Postuar më: 15 Shkurt 2018

Intervista/Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj në emisionin “Opinion”

Dokumentat e bashkëngjitura

VIDEO Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj në emisionin “Opinion” në TV Klan:

Blendi Fevziu: Mirëmbrëma! Po e nis me 2 ngjarje, ndodhur javët e fundit.Një lëndë eksplozive e vendosur në lagjen “Rus” në Shkodër gati-gati një akt terrorist. Të vendosësh një bombë në mes të një tregu ushqimor ku kalojnë aq njerëz. E dyta ka qenë vrasja e Devi Kasmit në Tiranë. Të dyja sipas Policisë autorët janë vënë para përgjegjësisë. Doja t’ju pyesja çfarë ka ndodhur me atentatin e Shkodrës? Ju keni arrestuar një grup kriminal në Elbasan. Cili ishte konflikti dhe çfarë kishte ndodhur?

Ministri Xhafaj: Së pari, duhet të bëjmë një sqarim se është i rëndësishëm nuk bëhet fjalë për një grup terrorist e as për një akt terrorist, por për një vrasje me eksploziv. Këto janë diferenca të ndryshme kur flasim për ngjarje kriminale dhe për çështje të sigurisë kombëtare. Është një vrasje për llogari të një grupi kriminal.

Blendi Fevziu: Tentativë vrasjeje.

Ministri Xhafaj: Është një tentativë vrasje, po. Është përdorur eksplozivi. Është fjala për një grup kriminal në Elbasan që ka tentuar të vrasë një person në qytetin e Shkodrës.

Blendi Fevziu: Pra grupi që ka tentuar ta vrasë është nga Elbasani. Ka tentuar të eliminojë një person në Shkodër?

Ministri Xhafaj: Nga Elbasani për shkak të llogarive të tyre në fushën e trafikut të drogës.

Blendi Fevziu: Ç’lidhje ka trafiku i drogës midis Shkodrës dhe Elbasanit?

Ministri Xhafaj: Sot trafiku i drogës shtrihet në pesë kontinente, jo më nga Shkodra në Elbasan. Janë llogari të trafikut më shumë jashtë sesa brenda, por çështje të trafikut.

Blendi Fevziu: Pra janë më shumë jashtë Shqipërie sesa brenda?

Ministri Xhafaj: Përgjithësisht të gjitha dhe këto dy vrasjet e tjera kanë të përbashkët, përjashto këtë të fundit, sipas Policisë, pas të dhënave që ka Policia, që janë konflikte për shkak të veprimtarisë kriminale jashtë vendit në Spanjë, në Holandë, në Gjermani...

Blendi Fevziu: Meqë përmendët vrasjen e fundit një 64-vjeçar është vrarë dje në mënyrë gati mafioze në mes të Tiranës. Çfarë ishte vrasja e tij?

Ministri Xhafaj: Edhe ky është një konflikt, së paku sipas të dhënave paraprake që ka Policia, për shkak të disa llogarive të vjetra financiare. Së paku është një nga pistat që po hetohet.

Blendi Fevziu: Rikthehem tek çështja e Shkodrës grupi që sipas Policisë ka vendosur lëndën eksplozive në Shkodër, duke shkaktuar plagosjen e tetë personave e ka pasur bazën në Elbasan. Është një grup i strukturuar kriminal apo është hakmarrje individësh.

Ministri Xhafaj: Jo, është një grup kriminal, i cili ka pasur siç thashë një konflikt me personin në fjalë dhe ka përdorur një nga anëtarët e grupit për ta transportuar dhe për ta vendosur eksplozivin në Shkodër. Është transportuar me një mjet. Motori ka qenë brenda në furgon. Është vendosur në vendin ku do të bëhej atentati. Që në fillim fare, oficerët e policisë kanë dyshuar që nuk ishte një grup ose autori nuk ishte nga Shkodra për mënyrën sesi ishte ekzekutuar dhe përmes metodave speciale të hetimit...

Blendi Fevziu: Kishin lënë gjurmë atentatorët?

Ministri Xhafaj: Jo gjurmë në vetvete, ishte vetë motori, gjurma kryesore. U ndoq motori dhe përmes motorit erdhi deri në Elbasan. Pjesa tjetër i takon pastaj hetimit, sepse vazhdon ende në hetim.

Blendi Fevziu: Ndërkohë kishte lidhje ky grup me bandat e Elbasanit, të cilat dhanë spektakël përpara kamerave me Policinë e Elbasanit në mes të shtatorit të këtij viti z.Xhafaj? Kjo është ndoshta video më shokuese që kam parë unë këto vitet e fundit.

Ministri Xhafaj: E ke qejf, sepse e ke marrë për zemër këtë çështjen e krimit.

Blendi Fevziu: Po në cilin vend të botës z.Xhafaj makinën e policisë e hedhin, e shtynë dhe policia... 10 polici të armatosur me kallashnikov dhe pistoleta rrinë...

Ministri Xhafaj: Ti e paraqet si një ndeshje futbolli këtë gjë, por nuk është ndeshje futbolli, dhe me shumë pasion.

Blendi Fevziu: Cili është vlerësimi juaj z.Ministër për këtë gjendje të Policisë në këtë video?

Ministri Xhafaj: Këtu padyshim që policia ka gabuar. Dhe kjo është arsyeja që janë marrë masat përkatëse në Drejtorinë Vendore të Elbasanit.

Blendi Fevziu: Edhe pse shtypi ka shkruar që masat që u morën në Drejtorinë Rajonale të Elbasanit, pra në Drejtorinë Lokale të Elbasanit, personat që u larguan prej aty kanë gjetur poste, pra janë dërguar në poste të tjera.

Ministri Xhafaj: Po, ka qenë një gjë e gabuar.

Blendi Fevziu: Ka qenë e gabuar?

Ministri Xhafaj: Po patjetër.

Blendi Fevziu: Përse?

Ministri Xhafaj: Sepse mendoj se nuk e meritonin për shkak edhe të paaftësisë që kishin treguar në hetimin e atyre grupeve kriminale që janë në Elbasan, por edhe për shkak të situatës kriminale në atë qytet, edhe për shkak të ngjarjes që ndodhi nuk e meritonin që të ktheheshin të paktën në pozita drejtuese.

Blendi Fevziu: Kush e bëri këtë gabim z.Xhafaj?

Ministri Xhafaj: Besoj ata që e kanë kompetencë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.

Blendi Fevziu: Po flisni për z.Çako?

Ministri Xhafaj: Z.Çako ka firmosur sigurisht.

Blendi Fevziu: Ka firmosur lëvizjen.

Ministri Xhafaj: Në këtë rast, po.

Blendi Fevziu: Rikthehem tek grupi i cili u arrestua për tentativën, për vënien e eksplozivit në Shkodër dhe tentativën për vrasje. Kishte lidhje me bandat e Elbasanit?

Ministri Xhafaj: Kjo mbetet që të vërtetohet në hetim, por besoj që po.

Blendi Fevziu: Janë grupe që merren me trafikun e narkotikëve thatë jashtë Shqipërisë apo dhe në Shqipëri?

Ministri Xhafaj: Çështja e trafikimit të narkotikëve përgjithësisht kryhet për efekt të lëvizjes në vendet e Europës nuk është çështje e brendshme shqiptare.

Blendi Fevziu: Ndërkohë z.Xhafaj si shpjegohet që banda siç është banda si kjo e Elbasanit apo banda të tjera si kjo që ka vendosur eksplozivin janë të mirë pajisura gati më mirë të pajisura se Policia, me mundësi financiare me mjete, me mundësi vëzhgimi etj. Si shpjegohet që krimi është kaq i sofistikuar dhe nën hundën e Policisë?

Ministri Xhafaj: Besoj se nuk bën përjashtim nga gjithë krimi i organizuar sot në Europë e më gjerë. Sot tendenca kryesore e grupeve kriminale është sofistikimi i tyre, fuqizimi i tyre nga pikëpamja financiare dhe sofistikimi dhe për shkak të rritjes së teknologjisë.

Por që të thuash që kjo është tendenca e përgjithshme që reflektohet dhe në grupet kriminale shqiptare.

Grupet kriminale shqiptare nuk janë më ato të viteve 90”, nuk janë më ato të viteve 97” me një kallashnikov, nuk janë më as ato të viteve 2000, ku përdoreshin drejtpërdrejt drejtuesit e grupeve kriminale.

Ka kaluar sot në një fazë të re ashtu sikundër është zhvilluar gjithë bota kriminale, jo thjesht dhe vetëm në Shqipëri, në rajon dhe më gjerë.

Blendi Fevziu: Do t’ju pyes z.Xhafa sepse edhe ju keni lënë të nënkuptohet dhe Ambasadori Amerikan por edhe gazetarë në studio që po ashtu kanë njohje të mirë të situatës, kanë folur për familje mafioze për grupe kriminale dhe për të tjera. Po t’ju bëj dhe një pyetje për vrasjen e Devi Kasmit.

Ministri Xhafaj: A e dini sot ju sa ka të regjistruar grupe të strukturuara kriminale nga Europoli në Europë?

Blendi Fevziu: Jo.

Ministri Xhafaj: 5 000.

Blendi Fevziu: 5 000 grupe të strukturuara?

Ministri Xhafaj: 5 000 dhe 60% e anëtarëve të këtyre grupeve janë shtetas të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Shtetas të vendeve anëtarë të Bashkimit Europian.

Blendi Fevziu: Sa prej tyre, prej 5 000 grupeve të strukturuara kriminale veprojnë në Shqipëri z.Xhafaj?

Ministri Xhafaj: Sipas asaj, jo sipas standardit të Europolit, sepse sipas standardit të Europolit unë besoj se nuk do ta kalonin 15 të tilla.

Blendi Fevziu: 15?

Ministri Xhafaj: Nuk do ta kalonin kurrsesi me sforco, nuk do ta kalonin. Sipas statistikave që kemi bërë ne ose sipas kritereve që kemi vendosur ne për efekt të vlerësim të rrezikshmërisë shoqërore të tyre në nivel kombëtar dhe lokal janë rreth 40 të tilla.

Blendi Fevziu: 40 grupe kriminale të strukturuara?

Ministri Xhafaj: Por ju thashë...

Blendi Fevziu: Me standardin tuaj.

Ministri Xhafaj: Edhe një herë, iu thashë natyrisht nuk janë grupe të strukturuara në nivelin e një organizate kriminale, në nivelin e një organizate kriminale është e vështirë të thuash mund të jenë shumë shumë pak.

Blendi Fevziu: Shumë pak?!

Ministri Xhafaj: Shumë pak.

Blendi Fevziu: Ku janë të shtrira këto grupe kriminale që sipas jush, janë rreth 40 sipas standardit që keni ju z.Xhafa?

Ministri Xhafaj: Nëse do bëja një, ne kemi, së pari nëse më lejoni të them që në këtë mandat qeverisës që lidhet dhe me mandatin tim si Ministër i Brendshëm një ndër prioritetet thelbësore është lufta kundër grupeve kriminale. Në këtë kontekst

Blendi Fevziu: A i njihni ju grupet kriminale z.Xhafaj?

Ministri Xhafaj: Në funksion të kësaj ne kemi bërë një vlerësim të riskut të të gjithë grupeve kriminale që janë sot në Shqipëri.

Blendi Fevziu: Ku e keni bërë këtë?

Ministri Xhafaj: Kemi bërë profilet kemi filluar që në muajin Shtator që unë jam në këtë detyre.

Blendi Fevziu: Pra ju keni dijeni?

Ministri Xhafaj: Në këtë dokument .

Blendi Fevziu: Çfarë thotë ai raport? Sa faqe është ai raport z.Xhafa?

Ministri Xhafaj: Vazhdon me kapituj, 60 e ca faqe.

Blendi Fevziu: Dhe aty përfshihen strukturat e 40 grupeve kriminale?

Ministri Xhafaj: Këtu bëhet një analizë e strukturuar e 40 grupeve kriminale të situatës së krimit të organizuar në Shqipëri. Janë nxjerrë cilat janë grupet kryesore kriminale që janë në territorin Shqiptar dhe janë parashikuar, janë përcaktuar.

Blendi Fevziu: Një grup i strukturuar sa anëtarë ka pak a shumë?

Ministri Xhafaj: Po rasti më ekstrem, do të thosha unë që shkon rreth 20 veta.

Blendi Fevizu: 20 veta?

Ministri Xhafaj: Po.

Blendi Fevziu: Grup i strukturuar kriminal? Çdo të thotë grup i strukturuar kriminal, sipas standardit tuaj, jo atij të Europolit?

Ministri Xhafaj: E para njëherë grupi nuk ka natyrën e një organizatë të mirëfilltë kriminale. Grupi i strukturuar kriminal, ka një drejtues ka një organizim të brendshëm një pjesë kur janë grupe të mirëstrukturuara, kanë dhe hierarkinë brenda grupit kriminal, kanë dhe vendimmarrje të qartë edhe kanë rolin e drejtuesit të grupit, anëtarëve, ekzekutorëve.

Blendi Fevziu: Me se merren këto grupe të strukturuara kriminale?

Ministri Xhafaj: Po përgjithësisht grupet tona në tërësinë e tyre rreth 53 % janë në fushën e narkotikëve.

Blendi Fevziu: Fusha e narkotikës që do të thotë në kultivimin e narkotikëve në Shqipëri apo në trafikun e drogërave brenda përmes Shqipërisë?

Ministri Xhafaj: Po nuk mund t'i ndash më thikë.

Blendi Fevziu: Nuk i ndan dot

Ministri Xhafaj: Sigurisht, nëse do t'i merrnim një më një pastaj është çështje tjetër.

Rreth 11% janë në fushën e trafiqeve të ndryshme, trafiqeve të paligjshme, të qenieve njerëzore etj.

18% janë kryesisht për krimet e rënda vrasje, me radhë dhe rreth 20% janë në fushën e krimit ekonomik e financiar.

Blendi Fevziu: Por duket që grupimi që dominon është ai i trafikut të narkotikëve në Shqipëri dhe jashtë Shqipërie. Z.Xhafaj, ju i njihni këto grupe kriminale, i keni anëtarët e tyre?

Ministri Xhafaj: Sot po.

Blendi Fevziu: Pse nuk i arreston?

Ministri Xhafaj: Kjo është pyetja më e çuditshme që mund të më bëhej...

Blendi Fevziu: Dhe më normalja, nëqoftëse kemi një listë me grupet kriminale, me emrat e tyre, fotografitë, adresat, numrat e telefonit...

Ministri Xhafaj: Midis dyshimit, gjurmimit, sigurimit të provës, procesit të hetimit është një rrugë e gjatë. Juve ju kujtohet, vetëm për një grup, që po flisnim p.sh. grupi që doli sot në media që ishte një bashkëpunim ndërmjet policisë shqiptare dhe policisë italiane ka muaj dhe vite që hetohet.

Blendi Fevziu: Pra ju po thoni që të gjitha këto janë grupe të identifikuara nga ju, por ju nuk i keni kapur ata në aktivitetin e tyre kriminal?

Ministri Xhafaj: Këto nuk janë grupe që kanë lindur sot. Ka prej tyre që kanë 20 vjet aktivitet në këtë vend. Ndryshimi midis asaj që ka qenë dhe kësaj që është, sot ka një profil të qartë kriminal, ka një profil të qartë të çdonjërit prej tyre, të lidhjeve dhe përpjekjeve dhe janë në një proces investigimi...

Blendi Fevziu: Me sa kujtoj unë z.Xhafaj, në vitin ‎2006-2007, sidomos ‎2005-2007 një numër i këtyre bandave u arrestuan, madje edhe në vitin 1999 në kohën e Kryeministrit Majko, më pas në kohën e Kryeministrit Berisha, një numër bandash ka përfunduar në burg brenda 2-3 muajve...

Ministri Xhafaj: Ka një diferencë midis atyre që ju thatë juve me të drejtë, ‘banda’, që ishin thjesht grupe të armatosura, të dhunshme, lehtësisht të dukshme dhe shpeshherë me prova të bëra prej vetë atyre në publik. Nëse ju kujtohet në ’97, ’98, ’99, edhe 2000, siç thoni ju, ka një ndryshim thelbësor midis grupeve kriminale të strukturuara që janë shumë të sofistikuara në veprimtarinë e tyre kriminale.

Blendi Fevziu: A janë të lidhura këto grupe kriminale, z.Xhafaj, me politikën dhe konkretisht me politikanë të mazhorancës? Në Elbasan është përmendur përfshirja e tyre me kryetarin e bashkisë Qazim Sejdini. A është i përfshirë kryetari i bashkisë së Elbasanit në lidhje me këto?

Ministri Xhafaj: Nëse kryetari i bashkisë së Elbasanit apo një bashkie tjetër apo një politikan konkret do të ishte në dijeninë time apo të policisë që është i përfshirë dhe për të ka prova konkrete, unë besoj se sot do të duhej të ishte minimalisht nën hetim.

Blendi Fevziu: A mbrohet kryetari i bashkisë së Elbasanit me eskorta të përforcuara?

Ministri Xhafaj: Jo, ka një mbrojtje sipas ligjit përkatës për shkak të masave të sigurisë, për shkak të një kërcënimi eminent që ka pasur në një moment të caktuar.

Blendi Fevziu: Nga i ka ardhur ky kërcënim?

Ministri Xhafaj: Eshtë një çështje që unë nuk e kam parë në detaj, sepse nuk është detyra ime. Eshtë detyrë e organit përkatës që i jep të drejtën e mbrojtjes.

Blendi Fevziu: Ndërkohë PD, përveç z.Sejdini, ka akuzuar edhe z.Dako për lidhje me bandat kriminale z.Xhafaj?

Ministri Xhafaj: Po PD ka...

Blendi Fevziu: Nejse, është opozita shqiptare që bën një denoncim, ju duhet ta merrni seriozisht në të gjitha rrethanat

Ministri Xhafaj: Absolutisht po, në qoftë se ka një gjë konkrete, për cilindo, për cilindo qytetar të Republikës, jo më për një zyrtar, pa dyshim do ta kishim marrë konkretisht. Por për akuza që hidhen vend e pa vend dhe që shpesh herë, në mënyrën se si bëhen, bëjnë në kundërtën, besoj që është...

Blendi Fevziu: Por z.Xhafaj, është treguar disa herë që keni qenë ju të gabuar. Nuk flas ju personalisht, por ju si mazhorancë, në deklarata. Ju kujtoj deklaratën e Zaganit, i cili...

Ministri Xhafaj: Pastaj, të gjitha ato që besoni ju, duhet t’i besojë edhe policia?!

Blendi Fevziu: Patjetër, ato që ne besojmë...

Ministri Xhafaj: Ju i bëni shpeshherë edhe për show mediatik, i bëni për...

Blendi Fevziu: Ne mundohemi të zbardhim aq sa mund të zbardhim z.Xhafaj, dhe po ju kujtoj p.sh. që Zagani bëri disa akuza, edhe në studio këtu tek ne dhe akuzat e Zaganit u morën me tallje, u morën me kërcënim ndaj tij dhe më pas rezultuan të vërteta! Besoj ju e kujtoni emrin e Dritan Zaganit?

Ministri Xhafaj: Jo, e kam dëgjuar në media, nuk është se kam një njohje të thelluar për çfarë ai përfaqëson. Di që edhe për atë vetë ka një çështje penale.

Blendi Fevziu: Ai ka qenë i pari që denoncoi lidhjet me Habilajt, çështjen e audit të famshëm të ish-ministrit, paraardhësit tuaj z.Tahiri dhe për të gjitha këto mori këtë reagim, pra ky ishte reagimi ndaj tij, si në materialin e parë. Zaganin e quajti kriminel Kryeministri juaj, ndërkohë doli që akuzat e tij ishin të vërteta z.Xhafaj?

Ministri Xhafaj: Varet nga konteksti që është marrë kjo pjesë. Nëse është fjala për një akuzë që ka pasur ai, apo është fjala për çështjen konkrete, këtë nuk di ta ndaj.

Blendi Fevziu: Sot, do kishit ju kurajën si Ministër i Brendshëm që ta thërrisnit këtë oficer të policisë, qoftë edhe për të marrë vesh se çfarë ka ndodhur, se çfarë di ai përtej atyre që ka deklaruar për trafikun?

Ministri Xhafaj: E para një herë, duhet të jemi të saktë. Ministri i Brendshëm nuk thërret njeri. Është në shkelje të ligjit nëse do ta bënte një gjë të tillë, sepse nuk ka atributet e Oficerit të Policisë Gjyqësore. Së dyti për rastin konkret dhe për personin për të cilin bëhet fjalë, unë di që ka një çështje dhe ai ka të gjithë hapësirën e nevojshme që të shkojë në prokurori dhe të deponojë.

Blendi Fevziu: Unë iu referova Zaganit, por mund t’i referohem edhe një rast tjetër që është po kaq i fort z.Xhafaj edhe pse nuk flet për policinë konkretisht. Bëhet fjalë për deklaratën e Ambasadorit Donald Lu, i cili vazhdimisht ka qenë kurajoz për denoncuar çështje konkrete. Ambasadori Donald Lu ka përmendur dhe emra konkret dhe të gjithë këta persona që ka përmendur janë kandiduar nga PS dhe kanë qenë në detyrë derisa i preku ligji i Dekriminalizimit.

Ministri Xhafaj: E para nuk e di për cilin bëhet fjalë, por në rastin konkret në princip është e drejtë ajo që ka thënë Ambasadori Lu.

Blendi Fevziu: Mjafton t’u kujtoj Kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Krujës etj.

Ministri Xhafaj: Në momentin në të cilin besoj unë ata janë kandiduar ligji për Dekriminalizimin nuk ka qenë në veprim. Në momentin që ligji është miratuar, padyshim ata i janë nënshtruar vlerësimit të ligjit dhe nuk kanë kandiduar.

Blendi Fevziu: Z. Xhafaj, a e dini ju se njerëz të veshur me pushtetin kanë bërë batërdinë me tokat në bregdet dhe kudo tjetër?

Ministri Xhafaj: Nuk di gjë konkrete. Po ta kisha këtë gjë konkrete, ju siguroi z.Fevziu që sot do të ishte në proces investigativ.

Blendi Fevziu: Nisur nga dokumentet e Prokurorisë..

Ministri Xhafaj: Unë iu thashë që disa gjëra i shikoni si tifoz futbolli, sepse doni të lidhni atë që nuk lidhet.

Blendi Fevziu: Cilin rast konkret z.Xhafaj?

Ministri Xhafaj: Ka një diferencë ndërmjet asaj që më thatë ju, persona konkretë nuk e di dhe faktit që ka pasur dhe ka disa hetime konkrete lidhur me tjetërsimin e pronave, të pronës publike dhe sidomos në vijën bregdetare. Ne kemi disa çështje penale që janë në bashkëpunim me Prokurorinë në Kavajë dhe Durrës. Ka një proces hetimi në Lezhë dhe këtë do ta shtrijmë në Vlorë gjithashtu edhe në të gjithë vijën bregdetare.

Blendi Fevziu: Kemi hetime me prova konkrete, apo si ato që nisin, fshihen letrat dhe pastaj mbyllen z. Xhafaj? Pra, do të përgjigjet njeri për grabitjen e pronës shtetërore?

Ministri Xhafaj: Po më pyesni, apo po bëni konkluzione? Jo më vonë se para 2-3 javësh kemi çuar disa njerëz konkrete në përgjegjësi penale. Janë në masë arrest me burg sot.

Unë besoj se shumë shpejt edhe javën që vjen do të ketë disa arrestime konkrete, masa konkrete sigurie për persona të caktuar.

Blendi Fevziu: Masa për persona për çështje grabitjesh të pronave publike në javën e ardhshme?

Ministri Xhafaj: Po besoj që po, sepse kanë përfunduar hetimet për disa dosje penale dhe Prokuroria besoj që javën e ardhshme do i çojë në gjyq. E di çfarë nuk ndaj unë me ju dhe të gjithë ata që bëjnë komente krimin?

Blendi Fevziu: Patjetër.

Ministri Xhafaj: Sepse, shpesh herë me qëllim pa qëllim ne paraqesim gjithë këtë situatë kriminale e cila krijon imazh shumë negativ për imazhin e vendit. Pse? Sot paraqitet sikur Shqipëria dhe shqiptarët janë sot delja e zezë e Europës nga pikëpamja kriminale.

Nga pikëpamja e treguesve kriminal Shqipëria mund të llogaritet dhe konsiderohet në vendet e sigurta sot në Europë dhe me kriminalitet të ulët. Ju më pyetët për grupet kriminale dhe unë ju thashë një shifër.

Rreth 40 grupe kriminale që i konsiderojmë sipas këtij standardi që i kemi futur si grupe kriminale, por nëse do të flasim për organizata kriminale, iu thashë nuk do të kishim as gishtërinjtë e një dore (VIJON)