Postuar më: 03 Nëntor 2017

GdF publikon raportin për 2017, të monitorimit ajror kundër kanabisit

Dokumentat e bashkëngjitura

Fjala e ministrit të Brendshëm Shqiptar Fatmir Xhafaj dhe ministrit të Brendshëm Italian Marco Minniti gjatë Konferencës së përbashkët mbi raportin përmbyllës të ‘Misionit të monitorimit ajror për vitin 2017, në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike’, (Raporti analitik) ndërmjet Policisë së Shtetit, Policisë italiane dhe Misionit të BE-së:

Ministri Fatmir Xhafaj: 

I nderuar ministër Minniti, 
Shumë faleminderit për praninë tuaj këtu, për fjalët e ngrohta shumë miqësore ndaj vendit dhe ndaj popullit tim. Shenjë e qartë e miqësisë së jashtëzakonshme ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve tanë. Faleminderit!

Të nderuar zonja e zotërinj ambasador, 
Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë të pranishëm, 
miq dhe të ftuar, 
të nderuar punonjës të Policisë së Shtetit,

Jemi sot këtu në një event të veçantë dhe shumë të mirëpritur: Prezantimin e rezultateve të operacionit kundër kultivimit të kanabisit, rezultate që sapo patëm kënaqësinë t’i njohim nga paraqitja tejet profesionale e bërë nga misioni i policisë italiane, mision që prej vitesh realizon këtë proces monitorimi në vendin tonë.

Kanë kaluar shumë pak muaj nga koha kur nën kujdesin personal të Kryeministrit të vendit Z. Edi Rama u hartua dhe u miratua Plani i Veprimit Kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit.

Mbështetur mbi një analizë të plotë dhe të kujdesshme të shkaqeve dhe arritjeve në luftë kundër këtij fenomeni, përfshi dhe gabimet e bëra, ky dokument strategjik hodhi bazat e një organizimi shtetëror gjithëpërfshirës – me rezultatet e të cilit u njohëm sot!

Vetëm 7 muaj më parë, më 27 mars të 2017-s në një ceremoni të thjeshtë të organizuar me rastin e marrjes nga ime të detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, së bashku me Kryeministrin deklaruam se 2017 do të ishte fundi i një historie të gjatë të kultivimit të kanabisit, të vendosur për heqjen njëherë e përgjithmonë të Shqipërisë nga harta e vendeve kultivuese të kanabisit. Të shumtë ishin mosbesuesit. Kishte dhe cinikë, tallës si edhe zhurmues.

Megjithë lumin e akuzave, shpifjeve, çjerrjeve dhe kakofonisë, ne zgjodhëm heshtjen. Heshtjen e njeriut që punon, me përkushtim dhe mund ndaj misionit sublim.

Përkushtimi, mundi dhe sakrifica e njerëzve të ndershëm sot foli. Punonjës të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunëtorë të mi – ne ja dolëm me sukses në këtë hap të parë të rrugëtimit tonë !

Faleminderit të gjithëve atyre që besuan tek qeveria, tek unë si ministër, si dhe tek bashkëpunëtorët e mi. Besimi juaj ishte motivimi ynë!

Vlerësime të përzemërta dhe respekt për ato gra dhe burra, vajza dhe djem të sakrificës njerëzore në Policinë e Shtetit, drejtuesit e tyre dhe ekipit tim në Ministri të cilët dëshmuan përgjegjshmëri dhe përkushtim gjatë kësaj beteje aspak të thjeshtë.

Mirënjohje dhe përgëzime oficerëve të mrekullueshëm të policisë italiane dhe veçanërisht atyre të Guardia di Financa dhe Interforca për asistencën pavarësisht rrezikut, monitorimet me ndershmëri dhe tiparin dallues të thjeshtësisë dhe përkushtimit në punë!

Thonë që historia përsëritet nëse harrojmë gabimet e së shkuarës.

Sot është vendi dhe momenti të kujtojmë që më 18 Gusht 2004, një helikopter i Policisë së Shtetit Italian, i cili po fluturonte mbi Lazarat në një mision rutinë monitorimi të plantacioneve të mbjella me kanabis në këtë zonë, u qëllua nga brenda fshatit. U plagos një oficere policie. Rrezikoi jetën një oficer i lartë policie i vendit mik Italisë. Sipas raporteve zyrtare të kohës, në fshat prodhoheshin çdo vit rreth 900 tonë kanabis.

I lakuar rëndom në median ndërkombëtare si një “bastion” i trafikantëve të kanabisit, Lazarati ishte një fshat i paaksesueshëm nga policia e asaj kohe.

Lazarati, Dukagjini dhe Lumi i Vlorës ishin shndërruar në simbole të bashkëjetesës mes shtetit dhe krimit, në kurriz të të ardhmes dhe reputacionit të një populli të tërë. Sot bastionet e krimit dhe zonat e ndaluara për policinë i përkasin të shkuarës.

Disa vjet më parë monitorimi nga ajri filloi vetëm pas një presioni të madh të BE. Sot jemi ne që kërkojmë me insistim që ky proces edhe pas këtyre rezultateve fantastike të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm.

Një vit më parë, në 2016, u konstatua një rritje e ndjeshme e sipërfaqeve të kultivimit të kanabisit në pjesë të ndryshme të territorit. Nga euforia, nga paaftësia e strukturave tona apo nga aftësia dhe sofistikimi i krimit, mbetet për tu analizuar. Një gjë është e sigurt: dëmi ishte i madh dhe shumëplanësh.

Në këtë sipërmarrje kriminale u përfshinë shumë fermerë të pafajshëm, të gënjyer duke sjellë jo vetëm inkriminimin e tyre, por gjithashtu duke zhbërë interesin tyre për zhvillim normal bujqësor të tokave të tyre.

U përfshinë në një mënyrë, ose në një tjetër disa oficerë policie, të cilët më së paku duket se ishin të paaftë të përmbushnin detyrat e ngarkuara nga ligji. Shumë punonjës të tjerë policie heshtën ndaj këtij fenomeni në shkëmbim të shpërblimit apo edhe prej frikës.

Por gjithsesi, është realiste dhe e drejtë të evidentohet fakti se në më pak se një vit më parë nga sot, qeveria reagoi ndaj këtij fenomeni duke e njohur realitetin dhe me vullnet të qartë, me përgjegjshmëri politike ndërmori një kompleks masash. Reaguam fort dhe pa ekuivoke dhe rezultati është ky që u bë publik sot.

Edhe këto pak fakte do të mjaftonin për të kuptuar se sa gjëra kanë ndryshuar në pak kohë. Nga një kohë kur kanabisi ishte institucion dhe trafikantët e tij ishin autoritet, sot është një kohë kur autoritet është shteti dhe institucion është ligji!

Gjithçka falë edhe burrave e grave të policisë së shtetit, që edhe ata mësuan nga gabimet e tyre, dhe me një drejtim e organizim më të mirë të punëve në pak kohë realizuan këtë ndryshim të madh.

Ne e bëmë këtë edhe falë miqve e partnerëve tanë ndërkombëtar, si Italia mike që kurrë nuk na kanë lënë vetëm, por na ka mbështetur dhe ndihmuar të ecim përpara. Në vendin tim ka një shprehje të urtë “Miku i mirë në ditë të vështira njihet”.

Faleminderit zoti Ministër për bashkëpunimin e sinqertë pa kushte dhe kryesorja për miqësinë e veçantë që na keni shprehur.

Ne kërkojmë të punojmë së bashku sepse edhe qëllimet i kemi të përbashkëta. Ndihma dhe mbështetja juaj në këtë betejë edhe vitin e ardhshëm do të kontribuoj për ta konsoliduar këtë standard.

Të nderuar miq!

Me rezultatin e këtij viti ne kemi hedhur një hap përpara shumë domethënës.

Jemi të bindur se ky është vetëm një stacion në luftën tonë. Duhet të jemi modestë!

Beteja vazhdon edhe më e fortë, tashmë me ata që e kanë financuar dhe organizuar këtë biznes kriminal – me grupet kriminale të përfshira në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit dhe drogës në përgjithësi.

Nuk është një betejë e lehtë. Ajo nuk bëhet as për një ditë e as për një muaj! Rezultatet e para janë premtuese. Jemi të vendosur ti ndjekim hap pas hapi ata dhe të ardhurat e tyre kriminale.

Jemi të vendosur ta fitojmë këtë betejë!

Faleminderit të gjithëve!


Ministri Marco Minniti:

Lejomëni, në radhë të parë, të shpreh përgëzimet e mia për kolegun tim, Ministrin e Brendshëm shqiptar, i cili organizoi një takim kaq të rëndësishëm. Një takim që shënon atë shëndet të shkëlqyer të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, Shqipërisë dhe Italisë.

Është një marrëdhënie historike kjo, e lindur para shumë vitesh, që ka qenë dëshmitare e bërjes së gjithnjë e më shumë hapave përpara. E që sot na dorëzon një bashkëpunim të jashtëzakonshëm e të rëndësishëm në fushën e sigurisë, të luftës kundër trafiqeve të paligjshme, të luftës kundër krimit të organizuar.

Lejomëni të falënderoj Forcat e Policisë Italiane – Policinë e Shtetit dhe Policinë Financiare (Guardia di Finanza) – për punën e shkëlqyer që kanë kryer gjatë këtyre viteve.

Lejomëni t’ju falënderoj gjithashtu Ju, gra e burra të Policisë Shqiptare. Pasi ndër vite kemi pasur një bashkëpunim të plotë, i cili ka sjellë rezultate me të cilat u njohëm dhe u paraqitën këtu. E që janë njohur dhe nga përfaqësuesit italianë në radhë të parë (sikundër tha dhe Gjenerali i GdF Toschi, të cilin e falënderoj edhe për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë ushtarakët e forcës që ai përfaqëson, në kuadër të luftës kundër trafikimit të lëndëve narkotike).

Faleminderit.

Faleminderit sepse vërtet jemi përballë një operacioni suksesi.
Një operacion i suksesshëm që u përshkrua këtu me shifra, të cilat u prezantuan këtu.
Prej vitit 2013 deri në 2017 ne kemi parë një rritje progresive të kapacitetit operativ dhe një rritje progresive edhe të rezultateve.

E sidoqoftë, në momentin kur theksojmë se kemi të bëjmë me një operacion të suksesshëm, lejomëni këtu të nënvizoj dy gjëra që i quaj shumë të rëndësishme.
E para: operacionet e suksesshme duken në kohë. Ne kemi arritur një rezultat të jashtëzakonshëm këtë vit. Duhet ta ruajmë, ta mbajmë këtë edhe për vitet e ardhshme.
E dyta. Kemi diskutuar për këtë shumë kohë më përpara me mikun tim të dashur dhe koleg, mbi veprimin gjithnjë më të fuqishëm me ndikim në luftën kundër krimit të organizuar. E di shumë mirë që ky është një objektiv strategjik i qeverisë shqiptare. Kam ardhur këtu për t’ju thënë se në këtë objektiv strategjik do keni bashkëpunimin e plotë të qeverisë italiane dhe ministrit të Brendshëm italian.

Ne duhet të godasim trafikantët, organizatat e mëdha që menaxhojnë këto trafiqe. Duhet të godasim të ashtuquajturit “të paprekshëm”. Sepse në Europë, në Shqipëri, në Itali, nuk ka të paprekshëm.

Mendoj se ky është një objektiv shumë i rëndësishëm, për realizimin e të cilit duhet të punojmë së bashku. Kemi vënë në veprim, kemi ngritur një bashkëpunim që nga pikëpamja gjyqësore, nga pikëpamja operative, nga pikëpamja shkencore, ka dhënë rezultate sipas mendimit tim, veçanërisht të rëndësishme. Më lejoni këtu të falënderoj edhe ndërmarrjet, universitetet, të cilat kanë bashkëpunuar në arritjen e këtij objektivi.

Mund të themi një gjë që në këtë projekt dhe në këto objektiva është angazhuar gjithë sistemi në Itali, pra gjithë strukturat italiane që kanë bashkëpunuar në mënyrë pozitive me Shqipërinë. Të dhënat tregojnë që vendet kanë punuar së bashku. Në fund më lejoni të bëjë një konsideratë, një vlerësim të fundit, që ky raport, kjo marrëdhënie ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë përfshihet në një marrëdhënie edhe me të gjerë ndërmjet Europës, Shqipërisë dhe vendeve Ballkanike.

Dua të falënderoj këtu personalisht të gjithë ambasadorët e pranishëm, të cilët me praninë e tyre e kanë bërë edhe më të çmueshëm këtë takim të sotëm. Por mbi të gjitha e kanë bërë të dukshëm angazhimin e plotë, të përgjithshëm të komunitetit ndërkombëtar: luftën ndaj narkotrafiqeve, në kuadrin e atij angazhimi të plotë përligjshmërie. Apo atë angazhim të përgjithshëm në kuadrin e veprimit, të parandalimit dhe luftës kundër terrorizmit.

Këtu në Shqipëri, këtu në Tiranë, këtu në Ballkan luhet një lojë shumë e rëndësishme e cila ka përballë tre sfida të mëdha.

E para, për të cilën folëm më parë, sfida kundër trafiqeve të lëndëve narkotike, kanabisit.
E dyta, ajo kundër emigracionit të paligjshëm.
Dhe e treta, kundër terrorizmit.

Në lidhje me këto tre çështje apo këto probleme kemi nevojë për një bashkëpunim ndërkombëtar të plotë dhe të vetëdijshëm. Nëpërmjet këtij projekti, nëpërmjet takimit që ne sot po zhvillojmë, bëjmë një hap tjetër përpara.

Në fund po e përfundoj këtu, duke iu falënderuar shumë ju. Duke falënderuar shumë ministrin e Brendshëm, duke falënderuar shumë Shqipërinë më lejoni të bëj edhe një vërejtje të vogël, me karakter personal.

Nuk është hera e parë që vij në Shqipëri. Herën e parë kam ardhur para shumë vitesh. Shoh me kënaqësi që shumë prej atyre që kam përballë para shumë vitesh, kur erdha herën e fundit, ishin shumë të rinj në atë kohë ose ishin ende në shkollë dhe kjo është e jashtëzakonshëm për atë sensin e ndryshimit që ka përjetuar ky vend gjatë këtyre viteve të fundit.

Nëse do duhet t’ju thosha me sinqeritetin e plotë, në atë rrugë që më solli këtu nga aeroporti në qendër të Tiranës, se cilat ishin ndjesitë e mia kur kalova, ishin ato të një emocioni të jashtëzakonshëm. Tirana dhe Shqipëria ka ndryshuar shumë; ua thotë një njeri i cili ka qenë këtu kur ju ishit të rinj fare, ka ndryshuar shumë.

Ka ndryshuar sigurisht për mirë, për më mirë. Është e qartë që ne kemi ende probleme gjigande për të zgjidhur. ajo që mund t’ju garantoj unë është se do të punojmë së bashku për t’i zgjidhur këto probleme.

Sidoqoftë ju burra dhe gra të forcave të sigurisë, të forcave të Policisë Shqiptare duhet të jeni krenarë, sepse me gjithë problemet që ne kemi përballë, me të gjithë ato probleme që ne do të duhet të përballemi Shqipëria është sigurisht më e mirë sesa ka qenë në të kaluarën. Dhe për këtë duhet të jeni krenarë, ashtu sikurse ne jemi krenarë që kemi kontribuar në këtë rezultat.

Faleminderit!