Postuar më: 12 Shkurt 2018

Ministria e Brendshme në 1 javë - Buletin nr. 21

Buletini nr. 21,   

Ministria e Brendshme në 1 javë  (05-11 shkurt 2018)

Fjala e Ministrit të Brendshëm Xhafaj në Kuvend

Gjatë fjalës së mbajtur në seancë plenare në parlament, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka cekur ecurinë e punës së Policisë në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, duke bërë një përmbledhje të rezultateve të para të arritura. Njëherësh, Xhafaj vlerësoi lart profesionalizmin e punonjësve të Policisë në zbardhjen e disa ngjarjeve të rënda në Tiranë e Shkodër, autorët e të cilave u kapën në kohë rekord. Në lidhje me operacionin “Forca e Ligjit”, Xhafaj solli në vëmendje të deputetëve se kjo nismë mbështetet nga ekspertët e vendeve partnere, të instaluar në vendin tonë, si SHBA, BE, Gjermani, Britani e Madhe, Itali, Francë, etj. Xhafaj shtoi se janë zhvilluar takime të shumta në Tiranë, me ekspertë të FBI dhe DEA, për çështje konkrete dhe shumë të rëndësishme, që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.

Më tej, z. Xhafaj nënvizoi mbështetjen për punonjësit e Policisë së Shtetit, duke thënë se: “mbështes Policinë e Shtetit në misionin e saj për rend dhe siguri publike në nivelin më të lartë; inkurajoj e mbështes fort strategjinë e Policisë për goditjen e grupeve kriminale dhe elementëve të lidhur me to, duke dërguar përpara drejtësisë cilindo, i vogël apo i madh qoftë ai”.

Ministri Xhafaj qetësoi zërat për një ndikim të Ministrisë së Brendshme ndaj prokurorisë, pas marrëveshjes së nënshkruar, duke nënvizuar se:

“Nuk ka deliruar akoma askush nga Policia, Prokuroria, apo edhe Ministria e Brendshme për të bërë atë, çfarë, ata që janë kundër kësaj marrëveshje, po e thonë këto ditë. Ajo marrëveshje nuk krijon norma të reja juridike për veprimtarinë e Prokurorisë dhe Policisë. Marrëveshja e nënshkruar së fundi mes Prokurorisë dhe Ministrisë së Brendshme për të koordinuar më mirë veprimtarinë tonë në luftën ndaj krimit të organizuar, - e cila nuk është e para për këto dy institucione, - është një materializim në aspektin teknik dhe organizativ të marrëdhënies Prokurori-Polici, marrëdhënie e cila është e sanksionuar plotësisht nga legjislacioni procedural penal”.

Ministri Xhafaj prezanton Drejtorin e ri të Policisë së Shtetit Ardi Veliu

Këtë javë u prezantua Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Ardi Veliu.  Në ceremoninë e zhvilluar për këtë rast, i pranishëm ishte Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Ministrisë, drejtues kryesorë të Policisë së Shtetit etj.. Drejtori i komanduar Rebani Jaupi i dorëzoi simbolet e Policisë së Shtetit drejtorit të ri Veliu. “Jam i vendosur të punoj me përkushtim së bashku me ju kolegë të nderuar për të realizuar të gjitha objektivat e vëna nga Qeveria Shqiptare, në drejtim të përmirësimit të situatës së rendit e sigurisë si edhe përmirësimin e mëtejshëm të imazhit të organizatës së policisë në publik. Policia ka nevojë për një ritëm të ri, më dinamik në të gjitha nivelet, për të qenë më rezultative në realizimin e të gjitha strategjive të miratuara për rendin” tha Veliu.

Ministri Xhafaj në analizën vjetore të Drejtorive Vendore të Policisë në Fier dhe Vlorë

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka marrë pjesë në analizat vjetore të zhvilluara në drejtoritë vendore të policisë në Fier dhe në Vlorë, i shoqëruar nga Drejtori i ri i Përgjithshëm I Policisë së Shtetit Ardi Veliu, Zv.ministrat e Brendshëm Hodaj, Voda, Kuko dhe Lamallari, si dhe nga zyrtarë të kabinetit të ministrit dhe drejtori i SHÇBA-së Eduart Merkaj. Në analizat e zhvilluara janë raportuar rezultatet dhe treguesit e punës së bërë, problematikat që janë ndeshur, nevojat specifike që kanë strukturat vendore në qark, si dhe detyrat e prioritetet e caktuara për vitin 2018.

Gjatë analizave është vlerësuar puna dhe angazhimi serioz në luftën kundër kultivimit të kanabisit, por janë rezervuar edhe kritika, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me ngjarje të rënda që kanë mbetur pa autor. Ministri Xhafaj ka nënvizuar disa prioritete kryesore në punën e strukturave të policisë në këto qarqe siç janë: forcimi i integritetit të Policisë së Shtetit, nëpërmjet procesit të Vetting-ut; riorganizimi i strukturave të policisë nga Drejtoria e Përgjithshme në drejtoritë vendore dhe komisariate, nëpërmjet një rishpërndarjeje të forcave të Policisë në territor; lufta kundër krimit të organizuar dhe posaçërisht grupeve të strukturuara kriminale, që do të realizohet nëpërmjet Plan veprimit, operacionit “Forca e Ligjit”.

Pas përfundimit të mbledhjeve me strukturat vendore të policisë, Ministri Xhafaj zhvilloi një konferencë shtypi për gazetarët, në të cilën, i pyetur për hetimet dhe masat në lidhje me implikimin e punonjësve të Policisë së Vlorës në skemat e kultivimit dhe trafikut të kanabisit, Ministri Xhafaj tha se: “Numri i punonjësve të implikuar nuk përbën shumicën. Ky është një proces që ne po e trajtojmë hap pas hapi, sepse tjetër gjë është perceptimi, tjetër dyshimi, tjetër është dokumentimi i një përgjegjësie të caktuar, qoftë administrative, qoftë edhe penale. Ky është një proces që po e bën Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Do të duhej ta kishte bërë shumë më mirë se deri tani, po e bën SHÇBA, por njëkohësisht po bashkëpunojmë edhe me prokurorinë për t’i trajtuar këto fenomene brenda radhëve të policisë. Pra edhe implikimin e drejtuesve të policisë”.

I pyetur rreth bashkëpunimit me Prokurorinë, Ministri u shpreh: “Konstatojmë se është një marrëdhënie shumë e mirë ndërmjet prokurorëve dhe oficerëve të policisë. Reforma në drejtësi u ka dhënë një hapësirë vetë prokurorëve. Prokurorët sot janë zot të çështjes dhe kanë gjithë autonominë dhe përgjegjësinë kushtetuese dhe ligjore për ta filluar dhe përfunduar vetë çështjen pa ndërhyrje të askujt tjetër mbi ta. Kjo liri ligjore, kushtetuese, u ka dhënë më shumë pushtet, u ka dhënë më shumë kompetenca prokurorëve të cilët janë duke e administruar, në vlerësimin tonë, në shumë qarqe, me shumë përgjegjësi gjë që u konstatua dhe u konfirmua edhe sot me prezencën të Vlorës. Fierit, Sarandës, që ishin të pranishëm në analizat përkatëse, edhe me bashkëpunimin e mirë, të ndërtuar ndërmjet të dy institucioneve”.

Ministri Xhafaj ka shpjeguar për gazetarët rëndësinë që kanë strukturat ‘Task Force’ në luftën ndaj krimit të organizuar. “Task-forcat në vetvete, çfarë janë bashkimi i energjisë, i burimeve njerëzore, i kapaciteteve njerëzore, kapaciteteve teknike të të gjitha agjencive ligjzbatuese në vend. Ne jemi një vend i vogël, nuk mund të pretendosh që të ketë teknologji edhe policia, edhe prokuroria, edhe SHISH-i, edhe doganat, edhe tatimet, të jenë të kompletuara. Por nëse i mbledhim të gjitha këto kapacitete që kemi profesionale, njerëzore, kapacitete teknike, këto përvoja, të gjithë bashkë, mund të bëjmë një fuqi të konsiderueshme për t’u përballur me krimin e organizuar që sa vjen edhe është më i sofistikuar,” përfundoi Ministri Xhafaj.

Miratimi i ligjit për Vetting-un në radhët e Policisë, Gardës dhe SHÇBA-së nga ana e Këshillit të Ministrave

Këshilli i Ministrave miratoi këtë javë projektligjin për “Për vlerësimin kalimtar të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat”, i njohur si Vetting-u. Në një deklaratë për mediat Zv/ministri i Brendshëm, z. Julian Hodaj, deklaroi se qëllimi i kësaj nisme është të japë një kontribut në krijimin dhe konsolidimin e institucioneve të forta dhe të besueshme, me profesionistë me integritet. Sipas tij, ky projektligj nuk ka si synim të jetë një fshesë e radhës, por duhet konsideruar si promovim i atyre që cilësohen të ndershëm, të aftë dhe të përkushtuar. Më tej, ligji i ri duhet parë si çlirim i energjive pozitive, sot disi të fjetura, tek pjesa e shëndoshë e institucioneve. Z. Hodaj theksoi se Ministria e Brendshme nuk do të jetë pjesë e procesit të vlerësimit, për të garantuar pavarësinë, paanshmërinë dhe besueshmërinë e tij, përkundrejt punonjësve që vlerësohen apo përkundrejt publikut.

Kryeministri Rama në Konferencën për deregulimin

I pranishëm në Konferencën për deregullimin, Kryeministri Rama ka përmendur lehtësimin e marrjes së certifikatave për shtetasit shqiptarë nëpërmjet një procedure online. Ky proces tashmë mund të bëhet në mënyrë të pavarur nga zyrat e gjendjes civile, nga ana e çdo shtetasi të interesuar për një dokument të tillë. Rama ka sjellë në vëmendje faktin që “Shqipëria prodhonte 4.5 milionë certifikata në vit. Italia, 10 herë më e madhe, 1.8 milionë. Kjo gjë tani ka marrë fund. Ti thjesht hap kompjuterin në shtëpi dhe nxjerr certifikatën, të cilën e ke me nënshkrim elektronik.”

Ministria e Brendshme ofron nëpërmjet strukturave/drejtorive të saj rreth 100 shërbime për shtetasit. Drejtoritë që përfshihen në këtë proces janë Gjendja Civile, Policia e Shtetit, Zjarrfikësja dhe Arkivi, të cilat ofrojnë shërbime apo lëshojnë leje, licenca, autorizime, vërtetime e dokumente të ndryshme.

Ministri Xhafaj pret në takim Drejtoreshën e Përgjithshme të SELEC-ut 

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj priti Drejtoreshën e Përgjithshme të Qendrës për Zbatimin e Ligjit në Evropën Juglindore (SELEC), me qendër në Rumani. Gjatë takimit, u diskutua mbi nevojën për forcimin e bashkëpunimit dhe të shkëmbimit të informacioneve, për një luftë më efikase kundër kriminalitetit dhe krimit të organizuar në veçanti. Drejtuesja e SELEC Snejana Maleeva, tha gjatë takimit se rezultatet e deritanishme kanë rritur besimin e partnerëve tek Policia e Shtetit shqiptar. Me këtë rast, znj. Maleeva përmendi dhe dy çmimet e para që Qendra që ajo drejton i akordoi Policisë shqiptare në fund të vitit të shkuar, për meritat e saj operacionale dhe rezultatet e arritura. Nga ana e tij, Ministri Xhafaj shprehu gatishmërinë e institucionit që ai drejton dhe të Policisë së Shtetit për të bashkëpunuar me të gjitha organizatat dhe policitë partnere, në rajon e më gjerë, në luftë kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Veprimtari e SHÇBA-së

Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në bashkëpunim me Prokurorinë arrestuan një punonjës policie me detyrë në pikën kufitare të Qafë Thanës. Arrestimi është bërë pas një hetimi 3 mujor me metoda speciale. Punonjësi i Policisë dyshohet se, kundrejt pagesave, lejonte kalimin e shtetasve të ndryshëm që nuk mund të udhëtonin në drejtim të Maqedonisë dhe zonës Shengen.

Operacione të Policisë së Shtetit

Në Portin e Durrësit, shërbimet e Policisë Kufitare, bazuar në informacionet e marra në rruge operative në bashkëpunim me Agjencitë e tjera ligjzbatuese, gjatë kontrollit në vijën e dytë zbuluan në kabinën e një kamioni, pas kontrollit të imtësishëm me qen antidrogë dhe fibroskop, 11,3 kg lëndë narkotike të dyshuar Heroinë. Policia ndaloi drejtuesin e kamionit, i cili kishte destinacion Firencen në Itali.

Në Shkodër, Policia zbardhi ngjarjen e rëndë të ndodhur në datën 13 janar në këtë qytet, ku u plagosën  8 persona nga një shpërthim i telekomanduar. Policia arrestoi dy shtetas të dyshuar si autorë të ngjarjes, ndërkohë në Elbasan u arrestua edhe një shtetas tjetër për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Në Lezhë, në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë që vendosi sekuestro preventive mbi pasuritë e një grupi kriminal. Ky grup është i përfshirë në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe shfrytëzim prostitucioni. Ndaj pjesëtarëve të grupit u vendos sekuestro preventive për 15 pasuri të paluajtshme dhe kapin një vlerë prej rreth 1,450,000 euro.

Në Elbasan, Policia arrestoi në flagrancë 6 shtetas pas një hetimi disamujor me metoda speciale, për aktivitet kriminal në grup. Arrestimi u krye në disa ndërhyrje në Pogradec dhe në Gramsh. Policia sekuestroi 82 kallëpe tritol, armë zjarri dhe një sasi kanabis sativa.

Në Tiranë, Policia arrestoi dy persona të shpallur në kërkim për vepra të rënda penale. Për njërin prej të arrestuarve, që akuzohet për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje, Gjykata kishte dhënë masën e arrestit me burg. Policia arrestoi gjithashtu edhe një person tjetër për veprën penale "Vrasja me paramendim", e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje. Ky shtetas kishte tentuar të vriste për motive hakmarrje një person.

Në Kurbin, Policia parandaloi një ngjarje që mund të përshkallëzohej në një krim të rëndë. Policia arrestoi një person i cili qëlloi me armë dhe kanosi për motive të dobëta, disa punonjës të një firme guroreje, ku dhe ai vetë ishte i punësuar. Policia sekuestroi armën dhe tre gëzhoja. Gjatë kontrollit, personit të arrestuar iu gjet edhe një sasi e vogël kanabisi.

Në Fier, Policia arrestoi një shtetas për grabitjen e 4 pikave të këmbimit valutor në Fier. Policia identifikoi njërin nga autorët e këtyre grabitjeve me dhunë dhe nën kërcënimin e armës dhe po punon për të identifikuar e kapur bashkëpunëtorët e tjerë.

Në Vlorë, Policia në bashkëpunim me njësinë Delta Forcë dhe FA-të shpëtuan dy persona që rrezikonin të mbyteshin në aksin Vlorë-Selenicë, për shkak se i kishte marrë rrjedha e lumit. Pas ndërhyrjes së Delta Forcë me anë të mjeteve lundruese, dy personat janë shpëtuar dhe janë dërguar në spital për ndihmë.

Në Durrës, Policia arrestoi tre ish zyrtarë dhe një punonjës aktual të Njësisë Administrative Ishëm me akuzën e  “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim.

Në Shkodër, brenda një kohe rekord, Policia identifikoi dhe arrestoi dy autorët e dyshuar të grabitjes së argjendarisë në lagjen Vasil Shanto të ndodhur në 3 shkurt.