Postuar më: 05 Shkurt 2018

Ministria e Brendshme në 1 javë - Buletin nr. 20

Buletini nr. 20,

Ministria e Brendshme në 1 javë (29 Janar - 04 Shkurt 2018)

MINISTRIA

MB-Prokurori, marrëveshje bashkëpunimi për luftën kundër krimit të organizuar

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Prokurori i Përgjithshëm Arta Marku firmosën Marrëveshjen e Bashkëpunimit në funksion të Planit të Veprimit për luftën kundër krimit të organizuar. Marrëveshja u nënshkrua në Prokurorinë e Përgjithshme. Ajo çmohet me rëndësi të madhe për jetësimin e Task Forcës Ndërinstitucionale në kuadër të Planit të Veprimit të operacionit “Forca e Ligjit”. Prokurori i Përgjithshëm Arta Marku ritheksoi gatishmërinë dhe angazhimin për ofrimin nga Prokuroria të burimeve njerëzore dhe infrastrukturore më të mira dhe me kapacitet maksimal për përmbushjen e misionit të kësaj Marrëveshjeje. Objekt i kësaj marrëveshje është hetimi i specializuar, i shpejtë, i gjithanshëm i grupeve kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, në fushën e krimit të organizuar dhe, kryesisht grupet kriminale të trafikimit të narkotikëve, krimeve të rënda me ndikim të lartë shoqëror, krimit kundër korrupsionit dhe atij financiar, sekuestrimin e aseteve kriminale, me fushë veprimi brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Ohër - Ministri Xhafaj u takua me homologun Spasovski

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj zhvilloi një vizitë në Maqedoni, ku u prit në Ohër nga homologu maqedonas Oliver Spasovski. Në axhendën e bisedimeve ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e sigurisë, luftës kundër trafikut të drogës, terrorizmit, si dhe bashkëpunimin ndërkufitar. Gjatë kësaj vizite u nënshkrua “Protokolli i bashkëpunimit për luftën kundër terrorizmit”, i cili u finalizua pas një pune të ekspertëve nga dy vendet. Një çështje tjetër, me rëndësi në bisedimet e zhvilluara ishte ngritja e një Qendre Rajonale e Bashkëpunimit Policor, për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky projekt i propozuar nga Xhafaj ka marrë mbështetje nga vende të ndryshme të BE-së, nga Komisioneri Avramopulos, dhe u përkrah plotësisht edhe nga Ministri Spasovksi. Gjatë bisedimeve të sotme u ra dakord gjithashtu edhe për nisjen e punës për ngritjen e pikave të përbashkëta kufitare në Qafë Thanë, Tushemisht dhe Trebisht. “Mund t’ju them se nuk kishim asnjë çështje ku ndaheshim, ishin të gjitha çështje që kishim dakordësi shumë të mirë midis nesh. Kishim dakordësi për të gjitha këto çështje, për bashkëpunimin që kemi dhe për bashkëpunimin që duhet të ndërtojmë. Dhe nuk kishte se si të ishte ndryshe, për shkak se kjo është produkt i atij raporti të shkëlqyer që ekziston ndërmjet dy vendeve, dy qeverive dhe dy popujve tanë. Ne jemi fqinjë të mirë me njëri tjetrin. Detyra jonë është t’i shërbejmë kësaj miqësie, kësaj fqinjësie të mirë. Dhe ne diskutuam me Ministrin dhe ekipin e tij disa tema të rëndësishme për t’i avancuar ato më tej,” tha ministri shqiptar i Brendshëm. Ministri i Brendshëm i Maqedonisë Oliver Spasovski, duke folur rreth takimit të zhvilluar, u shpreh se "gjatë takimit biseduam për bashkëpunimin që ne kemi pasur në të kaluarën, por gjithashtu u angazhuam për bashkëpunim të mëtejshëm edhe në të ardhmen".

Ministri Xhafaj i ftuar në emisionin “Studio e Hapur”

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka qenë i ftuar në emisionin “Studio e Hapur” në News 24 të gazetares Eni Vasili. Gjatë emisionit Ministri Xhafaj i është përgjigjur pyetjeve më të rëndësishme të aktualitetit, operacionin “Forca e Ligjit” dhe Vetting-un në radhët e Policisë së Shtetit, i cili pritet të nisë së shpejti. Ministri deklaroi se aktualisht në Shqipëri janë identifikuar 41 grupe kriminale nga të cilat 17 më të rrezikshmet do të hetohen nga Task Forca Speciale. Ndërkohë, i pyetur për Vetting-un, Ministri Fatmir Xhafaj deklaroi se sapo është mbyllur kuadri ligjor. Është kryer një proces konsultimi brenda policisë, me aktorë të tjerë të shoqërisë, organizatave të shoqërisë civile, agjenci ligjzbatuese dhe me partnerët ndërkombëtar. Projektligji pritet që të mërkurën e ardhshme të jetë në axhendën e Këshillit të Ministrave për t’u miratuar.

Ministri Xhafaj priti delegacionin e FRONTEX

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj priti këtë javë një delegacion të misionit për kufirin e jashtëm të BE-së, Frontex, të kryesuar nga Simon Mordue zv.sekretari i Përgjithshëm, dhe të përbërë nga oficerë policie për menaxhimin e kufijve e zonën Shengen, si dhe ambasadorja e BE-së në Tiranë Romana Vlahutin. Palët vlerësuan marrëdhëniet si të shkëlqyera dhe operacionet e përbashkëta kundër trafiqeve si të suksesshme. Ministri kërkoi prezencën e përhershme të një misioni të Frontex në Shqipëri. "Për ne është e rëndësishme në rritjen e kapaciteteve, çka do të na ndihmonte dhe në çështje të mirëfillta të menaxhimit të kufirit", shtoi ai. Ministri tha se do te rinovohet tërësisht personeli i Policisë Kufitare, e ne kete aspekt ai evidentoi nevojen per trajnime per efektivet. Ministri informoi se pas shembullit me Malin e Zi, MB-ja po punon per nënshkrimin e disa marrëveshjeve për pika kufitare te perbashketa me vendet e tjera fqinje. Zoti Xhafaj i njohu zyrtaret e Frontex me projektin e-gate që do të aplikohet së pari me Kosovën, që do të ndihmoje për menaxhimin me te mire te kufijve dhe përmirësimin e kushteve të punës per qarkullimin e njerëzve e mallrave, ashtu edhe në përballje me krimin dhe trafiqet.  Ministri i Brendshem shtoi gjithashtu se jane përforcuar masat në kufirin e gjelbër, per te parandaluar dhe goditur trafiqet. "Në Trieste kam propozuar një Qendër Rajonale të Bashkëpunimit Policor, propozim i cili ka marrë aprovimin e ministrave homologë italian, francez dhe komisionerit europian Avramopulos. Çuarja përpara e këtij propozimi do të jetë objekt diskutimi në vizitën e Komisionerit në Tiranë ne shkurt", tha z.Xhafaj. Zyrtari i lartë i Frontex duke premtuar asistence, deklaroi se është koha që Shqipërise t’i hapet drita jeshile në nisjen e negociatave. "Pozita e vendit është më e mirë se ç’e kishte Mali i Zi apo Serbia kur u hapën negociatat", tha zoti Mordue. Ai çmoi përpjekjet e ministrit Xhafaj në kryerjen e punës për Reformën në Drejtësi, duke e quajtur pikë kyçe të suksesit, që do ta afrojë përfundimisht  me Bashkimin Europian. 

Shqipëri-Mali i Zi, marrëveshje bashkëpunimi mes dy Akademive të Sigurisë

Në Akademinë e Policisë në Dalinovgrad të Malit të Zi, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit midis Akademisë së Sigurisë së Shqipërisë dhe Akademisë së Policisë së Malit të Zi. Dokumenti u nënshkrua nga Drejtori i Akademisë z. Bilbil Memaj dhe nga homologu i tij malazez z.Boban Šaranović.  Marrëveshja rrit kontributin e ndërsjelltë në zhvillimet kulturore, arsimore dhe kërkimore midis dy vendeve. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është mbështetja e objektivave strategjike në fushën e trajnimeve, studimeve, hulumtimeve dhe zhvillimit, si dhe në marrëdhëniet me publikun. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi do të bëhet i mundur shkëmbimi i informacioneve të ndryshme, këshillimi dhe trajnimi i personelit akademik, zhvillimi i programeve të trajnimit dhe studimit në fushën e Sigurisë publike dhe zbatimi i platformave të reja elektronike që mbështesin procesin e mësimit nëpërmjet të mësuarit E-Learning dhe të mësuarit inovativ. 

Akademia e Sigurisë/U certifikuan 387 kursantë për Patrullë të Përgjithshme të Policisë

Në Akademinë e Sigurisë u zhvillua ceremonia e betimit dhe certifikimit të kursantëve, që përfunduan Programin e Shkollimit “Kolegji i Policisë”, kursi i XI-të. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj, drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, drejtori i SHÇBA-së Eduart Merkaj si dhe përfaqësues të misioneve të huaja që asistojnë Policinë e Shtetit. Zv.ministri i Brendshëm Hodaj gjatë fjalës së mbajtur theksoi se “Policia nuk është punë, është mision. Dhe unë besoj që ju këtë jo vetëm që e dini por do të jeni në gjendje ta dëshmoni në detyrë. Ju ftoj që në punën e përditshme të ndiqni një rregull të artë, të trajtoni të gjithë ata që do të ndihmoni, ndaloni apo do ndëshkoni siç do të donit të trajtoheshit ju apo siç do të donit që familjarët tuaj të trajtoheshin.”

387 kursantë përfunduan me sukses shkollimin në Kolegjin e Policisë, nga të cilët 53 femra dhe 334 meshkuj. Programi ishte i ndërtuar në 25 javë teori pranë Akademisë së Sigurisë, si dhe 11 javë trajnim në terren pranë strukturave vendore policore në të gjithë vendin. Të gjithë kursantët që përfunduan me sukses kursin për Patrullë të Përgjithshme do të emërohen në detyrë, në qarqet ku ata kanë aplikuar. 

Operacione të Policisë së Shtetit

“Forca e Ligjit” -  Pas tre muajsh punë intensive përmes metdodave speciale, kurorëzohet me sukses goditja e dytë në Shkodër, në kuadrin e operacionit “Forca e Ligjit”, ku u godit një grup kriminal me veprimtari në fushën e mbajtjes dhe shitjes së drogave të forta. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër dhe Forcat e Drejtorisë Operacionale Tiranë kanë goditur grupin kriminal “Kokaina”, duke arrestuar 7 persona. Policia sekuestroi 2.2 kg kokainë dhe një lokal që përdorej për shitjen e lëndëve narkotike.

Policia e Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, finalizuan me sukses goditjen e grupit të strukturuar kriminal “Enigma”, ku u arrestuan në flagrance 4 shtetas dhe 1 u shpall në kërkim, si bashkëpunëtorë në vrasjen e ndodhur në 29 janar 2018 në kryeqytet. Gjatë këtij operacioni të mirë-organizuar janë ushtruar kontrolle në disa banesa të autorëve të dyshuar si dhe në një vilë të ndodhur në periferi të Tiranës, në pronësi të organizatorit, e cila shërbente si bazë e grupit. Si rezultat u gjet një arsenal armësh, municionesh, eksplozivësh, raketa hedhës, armë të precizionit të lartë, minë me telekomandë, dylbi, radio ndërlidhje (si ato të policisë), të cilat funksiononin në grup, maska, veshje kamoflazhi.

Në Tiranë, policia vuri në pranga një përmbarues gjyqësor, i cili akuzohet për veprën penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”. Operacioni - i zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë - u finalizua pas një pune 7 mujore, duke përdorur metodat speciale të hetimit. Shtetasi akuzohet se, duke shpërdoruar detyrën, ka përfituar nëpërmjet vjedhjes shumën prej 32.255 euro.

Në Tiranë, policia finalizoi me sukses 3 operacione të ndryshme antidrogë të zhvilluara brenda pak orësh, në përfundim të të cilëve u arrestuan 9 shtetas, u sekuestruan 19 kg kanabis, 165 gramë heroinë, si dhe disa doza kokainë. Disa nga autorët që u kapën në flagrancë, gjatë arrestimit kanë tentuar të fshehin ose zhdukin lëndën narkotike. Të arrestuarit kryenin aktivitetin e paligjshëm në lagje të ndryshme të Tiranës ose në zonat periferike, dhe po punohet për zbërthimin e të gjithë rrjetit të përfshirë.

Në Fier, policia arrestoi autorin e dyshuar të plagosjes me armë zjarri të një 19–vjeçari para pak ditësh. Gjatë kontrollit, policia gjeti në banesën e autorit edhe dy armë zjarri, municione dhe prova të tjera materiale. Në lidhje me ngjarjen janë shoqëruar 3 shtetas të tjerë në cilësinë e personave që kanë dijeni dhe po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Në Sarandë - Policia lokale në bashkëpunim të ngushtë me Policinë greke të Igumenicës, kanë finalizuar një operacion ndërkombëtare antidrogë, në përfundim të të cilit u arrestuan 3 shtetas dhe u sekuestruan 81 kg kanabis. Pas njoftimit të policisë së Sarandës për kalimin nëpërmjet kufirit brenda tokës greke të disa personave që dyshohej se transportonin kanabis, policia greke ka nisur operacionin duke arrestuar 3 shtetas shqiptarë, dhe duke sekuestruar lëndën narkotike. Dy shtetas të tjerë kanë mundur të shpëtojnë dhe po punohet për kapjen  e tyre. Policia Greke ka falënderuar palën shqiptare për bashkëpunimin.

Në Tiranë, Policia arrestoi një shtetas për vjedhjen e 8 telefonave celularë në një dyqan në periferi të kryeqytetit. Autori kishte lindur në Shqipëri, por mbante pasaportë izraelite dhe ishte rezident në atë shtet. I arrestuari kishte hyrë në Shqipëri disa javë më parë dhe sipas informacioneve endej rrugëve. Pas arrestimit në flagrancë, policia sekuestroi celularët e vjedhur dhe bëri veprimet procedurale.

Në Berat, Policia arrestoi një shtetas në flagrancë i cili shpërndante lëndë narkotike në doza të vogla të llojit heroinë. Operacioni u zhvillua pas informacioneve të marra në rrugë operative dhe gjatë kontrollit fizik u sekuestruan 11 doza heroinë, të ndara në qese. Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi u gjet një sasi prej 60 farash kanabisi.

Në Kurbin, Policia gjatë një operacioni në rrugën Bukmir-Kallmet arrestoi në flagrancë 4 shtetas që po trafikonin 131 kg kanabis, 30 fishek model 56, 53 copë kapsolla detonatorë, 10 copë fitila zjarr përcjellës me gjatësi 80 cm si dhe një kallëp tritol.

Policia e Kufirit, Durrës - Rezultatet dhe masat gjatë Janarit 2018

Drejtoria vendore për Kufirin dhe Migracionin ka zhvilluar disa aksione në kuadër të goditjes së veprimtarisë së paligjshme, në përfundim të të cilave janë proceduar 35 autorë. Veprat penale të evidentuara janë “Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave”; “Falsifikimi i dokumenteve”;  “Braktisja e fëmijëve të mitur”; "Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror”; “Kalim i paligjshëm i kufirit” etj.. Vëmendje e veçantë i është kushtuar parandalimit të fenomenit të migracionit të paligjshëm, zbatimit me rigorozitet të masave shtesë për këtë qëllim. Gjatë muajit janar 2018, në Portin e Durrësit u është refuzuar dalja 318 shtetasve, pasi nuk justifikonin qëllimin e udhëtimit, ose për shak se ishin të kthyer deportiv, me refuzim hyrje, apo mungesë dokumentacioni.

Policia e Shtetit në gadishmëri të përforcuar, për shkak të kushteve të vështira të motit

Në të gjitha qarqet shërbimet e Policise fundjavën që lamë pas, u angazhuan në ndihmë të banorëve të prekur nga përmbytjet dhe vërshimi i ujërave. Në Fier, Vlorë e Shkodër u dërguan grupe të FNSH-së dhe Delta Forcës. Në Ferras e Novosele ishin 2 njësi të FNSH dhe 2 njësi të Deltës me makina me kalueshmeri të lartë dhe varka e gomone. Në fshatin Theth Shkodër është kërkuar ndihme për ta trasportuar drejt spitalit Shkodër një shtetase të huaj, e cila shfaqi probleme shendetëore. Janë dërguar sherbimet e Policisë dhe mjeku i zonës. Shërbimet e Policisë në Gjirokaster u angazhuan në evakuimin e banorëve të një pallati ku ka pasur shkarje dheu. Në të gjitha akset, Policia Rrrugore shtoi prezencën për të orientuar e ndihmuar drejtuesit e mjeteve për shkak të prezencës së ujit në rrugë apo të dëbores në zonat e thella. Patrullat e Përgjithshme në të gjithë territorin ishin në lëvizje të pandërprerë duke ju ardhur në ndihmë disa banorëve në qytete të ndryshme e fshatra që kanë kërkuar ndihmë.