Fusha e veprimtarisë së Zv.ministrave

URDHËR

Nr.03, datë 05.01.2018

PËR CAKTIMIN E FUSHËS SË VEPRIMTARISË QË MBULOJNË ZËVENDËSMINISTRAT NË MINISTRINË E BRENDSHME

Në mbështetje të pikës 4, të nenit 102, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të ligjit nr. 9000, datë 30.01.2003, "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave", të ligjit nr. 44/2015 "Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë", të ligjit nr. 90/2012, "Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore" dhe të vendimit nr. 502, datë 13.09.2017, të Këshillit të Ministrave "Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Brendshme"

URDHËROJ:

1. Zëvendësministri i Brendshëm, zoti Julian HODAJ, të ndjekë dhe të përgjigjet përpara ministrit, për çështjet që kanë të bëjnë me:

a) Përgatitjen, koordinimin dhe ndjekjen e procesit të rivlerësimit në strukturat e Policisë së Shtetit, Gardën e Republikës dhe SHÇBA (Vetting-u);

b) Ndjekjen dhe monitorimin e procesit normativ të Ministrisë së Brendshme;

c) Koordinimin dhe ndjekjen e procesit të reformës në Akademinë e Sigurisë;

d) Funksionimin dhe veprimtarinë e SHÇBA-së;

e) Rekrutimin, garantimin e karrierës dhe vazhdimin në detyrë të personelit, në Policinë e Shtetit;

f) Forcimin e sigurisë rrugore;

g) Bashkëpunimin me institucionet e sistemit të drejtësisë dhe agjencitë ligj zbatuese në vend.

2. Zëvendësministri i Brendshëm, zonja Rovena VODA, të ndjekë dhe të përgjigjet përpara ministrit, për çështjet që kanë të bëjnë me:

a) Koordinimin dhe kontrollin e veprimtarisë së strukturave të ngarkuara me zbatimin e Planit të Veprimit kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit, me cilësinë e Drejtuesit të Task Forcës Qendrore;

b) Monitorimin dhe bashkëpunimin me institucionet e ngarkuara për zbatimin e masave në kuadër të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore;

c) Ndjekjen e procedurave për fitimin, rifitimin dhe lënien e shtetësisë shqiptare;

d) Ndjekjen e procedurave për azilin në Republikën e Shqipërisë, përcaktimin e kushteve për integrimin e personave që kanë fituar status, si dhe pajisjen e tyre me dokumente identifikimi;

e) Çështje të cilat kanë të bëjnë me migracionin e paligjshëm dhe azil kërkimin;

f) Kontrollin kufitar, hyrjen, qëndrimin, trajtimin dhe daljen e të huajve nga Republika e Shqipërisë, si dhe pajisjen e tyre me dokumente identifikimi;

g) Ruajtjen dhe sigurinë e territorit dhe të ndërtimeve, si dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së inspektorateve përgjegjëse;

h) Ruajtjen dhe mbrojtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe të objekteve të rëndësisë së veçantë - veprimtaria e Gardës së Republikës;

i) Organizimin dhe funksionimin e shërbimit të gjendjes civile në Republikën e Shqipërisë.

3. Zëvendësministri i Brendshëm, zonja Romina KUKO, të ndjekë dhe të përgjigjet përpara ministrit, për çështjet që kanë të bëjnë me:

a) Rendin dhe sigurinë publike;

b) Parandalimin e kriminalitetit, policimin në komunitet dhe angazhimin qytetar për siguri;

c) Koordinimin dhe monitorimin e masave dhe projekteve të Ministrisë së Brendshme, në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian;

d) Zbatimin e reformës administrativo-territoriale dhe decentralizimin; bashkërendimin me njësitë e vetëqeverisjes vendore me fokus funksionimin e prefekturave të qarqeve;

e) Shërbimet ndaj qytetarëve dhe çështje që lidhen me statistikat;

f) Parandalimin e dhunës në familje, me fokus mbrojtjen e grave dhe të fëmijëve,

4. Zëvendësministri i Brendshëm, zoti Besfort LAMALLARI, të ndjekë dhe të përgjigjet përpara ministrit, për çështjet që kanë të bëjnë me:

a) Zbatimin e objektivave dhe masave të Planit të Veprimit për Luftën kundër Krimit të Organizuar, Operacioni "Forca e Ligjit";

b) Reformimin e strukturave të hetimit në Policinë e Shtetit;

c) Luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave;

d) Reformën në fushën e Inteligjencës dhe Informacionit;

e) Marrjen e masave për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë;

f) Bashkëpunimin ndërkombëtar në fushat e mësipërme.

5. Ngarkohen zëvendësministrat përgjegjës për zbatimin e këtij urdhri.

6. Ngarkohet Sektori i Arkiv-Protokollit, për njoftimin e këtij urdhri institucioneve të varësisë dhe drejtorive të aparatit të Ministrisë së Brendshme.

Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.

MINISTRI

FATMIR XHAFAJ

Dokumentat e bashkëngjitura