Postuar më: 18 Nëntor 2017

Shkodër/”Forca e Ligjit”, goditet grupi kriminal ‘Balerina’

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Forcat e Drejtorisë Operacionale dhe  Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, kanë goditur në orët e fundit grupin kriminal “Balerina”, të evidentuar në kuadër të operacionit të gjerë policor “Forca e Ligjit”.

Në këtë kuadër janë arrestuar, 7 shtetas  të dyshuar si anëtarë të këtij Grupi kriminal, e konkretisht:

  • Rinard (Frederik) Tota, 50 vjeç, banues në Shkodër, i dënuar disa herë për vepra të ndryshme penale
  • Kastriot Musa, 41 vjeç, banues në fshatin Barbullush Shkodër
  • M, 32 vjeçe, banuese në qytetin e Shkodrës, e dënuar më parë për veprën penale ushtrim prostitucioni
  • A.M, 33 vjeçe, banuese në  Shkodër
  • A.Ll, 33 vjeçe banuese në Burrel
  • A.N, 25 vjeçe, banuese në Lezhë
  • A.M, 33 vjeçe, banuese në Shkodër.

Është proceduar në gjendje të lirë shtetasi K.N., banues në qytetin e Shkodrës

Ky operacion  u finalizua me sukses pas një hetimi disa mujor me aplikimin  e  metodave speciale të hetimit.

Shtetasi Rinard Tota dyshohet se ishte organizator i kësaj veprimtarie kriminale ku prej kohësh shfrytëzonte për ushtrim prostitucioni shtetaset e sipërpërmendura, në lokalin e tij “TATA”, në qytetin e Shkodrës.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar:

  • ambjenti tre katësh në pronësi të shtetasit Rinard (Frederik) Tota, në të cilin realizohej veprimtaria kriminale.
  • dy automjete tip Benx dhe Land-Rover në pronësi të Rinard (Frederik) Tota
  • një armë zjarri pistoletë.
  • shtatë ora dore dhe një sasi e konsiderueshme bizhuterishë floriri të ndryshme.
  • një laptop dhe 8 telefona celularë të markave të ndryshme.
  • një sasi parash të fituara nga ky aktivitet kriminal në prerje të ndryshme lek, euro, dollarë etj.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprat penale “Prostitucioni, Shfrytëzim prostitucioni, mbajtje e ambjenteve për prostitucion dhe pastrim produktesh të veprës penale”, parashikuar nga nenet 113, 114, 115 dhe 287 të Kodit Penal.

Policia e Shtetit po vijon punën intensive në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” për realizimin e plotë të objektivit për shkatërrimin e të gjitha grupeve të skeduara kriminale dhe sekuestrimin e aseteve të tyre financiare.