këtë analizë u këmbëngul dhe u theksuan edhe prioritetet ku do të fokusohet puna e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat për vitin 2018, ku prioriteti kryesor do të jetë vazhdimi pa ndërprerje i operacionit "Forca e Ligjit", si dhe puna parandaluese që duhet të bëhet të drejtim të eleminimit të fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike pavarësisht numrit të ulët të sipërfaqes apo të rrënjëve të evidentuara gjatë vitit 2017”.

Ridimensionimi i aplikacionit "Komisariati Dixhital"

Zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko e shoqëruar nga Drejtori i Policisë së Tiranës Kastriot Skënderaj inspektoi Sallën Operative të Policisë. Zv/ministrja u njoh me punën që bëhet në menaxhimin  e telefonatave në numrin unik 112, denoncimet në aplikacionin ‘Komisariati Dixhital’ dhe funksionimin e kamerave të sigurisë dhe ato të trupit.  Zv/ministrja Kuko, vlerësoi punën e kryer nga ekipi i sallës operative. Ajo u kërkoi qytetarëve të raportojnë shkeljet e ligjit, pasi në këtë mënyrë bëhen partnerë të Policisë së Shtetit, për rritjen e parametrave të rendit e sigurisë. Drejtori i Policisë së Tiranës Kastriot Skënderaj deklaroi se vetëm gjatë periudhës janar-shkurt 2018 në Komisariatin Dixhital kanë ardhur 4907 raportime. Ai ftoi qytetarët të vijojnë të denoncojnë shkeljet e ligjit.

POLICIA E SHTETIT

Drejtori Veliu pret delegacionin e lartë të Guardia di Finanza

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, priti delegacionin e Guardia di Finanza-s të kryesuar nga gjenerali Vito Augelli, komandant i Guardia di Finanza-s të Rajonit të Pulias. Ata diskutuan për bashkëpunimin dypalësh në kuadër të luftës kundër trafikimit të narkotikëve. Gjenerali Vito Augelli deklaroi se nga e gjithë sasia e kanabisit të kapur në Itali, 80% i ka bërë Guardia di Finanza e Pulias dhe këto falë një bashkëpunimit të ngushtë me Policinë shqiptare. Sipas tij është arritur të ndërtohet një rrjet shkëmbimi informacioni që bazohet në besim reciprok dhe profesionalizëm të lartë. Drejtori i Policisë së Shtetit Ardin Veliu nga ana e tij vlerësoi rezultatet e arritura në luftën kundër kultivimit të kanabisit, trafikimit të saj dhe sidomos në kapjen e gomoneve falë bashkëpunimit. Ai theksoi se këtë vit do të fillojnë më herët fluturimet për të parandaluar këtë fenomen. Sipas Veliut Italia mbetet një partner strategjik dhe krahas goditjes së trafikut, synimi është ai i kapjes së aseteve kriminale për ta çrrënjosur përfundimisht fenomenin e kultivimit të kanabisit.

Drejtori Veliu takim me homologun grek, Gjeneral Kostantinos Tsouvalas

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, zhvilloi një takim në Janinë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Greke Gjeneral Kostantinos Tsouvalas. Gjatë takimit mes dy krerëve të policive u konfirmua niveli i shkëlqyer i bashkëpunimit të policive të dy vendeve. Në takim u diskutuan çështje që i përkasin bashkëpunimit të deritanishëm dhe forcimit të mëtejshëm për çështje me interes të përbashkët.

SHÇBA OPERACION

Në Durrës, strukturat e SHÇBA arrestuan një punonjës policie me detyre inspektor policie (SPZ) në Komisariatin e Policisë Durrës. Për punonjësin e policisë, gjykata kishte caktuar masën e sigurisë "Arrest me burg" për veprat penale të "Shpërdorimit të detyrës" dhe "Korrupsionit pasiv". Duke shpërdoruar detyrën, efektivi, lejonte ndërtime pa leje në zonën që mbulonte kundrejt parave.

OPERACIONET E POLICISË SË SHTETIT

Në Kavajë, Policia procedoi penalisht 10 persona si autorë të një skeme abuzimi e përfitimi të paligjshëm të rreth 110.000 m2 tokë ranishtë në zonën bregdetare Spille-Rreth Greth, i cili sot administrohet nga bashkia Rrogozhinë. Në kuadër të operacionit policor “Ranishtja 2”, u arrestuan 4 shtetas, u morën masa të ndryshme për 4 të tjerë si dhe u shpallën në kërkim 2 persona të implikuar në ngjarje. Ndër personat e proceduar është kryetari aktual i bashkisë Rrogozhinë ndaj të cilit gjykata ka dhënë vendimin për “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”. Policia vijon punën për identifikimin e zyrtarëve e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Në Durrës, Policia sekuestroi rreth 2 milion euro pasuri të dyshuara se ishin fituar nga aktiviteti kriminal. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit policia ekzekutoi vendimin e gjykatës duke sekuestruar pasuritë një shtetasi të dënuar me 12 vite burg për veprën penale të "Trafikimit të lëndëve narkotike". Policia sekuestroi një sipërfaqe të konsiderueshme toke, disa njësi tregtare dhe apartamente.

Në Lezhë, Policia arrestoi dy shtetas gjatë operacionit “Goes on” si dhe sekuestroi mina me telekomandë e një sasi kanabisi. Të dy shtetasit e arrestuar akuzohen për veprat penale të “Trafikimit të armëve”, “Mbajtjes së bombave dhe minave me telekomandë në mjedise publike” dhe “Prodhim shitje të narkotikëve” në bashkëpunim. Policia ka shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë si bashkëpunëtor.

Në Vlorë, Policia arrestoi dy shtetas, sekuestroi një sasi të konsiderueshme vaji hashashi dhe hashash të formësuar si çokollatë dhe pluhur. Ndërkohë policia vijon punën për identifikimin  dhe sekuestrimin e aseteve dhe pasurive që rrjedhin nga kjo veprimtari kriminale. Policia ka evidentuar asetet në pronësi të njërit prej personave të arrestuar dhe referoi në Prokurori materialet për veprën penale  të "Pastrimit të produkteve të veprës penale".  Gjithashtu po punohet për evidentimin dhe bllokimin e llogarive bankare të këtyre shtetasve.

Në Tiranë, Policia arrestoi 2 shtetas dhe procedoi 7 të tjerë gjatë operacionit “Chat line 4”. Shtetasit e arrestuar akuzohen për veprën penale "Shfrytëzim i Prostitucionit" dhe "Prodhim dhe shitje e narkotikëve”. Gjatë operacionit policia shpalli në kërkim dy shtetas të tjerë për veprën penale "Mbajtja e lokaleve për prostitucion”. Finalizimi i operacionit u bë pas një hetimi disa mujor me metoda speciale. I gjithë aktiviteti zhvillohej në një apartament të marrë me qira në rrugën “Don Bosko”, ku ushtrohej prostitucioni virtual.

Në Elbasan, Policia sekuestroi 20,700 euro të dyshuara si të falsifikuara dhe arrestoi poseduesin e tyre. Kartëmonedhat e sekuestruara ishin të prerjes 100 euro. Hetimet vazhdojnë ende për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të mundshëm të implikuar në këtë aktivitet kriminal.

Në Qafë Thanë, Policia Kufitare arrestoi me qëllim ekstradimin drejt Kroacisë një shtetas maqedonas të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Arrestimi i tij u bë pasi Gjykata e Zagrebit kishte lëshuar urdhër arresti për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”

Në Shijak, Policia arrestoi brenda një kohe rekord dy shtetas të akuzuar për disa vjedhje. Dy të arrestuarit akuzohen  për grabitjen e 3 banesave në qytetin e Shijakut si dhe grabitjen e një motori në Tiranë. Policia sekuestroi gjatë operacionit të koduar “Flash” edhe disa objekte të cilat dyshohet se janë grabitur.

Në Lezhë, policia arrestoi një shtetas të shpallur në kërkim. Gjykata e Krimeve të Rënda, kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Grup i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Kultivim i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim”. Arrestimi i këtij shtetasi u bë gjatë operacionit të koduar “Kulla”. Policia ka goditur mbi 15 raste të kultivimit të kryera nga ky grup kriminal, si dhe ka arrestuar më parë disa persona, si pjesë e tij.

Në Tiranë, Policia arrestoi një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Arrestimi i tij u bë me qëllim ekstradimin drejt Italisë, pasi gjykata e Latinës e kishte dënuar me 4 vite e 6muaj burg për veprën penale të “Organizatës kriminale” dhe “Shfrytëzimit të prostitucionit”.

Në Kurbin, Policia parandaloi një ngjarje rëndë dhe arrestoi dy shtetas. Për motive banale të dy të arrestuarit kishin goditur me sende të forta në kokë një shtetas tjetër. Falë ndërhyrjes në kohë rekord të policisë u parandalua përshkallëzimi i konfliktit.