Postuar më: 19 Shkurt 2018

Ministria e Brendshme në 1 javë - Buletin nr. 22

Buletini nr. 22,

Ministria e Brendshme në 1 javë (12 Shkurt-18 Shkurt 2018)

MINISTRI

Ministri Xhafaj priti Komisionerin Avramopulos

Ministri i Brendshëm, z. Fatmir Xhafaj, priti në një takim Komisionerin për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, z. Dimitris Avramopulos.  Pas bisedimeve 2 palëshe, ata sigluan marrëveshjen statusore për bashkëpunim operativ ndërmjet Agjencisë Evropiane të Rojeve Kufitare dhe Bregdetare dhe Shqipërisë. Pasi të hyjë në fuqi, marrëveshja do t’i mundësojë Agjencisë të sigurojë asistencë në fushën e menaxhimit të kufirit të jashtëm, si dhe do t’u mundësojë ekipeve të Agjencisë Evropiane të Rojeve Kufitare dhe Bregdetare të vendosen me shpejtësi në territorin shqiptar në rast të ndonjë ndryshimi të papritur të flukseve migratore. Ministri i Brendshëm Xhafaj theksoi se kjo është një marrëveshje e rëndësishme, e cila do të ndihmojë në marrjen e asistencës së kualifikuar në lidhje me menaxhimin e kufijve. Komisioneri Avramopulos u shpreh se Shqipëria është një pararendëse në rajon. Ai siguroi se marrëveshja do të shërbejë si model për marrëveshje të ngjashme që po negociojmë me partnerë të tjerë në Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu Ministri Xhafaj dhe Komisionieri Avramopulous nënshkruam Memorandumin e Mirëkuptimit mbi pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e drejtësisë së Bashkimit Evropian, mbështetur në vullnetin e palëve për të zgjeruar objektin e këtij Memorandumi në nisma konkrete në fushën e politikave kundër lëndëve narkotike.

Ministri Xhafaj i ftuar në “Opinion”

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ishte i ftuar këtë javë në emisionin “Opinion” në TV Klan. Duke analizuar situatën dhe luftën kundër kriminalitetit në vend, ministri u shpreh se në Shqipëri veprojnë 40 grupe kriminale, me aktivitete që shkojnë që nga vjedhjet dhe trafiqet, e deri te pengmarrjet dhe vrasjet.

Ministri deklaroi se është hartuar një raport studimor, i cili ka realizuar profilin e këtyre grupeve kriminale, veprimtarinë e tyre, numrin e pjesëmarrësve, si dhe një hartë të veprimtarisë së krimit të organizuar në Shqipëri. Sipas tij, ekspertët kanë skeduar rreth 40 grupe kriminale që veprojnë në 12 qarqet e vendit. “Në Europë janë 5000 grupe të strukturuara kriminale të skeduara nga Europoli dhe 60% e anëtarëve të këtyre grupeve janë shtetas të vendeve anëtare të BE-së. Në Shqipëri sipas standardit të Europolit, nuk do ta kalonin 15 të tilla, kurse sipas kritereve që kemi vendosur ne për efekt të vlerësimit të rrezikshmërisë shoqërore në nivel kombëtar dhe në nivel lokal, janë 40 grupe të tilla. Nuk janë grupe të strukturuara në nivelin e një organizate kriminale”, deklaroi Xhafaj.

Ministri i Brendshëm deklaroi në emision se Shqipëria ka ndryshuar dhe Reforma në Drejtësi ka nisur të japë frytet e para të veta. I pyetur për çështjen “Balili” Xhafaj tha në studion e “Opinion”, se Policia është në një proces kërkimi për kapjen e Klement Balilit.

Ai tha qartë se nuk ka asnjë rrezik për kthimin e vizave për shqiptarët.

Lidhur me atentatin e 13 janarit në Shkodër, Ministri Xhafaj deklaroi se kjo ngjarje nuk mund të konsiderohet një akt terrorist, por si një tentativë vrasjeje me eksploziv e dyshuar për shkak të një konflikti në trafikun e drogës. Ministri vlerësoi gjithashtu punën e Policisë së Tiranës për profesionalizmin në zbardhjen e vrasjes së fund-janarit në Tiranë.

Analiza e Policisë së Durrësit, Lezhë e Shkodër dhe inspektim në Port Durrës

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, pas analizës vjetore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës kanë kryer edhe një vizite në portin e këtij qyteti, më i madhi dhe i rëndësishmi në vend, ku kanë dhënë një deklaratë për mediat. Në të, Ministri Xhafaj tha se Drejtoria Vendore e Durrësit ka bërë progres në punën e saj në goditjen e grupeve kriminale, por më shumë pritet të bëhet. Ai theksoi se janë të skeduar disa grupe kriminale që veprojnë në Durrës, Krujë dhe Fushë Krujë dhe po punohet nga ana e Policisë në bashkëpunim me prokurorinë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese për t’i vendosur shumë shpejt përpara përgjegjësisë ligjore. I pyetur nga mediat për sigurinë e kufijve, Ministri Xhafaj pohoi se nga pikëpamja e menaxhimit dhe sigurisë së  kufijve, Shqipëria mund të konsiderohet një nga vendet e sigurta në rajon. Duke marrë shkasë nga sekuestrimi i një sasie prej 11 kilogram heroine në Portin e Durrësit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu deklaroi se do të vijojë puna për të parandaluar trafiqet e paligjshme.

Në vijim, pas analizës vjetore të Drejtorisë Vendore të Policisë në Lezhë dhe Shkodër, z. Xhafaj u shpreh: "Konstatoj që ka disa arritje, si dhe disa suksese në punën e Policisë, disa ndryshime pozitive në punën e policisë të qarkut të Lezhës. Por nga ana tjetër shoh me shqetësim që ka edhe disa probleme në aspektin e treguesve të kriminalitetit. Viti 2017 nuk ka qenë një vit fort pozitiv për Lezhën nga ky aspekt, ashtu siç mund të konstatoj tregues pozitivë për sa i përket luftës kundër kanabisit, menaxhimit të sezonit të veror, luftës për evidentimin dhe goditjen e disa grupeve kriminale dhe aseteve të tyre, mund të them që ende ka vend për të përmirësuar treguesit e kriminalitetit”.

Ministri vlerësoi veçanërisht profesionalizmin e Policisë së Shkodrës që në bashkëpunim me Prokurorinë zbardhën ngjarjen e 13 janarit me eksploziv dhe vunë në pranga autorët e dyshuar.

Në përfundim, përpara gazetarëve, Ministri Xhafaj renditi tre prioritetet në vijim të punës nga ana e Policisë së Shtetit: “Prioriteti numër një për ne, si dhe ai më kryesori, është çështja e integritetit të punonjësve të Policisë, integritetit moral dhe profesional i Policisë, gjë që do të jetë pjesë dhe qëllim edhe i procesit të Vettingut që kemi ndërtuar dhe pritet të fillojë së shpejti, dhe që synon, nga njëra anë forcimin e besimit brenda radhëve të Policisë së Shtetit dhe nga ana tjetër, rritjen e eficiencës së tyre në zbatimin e ligjit dhe rritjen e besueshmërisë së qytetarëve te policia. Gjithashtu një prioritet tjetër i rëndësishëm është ai që ka të bëjë me luftën kundër krimit të organizuar dhe grupeve kriminale, duke e konsideruar këtë një fushë të rëndësishme ku do të duhet të fokusohet puna e strukturave vendore të policisë në Lezhë dhe veçanërisht strukturave të Policisë kriminale. Theksova gjithashtu dhe një prioritet tjetër të rëndësishëm që do të jetë besoj një gjë shumë pozitive për qytetarët e Lezhës dhe të mbarë vendit. Fjala është për një riorganizim të ri policor që synon një kontroll më të mirë të territorit dhe një marrëdhënie të re të policisë me qytetarët.” – u shpreh Xhafaj.

MINISTRIA E BRENDSHME

P/ligji i Vetting-ut, me procedurë të përshpejtuar në Komisione

Kuvendi votoi në seancë plenare me 86 vota pro kalimin me procedurë të përshpejtuar për miratim, të projektligjit për “Për vlerësimin kalimtar të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat”, i njohur si Vetting-u. Projektligji, që javën e ardhshme do të diskutohet në Komisionet parlamentare përcakton parimet, kriteret, procedurat e vlerësimit kalimtar dhe periodik, standardet, organizimin dhe funksionimin e organeve të vlerësimit për punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme.

Qeveria miraton ngritjen e Agjencisë së Prokurimeve të Përqendruara

Qeveria ka miratuar ngritjen e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, duke synuar më shumë transparecnë dhe pavarësi në këtë sektor. Agjencia do të vijojë të jetë në varësi të Ministrisë së Brendshme. Prej vitesh, këtë detyrë e kryen Drejtoria e Prokurorimeve të Përqëndruara, në MB. Përmes këtij vendimi qeveria ngarkon Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara, për prokurimin e fondeve buxhetore për blerjen e mallrave dhe të shërbimeve për 25 lloje procedurash. Ndër to bëjnë pjesë blerje automjetesh, karburanti, pajisjet e kancelarisë, mobileritë dhe pajisjet e zyrave, sigurim automjetesh dhe të tjerë.

Nis zbatimi i projektit PAMECA V

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj mori pjesë në ceremoninë e nisjes së zbatimit të programit PAMECA V. Të pranishëm ishin edhe Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin, përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme, Policia e Shtetit si dhe ambasadorë të vendeve të Bashkimit Europian që mbështesin projektin. Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, vlerësoi rolin e  PAMECA në hartimin e Dokumentit Politik të Prioriteteve të Ministrisë së Brendshme. Ai theksoi se programi PAMECA ka një rol kyç në thellimin e  bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe vendeve partnere të Bashkimit Europian në luftën kundër krimit të organizuar. Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin deklaroi se  krimi i organizuar është një fenomen që nuk njeh kufij. Sipas saj çelësi i suksesit është vullneti politik dhe vendosmëria për t’u marrë me problemin pa asnjë kompromis. Diplomatja e BE përgëzoi Ministrin Xhafaj për punën e bërë deri më tani në luftën kundër kanabizimit dhe atë kundër krimit të organizuar.

Projekti për rritjen e sigurisë në shkolla

15 gjimnaze të Tiranës që nga muaji mars 2018 do të kenë Oficerët e Sigurisë. Ata janë persona të trajnuar dhe hallka lidhëse mes nxënësve dhe stafit akademik me autoritetet e sigurisë.  Zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko mori pjesë në aktivitetin lancues “Oficerët e Sigurisë në Shkolla” ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama. Ky program synon rritjen e sigurisë në shkolla. Ministria e Arsimit dhe Ministria e Brendshme do të kenë një qasje të re dhe të përbashkët, në raport me sigurinë në shkollë. Zv.ministrja Kuko deklaroi se siguria është një çështje që i përket të gjithëve. Sipas saj ky program do të jetë një marrëdhënie e re, mes komunitetit dhe policisë.

POLICIA E SHTETIT

Drejtori Veliu pret delegacionin e lartë të Policisë italiane

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, priti në një takim delegacionin e Policisë italiane të kryesuar nga Prefekti Nicolino D'Angelo, Zv/shef i Policisë italiane dhe Drejtor i Drejtorisë Qendrore të Policisë Kriminale. Gjatë takimit u bisedua për vijimin dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy policive në luftën kundër kriminalitetit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu vlerësoi përpjekjet dhe rezultatet e arritura në luftën kundër kultivimit të kanabisit, trafikimit të tij dhe sidomos në kapjen e gomoneve falë bashkëpunimit. Prefekti D’Angelo deklaroi se krahas Memorandumit të Patrullimeve të Përbashkëta është dakordësuar edhe për vendosjen e oficerëve të Policive të Kufirit në të dyja anët e Adriatikut, në portet kryesore në sezonin e verës, për rritjen e sigurisë për të dy vendet.

Policimi në Komunitet

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua  takimi i parë i Komitetit Drejtues të Programit SACP; “Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri”. Programi synon rritjen e besimit të qytetarëve te Policia e Shtetit si dhe bashkëpunimin midis tyre. Të pranishëm në këtë takim ishin Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, Zv. Ministrja e Brendshme Romina Kuko dhe Shefja për bashkëpunimin për zhvillim, në ambasadës e Suedisë në Tiranë Birgitta Johanson. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu deklaroi se është e nevojshme që të gjithë aktorët vendorë të bashkëpunojnë dhe të angazhohen për rritjen e sigurisë në komunitet. Zv.Ministrja e Brendshme Romina Kuko ftoi qytetarët të jenë sa më shumë bashkëpunues me policinë.

Ndryshime në nivelin drejtues të Policisë së Shtetit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu paraqiti një sërë lëvizjesh në radhët drejtuese të Policisë së Shtetit. Veliu tha se këto lëvizje janë kryer si nevojë e domosdoshme për një ritëm të ri në përmbushjen e prioriteteve të reja dhe madhore që tashmë ka Policia e Shtetit. Aida Hajnaj, e cila mbante detyrën e Drejtorit të Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, u emërua Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, duke zëvendësuar z. Rebani Jaupi i cili është emëruar Drejtor në Drejtorinë e Menaxhimit të Informacionit dhe Mbrojtjes së të Dhënave. Gjovalin Loka, i cili ishte Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, u emërua Drejtor në Departamentin për Sigurinë Publike. Shaban Nexhi, u emërua Drejtor i Drejtorisë se Migracionit në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin. Enkeleida Toska, u  emërua Drejtor i Drejtorisë se Kufirit dhe Migracionit Tiranë. Theodhori Gravani, u emërua Drejtor i Departamentit, në Departamentin për Shërbimet Mbështetëse, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Andi Likaj u emërua Shef Sektori, në Sektorin Qendror Kombëtar, INTERPOL. Shkëlzen Rexhepi, u emërua Shef Sektori, në Sektorin Kombëtar Europol.

SHÇBA, OPERACION

Në Tiranë, strukturat e SHÇBA-së ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për masën e sigurimit “Pezullim nga funksionet publike”, të një oficeri të Hetimit të Aksidenteve pranë Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, për veprën penale “Shpërdorim detyre". Pas hetimeve 3 mujore të SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë, rezultoi se pas një aksidenti oficeri i Hetimit te Aksidenteve, nuk ka kryer veprimet proceduriale të domosdoshme, por ka manipuluar provat dhe vendin e ngjarjes. Gjithashtu SHÇBA arrestoi një punonjës në Policinë Kufitare të Kakavijës, për "Drejtim mjeti në gjendje të dehur".

GARDA E REPUBLIKËS, REAGIM

Garda e Republikës ka reaguar pas publikimit të një foto nga ish-Kryeministri Sali Berisha. Fotoja e bërë publike nga z.Berisha në Kuvendin e Shqipërisë, nuk ka asnjë lidhje me Gardën e Republikës dhe as me zonën e banimit të kryeministrit aktual të Shqipërisë. Personat në foto nuk janë punonjës të Gardës së Republikës. Në bazë të verifikimeve të bëra rezulton se jo vetëm fotoja nuk ka lidhje me Gardën e Republikës, po nuk ka lidhje as me Shqipërinë. Fotoja është bërë në një province të Italisë dhe personat në foto janë emigrantë shqiptarë në Itali.

OPERACIONE TË POLICISË SË SHTETIT

Operacion ndërkombëtar - Policia Shqiptare në bashkëpunim me atë italiane zhvilluan operacionin antidrogë të koduar “Nadir” duke arrestuar 9 persona mes tyre 7 shqiptarë. Gjatë operacionit u sekuestruan 4 kg kokainë e pastër dhe 1 kg hashish. Grupi kriminal ishte i përbërë nga shqiptarë dhe italianë të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike të llojit kokainë e importuar nga Spanja dhe Holanda për ta tregtuar në sheshet kryesore të zonës së Lacios dhe Pulias. Arrestimi i tyre u bë njëkohësisht në Itali dhe në Shqipëri.

Në Durrës, Policia Kufitare sekuestroi 11,3 kg lëndë narkotike të dyshuar si heroinë dhe arrestoi drejtuesin e kamionit. Lënda narkotike u zbulua gjatë kontrollit në vijën e dytë kufitare. Heroina ishte fshehur në kabinën e kamionit ndërsa destinacioni ishte Firence, Itali. 

Në Tiranë, policia sekuestroi 276.6 gramë lëndë narkotike të dyshuar si kokainë dhe arrestoi katër shtetas. Ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shisnin lëndën narkotike të dyshuar të llojit kokainë, në sasi të vogla personave të ndryshëm në zonën e ish-Bllokut.

Në Gjirokastër, Policia në pikën kufitare të Kakavijës sekuestroi 1,5 kg lëndë të dyshuar narkotike heroinë dhe arrestoi poseduesin e saj. Droga u zbulua nga kontrolli fizik i shtetasit të arrestuar. Lënda narkotike ishte e fshehur në trup dhe në një çantën dore.

Në Tiranë, Policia arrestoi një grup që shpërndante lëndë narkotike në afërsi të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme. Policia prangosi 3 shtetas dhe sekuestroi një sasi prej 68 dozash kanabis.

Në Lezhë, Policia arrestoi tre persona pasi qëlluan me armë në ajër duke krijuar panik te banorët. Pas ndërhyrjes së agjentëve është sekuestruar një automatik, një sasi të konsiderueshme fishekësh dhe disa granata, që autorët i kishin fshehur në afërsi të vendit ku qëlluan. Tre të rinjtë e arrestuar akuzohen se kanë qëlluar me armë edhe ndaj banesës së një shtetasi në dhjetor të vitit të kaluar.

Në Kukës, Policia arrestoi një shtetas kosovar i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Arrestimi i shtetasit kosovar u bë në momentin që ai po hynte në pikën kufitare të Morinës. Gjatë kontrollit ai rezultoi se ishte person në kërkim nga autoritetet austriake, për veprën penale "Trafik të lëndëve narkotike".

Në Durrës, policia arrestoi 2 shtetas për disa vjedhje në 2 operacione të ndryshme. Falë bashkëpunimit të qytetarëve që njoftuan Policinë dhe me anë të veprimeve hetimore të kryera, u dokumentuan me prova shkencore se dy shtetasit e arrestuar ishin autorë edhe të 9 grabitjeve të tjera në Durrës.

Në Elbasan, Policia Rrugore ka kryer kontrolle për të evidentuar drejtuesit që qarkullojnë nën efektin e alkoolit. Nga kontrollet me drager 8 drejtues mjetesh u është tërhequr leja e drejtimit, ndërkohë janë vendosur masa administrative për mos vendosje të rripit të sigurimit dhe përdorim të telefonit. Ndërkohë u ushtruan kontrolle nga FNSH për të rritur parametrat e sigurisë.