Baza Ligjore

Zyra e Koordinatorit Kombëtar kryen gjithë veprimtarinë e saj nëpërmjet Njësisë Antitrafik, strukturë e ngritur në bazë të Urdhrit të Kryeministrit, nr. 203, datë 19.12.2005. Njësia Antitrafik përbëhet nga Drejtori i Njësisë Antitrafik dhe 4 Koordinatorë. Njësia Antitrafik drejtohet nga Zëvendësministri i Brendshëm, Koordinator Kombëtar për Luftën kundër Trafikimit të Personave dhe ka për detyrë të monitorojë dhe koordinojë të gjitha aktivitetet antitrafik në vend.

Znj. Rovena Voda, është diplomuar si Juriste, Fakulteti i Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës në vitin 2000. Nga shtatori 2014 deri më mars 2017 znj.Voda ka mbajtur postin e Drejtorit të Kabinetit të ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin. Prej 22 marsit 2017, znj.Voda u emërua në pozicionin e Drejtorit të Kabinetit të ministrit të Punëve të Brendshme. Që prej 22 majit 2017, znj.Voda është emëruar në pozicionin e zv/ministres së Brendshme.

Përfshirja e personaliteteve të njohura i ka dhënë një dimension të ri real, mirëfunksionues, të gjithë hallkave të zinxhirit shtetëror, përfshirë këtu edhe një nga angazhimet premtimmbajtëse të qeverisë; luftën kundër krimit të organizuar dhe, për rrjedhojë, luftën kundër trafikimit të personave.

Detyrat e ngarkuara Njësisë Antitrafik:

  • Monitoron veprimtarinë e institucioneve të ngarkuara për zbatimin e Strategjisë    Kombëtare të Luftës kundër Trafikut të Qenieve Njerëzore;
  • Bashkërendon punën me këto institucione në zbatim të detyrave të ngarkuara nga Strategjia Kombëtare e Luftës kundër Trafikut të Qenieve Njerëzore;
  • Mbledh nga institucionet e përfshira në Strategji dhe nga burime të tjera publike të dhëna për çështje të luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe i përpunon ato;
  • Administron bazën e të dhënave të luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe paraqet raporte përmbledhëse në Komitetin Shtetëror (Ndërministror) të Luftës kundër Trafikut të Qenieve Njerëzore;
  • Propozon ndryshime dhe përmirësime në sistemet dhe mekanizmat e Strategjisë Kombëtare të Luftës kundër Trafikut të Qenieve Njerëzore;
  • Nxit rritjen e transparencës së veprimtarisë së institucioneve shtetërore, me synim ndërgjegjësimin në këtë fushë, duke bashkëpunuar me institucionet e tjera dhe shoqërinë civile për këto çështje.
  • Gjithashtu Njësia Antitrafik kryen rolin e Sekretariatit Teknik të Komitetit Shtetëror të Luftës kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore.
Dokumentat e bashkëngjitura