Postuar më: 22 Janar 2018

Ministria e Brendshme në 1 javë - Buletin nr. 18

Buletini nr. 18,   

Ministria e Brendshme në 1 javë  (15-21 Janar 2018)

MINISTRIA

Ministri i Brendshëm Xhafaj në emisionin "Kapital" në Vizion Plus

Ministri i Brendshëm, z. Fatmir Xhafaj, ishte i ftuar në emisionin "Kapital" në Vizion Plus, për të ndarë me publikun disa nga arritjet e deritanishme, objektivat e MB për këtë vit, si dhe për t’iu përgjigjur disa çështjeve me interes të posaçëm për qytetarët. 

Ministri deklaroi gjatë emisionit se Shqipëria është sot një vend më i sigurt sipas vlerësimeve të opinionit publik, organizmave ndërkombëtare dhe të dhënave të vetë Policisë së Shtetit. "Shqipëria është një vend i sigurt në kuptimin e sigurisë së jetës, në kuptimin e sigurisë së punës, në kuptimin e sigurisë për të bërë biznes. Natyrisht nuk është një vend pa probleme. Por raportet që lidhen me indeksin e krimit në Tiranë dhe Shqipëri, krahasuar me vende të tjera, natyrisht që janë pozitive edhe janë vlerësuese, por nuk janë të vetmet", tha zoti Xhafaj. 

Më tej ministri shpjegoi fazën në të cilën ndodhet procesi i Vettingut në Polici. Brenda pak ditësh drafti do të miratohet nga qeveria në Kuvend. "Vettingu në polici ka qenë një ide e formësuar që në momentin kur drejtoja Reformën në Drejtësi. Ndërkohë zhvillimet e fundit në Policinë e Shtetit, zhvillimet e vitit 2016 dhe pastaj ato të vitit 2017, por edhe njohja më nga afër e problematikës që ka Policia, rolin, problemet e brendshme të saj dhe nevoja për ta forcuar atë si një agjenci të rëndësishme ligjzbatuese, çuan në këtë angazhim publik për të realizuar një proces vlerësimi brenda radhëve të Policisë së Shtetit", sqaroi ai. 

Ministri shtoi se "brenda radhëve të qytetarëve shqiptarë, djemve dhe vajzave në Shqipëri, gjenden plot djem dhe vajza që mund të shërbejnë shumë mirë, me shumë integritet, edhe si gjyqtarë, edhe si prokurorë, edhe si policë në këtë vend". Pyetjes së gazetarit Aleksandër Furxhi për largimin e ish-Drejtorit të Policisë Haki Çako, zoti Xhafaj iu përgjigj duke shpjeguar motivet që e ccuan t'i propozonte qeverisë lirimin nga detyra. "Arsyeja kryesore është e lidhur me disa prioritete të rëndësishme për ne në këto momente, si dhe me dhe nevojën për të pasur më shumë, ritëm, dinamizëm në Policinë e Shtetit, në rolin dhe funksionin e saj. Siç kishte nevojë dhe për një lloj ritmi të ri në menaxhim" nënvizoi Ministri. 

Ministri deklaroi në "Kapital" se 2018-a do të jetë viti i konsolidimit të arritjes së 2017-s, për ndarjen përfundimtare me fenomenin e shëmtuar të kultivimit të kanabisit. Duke u ndaluar në operacionin "Forca e Ligjit", Ministri i Brendshëm deklaroi se është duke u punuar ngushtësisht me agjenci të rëndësishme ndërkombëtare në këtë fushë. "Janë çështje të rëndësishme - qoftë nga pikëpamja e grupeve kriminale, qoftë nga pikëpamja e korrupsionit dhe krimit ekonomik - të cilat janë duke i hetuar oficerët e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e prokurorëve të Prokurorisë së Rretheve Gjyqësore dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Besoj që do të ketë rezultate pozitive, e natyrisht që janë hetime që zgjasin në kohë", shtoi në përfundim z. Xhafaj. 

Procedohet penalisht punonjësi i Policisë i implikuar në trafik droge

Pas transmetimit të pamjeve filmike në emisionin investigativ ‘Fiks Fare’ ne Top Channel, ku dyshohej implikimi i punonjësit të Policisë së Shtetit Julian Balliu në një tentativë për trafik e shitje narkotikësh, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat nisi procedimin penal ndaj tij dhe personat e mundshëm të implikuar në këtë ngjarje të rëndë për punën dhe imazhin e Policisë së Shtetit.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit falënderuan median dhe qytetarët për bashkëpunimin, duke i ftuar ata të denoncojnë çdo rast të mundshëm të implikimit të punonjësve të Policisë në veprimtari të tilla kriminale apo korruptive. Denoncimi mund të bëhet falas nëpërmjet numrave 08009090 dhe 112 e 129, duke garantuar si ruajtjen e konfidencialitetit, ashtu edhe reagimin e menjëhershëm dhe të paanshëm për rastet e denoncuara.

Reagim i Ministrisë së Brendshme ndaj deklaratës së PD-së

Ministria e Brendshme, përmes Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), si dhe Policisë së Shtetit, reaguan menjëherë pas publikimit të pamjeve në emisionin investigativ “Fiks Fare”, duke pezulluar dhe shpallur në kërkim oficerin e dyshuar si të implikuar në këtë vepër penale. Hetimet e plota nisën menjëherë nga SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë. Ky është treguesi më i qartë se aktualisht në Policinë e Shtetit nuk ka më të paprekshëm, apo të mbrojtur në “çadrën” partiake, ashtu siç tregon vullnetin e qartë për pastrimin e radhëve nga çdo efektiv që shkel ligjin. Ministria e Brendshme siguron qytetarët se, askush dhe për asnjë motiv, nuk do mund të ndryshojë vullnetin, për të luftuar krimin dhe goditur korrupsionin. Përpjekjet tona për konsolidimin e shtetit të së drejtës nuk do ndalen. Duke përfituar nga rasti, i bëjmë thirrje PD-së të heqë dorë nga dhuna verbale ndaj Policisë së Shtetit, e të punojmë bashkë për ta bërë vendin dhe jetën e qytetarëve më të sigurt.

SHÇBA-ja arreston një punonjës të Policisë

Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat arrestoi në flagrancë  një efektiv të Policisë rrugore për veprën penale “Korupsion pasiv, nga persona që ushtrojnë funksione publike”, pasi mori një sasi lekësh nga një drejtues mjeti. SHÇBA fton qytetarët dhe mediat të denoncojnë çdo rast paligjshmërie të konstatuar apo korrupsioni, ku janë të implikuar punonjës të Policisë, në numrin falas 0800 90 90 ose të shkruajnë në adresën ankesa@shcba.gov.al.

Takim mes krerëve të Policisë shqiptare dhe asaj greke për çështjet e Kufirit dhe Emigracionit

Në Kapshticë, Drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, znj. Aida Hajnaj, zhvilloi një takim me homologen e saj në policinë greke, znj. Zaharula Cirigoti. Gjatë takimit drejtueset e larta të Policisë diskutuan për çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin e ngushtë midis dy Drejtorive të Kufirit, patrullimet e sinkronizuara të shërbimeve policore me qëllim parandalimin, zbulimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale ndërkufitare. Drejtoresha e Kufirit dhe Migracionit Hajnaj theksoi se forcimi i bashkëpunimit midis Drejtorive lokale të Kufirit ka për qëllim shkëmbimin e informacionit dhe objektivin e vetëm që është parandalimi dhe goditja e krimit ndërkufitar. Homologia e saj greke, Cirigoti, nënvizoi se patrullimi i përbashkët dhe shkëmbimi i  informacioneve ka sjellë rezultate pozitive në arrestimin e personave, si dhe në sekuestrimin e lëndëve narkotike.

Operacione të Policisë së Shtetit

Në Tiranë, Policia arrestoi një shtetas shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje. I ndaluari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e Cuneos në Itali, për veprat penale “Vrasje” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit’’.

Në Fier, Policia arrestoi në flagrancë një shtetas për shpërndarje të drogave të forta. Gjatë kontrollit në trup, policia i gjeti një dozë kokainë. Gjithashtu pas kontrollit në banesë, të arrestuarit iu sekuestruan 24 gramë kokainë, një pistoletë dhe një sasi e konsiderueshme parash.

Në Tiranë, Policia arrestoi një shtetas për veprën penale  të “Vjedhjes me dhunë”, të një dyqani në rrugën e Durrësit. Pas një hetimi intensiv, policia identifikoi dhe arrestoi autorin e grabitjes.

Në Borsh, Policia arrestoi një shtetas të dënuar me 10 vite burg, për veprën penale të ''Mashtrimit''. Shtetasi ishte shpallur në kërkim nga policia, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e kishte dënuar me 10 vite burg për veprën penale të ''Mashtrimit''.

Në Elbasan, Policia arrestoi një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi autoritetet gjyqësore në Torino, e kishin dënuar me 6.6 vjet burgim për kryerjen e veprave penale “Shfrytëzim prostitucioni”, “Plagosje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”.

Në Rinas, Policia arrestoi një shtetas të shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës për veprën penale të “Vjedhjes me dhunë”. Ky shtetas ishte deportuar nga Zvicra dhe qarkullonte me pasaportë shqiptare të falsifikuar.

Në Vlorë, Policia arrestoi në flagrancë një shtetas të cilit iu gjetën dy mina me sahat. Lënda plasëse u zbulua nga policia pas një kontrolli të ushtruar në automjetin e shtetasit të mësipërm. Pas kontrollit në banesë policia sekuestroi edhe një sasi prej 7 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa.

Në Tiranë Policia arrestoi në flagrancë tre shtetas për veprën penale “Mashtrimi Kompjuterik", "Fshehja e të ardhurave" dhe "Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale". Tre shtetasit e arrestuar, në mënyrë të kundraligjshme tregtonin aparate "Dream box" dhe  "Smart box", duke piratuar programet televizive në Tiranë pa të drejtën e autorit.

Në Tiranë, policia arrestoi një shtetas që shpërndante lëndë narkotike në doza të vogla të llojit Kokainë. I arrestuari shfrytëzonte profesionin e tij si taksist për shpërndarjen e lëndës narkotike në zonën e Saukut dhe atë  të  Tiranës së Re. Gjatë kontrollit në makinë, Policia sekuestroi 25 doza lëndë narkotike të llojit kokainë.

Në Kurbin, Policia arrestoi në flagrancë një shtetas që shpërndante lëndë narkotike të llojit Kokainë. Arrestimi i tij u bë gjatë kontrollit të një lokali në Fushë-Milot, ku u zbulua lëndë narkotike e dyshuar e llojit kokainë, e ndarë në njëmbëdhjetë doza.

Në Tiranë, Policia arrestoi një shtetas, me profesion avokat, për mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe fshehje të ardhurash. Operacioni u realizua në bashkëpunim me prokurorinë dhe u përdorën metoda speciale të hetimit.

Në Tiranë, Policia arrestoi një shtetas për shkak se dyshohet si autor i shkatërrimit me eksploziv të mjetit të një sipërmarrësi. Autori ishte gjithashtu në kërkim pas vendimit të gjykatës për ‘Arrest me burg’ nën akuzat për vjedhje.

Në Berat, Policia arrestoi një shtetas me akuzën për vjedhje, si dhe shpalli në kërkim dy të tjerë si bashkëpunëtorë. Grupi dyshohet për vjedhje banesash e dyqanesh dhe janë të paktën katër ngjarje të ndryshme për të cilat dyshohen personat e proceduar.