Ministri Xhafaj dhe Zv.Presidenti i BKA gjermane vizitë në Task Forcën Speciale - Ministria e Brendshme
Postuar më: 11/10/2018

Ministri Xhafaj dhe Zv.Presidenti i BKA gjermane vizitë në Task Forcën Speciale

Prononcimi i përbashkët për mediat i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Peter Henzler, Zv.president i BKA (Zyra Federale Kriminale) e Gjermanisë, pas takimit që patën në zyrat e Task Forcës Speciale, në prani të drejtuesve të agjencive ligj zbatuese:

Ministri Xhafaj: Jemi këtu me Zv.presidentin e Policisë Kriminale BKA gjermane, z.Henzler, i cili prej tri ditësh është duke qëndruar në Shqipëri me një delegacion të nivelit të lartë të Policisë Kriminale gjermane, në nivel federativ dhe nivel Landesh. Kemi pasur diskutime me shumë interes në nivel institucional, pra në Ministri, por dhe në nivel operacional me drejtuesit e Policisë së Shtetit, por njëkohësisht edhe me pjesëmarrjen e agjencive ligj zbatuese që janë pjesë e Task Forcës, së operacionit “Forca e Ligjit”.

Jo rastësisht jemi sot këtu në godinën e Task Forcës Speciale Qendrore, që është zemra e gjithë operacionit “Forca e ligjit”, për të vlerësuar se çfarë është bërë deri tani, dhe për të parë se çfarë mund të bëjmë më shumë në të ardhmen. Bashkëpunimi me partnerët tanë ndërkombëtarë është një komponent jashtëzakonisht i rëndësishëm, për suksesin e këtij operacioni dhe në këtë bashkëpunim padyshim, padyshim e ritheksoj, bashkëpunimin me partnerët tanë gjermanë dhe posaçërisht dhe në mënyrë të veçantë me Policinë Kriminale gjermane mund të konsiderohet një model nga pikëpamja e nivelit operacional, por dhe nga pikëpamja e bashkëpunimit institucional.

Kjo besoj unë është dhe rrjedhojë e punës edhe e rezultateve konkrete që ka pasur operacioni “Forca e Ligjit”, Task Forca Speciale, e angazhimeve konkrete që ajo ka treguar në këtë bashkëpunim dhe për rrjedhojë ka krijuar këtë nivel marrëdhënie dhe besueshmërie reciproke, gjë që është konkretizuar në një bashkëpunim intensiv me partnerët gjermanë në shkëmbimin e informacionit policor, në mbështetjen që partnerët gjermanë janë duke i dhënë Policisë shqiptare dhe posaçërisht Task Forcës me asistencë teknike dhe me asistencë logjistike.

Zv.presidenti i Policisë Kriminale është këtu për të nënshkruar së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë një projekt konkret, projektin “Orka”, i cili do t’i japë një shtytje të mëtejshme këtij bashkëpunimi dhe njëkohësisht do të jetë një mbështetje e mëtejshme në fuqizimin e strukturave të Task Forcës dhe vetë Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit në përgjithësi dhe kundër krimit të organizuar në veçanti.

Dua të bëj me dije se ne kemi disa operacione të përbashkëta, disa hetime të përbashkëta midis Policisë së Landeve dhe Policisë shqiptare në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” dhe në kuadër të operacionit “Anti-skifter”. Kemi disa operacione të suksesshme të realizuara gjatë këtij viti dhe kemi disa hetime të përbashkëta në proces, të cilat janë diskutuar midis përfaqësuesve të Policisë Kriminale gjermane dhe Policisë shqiptare dhe janë të nivelit operacional, që nuk i përkasin Ministrit.

Zv.Presidenti i BKA gjermane Peter Henzler: Z. Ministër, ju falënderoj shumë për ftesën që na bëtë për të vizituar Shqipërinë dhe gjithashtu për bisedat e shkëlqyera që bëmë! Gjermania dhe Shqipëria ndodhen në një zonë të përbashkët evropiane. Ka gjermanë që jetojnë në Shqipëri dhe shqiptarë që jetojnë në Gjermani. Siç e dimë shumica e njerëzve qoftë në Gjermani, qoftë në Shqipëri, janë njerëz të ndershëm, që e zbatojnë dhe respektojnë ligjin. Për fat të keq ka edhe të tillë, të cilët me anë të veprimtarive të tyre kriminale dëmtojnë shoqërinë dhe pikërisht këta, ne duhet t’i ndalojmë së bashku.

Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Gjermanisë ka një traditë të gjatë shumë-vjeçare. Ne kemi për shembull oficerë ndërlidhës në Shqipëri dhe Shqipëria ka oficerë ndërlidhës në Gjermani. Nëpërmjet operacionit “Forca e Ligjit” që do të thotë nëpërmjet Task Forcës Speciale që është krijuar, bashkëpunimi ynë po merr edhe një shtysë akoma më të madhe.

Bisedat që ne patëm me Ministrin, por gjithashtu edhe bisedat në nivel policor, treguan që duhet të bëjmë përpjekje akoma më të mëdha, duhet të nisim përpjekje të reja, t’i intensifikojmë për të luftuar autorët që kryejnë vepra penale për t’i çuar ata para gjyqit, por edhe për t’ua marrë atyre fitimet e marra nga veprimtaria kriminale.

Për këtë qëllim Shqipëria, Ministri konkretisht, ka hartuar një strategji, e cila është mbresëlënëse. Elementet shumë profesionale të kësaj strategjie japin gjithashtu edhe një shans dhe mundësi të mirë për ta luftuar krimin në mënyrë efikase.

Kjo strategji është e bazuar në aspekte moderne dhe gjithashtu edhe gjithëpërfshirëse ku do duhet të themi që janë të përfshira edhe të gjitha agjencitë e tjera ligj zbatuese, të cilat bashkëveprojnë. Edhe ne si palë gjermane kemi krijuar gjithashtu një Task Forcë në Gjermani, e cila do të punojë shumë ngushtë me Task Forcën shqiptare. Gjatë bisedimeve që pata në Shqipëri unë krijova sigurinë që Shqipëria, që Ministri dhe të gjitha autoritetet e përfshira, janë në rrugën e duhur dhe do të arrijnë drejt suksesit. Zyra Federale e Krimeve e Republikës Federale gjermane do ta mbështesë Shqipërinë.

Pyetje: Pak muaj më parë u quajt i bujshëm arrestimi i Arbër Çekajt në Gjermani dhe se tashmë ai do t’u dorëzohet autoriteteve shqiptare për sasinë 613 kg kokainë që u kap në Maminas. Ku janë sot procedurat për ekstradimin e Arbër Çekajt në Shqipëri?

Ministri Xhafaj: E pranoj që është pyetje interesant dhe ishte e pritshme besoj. Ka një ndryshim në këtë gjë, nuk është çështje ekstradimi më, por është çështje hetimi të përbashkët. Mbetemi këtu, se kjo nuk më takon mua, u takon autoriteteve të hetimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Policisë shqiptare dhe zyrës përkatëse të Policisë Kriminale gjermane.

Pyetje: Z.Xhafaj, tek çështja “Babale” njëri prej personazheve të saj, Fredi Alizoti ka implikuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu, çfarë komenti keni për këtë?

Ministri Xhafaj: Nuk do të preferoja të bëja një koment për këtë çështje, se boll kam bërë komente për këtë çështje, edhe për një arsye fare të thjeshtë se kjo është një çështje që i takon drejtësisë.

Unë besoj se kam kulturën e nevojshme, politike, institucionale dhe ligjore që të respektoj në çdo rast autoritetet e drejtësisë dhe vendimmarrjet e tyre.

Për sa i përket çështjes që është duke u përfolur kaq gjatë dhe që është bërë temë dite, është një çështje që besoj që është në një hetim të plotë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. U takon atyre dhe më pas gjykatës që të japin verdiktin rreth kësaj çështjeje.

Përsa më përket mua, dua të them se unë jam Ministër i Brendshëm, jam në këtë detyrë vetëm me një qëllim, t’u shërbej qytetarëve të vendit tim. Jam i fokusuar në përgjegjësitë e mia, jam i fokusuar në atë që është tejet e rëndësishme, në luftën kundër krimit dhe krimit të organizuar në veçanti. Dhe në këtë proces kam përzgjedhur besoj instrumentet e nevojshëm, një ndër të cilët është edhe operacioni “Forca e Ligjit” dhe Task Forca. Besoj se kam përzgjedhur edhe partnerët e duhur, ndër të cilët padyshim edhe shumë të rëndësishëm për ne në këtë partneritet janë partnerët gjermanë me të cilët jemi sot këtu.

Pala tjetër ka zgjedhur një rrugë tjetër, që është rruga që t’i dali në krah krimit me faktin duke sulmuar Policinë, me faktin duke sulmuar strukturat që janë angazhuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe kanë zgjedhur instrumente sipas meje të gabuar për ta baltosur të gjithë këtë punë dhe për fat të keq kanë zgjedhur dhe partnerë të gabuar, kanë zgjedhur llumin e këtij vendi.
Faleminderit!