Postuar më: 04 Dhjetor 2017

Ministri Xhafaj në konferencën rajonale “Mbi bashkëpunimin ndërkombëtar në Luftën kundër Krimit të Organizuar”

4 Dhjetor, Tiranë - Nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Zyrën e Sigurisë pranë prezencës së OSBE-së në Shqipëri, po organizohet Konferenca Rajonale dyditore “Mbi bashkëpunimin ndërkombëtar në Luftën kundër Krimit të Organizuar”. Përmes kësaj konference synohet të promovohet fuqizimi i bashkëpunimit ndërkombëtar mes agjencive ligjzbatuese në vendet e Ballkanit Perëndimor në luftën kundër krimit të organizuar. Qëllimi është ndërtimi i një platforme për zyrtarët e zbatimit të ligjit, për të diskutuar mbi krimin ndërkufitar dhe në mënyrë të veçantë mbi luftën kundër krimit të organizuar e trafikut të lëndëve narkotike, si dhe për të vendosur një bashkëpunim më të ngushtë.

Fjala e ministrit Fatmir Xhafaj në konferencen rajonale:

Të nderuar shkëlqesi Ambasadorë,
Miq të ftuar në këtë konferencë rajonale,
Zonja dhe zotërinj pjesëmarrës,

E vlerësoj shumë organizimin e kësaj konference rajonale në nivel ekspertësh, si një shans e mundësi tjetër për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal.

Tema e kësaj konference, lufta ndaj krimit të organizuar, është një sfidë e madhe për të gjithë ne.

Krimi i organizuar është një gangrenë që gërryen shoqëritë tona. Ai na detyron të paguajmë kosto të mëdha demokratike, sociale dhe ekonomike. Ky fenomen kriminal, nuk ka më karakter lokal apo thjesht ndërkufitar. Ai është shndërruar në një fenomen global dhe, duke marrë karakter transnacional, ka treguar aftësi të mëdha adaptimi dhe zhvillimi ndaj ndryshimeve politike dhe shoqërore

Qeveria shqiptare dhe Ministria e Brendshme e konsiderojnë Luftën Kundër Krimit të Organizuar si prioritet thelbësor. Qeveria shqiptare muajin e kaluar ka miratuar një Plan Veprimi për Luftën Kundër Krimit të Orgnizuar – Operacioni “Forca e Ligjit”, i cili ka si objektiv pikërisht këtë, goditjen e grupeve kriminale dhe aseteve të tyre të paligjshme. Kjo nismë, ka një qasje gjithëpërfshirëse ndërinstitucionale dhe ndërkombëtare. Ka përfunduar faza paraprake, ajo e katalogimit të grupeve kriminale me të dhëna për persona, lidhjet e tyre kriminale, aktivitetet e rënda kriminale të dyshuara se kryhen prej tyre, pasuritë që zotërojnë, investimet ekonomike të bëra me të ardhura nga aktiviteti kriminal, zonat e ndikimit, lidhjet me grupe të tjera jashtë vendit apo mbështetjet e siguruara në vite për të lehtësuar veprimtarinë e tyre.Tashmë ka filluar edhe veprimi konkret dhe rezultatet e para janë pozitive.

Operacioni “Forca e ligjit” nuk është i shkëputur nga nismat e tjera te Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Operacioni Anti-kanabis gjatë 2017 me rezultatet tejet pozitive të arritura na ndihmoi të hedhim hapa konkretë në kufizimin e të ardhurave të këtyre grupeve nga kultivimi apo trafikimi i kanabisit. Vetingu në Policinë e Shtetit do na ndihmojë të pastrojmë Policinë e Shtetit nga individë të inkriminuar apo të paaftë. Reformimi i sistemit të Policimit në Komunitet do të na ndihmojë të kthejmë besimin e qytetarëve te institucionet e sigurisë.Të gjitha janë pjesë e një programi unik prioritetesh me një moto të vetme: tolerancë zero në luftën kundër krimit nga institucione të forta, me njerëz të aftë dhe me integritet, në shërbim të qytetarëve.

Këto nisma vijnë në kohën e duhur, mbështeten dhe janë në sinkron me procesin e Reformës në Drejtësi që ka hyrë në fazën e saj më të rëndësishme: Vetingun në rradhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve ku presim shumë shpejt të shohim rezultatet e para të këtij procesi, si dhe në fazën e ngritjes së institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë. Gjithsesi, çfarëdo nisme dhe sado iniciativë të ketë nga ana jonë, rezultatet do të jenë larg në mungesë të një bashkëpunimi të frytshëm midis nesh.

Kjo konferencë ekspertësh në fushën e Krimit të Organizuar është një mundësi e mirë për të gjetur alternativat më efikase për një përgjigje të përbashkët dhe të koordinuar ndaj krimit të organizuar. Dëshiroj të falenderoj Prezencën e OSBE në Tiranë, për mbështetjen dhe bashkëpunimin në zhvillimin e këtij eventi.

Ne kemi propozuar gjithashtu edhe nisma të tjera bashkëpunimi ndërkombëtar për luftën ndaj këtij fenomeni. Jo më larg se në fund të tetorit, në Trieste, në konferencën e organizuar nga Ministri i Brendshëm italian, patëm mundësinë të ndanim me partnerët tanë ballkanikë dhe mesdhetarë, idenë për një iniciativë të re: krijimin e një Qendre Rajonale të Bashkëpunimit Policor që përfshin vendet e Ballkanit por jo vetëm, e cila të ketë në fokus pikërisht këtë: luftën pa kufi ndaj krimit të organizuar.

Suksesi në këtë ndërmarrje të vështirë si lufta ndaj krimit të organizuar varet nga ne. Varet nga sa do jemi në gjendje të shkëmbejmë informacion mbi çështje të veçanta. Sa do jemi në gjendje të kryejmë hetime dhe operacione të përbashkëta. Sa përkushtim dhe seriozitet do t'i kushtojmë kësaj lufte.

Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë shpreh vullnetin e plotë për intensifikimin e këtyre marrëdhënieve dy dhe shumëpalëshe në nivel politik dhe teknik, nëpërmjet identifikimit dhe zbatimit të sistemeve më të mira për shkëmbimin e eksperiencave dhe informacionit mes agjencive tona ligjzbatuese.

Lufta ndaj Krimit të Organizuar transnacional është një kontribut që ne i bëjmë vendeve tona dhe qytetarëve tanë. Përpjekjet tona të përbashkëta do të ndihmojnë në forcimin e ekonomive tona por edhe në krijimin e komuniteteve më të sigurta, duke iu dhënë qytetarëve tanë, mundësi dhe shpresë më të mirë për të ardhmen

Ne kemi një synim të përbashkët: Integrimin në Bashkimin Europian.
Le të ndihmojmë veten duke ndihmuar njëri – tjetrin.

Ju faleminderit.   

 

 

Prononcimi i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj pas konferencës “Mbi bashkëpunimin ndërkombëtar në Luftën kundër Krimit të Organizuar”:

Pyetje: Cilat janë rezultatet e “Forcës së Ligjit”?

Ministri Xhafaj: Nuk besoj se duhet të them ndonjë gjë më shumë sesa ajo çfarë thashë aty. Por e ritheksoj atë që thashë aty që: Vetë operacioni “Forca e Ligjit”, pjesë e planit të veprimit që ka miratuar Qeveria Shqiptare, ka si komponente të tij të rëndësishme krijimin e një data baze të plotë të dhënash dhe mbi të gjitha skanimin e të gjitha grupeve kriminale, lidhjet e tyre brenda dhe jashtë vendit, aseteve që zotërojnë etj. Ky është një proces i rëndësishëm. Një proces i cili pothuajse është në përfundim. Ne tashmë kemi një tablo më të qartë se ku shtrihet ky aktivitet kriminal, cila është veprimtaria që ushtrojnë këto grupe nga pikëpamja e territorit dhe ndërlidhjes me to dhe rrezikshmëria që kanë. Natyrisht i takon pastaj Task Forcës Speciale që të bëjë një ndarje në nivelin e asaj çfarë do të ndjekë dhe drejtpërsëdrejti Task Forca Speciale dhe çfarë do të ndjekin Task Forcat Rajonale.

 

Pyetje: Kemi një shifër për të gjithë vendin?

Ministri Xhafaj: Po si thua? Kur bëhet një skanim nuk është se ka një shifër, por ka disa shifra. Unë nuk jam këtu për të thënë gjëra që nuk më takojnë mua. Jua kam thënë dhe një herë tjetër, unë jam ministër që i di detyrat e mia, sipas kushtetutës dhe ligjit. Unë nuk jam shefi i operacioneve, nuk jam drejtori i policisë. Jam Ministër i Brendshëm dhe bëj detyrat dhe flasë për atë që i takon Ministrit të Brendshëm. Atë që u takon oficerëve të policisë, duhet të pyesni oficerët e policisë.

 

Pyetje: Po dokumentimi ligjor z. Ministër i këtyre grupeve kriminale?

Ministri Xhafaj: Pyetja është shumë e drejtë, por nëse ju do të më thoshit mua që një shkrim e bëni ose një intervistë e bëni sapo mbyllni kamerën, unë nuk e besoj. Ju duhet edhe një proces tjetër. Dhe ky është një proces, jo më pastaj identifikimi, zbulimi, gjurmimi dhe krijimi i provave të nevojshme për t’i çuar përpara përgjegjësisë penale. Dhe ky do të jetë një proces në të cilin policia ka detyrat dhe përgjegjësitë e veta, prokuroria gjithashtu ka detyrat dhe përgjegjësitë e veta. Natyrisht me ndryshimet e rëndësishme që do të pësojë prokuroria si rrjedhojë e reformës në drejtësi, unë jam shumë i bindur që do të kemi një partneritet tjetër dhe një marrëdhënie shumë më të besueshme seç kemi sot.

 

Pyetje: Deri ku kanë arritur kërkimet tuaja përsa u përket tre ish-drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit për çështjen “Habilaj”?

Ministri Xhafaj: Unë jua shpjegova që nuk merrem unë me çështje të kërkimit, të cilitdo që kërkohet nga Policia e Shtetit. Policia e Shtetit ka detyrën për të bërë këtë gjë dhe unë besoj që është duke e bërë.

 

Pyetje: A ka një bashkëpunim me ndërkombëtarët sepse thuhet se kanë dalë jashtë shtetit?

Ministri Xhafaj: T’u japim ndërkombëtarëve atë që i takon ndërkombëtarëve, mos t’ju japim edhe përgjegjësi që nuk i takojnë atyre.

Shumë faleminderit.