Shkodër - Vijon turi i takimeve ndërgjegjësuese mbi parandalimin e migracionit të parregullt

13–14 Dhjetor, Shkodër – Zyra e Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, në bashkëpunim me Komitetin Rajonal Antitrafik, Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit (Departamenti për Kufirin dhe Migracionin)  dhe Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), në vijim të aktiviteteve ndërgjegjësuese në zbatim të projektit "Mbi parandalimin e migracionit të parregullt", në datat 13 dhe 14 dhjetor  zhvilluan takime informuese në qarkun e Shkodrës.

Takimet e organizuara përfshinë një workshop me anëtarë të Tryezës Teknike Antitrafik, si dhe përfaqësues nga Këshilli i qarkut, sistemi arsimor, shërbimi social shtetëror dhe i bashkisë, njësitë e qeverisjes vendore etj. Në to u diskutua rreth identifikimit të viktimave të trafikimit, migracionit të parregullt, rolit të shkollës në parandalimin  e trafikimit dhe të migracionit të parregullt etj., dhe morën pjesë 23 pjesëmarrës.

Në diskutimet  e tyre pjesëmarrësit theksuan nevojën për krijimin e mundësive për zhvillimin e komunitetit përmes mbështetjes së kategorive të cenueshme për zbatimin e projekteve që adresojnë çështjet ekonomike sociale. Duhet të merren parasysh nevojat për gratë, fuqizimi i komunitetit dhe projektet e zhvillimit, duke u fokusuar në zonat rurale, për të krijuar mundësitë për punësim. Përpjekjet duhet të përqendrohen më drejtpërdrejtë tek familjet. Ndërsa u vu në dukje rëndësia e medias dhe roli i tyre vendimtar në fushatat e ndërgjegjësimit.

Takime informuese u zhvilluan dhe në shkollën e mesme të bashkuar “Mjedë”, me pjesëmarrjen e 42 nxënësve dhe 27 mësuesve të saj. Më tej u zhvillua një takim me punonjësit e Zyrës Rajonale të Punësimit, ku u informua për fushatën kombëtare dhe ngritjen e vetëdijes lidhur me parandalimin e migracionit të parregullt. Drejtoresha e Zyrës Rajonale të Punësimit theksoi në takim rëndësinë e krijimit të programeve si "Programi per nxitjen e Vetëpunësimit".

Po kështu, përgjatë dy ditëve u zhvilluan biseda të lira në bare të ndryshme të qytetit dhe u shpërndanë fletëpalosje në vende të tjera publike. Gjithsej në qarkun Shkodër po shpërndahen 4000 fletëpalosje.

Sipas kalendarit kombëtar të fushatës informuese, në datë 20-21 dhjetor do të zhvillohen takime në Korçë.