Postuar më: 08 Janar 2018

Ministria e Brendshme në 1 javë - Buletin nr. 16

Buletini nr. 16

Ministria e Brendshme në 1 javë  (01-07 Janar 2018)

Reagim i Policisë së Shtetit

Lidhur me deklarimet e përfaqësuesve të disa subjekteve politike, për ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim policor ditët e fundit, Policia e Shtetit sqaron se mbi bazën e referimit në Prokurorinë e Tiranës të datës 19.12.2017, për kundërshtim me dhunë të punonjësve të Policisë të planizuar në shërbim në sigurimin e protestës së opozitës zhvilluar në datë 18 dhjetor, përpara godinës së Kuvendit të Shqipërisë janë shpallur në kërkim një numër personash për "Kundërshtim të punonjësve të Policisë së Rendit Publik", parashikuar nga neni 236/22, i Kodit Penal. Mbi këtë bazë, sistemi TIMS në Pikat Kufitare dhe çdo patrulle policie që bie në kontakt me këta shtetas, ka detyrimin t'i ndalojë ata dhe të njoftojë OPGJ që ndjek çështjen. Kjo ka ndodhur edhe ditët e fundit, kur janë evidentuar, ndaluar, ku u është marrë deklaratë dhe janë lënë të lirë, disa persona të shpallur në kërkim policor. Hetimet ndaj tyre vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Policia e Shtetit garanton të drejtën e protestës, por nuk do të hezitojë në asnjë rast të ushtrojë forcën e ligjin ndaj kujtdo që e shkel atë.

Masat për festën e ndërrimit të viteve

Policia e Shtetit, në të gjithë vendin, mori masa të forta për garantimin e sigurisë së festave gjatë natës së ndërrimit të viteve. Megjithatë u shënuan disa ngjarje, si pasojë e shpërthimit të fishekzjarrëve, në të cilat pati 17 persona të lënduar në të gjithë vendin. Një automjet i parkuar u dëmtua si pasojë e përdorimit të fishekzjarreve. U evidentuan 4 aksidente me pasoja të lehta ndërsa u pezulluan 32 Leje Drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit. Në Tiranë u arrestua 1 shtetas për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Në natën e ndërrimit të viteve, në Laç, humbi jetën një adoleshent, i cili u gjet i vdekur nga familjarët në tarracën e banesës së tij me një dëmtim në kokë si pasojë e goditjes nga një plumb “qorr”. Ngjarje po hetohet me përparësi në të gjitha pistat e dyshuara.

Operacione të Policisë së Shtetit

Në Tiranë, Policia Rrugore ka vijuar kontrollet me drager e radar me qëllimin  parandalimin e aksidenteve rrugore. Gjatë fundjavës janë pezulluar 92 leje drejtimi, si dhe arrestuar 8 drejtues mjetesh për drejtim mjeti në gjendje të dehur. Kontrollet me radar u ushtruan në qendra të banuara, por dhe në autostradë.

Në Vlorë, Policia Kufitare, në bashkëpunim me Guardia di Finanza si dhe me policinë e Malit të Zi, finalizuan një operacion ndërkombëtar antidrogë. Radarët e QNOD gjurmuan një mjet të dyshimtë dhe njoftuan njësitë e GDF, të cilat ngritën një avion të Frontex dhe mjetet detare, duke bërë të mundur kapjen e një gomoneje me 605,7 kg marijuanë. Në gomone u arrestuan 2 skafistë, njëri shtetas shqiptar dhe tjetri italian. Vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Në Vlorë, gjatë një operacioni ndërkombëtar antikanabis, në ujërat territoriale të Gadishullit të Karaburunit u pikas një gomone dhe pas 24 orë ndjekjeje në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Delta Forcën, helikopterin e FA, QNOD, GdF në Shqipëri e Itali të koordinuar nga Zyrat ndërlidhëse, si edhe me Policinë, Marinën Ushtarake e Rojen Bregdetare të Malit të Zi, u arrestuan 3 shtetas malazezë në bord. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP.Vlorë në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Delta Forcë dhe GdF vijuan kontrollet në zonën e Karaburunit ku u pikas gomonia dhe gjetën 484.9 kg Cannabis Sativa. Policia e Vlorës në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Policinë e Malit të Zi janë duke kryer veprime hetimore ndaj 3 shtetasve malazez dhe 3 shtetasve shqiptar, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. 

Në Skrapar, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, në fshatin Ujanik shërbimet e policisë kanë ushtruar kontroll dhe gjetën në një zonë të pyllëzuar në dy vende të ndryshme, 40 thasë me 697 kg Cannabis Sativa. Policia ka arrestuar një 60 vjeçar si posedues të lëndës narkotike. 

Në Kurbin, Policia arrestoi në flagrancë tre shtetas, pasi në natën e ndërrimit të viteve kanë qëlluar me armë zjarri, duke qarkulluar me një mjet pa targa.

Në Shkodër, Policia arrestoi në flagrancë dy shtetas banues në fshatin Stajkë, Vau i Dejës, për shkak se me lëndë shpërthyese artizanale, i kanë dëmtuar mjetin në oborrin e shtëpisë një shtetasi në shenjë hakmarrjeje pas një konflikti për motive të dobëta.

Në Maliq, Policia arrestoi në flagrancë dy shtetas pasi qëlluan në ajër me armë zjarri gjatë natës së Vitit të Ri. Në lidhje me ngjarjen njëri prej shtetasve u arrestua si autor, ndërsa tjetri si posedues i armës së zjarrit, që e mbante pa leje.

Në Durrës, Policia arrestoi një shtetas i cili ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi ishte dënuar në Itali me 12 vite burg për përdhunim të një të miture. Shtetasi me banim në Durrës do të ekstradohet drejt Italisë ku do të vuajë dënimin.

Në Gramsh, Policia arrestoi në flagrancë një shtetas për vjedhjen e një banese me thyerje në Gramsh, si dhe shpalli në kërkim dy bashkëpunëtorët e tij të identifikuar tashmë. Vijon intensivisht puna për kapjen e dy bashkëpunëtorëve në kërkim për këtë ngjarje.