Postuar më: 12 Shkurt 2018

Ministri Xhafaj pret Komisionerin Avramopoulos/Firmosin marrëveshje për menaxhimin e kufirit

Dokumentat e bashkëngjitura

Video pritja - Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj priti sot në Tiranë Komisionerin për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë Dimitris Avramopoulos.

Pas bisedimeve 2 palëshe, ata sigluan marrëveshjen statusore për bashkëpunim operativ ndërmjet Agjencisë Evropiane të Rojeve Kufitare dhe Bregdetare dhe Shqipërisë. Pasi të hyjë në fuqi, marrëveshja do t’i mundësojë Agjencisë të sigurojë asistencë në fushën e menaxhimit të kufirit të jashtëm, si dhe do t’u mundësojë ekipeve të Agjencisë Evropiane të Rojeve Kufitare dhe Bregdetare të vendosen me shpejtësi në territorin shqiptar në rast të ndonjë ndryshimi të papritur të flukseve migratore.

Video deklarata e plotë - Ministri shqiptar i Brendshëm tha se “kjo është një marrëveshje e rëndësishme që do të na ndihmojë të marrim asistencë të kualifikuar në lidhje me menaxhimin e kufijve. Ajo do t’i mundësojë gjithashtu Shqipërisë të përfitojë nga projektet që do të japë Bashkimi Evropian, gjatë implementimit të saj.  Kjo është një mundësi e mirë si për ne, si dhe për të gjitha vendet e rajonit ballkanik ku ajo do të implementohet, për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkufitar me vendet e BE-së”.

Video deklarata e plotë - Komisioneri Avramopulos u shpreh se “falënderon autoritetet shqiptare për negociatat e frytshme dhe angazhimin e tyre për të arritur një marrëveshje kaq shpejt. Shqipëria është një pararendëse në rajon dhe marrëveshja do të shërbejë si model për marrëveshje të ngjashme që po negociojmë me partnerë të tjerë në Ballkanin Perëndimor. Bashkëpunimi më i ngushtë midis Shqipërisë dhe Agjencisë Evropiane të Rojeve Kufitare dhe Bregdetare do të lejojë të jemi më të shpejtë dhe më fleksibël në mënyrën se si i përgjigjemi çdo sfide të mundshme migratore. Ky është një hap i rëndësishëm përpara dhe është në interesat më të mira si të Shqipërisë, ashtu dhe të Bashkimit Evropian".

Projekt marrëveshja e sotme është një hap tjetër drejt funksionalizimit të plotë të Agjencisë Evropiane të Rojeve Kufitare dhe Bregdetare dhe negociata e parë e këtij lloji që përfundohet me partnerët e BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Gjithashtu z.Xhafaj dhe Komisionieri Avramopulous nënshkruam Memorandumin e Mirëkuptimit mbi pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në Programin e Drejtësisë së Bashkimit Evropian, mbështetur në vullnetin e palëve për të zgjeruar objektin e këtij Memorandumi në nisma konkrete në fushën e politikave kundër lëndëve narkotike.