Postuar më: 12 Qershor 2018

Tiranë/Takimi i Forumit të Iniciativës Rajonale për azilin, migracionin dhe refugjatët (MARRI)

Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda, drejtoi Takimin e Forumit të Iniciativës Rajonale për azilin, migracionin dhe refugjatët (MARRI), në kuadër të përmbylljes së Presidencës së Shqipërisë dhe kalimin e saj Bosnje dhe Hercegovinës.

Qëllimi kryesor i kësaj iniciative është të sigurojë një lëvizje të lirë dhe të mirë të personave në Ballkanin Perëndimor, duke kontribuar në zhvillimin dhe stabilitetin e rajonit.

Në praninë të dy homologëve Kosova dhe Maqedonia, si dhe një sërë përfaqësuesish të organizatave ndërkombëtare, Zv.ministrja Voda theksoi nevojën për intensifikim e bashkëpunimit rajonal.

Në këtë kuadër, Republika e Shqipërisë mbështet zhvillimin e mëtejshëm të mekanizmit të Iniciativës Rajonale MARRI, si koncept dhe një qasje gjithëpërfshirëse e të përbashkët për të përmirësuar edhe qëndrueshmërinë e ndihmës së huaj ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushën e zhvillimit të sigurisë. Në këtë kontekst, mirëpresim një angazhim më të madh nga vendet anëtare të MARRI-t. Për më tepër, thellimi i bashkëpunimit mes vendeve në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë, do të kontribuonte gjithashtu në forcimin e stabilitetit të rajonit” u shpreh Voda.

Zv.ministrja u ndal në menaxhimin e integruar të kufijve, si një pjesë thelbësore e punës së Policisë së Shtetit dhe bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit me partnerët për të garantuar kufij të hapur por të sigurt.

Gjithsesi autoritetet tona kanë qenë dhe janë të ndërgjegjshme për rrezikun që paraqet lëvizja e pakontrolluar e migrantëve të parregullt. Ndërthurja e migracionit të parregullt me aktivitetet që mund të cenojnë sigurinë kombëtare, tashmë përveçse është një realitet, përbën edhe një nga sfidat më të rëndësishme për ne. Agjencitë e zbatimit të ligjit në vend kanë një bashkëpunim mjaft të mirë mes tyre për sa i përket përzgjedhjes së migrantëve të parregullt, përmes verifikimit të identitetit dhe të kaluarës së tyre. Aktualisht, agjencitë tona shkëmbejnë rregullisht informacion me vendet fqinje, por edhe me autoritetet e vendeve të BE-së dhe FRONTEX, për sa i përket situatës së migracionit në vendin tonë si dhe për ndryshimin e mundshëm të situatës në vendet fqinje”, shtoi zv.ministrja Voda.

Drejtoresha e MARRI RC, Tamara Mugosa, falënderoi Shqipërinë për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe vlerësoi Presidencën e saj, si më të mirën gjatë viteve të kaluara, në lidhjet me proceset e rëndësishme të ndërmarra nga MARRI, si procesi i reformimit të Qendrës, rritja e nivelit dhe vizibilitetit të saj dhe rezultateve të prekshme në rajon.

Gjithashtu, në përfundim të Konferencës, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Iniciativës Rajonale për azilin, migracionin dhe refugjatët (MARRI) dhe Sekretariati i Konventës për Bashkëpunimin Policor në Evropën Juglindore (PCC SEE).