Postuar më: 19 Prill 2018

Zv.ministrja e Brendshme Voda pret Sekretarin e Shtetit të Migracionit të Belgjikës

VIDEO   Deklarata e zv.ministres Rovena Voda, gjatë konferencës së përbashkët me Sekretarin për Azilin dhe Migracionin në Belgjikë, Theo Francken

Rovena Voda: Patëm një takim të frytshëm me Sekretarin e Shtetit për Azilin dhe Migracionin e Belgjikës, me të cilin jemi dhe do të jemi në komunikim të vazhdueshëm për adresimin e një sërë çështjesh që preokupojnë vendet tona, por kryesisht ato të migracionit të paligjshëm dhe azilkërkimit.

Dëshiroj të theksoj se marrëdhëniet tona janë në një nivel bashkëpunimi shumë të mirë dhe me rezultate konkrete, por që duhet sigurisht të intensifikohen dhe presim sigurisht rezultate më të mira.E falënderova Sekretarin e Shtetit për mbështetjen që Belgjika i ka dhënë procesit të integrimit të vendit tonë në BE.

Më duhet të theksoj që në fokus të veçantë të diskutimeve tona, siç e thashë,  ishin çështjet e migracionit të paligjshëm dhe azilkërkimit. Në këtë kontekst, i prezantova paketën e masave të marra për frenimin e migracionit të parregullt jo vetëm drejt Belgjikës, por edhe vendeve të tjera të BE-së, të cilat ndikohen nga ky fenomen.

Unë dua të theksoj se ne jemi të vendosur për të minimizuar fenomenin e migracionit të paligjshëm dhe azilkërkimit pasi Shqipëria është një vend i orgjinës  së sigurt dhe dua të theksoj së që nga muaji korrik 2017, Policia e Shtetit ka forcuar masat në të gjitha pikat e kalimit kufitar, me fokus të veçantë të miturit e pashoqëruar, duke proceduar me ndjekje penale për të prindërit që lenë të miturit e pashoqëruar në vendet e BE-së.

Kemi bërë fushata intensive sensibilizuese; masa administrative dhe procedime për favorizuesit dhe nxitësit e azilit të paligjshëm; kemi proceduar punonjës policie që duke shpërdoruar detyrën apo përmes korrupsionit lejonin kalimin e personave me probleme në dokumentacion për të udhëtuar në Shengen; si dhe jemi të vendosur për goditjen e grupeve kriminale që janë  të përfshira në këtë veprimtari.

Të gjitha këto masa që ne kemi ndërmarrë deri tani kanë dhënë një efekt paraprak. Në vendet e zonës Shengen ne kemi një ulje të kërkesës për azil me 24% për vitin 2017, sipas të dhënave të Eurostat.

Gjithashtu mjafton të kujtojmë faktin se 3 muajt e parë të këtij viti, iu është refuzuar dalja rreth 5,400 shtetasve shqiptarë për mungesë dokumentacioni.

Por, sigurisht ne jemi të ndërgjegjshëm që lufta jonë ndaj këtij fenomeni duhet të vazhdojë. Masat shtrënguese janë njëra anë, por nga ana tjetër Ministria e Brendshme ka hartuar dhe ka gati për miratim një Plan e Veprimi të gjerë për parandalimin e fenomenit të azilit në vendet e BE-së dhe zonën Shengen. 

Mbetemi tërësisht të angazhuar të bashkëpunojmë me palën belge, për të zhvilluar një analizë të detajuar të fenomenit të azil kërkimit, shkaqeve dhe faktorëve që e nxisin atë.

Do të vijojmë të bashkëpunojmë edhe më afër në planin operacional me Belgjikën dhe jam e bindur se eksperiencat që kemi pasur me vende të tjera të BE-së, do të shërbejnë si model në adresimin e kësaj çështje me më shumë efektivitet në të ardhmen.

Faleminderit!

Fjala e z.Theo Francken, Sekretar për Azilin dhe Migracionin në Belgjikë:

Unë kam ardhur në Shqipëri për të trajtuar së bashku me autoritetet shqiptare çështjen e migracionit të paligjshëm nga Shqipëria në Belgjikë dhe për t’i dhënë të gjithë qytetarëve shqiptarë një paralajmërim të fortë sa i përket migracionit të paligjshëm, që emigracioni i paligjshëm në Belgjikë nuk është absolutisht një opsion. Përkundrazi në fakt do të jetë një përpjekje e kotë dhe e pavlerë sepse do të jetë e kushtueshme dhe e vetmja gjë që do të bëjë është që ju do t’ju kthejnë sërish në Shqipëri në mënyrë shumë të shpejtë.

Së pari dëshiroj të shpreh falënderimet dhe lavdërimet e mia për autoritetet shqiptare për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi ne në këtë fushë. Gjë që do të thotë që duke na asistuar dhe duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin në kthimin e qytetarëve shqiptarë në Shqipëri, do të thotë që Shqipëria e merr shumë seriozisht çështjen e liberalizimit të vizave dhe gjithçka që rrjedh prej saj.

Në sajë të këtij bashkëpunimi të shkëlqyer që kemi pasur ne kemi mundur që vitin e shkuar të kthenim në Shqipëri, 689 qytetarë shqiptarë të cilët ishin në Belgjikë në mënyrë të parregullt, të paligjshme ndërsa 556 prej tyre u kthyen në Shqipëri me forcë. Dhe një në pesë persona që janë riatdhesuar në vendet e tyre, nga Belgjika, kanë qenë shqiptarë. Megjithatë na duhet të themi që nuk janë vetëm këto përpjekje që kanë të bëjnë për kthimin e detyruar apo me forcë në ato raste kur duhet, ne po ashtu aplikojmë edhe masa shumë të forta kontrolli në kufijtë tonë, pra në hyrje në Belgjikë.

Është e vërtetë se shqiptarët gëzojnë tashmë regjimin pa viza në vendet Shengen por nuk duhet harruar që ky regjim ka kufizime tejet të forta. Që do të thotë që janë rojet tona të kufirit, ose policia jonë kufitare në Belgjikë e cila në mënyrë të rregull i pyet qytetarët shqiptarë kur vijnë në Belgjikë, në pika kufitare duke i pyetur ata fare qartë për arsyet e vizitës së tyre në Belgjikë, qoftë kjo edhe çfarë hoteli kanë, çfarë mjetesh financiare kanë, pra gjithçka që ka të bëjë me vizitën e tyre.

Në rast se rojet e kufirit kanë dyshim, nga pyetjet e përgjigjet që marrin gjatë intervistës që personi pas tre muajve mund të mos kthehet në Shqipëri, atëherë këtyre  personave u refuzohet hyrja në Belgjikë dhe vihen menjëherë në avion dhe riatdhesohen në Shqipëri. Ky ka qenë procesi që është ndjekur vitin e shkuar kur ne kemi kthyer në Shqipëri 678 qytetarë shqiptarë.

Unë kam një mesazh për të gjithë qytetarët shqiptarë: - ju lutem, informohuni para se të vini në Belgjikë, para se të hyni në zonën Schengen. Ju mund të vizitoni Belgjikë dhe jeni të mirëseardhur, mund ta vizitoni Bryzhin një nga qytetet më të bukura në botë, ju mund t’i vizitoni qytetet tona, mund të hani, të pini, të argëtoheni, të kënaqeni, të blini në dyqane, jeni të mirëpritur në Belgjikë, por informohuni përpara se të vini në Belgjikë për të vizituar familjarët tuaj.  Ne kemi një komunitet të gjerë shqiptar në Belgjikë, jeni të mirëpritur por kontrollorët e kufijve janë strikt, policia jonë është strikte dhe nëse ju nuk i plotësoni të gjitha kushtet e regjimit pa viza; pra ju duhet të keni një arsye të besueshme se përse vini në Belgjikë; ju duhet të keni parà për 3 muaj qendrim, ndërsa kur ju vini me vetëm 50 euro dhe pa asnjë kredit-kartë, apo tjetër, atëherë ju nuk mund të hyni dhe nuk do t’ju lënë të hyni, sepse është e pamundshme të jetosh në Belgjikë me 50 euro.

Prandaj ne kemi nisur një fushatë njoftimesh, Shqipëria me Hollandën... kjo është shumë e rëndësishme, është një flyer (fletë-palosje) e cila u jepet shumë shqiptarëve në aeroporte, në kufij; lexojeni, kontrolloni veten tuaj, dhe aplikojeni këtë. Sepse nëse nuk e bëni këtë, ne nuk ju lëmë që të hyni në Belgjikë. Dhe ne do t’ju kthejmë brenda 24 orëve. Po ashtu ne kemi marrë masa që njerëzit të mos arrijnë ta shpërdorojnë sistemin tonë të azilkërkimit. Përsa u përket autoriteteve belge mund t’ju themi qartë që për ne Shqipëria është një vend i sigurt dhe një demokraci e stabilizuar.

Dhe kjo është arsyeja sepse për qytetarët shqiptar ne kemi bërë gati dhe tashmë po aplikojmë një sistem që e sjell vendimin shumë shpejt për kërkesat për azil. Kjo do të thotë që brenda pak javësh ne arrijmë në një vendim të shpejtë. Dhe më lejoni të jem fare i qartë. Vendimi për azilkërkim ka për të qenë negativ. Ai do të shoqërohet me një urdhër të menjëhershëm largimi nga territori i Belgjikës si dhe po ashtu me një urdhër, i cili ju ndalon hyrjen në të gjithë zonën Shengen.

Megjithatë pavarësisht kësaj, ne shikojmë që ka qytetarë shqiptarë që abuzojnë me sistemin tonë të azilkërkimit duke e shfrytëzuar dhe keqpërdorur atë. Ne jemi këtu për t’ju thënë një gjë, se nuk do të lejojmë që ky sistem të vazhdojë të keqpërdoret. Për ne Shqipëria është një vend i sigurt që do të thotë që qytetarëve shqiptarë nuk u jepet azil në Belgjikë. Belgjika nuk është vendi i “arit” ku mund të gjeni çfarëdo lloj gjeje që të kërkoni, prandaj mos ejani në Belgjikë për të kërkuar azil pasi nuk do ta merrni atë. Shqipëria qëndron në 5 vendet e para për kërkesa të azilit në Belgjikë. Siria, Afganistani dhe Shqipëria. Kjo nuk ka kuptim. Ne i japim azil shtetasve nga Siria. Ne nuk i japim azil shtetasve që vijnë nga Shqipëria. Ky nuk është një vend në luftë; ky nuk është një vend me politika opresive; ky nuk është një vend ku gazetarët futen në burg dhe kjo është një demokraci e qëndrueshme. Pra ne nuk u japim azil shqiptarëve. Belgjika mirëpret ata shqiptarët që vijnë sipas rregullave për të punuar, studiuar dhe turizëm, por ne nuk pranojmë shqiptarë që nuk respektojnë ligjet tona të migracionit. 

Ju falënderoj të gjithëve për vëmendjen dhe dëshiroj të falënderoj dhe një herë qeverinë shqiptare për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi me ta.