Postuar më: 11 Janar 2018

'Azil kërkimi në 2017 ishte në rënie, po hartojmë një dokument politikash për migracionin'

Riatdhesohen 30 persona nga Franca e Belgjika

Zv.ministrja e Brendshme: Azil kërkimi në 2017 ishte në rënie, po hartojmë një dokument politikash për migracionin

Ministria e Brendshme së bashku me institucionet përgjegjëse po hartojnë një dokument politikash për migracionin, që parashikon ofrimin e më shumë mundësive të zgjidhjes këtu për shqiptarët, që tentojnë azil në vendet e BE-së. Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda shprehet se ky dokument do të shoqërojë masat e shtuara për kontrollin kufitar, për frenimin e fenomenit të azil kërkimit. 

Rovena Voda – Zv.ministre e Brendshme: Unë gjithmonë e them se përsa i përket emigracionit dhe azil kërkimit, kjo nuk është një fushë që prek vetëm çështje të sigurisë, por prek edhe fusha të tjera, dhe ne po punojmë bashkë me institucionet e tjera, për të hartuar një dokument politikash për migracionin, duke e parë këtë fenomen në një këndvështrim më gjithëpërfshirës, por edhe për të mundësuar dhe ofruar zgjidhje për të gjithë ata qytetarë që i janë drejtuar kësaj rruge, si të vetmen rrugë zgjidhje për jetesën e tyre.

Zv.ministrja e Brendshme deklaroi se shifrat e kërkesave për azil gjatë vitit 2017 kanë rënë. Megjithatë znj.Voda apeloi për këdo të mos bëjë tentativë për azil, sepse do të rezultojë e dështuar, pasi Shqipëria është në listën e vendeve të sigurta. Nga Franca e Belgjika janë riatdhesuar me një avion të posaçëm 30 shtetas shqiptar që shkelën rregullat e Shengenit. 

Rovena Voda – Zv.ministre e Brendshme: Ky është operacioni i parë, por operacionet e riatdhesimit gjatë vitit 2018 do të vazhdojnë me të njëjtin ritëm, madje me një ritëm edhe më të lartë se viti 2017. Këtu përsëri i bëj thirrje qytetarëve shqiptar që të mos e shikojnë azilkërkimin si rrugën e vetme për të emigruar gjatë vendit.

Duhen parë mundësitë e ligjshme për lëvizjen jashtë vendit dhe shfrytëzimin e mundësive për punësim.