Ministri Xhafaj pret delegacionin e BKA gjermane, kryesuar nga Zv.Presidenti Henzler - Ministria e Brendshme
Postuar më: 10/10/2018

Ministri Xhafaj pret delegacionin e BKA gjermane, kryesuar nga Zv.Presidenti Henzler

VIDEO   Ministri Xhafaj priti në takim z. Peter Henzler, zv.President i BKA, (Zyrës Federale Kriminale) të Gjermanisë, i cili në vizitën 3 ditore në Tiranë shoqërohet nga zyrtarë të tjerë të lartë.  Në fokus të takimit ishte thellimi i bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe BKA-së, sidomos sa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me projektet e asistencës ndaj Policisë Kriminale.

Ministri Xhafaj vlerësoi me mjaft interes vizitën e delegacionit të lartë të BKA-së gjermane. “Bashkëpunimi deri më sot, – tha Ministri Xhafaj, – ka qenë shumë i mirë dhe jemi shumë të interesuar që të thellohet e konsolidohet akoma më tej”. Ai falënderoi zv.Presidentin e BKA-së, z.Henzler për asistencën teknike e logjistike dhe veçanërisht për kontributin e ekspertëve gjermanë që janë prezentë dhe punojnë pranë së Policisë së Shtetit.

Ministri shprehu gjithashtu mirënjohjen për të gjitha projektet që po zhvillohen me ndihmën e Gjermanisë, sidomos në fushën policore. Z.Xhafaj e njohu z.Henzler me arritjet e derisotme të operacionit “Forca e Ligjit” dhe theksoi se ky operacion është konceptuar si një plan veprimi enkas, për luftën kundër krimit të organizuar.

Zv.Presidenti i BKA-së, z.Henzler vlerësoi planin e veprimit për luftën kundër krimit të organizuar dhe e cilësoi si një strategji që e kanë pak vende, në rajon apo më gjerë. Ai theksoi se zbatimi i këtij plani është një shans i mirë për të vijuar bashkëpunimin në fusha me interes si për Gjermaninë ashtu edhe për Shqipërinë.

Ne, – theksoi Henzler, – duke iu referuar grupeve kriminale, të cilat veprojnë si në vendin tonë ashtu edhe në Gjermani, kemi një kundërshtar të përbashkët, ndaj edhe qasja jonë në luftën kundër tij duhet të jetë e përbashkët dhe e koordinuar”.

Në këtë kontekst, ai premtoi mbështetje të BKA në reformimin e Policisë Kriminale shqiptare dhe gjithashtu garantoi mbështetjen në realizimin e trajnimeve dhe kurseve afat shkurtra për trupën e Policisë.

Numri dy i BKA gjermane e cilësoi bashkëpunimin mes 2 policive, gjatë operacionit “Anti-skifter”, si një model që duhet të ndiqet dhe shtrihet më tej.

Ministri Xhafaj, parashtroi disa fusha konkrete asistence dhe bashkëpunimi, duke veçuar hetimet e përbashkëta dhe të njëkohshme. Ai u shpreh optimist për ndihmën e Gjermanisë, i bindur se bashkëpunim mes dy vendeve do të vijojë të jetë i frytshëm edhe në ardhmen.

Në vijim të qëndrimit në Tiranë, z.Henzler dhe ekipi i tij do të zhvillojë një vizitë në Task Forcën Qendrore dhe do të pritet në takim të veçantë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.