Postuar më: 29 Janar 2018

Ministria e Brendshme në 1 javë - Buletin nr. 19

Buletini nr. 19,  

Ministria e Brendshme në 1 javë (22-28 Janar 2018)

MINISTRI

Xhafaj pret përfaqësuesit e programit ndërajonal IPA2

Ministri i Brendshëm, z. Fatmir Xhafaj, zhvilloi një takim në kuadër të bisedimeve për realizmin e programit IPA II për luftën ndaj krimit të organizuar ndërkufitar dhe bashkëpunimin në fushën e drejtësisë penale mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në takim, i cili u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Brendshme, morën pjesë Ministrja e Drejtësisë, znj.Etilda Gjonaj, si dhe një përfaqësi e përbërë nga zyrtarë të lartë të autoriteteve ligjzbatuese dhe diplomatike të Italisë, vend që ka lidershipin e këtij projekti të financuar nga BE.

Gjatë takimit Ministri Xhafaj bëri një ekspoze të situatës dhe mundësive konkrete për zbatimin e këtij programi, si dhe nevojave që ka policia shqiptare sidomos në kuadër të shkëmbimit të informacionet me partnerët europianë. Ministri u kthye në nevojën e ngritjes së një Qendre Rajonale të Bashkëpunimit Policor për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilën z. Xhafaj e pati propozuar që në muajin tetor të vitit të shkuar, e për të cilën ai ka marrë mbështetjen publike të homologut të tij italian Minniti si dhe të Komisionerit europian Avramopulos. Xhafaj tha se ky projekt kërkon mbështetje të gjerë dhe se ai ka shprehur idenë që qendra të jetë nën patronazhin italian. Realizimi i saj, tha Ministri, do të mundësojë ngritjen e skuadrave hetimore ndërkufitare të përbashkëta, të cilat, nën autoritetin e prokurorive përkatëse, do të jenë mjaft efikase në luftën e krimit të organizuar, aseteve kriminale etj..

Përfaqësuesi i lartë italian, gjen. Gennaro Capoluongo, i ngarkuar me menaxhimin e IPA II, u shpreh se programi synon të ndihmojë në projekte që përfshijnë si policinë, ashtu edhe drejtësinë. Ai tha se brenda këtij muaji do të vendoset në Tiranë një drejtuese e programit, e cila do të koordinojë te gjitha projektet e rajonit nga Tirana. “Zgjodha që qendra të jetë në Tiranë, tha Capoluongo, nisur nga raporti i privilegjuar që ka Italia me Shqipërinë”. Ministri Xhafaj, pasi u shpreh shumë i kënaqur që kjo nismë e rëndësishme rajonale do të drejtohet nga z. Capoluongo, personalitet i fushës së sigurisë shumë i vlerësuar ndërkombëtarisht dhe i njohur në Shqipëri, siguroi se përfaqësuesja e IPA II, znj. Anna Marinelli, do të ketë gjithë mbështetjen e nevojshme për realizimin e detyrës së saj. Xhafaj përfundoi duke nënvizuar rëndësinë që ka për Policinë shqiptare bashkëpunimi ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar sidomos në kuadër të operacionit ‘Forca e Ligjit’ dhe punës së strukturave të Task Forcës Speciale.

Nis zbatimi i programit shqiptaro-suedez për Drejtësinë Penale për të Miturit.

Në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë u prezantua programi shqiptaro-suedez për Drejtësinë Penale për të Miturit. Në këtë ceremoni, veç Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj, mori pjesë dhe Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, si dhe Sekretari i Shtetit për Ministrinë e Çështjeve të BE-së dhe Tregtisë së Suedisë, Oscar Stenstrom, Drejtuesi i Seksionit të Bashkëpuninimit për Zhvillimin Ndërkombëtar, Autoriteti Policor Suedez, Joakim Baltazarsson dhe përfaqësues nga organizatat e huaja, prokuroritë dhe gjykatat shqiptare.

Ministrja Gjonaj u shpreh se Drejtësia Penale për të Miturit është një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Drejtësisë. Sekretari i Shtetit të Suedisë,  Oscar Stenstrom theksoi progresin e dukshëm që Shqipëria ka bërë në reformimin e sistemit të drejtësisë.  Programi “Forcimi i kapaciteteve te agjencive ligjzbatuese dhe gjykatave shqiptare për përmbushjen e standardeve të të drejtave të njeriut në drejtësinë për të miturit”, është financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunimin për Zhvillimin Ndërkombëtar (SIDA) nëpërmjet ambasadës suedeze në Tiranë. Programi zbatohet gjatë periudhës 2017-2020.

Qëndrimi zyrtar i MB-së pas protestës së opozitës, së 27 Janarit

Partia Demokratike dhe aleatët e saj, organizuan një protestë të paralajmëruar në kryeqytet. Ajo u zhvillua në normalitet dhe pa asnjë incident, në përputhje me ligjin nr.8773, datë 23.04.2001 “Për tubimet”. Ministria e Brendshme falënderon pjesëmarrësit për mënyrën e qetë dhe qytetarinë e dëshmuar gjatë zhvillimit të kësaj proteste. Falënderojmë qytetarët e Tiranës për mirëkuptimin dhe durimin e dëshmuar pavarësisht vështirësive që mund të kenë hasur gjatë bllokimit të disa akseve rrugore. Po ashtu, Ministria e Brendshme vlerëson bashkëpunimin me organizatorët e këtij tubimi në mbështetje të punës së Policisë së Shtetit. Është meritë e të gjithë punonjësve dhe drejtuesve të Policisë së Shtetit, të cilët u angazhuan duke menaxhuar me shumë profesionalizëm dhe në respektim të plotë të ligjit mbarëvajtjen e tubimit dhe garantuan jo vetëm të drejtën e qytetarëve për të protestuar, por edhe rendin e sigurinë. Policia e Shtetit administroi me korrektesë të gjithë lëvizjen në akset rrugore dhe parkimin në Tiranë të rreth 70 autobusëve, 90 minibusëve dhe një numri të konsiderueshëm furgonësh dhe automjetesh, të ardhura për tubimin e organizuar nga PD dhe partitë e saj aleate nga të 12 qarqet e Shqipërisë.

Ministria e Brendshme gjen rastin të falënderojë dhe vlerësojë mediat që transmetuan me transparencë dhe profesionalizëm masat e marra dhe angazhimin e strukturave dhe punonjësve të Policisë së Shtetit në menaxhimin e këtij tubimi. Në të njëjtën kohe, Ministria e Brendshme vlerëson gjithashtu edhe bashkëpunimin e realizuar me institucionet e tjera ligj zbatuese në vend, para dhe gjatë protestës. Falënderojmë misionet ndërkombëtare të asistencës policore për mbështetjen e ofruar prej tyre në hartimin dhe realizimin e masave policore për menaxhimin e tubimit. Ministria e Brendshme shpreh bindjen se edhe në të ardhmen Policia e Shtetit do të sigurojë zhvillimin e çdo tubimi paqësor, duke garantuar në çdo rast, sigurinë e jetës së qytetarëve dhe rendin publik, në respekt e zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.

Altin Qato raporton në në Komisionin e Sigurisë

Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike Altin Qato ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Sigurinë Kombëtare lidhur me çështje që kanë të bëjnë me ecurinë e zbatimit të ligjit “Për masat shtesë të sigurisë publike”. Qato sqaroi para deputetëve hapat e ndërmarra për nxjerrjen e akteve normative si dhe problematikat e vërejtura për zbatimin e tyre. Nisur nga këto problematika, - tha Qato, - Ministri i Brendshëm ka kërkuar rishikimin e bazës ligjore dhe të disa akteve në zbatim të tij, në mënyrë që ligji të bëhet sa më fleksibël, t’u shërbejë dhe të mbrojë interesat e qytetarëve. Në zbatim të kësaj porosie, është ngritur një grup pune për zgjidhjen e disa çështjeve të përcaktuara në ligj dhe aktet në zbatim të tij dhe po punohet duke patur parasysh sugjerimet që kanë bërë grupet e interesit, - nënvizoi Qato në fjalën e tij.

SHÇBA-ja arreston 4 punonjës të Policisë Kufitare

Në Dibër, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka finalizuar operacionin “Trebishti”, në të cilin u arrestuan 4 punonjës të Policisë Kufitare në Trebisht, për veprat penale “Korrupsion pasiv, të personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorim detyre” dhe “Kontrabandë me mallra të tjerë”. 4 punonjësit e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë favorizuar disa biznese dhe shtetas për të shmangur detyrimet doganore, në këmbim të shumave që shkonin deri në 100 mijë lekë. SHÇBA-ja fton qytetarët dhe mediat të denoncojnë çdo rast paligjshmërie të konstatuar apo korrupsioni, ku janë të implikuar punonjës të Policisë, në numrin falas 0800 90 90 ose të shkruajnë në adresën ankesa@shcba.gov.al.

Riatdhesohen 130 shqiptarë azilkërkues në Francë

Gjatë javës u riatdhesuan nga Franca 130 shtetas shqiptarë, të cilëve u ishte mohuar kërkesa për azil në shtetin francez. Drejtoresha e Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, znj. Aida Hajnaj, u shpreh se shtetasit shqiptarë duhet të ndërgjegjësohen dhe të kuptojnë se rruga e vetme për t'u integruar në vendet e BE-së dhe në Schengen, është respektimi i rregullave dhe i parimeve të lëvizjes së lirë. Hajnaj theksoi se policia shqiptare ka marrë të gjitha masat për të parandaluar fenomenin e azil-kërkimit duke forcuar kontrollet në pikat e kalimit kufitar. Drejtoresha e Kufirit deklaroi se gjatë këtij muaji, janë goditur edhe disa raste për kalim kufiri me dokumente të falsifikuara.

Akademia e Sigurisë, 28 drejtues policie në konkurs për gradën "Drejtues i Parë"

Në Akademinë e Sigurisë u zhvillua konkursi për marrjen e gradës "Drejtues i Parë". Në konkurs morën pjesë 28 kandidatë, nga 33 që kishin aplikuar. Konkurrimi u zhvillua në dy faza, me shkrim dhe me gojë. Në përfundim të të dy fazave, u përzgjodhën 5 konkurrentët që morën pikët më të larta: Ardi Veliu, Artan Shkëmbi, Bledar Çeliku, Gentian Shehaj dhe Kastriot Skënderi. I gjithë procesi u zhvillua në kushte transparence të plotë dhe vlersimet u bënë në mënyrë elektronike me skantron.

Operacione të Policisë së Shtetit

Operacion ndërkombëtar antikanabis - Operacioni mes Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Policisë italiane, me metoda speciale të hetimit, zgjati rreth 4 vjet. Në kuadër të këtij procedimi, Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqet, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale,  Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, finalizuan operacionin policor të koduar “Overseas”. Kështu u arrestuan 2 persona dhe të tjerë u shpallën në kërkim. Nga hetimi disa vjeçar, i cili është shtrirë në Shqipëri dhe Itali, si rezultat i bashkpunimit të ngushtë mes partnerëve ligjzbatues, është bërë e mundur që në periudha të ndryshme kohore, këtij grupi kriminal t’i sekuestrohen sasi të konsiderueshme lëndë narkotike e llojit marijuanë, të trafikuara nga Shqipëria në drejtim të Italisë, në rrugë detare.

Në Tiranë, Polica arrestoi një shtetas të shpallur në kërkim, i cili ishte dënuar nga Gjykata e Rrethit Tiranë me 9 vite burg për “Prodhim e shitje e narkotikeve” dhe “Prodhim e mbajtje pa leje e armëve luftarake”.

Në Tiranë, në vijim të masave për evidentimin dhe kapjen e atyre që qarkullojnë me armë zjarri pa leje,  shërbimet e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë arrestuan një të ri me pistoletë dhe proceduan drejtuesin e mjetit, pasi iu gjetën fenelina policie dhe uniformë pa leje.  

Në Vlorë, Policia në bashkëpunim dhe me Guardia di Finanza-n, gjatë një kontrolli,  konstatoi, disa milje në thellësi  një gomone rreth 8 m e gjatë me sasi të konsiderueshme kanabisi. Punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorëve.

Në Tiranë, Policia arrestoi dy persona për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”. Autori ka kanë marrë me forcë një shtetas duke ushtruar dhunë fizike e psikologjike, pasi pretendonte se nuk i kishte shlyer një borxh të prapambetur. 

Po në Tiranë, Policia arrestoi një shtetas si dhe ka shpallur në kërkim një tjetër për veprat penale "Vjedhje në bashkëpunim” dhe “Shkatërrimi i pronës”. Të dy këta persona dyshohet se kanë thyer xhamat e 6 automjeteve, si dhe kanë vjedhur kasetofonë dhe bateri të këtyre mjeteve.

Në Mirditë, nga Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Mirditë u kap dhe u ndalua një shtetas 35-vjeçar, banues në Mirditë. Ndalimi u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Shkodër, e ka dënuar me 7 vite burg për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.