Postuar më: 15 Janar 2018

Ministria e Brendshme në 1 javë - Buletin nr. 17

Buletini nr. 17,

Ministria e Brendshme në 1 javë  (08-14 Janar 2018)

MINISTRI

105 vjet Polici e Shtetit!

Në ceremoninë për nder të 105-vjetorit të themelimit të Policisë së Shtetit, organizuar në qytetin e Lezhës, morën pjesë zyrtarët më të lartë të qeverisë, deputetë të parlamentit, drejtues kryesorë të Policisë, qindra qytetarë e punonjës policie. Gjatë ceremonisë u bënë urimet e rastit për të gjithë punonjësit e organizatës së Policisë  së Shtetit si dhe u vunë në dukje puna, sakrificat dhe rezultatet e arritura.

Në këtë event përshëndetën, sipas protokollit, Kryeministri Rama, Ministri i Brendshëm Xhafaj, Drejtori i komanduar i Policisë Jaupi, si dhe familjarë të ish-zyrtarëve të Policisë që u dekoruan nga Presidenti i Republikës.

Ministri Xhafaj gjatë fjalës së tij çmoi lart përkushtimin dhe ndershmërinë e punonjësve të Policisë së Shtetit në kryerjen e detyrave që u ngarkon ligji. Ministri ndër të tjera u shpreh se “...kam bindjen që në radhët e Policisë së Shtetit gjenden shumë gra dhe burra, vajza e djem të cilët punojnë me përkushtim dhe me ndershmëri, në mbrojtje të të drejtave dhe interesave legjitime të qytetarit. Për shkak të kësaj shumice të shëndetshme moralisht dhe të zotë profesionalisht, organizata e Policisë së Shtetit gëzon sot një besim relativisht të lartë tek qytetarët.  Puna e tyre nuk mund të njolloset nga një grup i vogël, performanca e të cilëve bie ndesh me moralin e pjesës dërrmuese të Policisë”.

Duke folur për reformat dhe ndryshimet brenda radhëve të policisë, Xhafaj tha se “Procesi i Vetting-ut që nis së shpejti, do të reformojë në kapacitetet e saj njerëzore Policinë e Shtetit duke synuar të promovojë pjesën më të shëndetshme të saj, punonjësit më me integritet, ata më të trajnuarit, më të arsimuarit, të cilët për hir të së vërtetës janë shumicë në këtë organizatë”.

Ministri Xhafaj më tej mbajti qëndrim të prerë ndaj sulmeve dhe ndërhyrjeve të  politikës në veprimtarinë e policisë dhe bëri apel që kjo të ndalë njëherë e mirë. Ministri tha se “Është shenjë e një sjellje politike jo të pjekur dhe jo në interes të publikut e të vendit sulmi politik që synon ta tregoj Policinë si një organizatë të inkriminuar. Ndaj nga kjo foltore, apeloj fuqishëm për të ndalur dhunën verbale ndaj Policisë së Shtetit. Ashtu sikurse, në çdo rast, kemi ndëshkuar veprimtarinë jo ligjore mes radhëve të Policisë së Shtetit, po aq jemi të vendosur për të reaguar ligjërisht ndaj kujtdo që ngre dorë apo dhunon punonjësit e policisë në ushtrimin e detyrës së tyre”.

Kryeministri Rama, pasi uroi trupat e policisë në këtë ditë historike, nënvizoi se organizata e Policisë së Shtetit është institucioni më i besueshëm në vendin tonë, sipas anketimeve të bëra nga organizma të BE-së. Kryeministri tha se megjithë vlerësimet pozitive, ka ende punë për t’u bërë në mënyrë që të largohen nga radhët e policisë ata persona të padenjë që kryejnë veprime korruptive apo që janë të lidhur me krimin. Për ta çrrënjosur përfundimit këtë fenomen, duhet kryer sa më parë procesi i vetingut në radhët e Policisë së Shtetit, tha Rama.

"Ky është një proces i cili do të nisë së shpejti dhe është për ne po aq i rëndësishëm sa Vettingu që ka filluar në drejtësi. Krimi nuk mund të luftohet me prokurorë e gjykatës të korruptuar, nuk luftohet as me drejtorë, shefa komisariatesh e policë të korruptuar. Vettingu do largojë policët e përfshirë në veprimtari kriminale apo në burime të pajustifikuara të pasurisë. Kjo do të jetë baza e mandatit të dytë. Në fund të mandatit do i themi shqiptarëve se kjo është policia e Republikës së Shqipërisë, një polici e standardeve të BE", u shpreh kryeministri Rama.

Gjatë kësaj ceremonie u bë edhe dekorimi i z.Sokol Baraj, ish-zv.ministër i Brendshëm dhe ish drejtues i Policisë së Shtetit para shumë vitesh, i cili ndërroi jetë pas një sëmundjeje në zemër në moshën 53-vjeçare. Me propozim të Ministrit Xhafaj, Presidenti i Republikës Meta i akordoi z. Sokol Baraj “dekoratën e artë të shqiponjës”. Sokol Baraj la gjurmë në historinë e Policisë së Shtetit me punën e tij gjatë periudhës së vështirë të 97-ës, pasi njihet si shkatërruesi i bandave të rrezikshme të vitit 1997.

Një  tjetër “Dekoratë e artë e shqiponjës” iu akordua trupave speciale të FNSH-së së qarkut Shkodër, nga Presidenti i Republikës për rezultatet e arritura në luftë kundër krimit, si dhe për shpëtimin e jetës së shtetasve dhe pronës gjatë situatave emergjente, sidomos ato të vitit të shkuar.

Ministri Xhafaj priti z. Raffaele Cantone, President i Autoritetit Kombëtar Kundër Korrupsionit në Itali

Ministri i Brendshëm, z.Fatmir Xhafaj, priti Presidentin e Autoritetit Kombëtar Kundër Korrupsionit në Itali, Raffaele Cantone. Zoti Xhafaj e njohu bashkëbiseduesin me reformat e fundit që po ndërmerren në Policinë e Shtetit në kuadër të Vettingut në Polici dhe Policimit në Komunitet, ku veçoi asistencën e misionit europian PAMECA. Xhafaj i bëri të ditur ecurinë dhe rezultatet e operacionit “Forca e Ligjit”. Z. Cantone theksoi rëndësinë e bashkërendimit të reformës në gjyqësor dhe reformimit të Policisë së Shtetit. Ai vlerësoi cilësinë e legjislacionit që po implementohet në Shqipëri dhe u shpreh i gatshëm për të rritur nivelin e bashkëpunimit me Ministrinë e Brendshme, sidomos për masat pas vënies në zbatim të procesit të Vetting-ut, për sigurimin e mekanizmave parandalues dhe garantimit të integritetit në të ardhmen të punonjësve të Policisë.

Mbledhja e TFQN - operacioni ‘Forca e Ligjit’

Në Ministrinë e Brendshme u zhvillua mbledhja e Task Forcës Qendrore Ndërinstitucionale në kuadër të planit të veprimit kundër krimit të organizuar, operacionit – ‘Forca e Ligjit’. Në të morën pjesë Prokurori i Përgjithshshëm i Përkohshëm Arta Marku, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, Zv.drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror Helidon Bendo, Drejtori i Përgjithshëm i Komanduar i Policisë së Shtetit Rebani Jaupaj dhe Drejtori i SHÇBA-së Eduart Merkaj.

Ministri i Brendshëm Xhafaj njohu anëtarët e TFQN me ecurinë e procesit gjatë muajit dhjetor 2017, hartimin dhe miratimin e kuadrit të nevojshëm ligjor, masat e marra për ngritjen e strukturave për të thithur në to ekspertizën më të mirë në fushën e hetimit policor, krijimin e mjediseve të përshtatshme të punës, krijimin e aksesit të nevojshem në data-bazë të Agjencive të ndryshme shtetërore, punën që po bëhet për mbledhjen e informacionit dhe analizën e profilit të grupeve kriminale, veprimtarisë dhe aseteve të tyre, si dhe për mbështetjen e kontributeve konkrete të partnerëve ndërkombëtarë të atashuar pranë këtyre strukturave.

Anëtarët e TFQN diskutuan mbi rolin dhe përgjegjësitë e tyre institucionale, koordinimin e procesit dhe garantimin e mbështetjes në vijim, për Task Forcën Speciale në nivel qendror dhe rajonal, si struktura të posaçme të ngarkuara me përgjegjësi operacionale. Ata u dakordësuan për mbështetjen që secili prej tyre do t’i japë këtij procesi përmes Agjensive respektive të zbatimit të ligjit, për përmirësimin e kuadrit normativ që lehtëson këtë bashkëveprim përfshi dhe marrëveshjet e protokollet e bashkëpunimit përkatës, në respekt e zbatim të kuadrit ligjor në fuqi.

Tryezë konsultimi me ambasadorët dhe oficerët e kontaktit për p/ligjin e Vettingut në Policinë e Shtetit

Ministria e Brendshme, në vijim të tryezave konsultuese nisur dhjetorin e kaluar për projektligjin “Për vlerësimin kalimtar të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së”, zhvilloi një takim me ambasadorët dhe oficerët e huaj të kontaktit, në vendin tonë. Nisma ligjore u prezantua nga zv.ministri i Brendshëm, z. Julian Hodaj, i cili shpjegoi detajet e draftit, i njohur si projektligji për Vetting-un në Polici.

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj deklaroi se nisma ligjore, e cila brenda pak javësh do të jetë në Kuvend për miratim, synon të ndërtojë institucione të forta me profesionistë dhe punonjës me integritet.

Ambasadorët, pasi u njohën me detajet për realizimin e procesit të Vettingut në Policinë e Shtetit, shprehën mbështetje, vlerësim për punën e kryer dhe besim për rezultate të shpejta.

Ministri Xhafaj shtoi se drafti është hartuar bazuar në standardet më të mira, nisur nga përvoja e ligjit për Vettingun në sistemin e drejtësisë. Tryeza me partnerët sipas tij, është një hap i rëndësishëm për të përfituar kontribute, por edhe thirrje për përfshirjen në procesin e monitorimit të procesit gjatë zbatimit.

Në javët e fundit janë organizuar disa tryeza konsultimi me drejtues të Policisë së Shtetit, përfaqësues të legjislativit, të Agjencive ligjzbatuese dhe shoqërisë civile, duke përfshirë në draftin final sugjerime të tyre. Kriteret e vlerësimit për punonjësit e Policisë janë tre: integriteti, verifikimi i pasurisë dhe profesionalizmi.

Riatdhesohen 30 persona nga Franca e Belgjika

Gjatë javës u riatdhesuan nga Franca e Belgjika, 30 shtetas shqiptarë në shkelje të rregullave të zonës Shengen. Zv.ministrja e Brendshme, znj.Rovena Voda, e pranishme në drejtorinë e kufirit pranë Aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, tha se operacionet e riatdhesimit do të vazhdojnë edhe gjatë vitit 2018 dhe u bëri përsëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të mos e shikojnë azilkërkimin si rrugën e vetme për të emigruar gjatë vendit. Ministria e Brendshme së bashku me institucionet përgjegjëse po hartojnë një dokument politikash për migracionin, që parashikon ofrimin e më shumë mundësive të zgjidhjes këtu për shqiptarët, që tentojnë azil në vendet e BE-së. Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda tha se ky dokument do të shoqërojë masat e shtuara për kontrollin kufitar, për frenimin e fenomenit të azil kërkimit. Zv.ministrja e Brendshme deklaroi se shifrat e kërkesave për azil gjatë vitit 2017 kanë rënë. Megjithatë znj.Voda apeloi për këdo të mos bëjë tentativë për azil, sepse do të rezultojë e dështuar, pasi Shqipëria është në listën e vendeve të sigurta. 

Lirohet nga detyra Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako

Me propozim të Ministrit të Brendshëm, z. Fatmir Xhafaj, Këshilli i Ministrave miratoi lirimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Haki Çako. Ministri Xhafaj, vlerëson kontributin, angazhimin dhe përkushtimin e zotit Çako në drejtimin e Policisë së Shtetit, gjatë viteve të fundit. Ai ka një karrierë të gjatë në Polici dhe ka drejtuar me profesionalizëm struktura të niveleve të ndryshme.

Ministri Xhafaj, pati një takim gjatë të cilit e falënderoi Drejtues Madhor Çakon për punën dhe bashkëpunimin e deritanishëm, në përmbushjen e misionit të Policisë së Shtetit.

Megjithatë, realizimi i objektivave të këtij mandati qeverisës, në fushën e rendit dhe sigurisë publike, sfidat që e presin Policinë e Shtetit, kërkojnë një ritëm më të shpejtë dhe dinamikë të madhe pune. Për këtë arsye është i domosdoshëm një lidership i ri, me energjitë të reja për të motivuar dhe çuar përpara punën e Policisë së Shtetit. Puna e kësaj të fundit, domosdoshmërisht duhet të jetë e orientuar drejt rezultateve konkrete, me qëllim që t’u përgjigjet, kësisoj, më mirë kërkesave të kësaj faze të re dhe pritshmërive të larta të publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë ndaj Policisë së Shtetit.

Operacione të Policisë së Shtetit

Në Divjakë, Policia arrestoi në flagrancë një shtetas i cili qëlloi me armë zjarri ndaj një të miture, 14 vjeç, në fshatin Babunjë. Reagimi i Policisë ishte mjaft i shpejtë dhe pasi vuri në pranga autorin, sekuestroi armën e përdorur dhe bëri mbledhjen e provave materiale. Shtetasi akuzohet për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Në Lezhë, Policia arrestoi një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar me qëllim ekstradimin e tij në shtetin italian. Autoritetet italiane kanë ngritur disa akuza ndaj shtetasit shqiptar, si shfrytëzim prostitucioni, vjedhje, migracion i paligjshëm. Gjykata e Firences ka lëshuar një urdhër-ndalimi, i cili është përcjellë nga Interpol-Roma drejt autoriteteve shqiptare.

Në Tiranë, Policia arrestoi 3 shtetas në 2 aksione të ndryshme, si autorë të disa vjedhjeve në Tiranë. Dy shtetas u arrestuan në flagrancë pasi në rrugën e Rinasit, kishin shkulur kabllin elektrik të ndriçimit. Policia zbuloi se ata ishin autorë edhe të vjedhjes së kabllove elektrike të disa linjave të tjera. U arrestua edhe një shtetas tjetër i cili rezultoi autor i vjedhjes së aksesorëve të makinve, xhama, pasqyra, kasetofona, etj, si dhe i sendeve personale si çanta, portofola, telefona etj. 

Po në Tiranë, Policia arrestoi një shtetas të shpallur në kërkim ndaj të cilit gjykata kishte dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi akuzohet për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve ”, kundrejt përfitimit. Shtetasi, me disa precedentë penalë, u ndoq me metoda speciale të hetimit, duke siguruar kështu edhe provat materiale.

Në Fier, Policia arrestoi 2 inspektorë tatimesh për “korrupsion pasiv” pasi dyshohet se i morën 7 mijë euro rryshfet një biznesni me qëllim shmangien e sanksioneve tatimore. Hetimi i çështjes u bë me metoda speciale dhe pas dy muajsh, u bë e munduar mbledhja e provave materiale në lidhje me këtë ngjarje. 

Në Vlorë, Policia ka sekuestruar një gomone në bregdetin e Vlorës, pas një informacioni të marrë në rrugë operative. Mjeti lundrues, mbi 7 metra i gjatë, me 2 motora, ishte në tokë dhe në të nuk u gjetën lëndë narkotike ndonjë apo ndonjë objekt i kundërligjshëm.

Në Durrës, Policia arrestoi në flagrancë 2 shtetas në terminalin e përpunimit të pasagjerëve, në Portin e Durrësit, në tentativë për të kaluar kufirin në mënyrë të kundraligjshme për në Itali, me dokumente të falsifikuara ose duke shfrytëzuar ngjashmërinë. Shtetasit akuzohen për "Falsifikim të letërnjoftimeve,  pasaportave ose  vizave”. Për të njëjtën vepër penale janë proceduar edhe 11 shtetas të tjerë, të cilët kanë tentuar të kalojnë për në Itali , duke iu shmangur kontrollit në terminal.