PROGRAMI I QEVERISË 2017 – 2021 (Ministria e Brendshme)

PROGRAMI I QEVERISË 2017 – 2021

RENDI DHE SIGURIA PUBLIKE

Arritja e standardit të vendeve të BE-së për sa i përket rendit dhe sigurisë publike është sfida e kësaj Qeverie për 4 vitet e ardhshme.

Fokusi i prioriteteve strategjike dhe veprimit në fushën e rendit dhe sigurisë së brendshme do të jetë:

- Forcimi i institucioneve përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike. I gjithë efektivi i Policisë së Shtetit do t’i nënshtrohen procesit të “Vetting”-ut mbështetur në një kuadër ligjor të posaçëm të hartuar dhe monitoruar ngushtësisht dhe drejtpërdrejtë nga partnerët ndërkombëtarë. Procesi do të përfshijë edhe një rikonceptim të plotë të sistemit të rekrutimit dhe promovimit bazuar tërësisht në meritë dhe me karakteristikë themelore transparencën.

- Riorganizimi i sistemit të prezencës së policisë në territor duke siguruar një kontroll më profesional të tij dhe aplikimin e politikave të “policimit në komunitet”. Në kuadër të këtij organizimi, krahas të tjerave, do të punohet për ngritjen e grupeve monitoruese/këshilluese me anëtarë të komunitetit. Ndryshimi cilësisht i sistemit të kontrollit të territorit dhe policimit në komunitet do t’i shërbejë para së gjithash parandalimit të kriminalitetit dhe shkeljeve të ligjit. Situata e kriminalitetit në një territor të caktuar do të jetë matësi dhe vlerësimi i punës për çdo punonjës policie përgjegjës për atë territor.

- Lufta pa kompromis dhe ndëshkimi i ashpër penal ndaj grupeve dhe/ose organizatave kriminale të ndryshme duke goditur çdo aset ekonomik të paligjshëm të tyre, përbën një prioritet absolut për Qeverinë shqiptare. Ristrukturimi i plotë i strukturave policore të angazhuara në këtë luftë dhe përcaktimi më i mirë i zinxhirit të përgjegjësisë së hetimit të çështjeve të tilla, do të jetë prioritet. Do të rishikojmë kuadrin ligjor që lidhet me hetimin e veprave penale duke synuar forcimin e përgjegjësive të trupës përkatëse hetimore. Do të ndryshojmë, pa cenuar asnjë standard që respekton liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, sistemin e vëzhgimit dhe të mbledhjes së çdo informacioni që lidhet me grupet kriminale, veçanërisht të atyre që janë në trafikun e drogës. Përfshi këtu edhe subjekte që kryejnë investime që nuk rezultojnë të kenë aktivitet ekonomik që justifikon të ardhurat e investuara. Me fillimin e funksionimit të institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë besojmë që policia dhe prokuroria do të ndërtojnë besim reciprok dhe bashkëpunim efektiv.

- Mbetet prioritet për Qeverinë e re forcimi i kontrollit në kufij dhe përmirësimi i shërbimit në pikat e kalimit kufitar si kusht për të garantuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.

- Ne rikonfirmojmë zotimin e Qeverisë shqiptare për të kthyer në një realitet të konsoliduar atë çfarë arritëm qysh këtë vit - heqjen e vendit tonë nga harta e vendeve kultivuese të kanabisit. Në kuadër të këtij procesi do të investigohet mbi çdo pasuri, të luajtshme dhe të paluajtshme që është krijuar nga të ardhura të pajustifikuara dhe më së shumti të rrjedhura nga trafiku i drogës. Në zbatim të planit kombëtar të veprimit kundër kultivimit të kanabisit, Qeveria do të krijojë një sistem efiçent mbështetje për zhvillimin e ekonomisë bujqësore në territoret e prekura nga kjo dukuri. Do të merren masa të ashpra për të goditur fort rastet e pranisë dhe aksesit ndaj drogave pranë institucioneve arsimore dhe në të gjitha mjediset e frekuentuara nga nxënës dhe studentë.

- Lufta me tolerancë zero ndaj korrupsionit, sidomos korrupsionit në nivelet e larta dhe sekuestrimi dhe konfiskimi i të ardhurave me origjinë kriminale, aseteve kriminale apo pasurisë së pajustifikuar të vënë nga korrupsioni zyrtar përbëjnë një tjetër prioritet për ne si Qeveri.

- Ne do të angazhohemi për përmirësimin rrënjësor të sistemit të kontrollit rrugor, duke synuar krijimin e një kulture europiane në qarkullimin e mjeteve dhe të njerëzve dhe sidomos në menaxhimin e sigurisë rrugore. Numri i punonjësve të policisë rrugore i pranishëm në akset rrugore gradualisht do të reduktohet dhe zëvendësohet nga pajisjet teknologjike. Sistemi i evidentimit të shkeljeve rrugore do të jetë i informatizuar. Sistemet teknologjike që do të aplikohen me këtë rast do të japin të dhëna në kohë reale edhe mbi mjetet që qarkullojnë duke identifikuar në kohë reale edhe raste të qarkullimit të mjeteve më të dhëna teknike jo të rregullta dhe/ose të vjedhura etj.

- Në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, do të hartojmë Strategjinë Kombëtare të Inteligjencës dhe Informacionit, ku do të përfshihen ndër të tjera edhe Ngritja e një Sistemi Kombëtar të Unifikuar të Dhënash (Database). Do të ngrihet Shërbimi i Unifikuar i Komunikimit, i Menaxhimit të Fluksit të Dokumenteve të Punës, dhe Teknologjisë së Komunikimit dhe Informacionit si mjete menaxhimi efektiv brenda policisë së shtetit për administrimin e dokumenteve ligjore dhe për koordinimin efektiv me zyrën e prokurorisë, Prokurorinë speciale dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.

- Priotetet e mësipërme kërkojnë si domosdoshmëri konsolidimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me organizatat e specializuara në luftën kundër krimit përfshi dhe asistencën direkte në territorin tonë nga institucionet ndërkombëtare dhe/ose nga shërbimet policore partnere në luftë kundër krimit, kryesisht atij të organizuar. Në këtë kontekst do të përdorim me sukses ngritjen e skuadrave policore mobile të përbashkëta me vendet partnere si mundësi për shkëmbimin e shpejtë të informacionit, kryerjen e operacioneve të përbashkëta të hetimit penal, mbrojtjen më mirë të të dhënave dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë, përdorimin e metodave dhe teknologjisë bashkë- kohore, por edhe si një mundësi e mirë për aftësimin e mëtejshëm profesional të strukturave tona policore.

 

PROGRAMI I QEVERISË 2013 – 2017  (Ministria e Punëve të Brendshme)

Siguria e jetës

Rritja drastike e shifrave të kriminalitetit, veçanërisht e veprave penale të rënda kundër jetës e pronës së qytetarëve dhe shkelja e vazhdueshme e të drejtave e lirive themelore të njeriut, dikton domosdoshmërinë e një reforme themelore shumëdimensionale për të rikthyer sigurinë dhe garantimin e rendit publik, të jetës shoqërore dhe të zhvillimit të sipërmarrjes në Shqipëri, si dhe përmbushjen e angazhimeve tona rajonale e ndërkombëtare.

Anashkalimi ose shkelja e ligjit, mungesa e transparencës dhe e pjesëmarrjes së publikut, anarkia në kuadrin ligjor e reformat sektoriale, militantizmi, mungesa e profesionalizmit, formimi i munguar, demotivimi e në shumë raste, korrupsioni ose lidhjet me botën e krimit, janë ndër arsyet e rritjes eksponenciale të shifrave të krimit dhe nivelit të ulët të efikasitetit të Policisë së Shtetit, duke cënuar besimin e publikut në forcën dhe zbatimin e ligjit.

Duke e konsideruar një prioritet absolut, sigurinë dhe rivendosjen e rendit publik, Qeveria angazhohet për të rikthyer besimin e publikut në një Shqipëri më të sigurt, ku forca e ligjit vlen për të gjithë në mënyrë të barabartë, në përmbushje dhe respekt të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Objektivi ynë absolut është shembja e murit të pandëshkueshmërisë dhe imuniteteve të paligjshme.

Ne:

  1. do të rikthejmë Policinë e Shtetit në krye të detyrës, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike;
  2. do të rikthejmë Policinë e Shtetit në kontroll të territorit, duke angazhuar të gjitha burimet e nevojshme për parandalimin e krimit dhe uljen dukshëm të shkallës së kriminalitetit;
  3. do të normalizojmë trafikun rrugor, duke marrë masat e domosdoshme për evitimin e aksidenteve të rënda;
  4. do të përmirësojmë cilësisht shërbimin e Policisë së Shtetit në kufi dhe luftën kundër krimit ndërkufitar. Qeveria do të ndërmarrë masa për parandalimin e krimit kundër jetës dhe pronës së qytetarëve, duke i kushtuar vëmendje të veçantë rasteve të krimit në familje, mbi baza gjinore, kundër të miturve, të moshuarve e të gjitha shtresave shoqërisht në nevojë, hakmarrjes dhe gjakmarrjes, si dhe ndaj konflikteve të hapura me potencial për të sjellë pasoja kriminale.

Duke përfituar edhe nga ndihma dhe përvoja e partnerëve ndërkombëtarë, do të shënojmë rritje cilësore në luftën kundër krimit ekonomik e veçanërisht kundër pastrimit të parave. Ne do të ridimensionojmë po ashtu, luftën e Policisë së Shtetit ndaj veprave penale kundër mjedisit, shkatërrimit të territorit, monumenteve dhe trashëgimisë kulturore.

Qeveria e re do të zbatojë një program konkret për reformimin e thellë të Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese:

  1. për të përmbushur standardet më të larta të funksionimit demokratik, transparent, të kontrollueshëm dhe llogaridhënës ndaj qytetarëve;
  2. për të vënë në zbatim një model pune të bazuar rigorozisht në zbatimin e ligjit, përgjegjësitë, kompetencat, procedurat e veprimtarisë së Policisë së Shtetit; si dhe
  3. për të konsoliduar marrëdhëniet me institucionet e pavarura dhe bashkëpunimin intensiv me partnerët ndërkombëtarë e ndërveprimin policor rajonal dhe ndërkombëtar.

Kjo reformë do të nisë me rikonceptimin strukturor dhe funksional të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Synimi kryesor është ndërtimi i një sistemi mekanizmash të përqëndruara që garantojnë efikasitet, përgjegjshmëri, veprim funksional për mbrojtjen e plotë të ligjit në të gjithë vendin dhe efektivitet në kohë.

Parimi i reformës “Një Shtet – Një Polici” do të bëjë të mundur njësimin e funksioneve policore të disa agjencive ligjzbatuese të ngjashme, duke eleminuar mbivendosjen e kompetencave, anarkinë e veprimit ose mosveprimin, si dhe duke garantuar standardizimin e veprimit në territor dhe kohë.

SHTETI I SË DREJTËS DHE DEMOKRATIZIMI I SHOQËRISË  

Qeveria do të fokusohet në përmirësimin e menjëhershëm të cilësisë së shërbimit të Policisë së Shtetit për qytetarët, duke rritur fuqinë parandaluese e goditëse ndaj krimit dhe duke garantuar barazinë para ligjit, pa asnjë përjashtim.

Qeveria do të angazhojë të gjitha burimet e duhura për të vënë në jetë parimet themelore në veprimtarinë e punonjësve të Policisë së Shtetit: unifikimi i procedurave të punës, standardizimi i protokollit të performancës, raportimi dhe monitorimi i efikasitetit në punë, thjeshtimi i strukturës organizative dhe reforma e niveleve të drejtimit, ridimensionimi i përgjegjësive për çdo funksion, përcaktimi i ngarkesës së punës dhe përgjegjësitë përkatëse.

Zbatimi me efektivitet i këtyre parimeve do të garantojë që asnjë shkelje e ligjit të mos rezultojë e pandëshkuar për mungesë apo konfuzion kompetencash ose mosushtrim të kompetencave të njohura nga kuadri ligjor.

Qeveria do të riorganizojë njësitë policore që shërbejnë pranë qytetarëve, duke synuar përforcimin e shërbimit në territor pranë njerëzve, rritjen e cilësisë së policimit, ndërhyrjes dhe zgjidhjen në kohë të konflikteve që kthehen në burim të ngjarjeve kriminale.

Për të shtuar forcën parandaluese të Policisë dhe hetimin efektiv të veprave penale,

  1. do të shkurtojmë hallkat e tepërta të drejtimit të strukturave të Policisë;
  2. do të ridimensionojmë dhe përforcojmë strukturat bazë të Policisë në nivel të komunitetit;
  3. do të rishpërndajmë forcën policore, duke mbajtur parasysh lëvizjet demografike dhe hartën e potencialit kriminal;
  4. do të vëmë në zbatim një sistem të përpunimit të hollësishëm të informacionit dhe të analizave kriminale;
  5. do të ndërtojmë partneritet efektiv dhe të qëndrueshëm mes Policisë së Shtetit, institucioneve të qeverisjes vendore, shoqërisë civile dhe komunitetit.

Për të rritur shkallën e bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe qytetarëve, veçanërsiht brezit të ri, qeveria do të përfshijë në kurrikulën e arsimit të detyrueshëm elementët themelorë të edukimit ligjor lidhur me fenomenet kriminale, qarkullimin rrugor, misionin dhe funksionet e Policisë së Shtetit, si dhe edukimin qytetar për transparencë dhe pjesëmarrje në policim.

Do të organizojmë një seri aktivitetesh sensibilizuese për njohjen e legjislacionit dhe bashkëpunimin e publikut në parandalimin dhe evidentimin e veprave penale.

Do të zbatojë një plan masash konkrete për t’i rikthyer dinjitetin dhe autoritetin institucionit dhe punonjësve të Policisë së Shtetit. Këto masa do të përfshijnë drejtimet në vijim.

Ne do të saktësojmë, modernizojmë dhe respektojmë plotësisht kriteret e rekrutimit, promovimit dhe karrierës për punonjësit e Policisë së Shtetit; do të përcaktojmë saktë përshkrimin e punës, përgjegjësitë, si dhe procedurat e punës, monitorimit, vlerësimit dhe promovimit për çdo punonjës të Policisë së Shtetit në të gjitha nivelet duke korrigjuar paligjshmërinë, korrupsionin, militantizmin dhe mungesën e profesionalizmit në këto procese.

Mbi këtë bazë, do të rikthejmë vlerat e meritokracisë, profesionalizmit, paanshmërisë dhe devotshmërisë në detyrë dhe do të promovojmë një model policor modern në formë dhe përmbajtje.

Në këtë kuadër, ne do të ridimensionojmë sistemin e gradave duke synuar konsolidimin e karrierës dhe gradës për funksion.

Ne do të reformojmë rrënjësisht sistemin e arsimit dhe formimit të vazhdueshëm për punonjësit e Policisë së Shtetit, me qëllim diversifikimin e kapaciteteve njerëzore të Policisë së Shtetit dhe përshtatjen me hapat e zhvillimit shoqëror e kulturor të vendit tonë. Formimi vazhdues do të jetë një element themelor për promovimin dhe karrierën e punonjësve të Policisë.

Qeveria jonë do të përmirësojë menaxhimin e burimeve mbështetëse për të përmirësuar kushtet e punës, teknologjinë e shërbimit, si dhe menaxhimin financiar, me qëllim motivimin dhe rritjen e performancës së shërbimit të Policisë së Shtetit.

Qeveria angazhohet të rishikojë trajtimin financiar dhe pagat bazë të punonjësve të Policisë dhe do të shqyrtojë efikasitetin e përdorimit të pagesës së diferencuar për punonjësit që arrijnë rezultate të larta në luftën kundër krimit.

Duke rivlerësuar dimensionin human dhe solidar të Policisë së Shtetit si institucion, qeveria do të SHTETI I SË DREJTËS DHE DEMOKRATIZIMI I SHOQËRISË garantojë përkujdesje shtetërore të posaçme për familjet e punonjësve të Policisë që kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Qeveria do të rivendosë marrëdhënien e besimit dhe bashkëpunimit reciprok mes Policisë së Shtetit me institucionet e pavarura kushtetuese që kanë rol kyç në luftën kundër krimit, veçanërisht Prokurorinë, Shërbimin Informativ Shtetëror dhe sistemin gjyqësor, duke rishikuar kuadrin e përbashkët të akteve koordinuese dhe bashkëpunimin me njësitë e përbashkëta të luftës kundër trafiqeve, krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Qeveria angazhohet për bashkëpunim të hapur, të gjerë dhe në mirëbesim të plotë me partnerët ndërkombëtarë dhe agjencitë policore të vendeve të rajonit dhe BE-së për të rritur efikasitetin në hetimin dhe goditjen e krimit ndërkufitar e krimit të organizuar; për të bashkërenduar punën fushën e formimit policor, dhe për të përfituar nga ndihma e tyre në zhvillimin e teknologjisë dhe të insfrastrukturës.

Qeveria do të garantojë transparencë të plotë për qytetarët dhe mediat lidhur me veprimtarinë e Policisë së Shtetit.

Ne do të zgjerojmë, modernizojmë dhe përmirësojmë komunikimin dhe bashkëpunimin me mediat për t’u krijuar atyre mundësitë që u takojnë me ligj, për të monitoruar punën e qeverisë për parandalimin, hetimin dhe ndëshkimin e krimeve, si dhe për të kontribuar në konsolidimin e kulturës së zbatimit të ligjit në Shqipëri.