Vlora në kalendarin për ndërgjegjësimin e strukturave shtetërore dhe shoqërisë civile mbi migracionin e parregullt drejt BE

24-25 Janar 2018 - Zyra e Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave në bashkëpunim me Komitetin Rajonal Antitrafik, Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit (Departamenti për Kufirin dhe Migracionin)  dhe Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), në vijim të aktiviteteve ndërgjegjësuese në zbatim të projektit "Mbi parandalimin e migracionit të parregullt", në datat 24 dhe 25 janar zhvilluan takime informuese në qarkun e Vlorës.

Takimet e organizuara përfshinë një workshop me anëtarë të Tryezës Teknike Antitrafik, si dhe përfaqësues nga bashkia, këshili i qarkut, sistemi arsimor, shërbimi social shtetëror, sistemi shëndetësor, njësitë e qeverisjes vendore, punonjësit e Mbrojtjes së fëmijëve, etj., ku u diskutua rreth identifikimit të viktimave të trafikimit, migracionit të parregullt, rolit të shkollës në parandalimin  e trafikimit dhe të migracionit të parregullt, etj., ku morën pjesë 22 pjesëmarrës.

Gjithashtu, u zhvilluan takime informuese më nxënës të shkollës së mesme “Ali Demi” me një pjesëmarrje prej 30 nxënësish, i cili vijoi me një workshop me mësuesit e kësaj shkolle me pjesëmarrjen e 21 mësuesve. Nxënësve iu shpërndanë pyetësorë vlerësimi para dhe pas takimit, për të mbledhur reagimet e studentëve dhe informacioni i mbledhur do të përdoret për vlerësimin e ndikimit në fund të fushatës.

Më tej u zhvillua një takim me punonjësit e Zyrës Rajonale të Punësimit, ku u informuan për fushatën kombëtare dhe ngritjen e vetëdijes lidhur me parandalimin e migracionit të parregullt.

Në portin e Vlorës, nga punonjësit e kufirit u shpërndanë fletëpalosje për qytetarët që do të udhëtonin drejt Iitalisë dhe u informuan lidhur me fushatën ndërgjegjësuese. Gjithsej në qarkun Vlorë po shpërndahen 4000 fletëpalosje.