Berat - Vijon ndërgjegjësimi për migracionin e parregullt

20-21 Shkurt 2018, Berat - Zyra e Koordinatorit Kombëtar për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave në bashkëpunim me Komitetin Rajonal Antitrafik, Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit (Departamenti për Kufirin dhe Migracionin)  dhe Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), në vijim të aktiviteteve ndërgjegjësuese në zbatim të projektit "Mbi parandalimin e migracionit të parregullt", në datën 20 dhe 21 shkurt zhvilluan takime informuese në qarkun e Beratit.

Takimet e organizuara përfshinë një workshop, ku mori pjesë Prefekti i qarkut Berat, Z. Harilla Dafa, anëtarët e Komitetit Rajonal dhe Tryezës Teknike Antitrafik, si dhe përfaqësues nga bashkia, këshilli i qarkut, sistemi arsimor, shërbimi social shtetëror, sistemi shëndetësor, njësitë e qeverisjes vendore, punonjësit e Mbrojtjes së fëmijëve, etj., në total 30 pjesëmarrës. Për t'u përmendur është komentimi i theksuar në lidhje me situatën aktuale në lidhje me të miturit e pashoqëruar nga komuniteti romë kryesisht në Itali, i cili sipas përfaqësuesve të autoriteteve lokale dhe kontakteve të ndryshme po zvogëlohet.  

Të gjithë aktorët kërkonin mbështetje për hapjen e një qendre multifunksionale emergjente në qark për kategoritë e rrezikuara. Në diskutime u theksua se migrimi i parregullt është në nivel të ulët në rajonin e tyre, ku ka pak raste të të miturve të pashoqëruar të identifikuar.

Punonjësit e Zyrës Rajonale e Punësimit theksuan nevojën për mundësi shtesë të arsimit profesional në rajon për shkak të rritjes së interesit të anëtarëve të komunitetit.

Gjithashtu, u zhvilluan takime informuese më nxënës të shkollës së mesme “Babë Dudë Karbunara” me një pjesëmarrje prej 32 nxënësish, i cili vijoi me një workshop me mësuesit e kësaj shkolle me pjesëmarrjen e 17 mësuesve. Nxënësve iu shpërndanë pyetësorë vlerësimi para dhe pas takimit, për të mbledhur reagimet e studentëve dhe informacioni i mbledhur do të përdoret për vlerësimin e ndikimit në fund të fushatës.

Më tej u shpërndanë fletëpalosje në hapësirat publike të qytetit.