Tiranë/Ministeriali për Çështjet e Brendshme e të Drejtësisë, BE-Ballkan Perëndimor - Ministria e Brendshme
Postuar më: 05/10/2018

Tiranë/Ministeriali për Çështjet e Brendshme e të Drejtësisë, BE-Ballkan Perëndimor

Në datat 4-5 Tetor u zhvillua në Tiranë, Ministeriali mbi Çështjet e Brendshme dhe Drejtësisë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian. Gjatë tij u diskutuan çështjet e brendshme dhe ishin të pranishëm Komisioneri i Bashkimit Evropian Dimitris Avramopulos, Ministri i Brendshëm i Austrisë, Herbert Kickl, vend i cili ka aktualisht Presidencën e Këshillit të BE, ministra të rajonit dhe përfaqësues të tjerë të lartë të vendeve të BE. Agjenda e bisedimeve ishte forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë, zbatimin e ligjit, menaxhimin e kufijve, migracionit dhe çështje të ekstremizmit të dhunshëm. Ky vullnet i përbashkët u materializua përmes nënshkrimit të tre marrëveshjeve të rëndësishme. Në përfundim u zhvillua një konferencë e përbashkët për shtyp  e Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, homologut austriak, Kickl dhe Komisonerit të BE, Avramopoulos.

Në fjalën e tij ministri Xhafaj u shpreh i bindur se ky Ministerial do të shënojë  një hap të ri, në bashkëpunimin e Ballkanit Perëndimor e BE dhe se marrëveshjet e nënshkruara janë një konkretizim i qartë i vullnetit të vendeve të rajonit  për të ecur përpara në rrugën e integrimit europian. “Drejtësia dhe siguria, janë dhe mbeten themelore sa i takon zhvillimit të paqes, stabilitetit dhe qeverisjes demokratike. Bashkëpunimi ishte kryefjala e këtij forumi. Më konkretisht çmoj si shumë të rëndësishëm bashkëpunim mes agjencive tona ligjzbatuese në këto fusha të rëndësishme. Në këtë kontekst ritheksova edhe një ftesën për ngritjen e Qendrës Rajonale për Bashkëpunimin Policor,  e cila ndër të tjera do të shërbente si një nukël koordinimi midis vendeve pjesëmarrëse, jo vetëm sa i takon përballimit të flukseve migratore, por edhe për një sërë çështjesh të tjera që janë shqetësim për vendet e rajonit dhe më gjerë”, tha ministri Xhafaj,

Ministri i Brendshëm austriak, u shpreh mes të tjerash se “kërkojmë partneritete solide midis Bashkimit Europian, por edhe me shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe shtetet e Evropës Qendrore dhe Juglindore. Ky është një hap mjaft i rëndësishëm për sa i përket statusit të partneriteteve, që kërkojmë të arrijmë përmes nënshkrimit të  marrëveshjeve të statusit  në këtë drejtim. Ndaj është kënaqësi të njoftoj që ne kemi nënshkruar një marrëveshje statusi me Shqipërinë, i cili është një zhvillim pozitiv”, deklaroi Kickl.

Komisioneri i BE, Avramopoulos, nënvizoi se “nënshkruam marrëveshjen e parë të statusit me një vend të tretë, pra me Shqipërinë, pasi deri më tani ka qenë vetëm me shtetet anëtare gjë e cila do ta lejojë agjencinë tonë të rojës kufitare dhe të rojës bregdetare apo FRONTEX-in, që të ketë ekipe të veta në territorin shqiptar. Unë dëshiroj të uroj Shqipërinë për faktin që është pararendëse, është pararojë në rajon, edhe përtej rajonit”.

VIDEO  Konferenca e përbashkët për shtyp e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Komisionerit të BE-së Dimitris Avramopoulos dhe Ministrit të Brendshëm të Austrisë, Herbert Kickl:

Ministri Xhafaj: Përshëndetje të gjithëve! Fillimisht në emër të qeverisë shqiptare dhe të vendit tim, dëshiroj ti shpreh falënderimet Komisionerit Avramopoulos, autoriteteve austriake dhe  personalisht Ministrit Kickl, për organizimin  e këtij forumi në kuadrin e presidencës austriake  të Bashkimit Europian. Ne  e konsiderojmë këtë kontribut si tregues i vëmendjes së shtuar  që  Komisioni Evropian, dhe Austria mike, po  i kushtojnë  rajonit të Ballkanit  Perëndimor. Ishim të lumtur që  mirëpritëm këtë Ministerial të rëndësishëm në Tiranë, duke ofruar gjithë mikpritjen  dhe bujarinë tonë.

Besoj fort, se ky Ministerial do të shënojë një hap të ri, në bashkëpunimin midis nesh,  në përballimin e sfidave të rëndësishme me të cilat jemi duke u ndeshur. Marrëveshjet e nënshkruara sot janë një konkretizim i qartë i vullnetit të vendeve të rajonit, për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian.

Në të njëjtën kohë ne vlerësojmë së tepërmi, zhvillimin në Shqipëri të këtij  Ministeriali në vazhdën e  angazhimit tonë të hershëm në promovimin e mëtejshme të bashkëpunimit rajonal për më shumë stabilitet, siguri dhe zhvillim ekonomik në këtë rajon.

Përballimi i sfidave bashkëkohore për siguri dhe forcim të shtetit ligjor për shkak edhe të natyrës së tyre kërkon veprim të përbashkët dhe të mirë koordinuar si një qasje rajonale gjithëpërfshirëse. Drejtësia dhe siguria, janë dhe mbeten themelore sa i takon zhvillimit të paqes, stabilitetit dhe qeverisjes demokratike. Bashkëpunimi ishte kryefjala e këtij forumi. Më konkretisht çmoj si shumë të rëndësishëm bashkëpunim mes agjencive tona ligj zbatuese në këto fusha të rëndësishme. Dhe bashkëpunim do të thotë më shumë, mbi të gjitha, ndërgjegjësim për nevojën e pashmangshme të besimit midis nesh.

Në këtë kontekst ritheksova edhe një ftesën për ngritjen e Qendrës Rajonale për Bashkëpunimin Policor, e cila ndër të tjera do të shërbente si një nukël koordinimi midis vendeve pjesëmarrëse, jo vetëm sa i takon përballimit të flukseve migratore, por edhe për një sërë çështjesh të tjera që janë shqetësim për vendet e rajonit dhe më gjerë, si: terrorizmi, krimi i organizuar, kontrabandimi i emigrantëve, çështjet e trafiqeve të paligjshme etj.

Dëshirojë të vlerësoj praninë e kolegëve ministra të rajonit në këtë Ministerial  të rëndësishëm si dhe praninë dhe kontributin  e shumë drejtuesve të organizatave ndërkombëtare që veprojnë në fushën e zbatimit të ligjit në Europë. Është rasti t’i shpreh vlerësimet e veçanta Presidencës austriake të BE, Qeverisë mike të Austrisë dhe personalisht, mikut dhe kolegut tim Ministrit Kickl, për mbështetjen pa kushte ndaj vendit tonë në procesin e integrimit evropian.

Një falënderim të veçantë dëshiroj të shpreh gjithashtu, për mikun tim, mikun e vendit tim, Komisionerin Avramopoulos. Një mbështetës i veçantë për vendet e rajonit dhe njëherësh një avokat i madh i vendit tonë në Bruksel. Jemi me fat që kemi miq të tillë, si Komisioneri dhe Qeveria austriake në rrugëtimin tonë evropian. Faleminderit!

Deklarata për mediat e Ministrit të Brendshëm të Austrisë z.Herbert Kickl:

Ministri Kickl: Të nderuara zonja dhe zotërinj, edhe nga ana ime, një përshëndetje të përzemërt, për këtë konferencë të sotme të shtypit!

Më lejoni fillimisht, që në emër të Presidencës Austriake të Bashkimit Evropian, të falënderoj përzemërsisht Ministrin Xhafaj, për organizimin e shkëlqyer të kësaj konference, që prej ditës së djeshme dhe përgjatë ditës së sotme, ku do të kemi edhe një seancë të dytë, pas dreke, dhe sigurisht para së gjithash, edhe për mikpritjen që ai dëshmoi përkundrejt nesh, austriakëve, por dhe pjesëmarrësve të tjerë në konferencë.

Qëllimi i kësaj konference është sigurisht shënjimi i përmbajtjeve në një situatë problematike aktuale dhe tejet të rëndësishme atje, pikërisht ku bëhet fjalë për sigurinë dhe migracionin. Ne duam që përmes këtij shënjimi përmbajtësor të mund të vëmë në lëvizje dhe të japim një kontribut, përsa i përket të ardhmes së përbashkët të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Si kryesi e Bashkimit Evropian, dëshirojmë të japim kontributin tonë aktiv në këtë drejtim dhe kjo ishte arsyeja, njëra prej arsyeve, pse ne para disa javësh, përgjatë një konference në Vjenë, kemi nënshkruar bashkërisht marrëveshjen e ‘Prum-it’, e cila do të çojë në një siguri më të madhe për vendet e Evropës Qendrore dhe Jugore, por edhe për mbarë vendet e Bashkimit Evropian. Tani është fjala, që të mund të ndërmarrim hapa të tjerë në kontekstin mbarë-evropian. Dëshiroj të shfrytëzoj rastin e kësaj konference për shtyp që të falënderoj të gjithë partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor, sepse ata janë partnerë të besueshëm në rajon, për Bashkimin Evropian në tërësi.

Më lejoni të sjell në vëmendje gjithashtu, që është vetëm me ndihmën dhe mbështetjen tuaj dhe me angazhimin tuaj që ia kemi dalë, të mund të ruajmë kontrollin dhe itinerarin e Ballkanit Perëndimor, duke garantuar kështu më tepër siguri për të gjithë Evropën. Por, sigurisht nuk do të duhej të bëhemi pre e iluzioneve, sepse nuk është bërë e gjithë puna, ne qëndrojmë përpara sfidave  të mëdha dhe do të duhej të konsolidojmë më tepër pikat tona të përbashkëta.

Austria dhe partnerët e tjerë kanë sjellë në vëmendje që përpara kohësh, rreth situatave problematike në këtë drejtim. Realiteti na tregon që paralajmërimet tona për fat të keq, kanë qenë të përligjura, nga Janari deri në Maj të vitit 2018, përmes këtij itinerari që kalon përmes detit Mesdhe, kanë ardhur më tepër migrantë ilegalë, sesa përmes itinerarit qendror apo perëndimor, vetëm 300 %, pra më shumë emigrantët ilegalë që vijnë përmes kufirit Turqi-Greqi. Duhet të mendojmë gjithashtu se çfarë do të ndodhë nëse eventualisht situata politike në rajon do të vijojë të zhvillohet në mënyrë negative.

Edhe më të rëndësishme do të ishin këtu përpjekjet e konsoliduara me shtetet e Bashkimit Evropian, por edhe me vendet  e Evropës Juglindore, dhe këto kanë të bëjnë më së shumti me mbrojtjen e kufirit, me rastet e ri pranimit, me rastet e vizës dhe të azil kërkimit.

Ne kërkojmë partneritete solide midis Bashkimit Evropian, por edhe me shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe shtetet e Evropës Qendrore dhe Juglindore. Ky është një hap mjaft i rëndësishëm përsa i përket statusit të partneriteteve, që kërkojmë të arrijmë përmes nënshkrimit të  marrëveshjeve të statusit në këtë drejtim.

Ndaj është kënaqësi të njoftoj që ne kemi nënshkruar një marrëveshje statusi me Shqipërinë, i cili është një zhvillim pozitiv. Kemi përfunduar negociatat edhe me Serbinë dhe Maqedoninë. Dhe ndërkohë bisedat me Bosnjë-Hercegovinën janë duke zhvilluar në mënyrë pozitive.

Pra në sektorin shumë të rëndësishëm të mbrojtjes së kufijve detarë e tokësore, ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtësisht me njëri-tjetrin. Më lejoni të them diçka edhe lidhur me pjesën e dytë të konferencës së sotme. Atje do të bëhet fjalë për luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, por edhe luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit ku ne jemi të bindur që nuk do të kemi një qasje reaktive, por në mënyrë të veçantë duhet të ishim aktivë në fushën e parandalimit të qasjes ofensive me vlerat tona, ato çka ne përfaqësojmë si vlera evropiane pikërisht për të qenë të suksesshëm në këtë drejtim.

Dhe kjo ndërvarësi është e rëndësishme, sepse të gjithëve do t’i duhet të jetë e qartë që krimi i organizuar dhe migracioni ilegal janë të ndërvarura dhe të lidhura edhe me rrezikun e forcave terroriste dhe ekstremiste, ndaj unë gëzohem që do të kemi mundësi të vijojmë më tej konferencën dhe seancën e dytë dhe pikërisht pas nënshkrimit të marrëveshjes së sotme, ku do të përpiqemi të vijmë në rezultate sa më konkrete të mundshme. Faleminderit!

Deklarata për mediat e Komisionerit të BE z.Dimitri Avramopulos:

Mirëmëngjesi! Është vërtetë kënaqësi për mua që jam rikthyer në Tiranë dhe që po ribashkohemi sërish me partnerët dhe miqtë tanë të rajonit të Ballkanit perëndimor. Dëshiroj të filloj duke falënderuar personalisht Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj që na ka mirëpritur në Tiranë, por edhe mikun tim Herbert Kickel, Ministër i Brendshëm i Austrisë për faktin që e ka drejtuar këtë takim në mënyrë kaq të suksesshme. Sot Ministeriali, siç e kam thënë në mënyrë të përsëritur është një takim, ka qenë – dhe do të vazhdojë të jetë në pjesën e dytë – një takim shumë i rëndësishëm me disa rezultate mjaft konkrete në fushën e emigracionit, të menaxhimit të kufijve dhe të sigurisë.

Dhe një provë tjetër e bashkëpunimit tonë gjithnjë e më shumë në rritje është fakti p.sh. që gjatë viteve të fundit BE-ja dhe kjo pjesë e Evropës janë bërë gjithnjë e më bashkë me njëra-tjetrën, natyrisht duke pasur parasysh ato lidhje e marrëdhënie të forta e historike që kemi ne në kontinentin evropian.

Ne jemi takuar shpesh, kohët e fundit dhe kjo gjë tregon vendosmërinë tonë të përbashkët për t’u përballur me sfidat e sigurisë dhe migracionit së bashku. Sa i përket panoramës së migracionit, ajo gjithnjë ndryshon dhe ne duhet të jemi gjithnjë vigjilentë dhe gjatë gjithë kohës t’ia përshtatim përpjekjet dhe përgjigjet tona zhvillimeve të reja.

Duke punuar në bazë të rezultateve që janë arritur dhe strategjinë e Ballkanit perëndimor, ne duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku në mënyrë që të ulet migracioni i parregullt, në mënyrë që të trajtohet dhe të luftohet çështja e kontrabandimit të emigrantëve dhe të luftojmë pikërisht edhe me abuzimin e sistemeve tona të azilit, e mbi të gjitha të sigurojmë kufijtë tanë dhe të përmirësojmë bashkëpunimin për kthimet dhe ri pranimet.

Por të njëjtën kohë ne duhet të ruajmë lëvizshmërinë e njerëzve për ata që udhëtojnë me mirëbesim dhe janë qytetarë të ndershëm. Sot ne kemi arritur një gur tjetër kilometrik sa i përket bashkëpunimit për menaxhimin e kufirit. Tani, siç e patë dhe para pak minutash, ne sot nënshkruam Marrëveshjen e parë të statusit, me një vend të tretë, pra me Shqipërinë, pasi deri më tani ka qenë vetëm me shtetet anëtare, gjë e cila do ta lejojë agjencinë tonë të rojës kufitare dhe të rojës bregdetare apo FRONTEX-in, që të ketë ekipe të veta në territorin shqiptar.

Unë dëshiroj të uroj Shqipërinë për faktin që është pararendëse, është pararojë në rajon, edhe përtej rajonit. Kjo marrëveshje statusi përfaqëson, një moment të shënuar historik në marrëdhëniet tona dhe do të na ndihmojë për një menaxhim më të mirë në përballjen e migracionit të parregullt dhe të ndihmojë edhe në përmirësimin e sigurisë së kufijve të jashtëm të BE-së.

Ekipet e agjencisë FRONTEX p.sh. do të kenë mundësi që të krijojnë kontrolle në pikat kufitare të kalimit kufitar dhe të patrullojnë kufirin, së bashku natyrisht me oficerët shqiptarë të kufirit.

Më lejoni të theksoj një gjë dhe dëshiroj të jem shumë i qartë për këtë gjë që roja kufitare dhe bregdetare e BE-së do të jetë këtu që të ndihmojë policinë kufitare shqiptare dhe jo që të zëvendësojë ose të bëjë detyrat e tyre pra të kryejë ato kompetenca që atyre u jep ligji. Shpresoj që do të shërbejë si një shembull si një model pozitiv për punën tonë që ne dëshirojmë të bëjmë me të gjithë partnerët e tjerë të rajonit, pra që Shqipëria të jetë vetëm fillimi.

Ne kemi diskutuar po ashtu, sesi mund të rrisim përpjekjet në rajon që të ulet më tej migracioni i parregullt dhe kontrabandimi i emigrantëve. BE dhe agjencitë e veta, të cilat janë të pranishme të gjitha sot këtu janë të gatshme që të mbështesin përpjekjet dhe bashkëpunimin e partnerëve tanë në terren. Po ashtu unë i kam kujtuar partnerët tanë dhe kolegët e Ballkanit Perëndimor për rëndësinë jo vetëm të kufizimit të abuzimit të sistemit të azilit, por edhe që të përafrojnë politikën e tyre të vizave me atë të BE-së në mënyrë që të mos rrezikojnë lëvizshmërinë pa viza drejt BE-së.

Ne do të prezantojmë raportin tonë për pezullimin ose jo të vizave deri në fund të vitit, pra do të bëjmë një vlerësim për situatën në të gjitha vendet në fjalë. E tani, sa i përket çështjes së sigurisë, BE do të vazhdojë që të mbështesë Ballkanin perëndimor për të fuqizuar dhe përforcuar kapacitetet e tyre për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm. Garantimi i sigurisë për qytetarët tanë do të thotë që ne duhet të trajtojmë ato kërcënime që i tejkalojnë kufijtë prandaj ne do të vazhdojmë që të përshpejtojmë edhe shkëmbimin e informacionit ndërmjet të gjitha agjencive të ndryshme me mbështetjen e agjencive të BE. Vullneti politik si dhe angazhimi politik ekziston. Tashmë ne duhet që ta përkthejmë atë në veprime konkrete në terren.

Për këtë arsye unë jam shumë i kënaqur që ne sot kemi nënshkruar marrëveshjen, planin e përbashkët ndërmjet BE-së dhe Ballkanit perëndimor për luftën kundër terrorizmit. Ky plan veprimi ka parashikuar disa objektiva të qarta dhe hapa të qarta që do të ndërmerren në luftën kundër terrorizmit dhe për parandalimin e radikalizmit. Për partnerët e Ballkanit Perëndimor individualisht, por në rajonin më gjerë, si edhe për të pasur një mbështetje shumë të shënjestruar nga ana e BE-së, këtu përfshihen shkëmbime efikase të informacionit dhe bashkëpunim operacional. Plani i Veprimit është një hap mjaft i madh përpara për sigurinë tonë të përbashkët dhe sigurinë e qytetarëve tanë.

BE do të ndjekë këtë punë me çdo partner në Ballkanin Perëndimor, me përparësi për secilin prej këtyre shteteve me veprime që duhet të lidhen me secilin prej këtyre shteteve. Ne po ashtu do të vazhdojmë të bashkëpunojmë në bazë të rrjeteve të ndryshme, si Rrjeti i ri rajonal i koordinatorëve për të parandaluar dhe luftuar kundër ekstremizmit të dhunshëm. Ajo që është e rëndësishme tani, është zbatimi i shpejtë në terren i të gjitha këtyre punëve.  Në fund të fjalës sime dëshiroj të them që siguria është shumë më e gjerë sesa thjesht lufta kundër terrorizmit. Sot Shqipëria dhe BE dhe agjencitë përkatëse të luftës kundër drogës kanë arritur që të krijojnë të gjitha strukturat e ndryshme për të luftuar kundër trafikimit të drogës. Pikërisht këto struktura do të ndihmojnë pra që autoritetet shqiptare në punën tonë të përbashkët të luftojnë këtë aspekt kaq të rëndësishëm, por jo vetëm këtu mes Shqipërisë dhe BE, por dhe në Ballkanin Perëndimor. Kjo do të jetë e rëndësishme jo vetëm për shëndetin e qytetarëve tanë, por dhe për sigurinë e përgjithshme dhe të plotë të vendeve tona, pasi ne e dimë që lidhja ndërmjet drogës dhe rrjeteve të krimit të organizuar ndonjëherë merr dhe rrjedhë terroriste.

Prandaj miq, sfidat e migracionit dhe të sigurisë, kërkojnë zgjidhje të plota gjithëpërfshirëse në të gjitha frontet, pra kërkojnë bashkim të plotë dhe besim ndërmjet nesh, bashkëpunimi i plotë me të gjithë partnerët brenda për brenda familjes evropiane dhe më tej. Ndërsa në lidhje me çështjet e tjera unë dëshiroj të them dhe t’ju kujtoj që Komisioni Evropian ka dorëzuar një letër koncepti për disimbarkimin, menjëherë pas Këshillit të Qershorit dhe BE-ja po kërkon që të ketë një fuqizim të mëtejshëm të bashkëpunimeve dhe bashkërendimit ndërmjet vendeve nga të dyja anët e Mesdheut, ashtu sikundër kemi në fakt ne një përgjegjësi të përbashkët për t’i thënë ‘stop’ dhe dhënë fund humbjes së jetës së migrantëve, pastaj për të luftuar rrjetat e kriminelëve dhe për të ulur fluksin migrator.

Dhe ne presim që diskutimet që tashmë udhëhiqen nga Presidenca Austriake të vazhdojnë në muajt në vijim. Komisioni Evropian beson që ne na duhet një partneritet me Afrikën në nivel të barabartë dhe për këtë gjë, të cilën e kam diskutuar me kolegët e mi, jo vetëm në Evropë, por edhe me miqtë tanë nga ana tjetër e Mesdheut, ne nuk mund të imponojmë kampe tek partnerët tanë afrikanë dhe nuk do ta bëjmë këtë gjë. E kanë ata në dorë për të vendosur, pra nëse kanë dëshirë ta bëjnë apo jo dhe kjo çështje mbetet e hapur dhe ne po vazhdojmë të bisedojmë rreth saj.

Megjithatë më lejoni të përqendrohem sërish tek takimet e sotme. Unë i kam kujtuar kolegët e mi sot, se Ballkani Perëndimor ka tek unë një aleat dhe një mik të fortë. Unë do të vazhdoj që të mbështes plotësisht përpjekjet e të gjithë partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor për të menaxhuar më mirë migracionin, për të siguruar kufijtë dhe për të luftuar terrorizmin, si dhe për të rritur sigurinë në të gjitha vendet tona, sepse në fund të fundit kjo do të thotë që ne të krijojmë një hapësirë të përbashkët të begatë, por dhe një të ardhme të begatë për të gjithë qytetarët tanë, që do të thotë se ne duhet të ndërmarrim disa hapa të tjerë në këtë hapësirë të Evropës, që ne ndajmë të gjithë me njëri-tjetrin.

Faleminderit edhe njëherë të gjithëve, në veçanti miqve të mi, të dy ministrave në të majtën time, që kanë bërë një punë të shkëlqyer në mënyrë që të ishin këtu dhe të thoshin se kemi pasur rezultate. Faleminderit!

Pyetje

TV Klan: Pyetja e parë është për Komisionerin. Ju thatë që brenda vitit Bashkimi Evropian do të vendosë nëse do të ri-kthehet regjimi i vizave ose jo. A është Shqipëria një nga vendet më problematikë, që po e detyron BE të diskutojë këtë vendimmarrje?

Dhe një pyetje e dytë, për Komisionerin, si i vlerësoni rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar dhe kundër drogës në Shqipëri, a mendoni se mund të bëhet kjo pengesë që në Qershor Shqipëria të mos hapë sërish negociatat me BE-në?

Komisioneri Avramopoulos: Për sa i përket luftës së përbashkët kundër drogës, besoj se kam qenë shumë i qartë. Përpara e shpjegova se si bashkëpunojmë ne dhe jam më se i bindur që Shqipëria i ka marrë përsipër përgjegjësitë e veta në mënyrë që t’i luftojë dhe të shkatërrojë të gjithë trafikantët, qoftë brenda Shqipërisë dhe më tej dhe ne bashkëpunojmë bashkë dhe kjo në fakt është ajo çfarë është parashikuar në atë çka kemi nënshkruar dhe diskutuar muaj më parë.

Për sa i përket pyetjes suaj të parë, përsa i përket pezullimit të vizave është mirë që ju të dini se ne vazhdojmë ta monitorojmë situatën dhe ndërkohë më duhet të them se ky është një proces që bëjmë monitorim për të gjitha vendet, jo vetëm për Shqipërinë.

E thashë pak më përpara, që do të raportojmë në fund të këtij viti në Raportin e dytë për mekanizmin e pezullimit të vizave. Mekanizmi për pezullimin e vizave mbulon të gjitha vendet, të cilat nuk përdorin viza, kështu që është paraqitur që të ulen rreziqet me migracionin e paligjshëm dhe të forcojmë përpjekjet tona të përbashkëta në këtë front. Kjo do të thotë që duhet të shmangim abuzimet, por nga ana tjetër do të thotë që të bëjmë përafrimin e politikave të vizave me standardet e politikave të Bashkimit Evropian për regjimin pa viza.

Ndërkohë sistemi ose mekanizmi i pezullimit nuk është vënë në lojë. Tani, çfarë mund të çojë në vënien në lojë të këtij mekanizmi? Së pari, këtë mund ta bëjnë shtetet anëtare, pra nëse për një periudhë 2-mujore ato hasin në një ose më shumë nga rrethanat e mëposhtme d.m.th.. nëse ka një rritje të migracionit të paligjshëm mbi 50 % dhe n.q.s. personat refuzojnë që të kthehen. Kjo është e para.

Së dyti, nëse ka një rritje thelbësore, sërish mbi 50 % në aplikimet për azil në nivele të ulëta njohjeje dhe n.q.s. ka ulje të bashkëpunimit dhe ri pranimit.

Nëse ka rritje të kërcënimeve të sigurisë të shteteve anëtare, në veçanti nëse bëhet fjalë për vepra të rënda penale. Për sa i përket Komisionit, edhe Komisioni në vetvete mund të marrë iniciativën për të vënë në lojë mekanizmin e pezullimit n.q.s. nuk respektohen këto parakushte për liberalizimin e vizave. Më lejoni të them se liberalizimi i vizave u është dhënë shteteve që ju përmenda pak më sipër, por u takon autoriteteve përkatëse, por edhe vetë qytetarëve të vendeve përkatëse që të mbrojnë atë që ju është dhënë atyre nga Bashkimi Evropian. Kështu që ne po vazhdojmë, të monitorojmë situatën nuk ka problem për momentin, por gjatë gjithë kohës i kemi ‘sytë hapur’,  jemi vigjilent.

Tani më lejoni të largohem se më duhet të kap fluturimin dhe nuk duhet të kritikohem për vonesa të mundshme në fluturim. Faleminderit dhe mezi pres që të kthehem sërish në këtë vend të mrekullueshëm. Faleminderit Presidentit të Këshillit, faleminderit shumë z.Xhafaj për praninë tonë këtu dhe për mikpritjen shumë të përzemërt dhe të shkëlqyer. Faleminderit!

TV Klan: Dhe një pyetje për ministrin austriak. Austria ishte një nga propozuesit e ngritjes së kampeve të azilantëve në vendet e Ballkanit, a është ende në diskutim ky propozim apo është një çështje e mbyllur tashmë?

Ministri Kickl: Të nderuar zonja dhe zotërinj, më lejoni fillimisht të them edhe një fjalë lidhur me për atë që sapo përmendi Komisioneri Avramopulos lidhur me platformat e zhvendosjeve, këto ju shërbejnë apo janë ndërmarrë në koordinim me përfundimet e Komisionit Evropian, – në mënyrë të tillë që të gjitha politikat e emigracionit ilegal të mund të koordinohen dhe harmonizohen sa më mirë të jetë e mundur. Unë komunikoj vazhdimisht me Komisionerin Avramopulos lidhur me këtë, sigurisht askush nuk mund të detyrohet, por nga ana tjetër është këndvështrimi dhe përgjegjësia jonë që të mund të ngremë një sistem ku gjithsecili të mbajë përgjegjësitë e veta, ashtu sikurse të gjejmë sesi sistemi të mund t’i zhvillojë bisedimet lidhur me këtë çështje.

Lidhur me pyetjen tuaj për sa i përket qendrave të të rikthyerve, bëhet fjala për qendra në vende të treta për persona, të cilët kanë marrë një përgjigje negative të azil kërkimit të tyre dhe që fillimisht nuk mund të ri pranohen nga vendet e tyre të origjinës.

Unë personalisht asnjëherë nuk kam përmendur emra shtetesh të veçanta, por e konsideroj të rëndësishme që të ketë analiza lidhur me zgjidhjen e kësaj problematike. Sigurisht që nuk do të përmend emra të veçanta sërish, por do të ishte mirë që në kontaktet bilaterale, të cilat unë i kam me shtete të Ballkanit Perëndimor dhe shtete të tjera të BE-së, por dhe nga Afrika, të diskutohen ashtu sikundër e kam bërë kohët e fundit në Vjenë gjatë takimeve që kam pasur. Më tepër nuk dua të shprehem rreth kësaj pike, shpresoj që të arrijmë në kohë rezultatet konkrete.

News 24: Një pyetje për Ministrin Xhafaj, z.Ministër a ka Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit një plan aksionesh në luftën kundër krimit? Kemi parë javë më parë aksione në qytete të ndryshme të Shqipërisë, por për të vijuar këto aksione për më tepër që dje në mbrëmje ka pasur një atentat, një krim në qendër të Tiranës? Faleminderit!

Ministri Xhafaj:  Besoj se biem dakord që Shqipëria, rajoni dhe çështjet që po flasim janë shumë, shumë më tepër se një kriminel apo një grup i tillë, me të cilët jemi futur në një luftë pa kompromis dhe me tolerancë zero. Ky Ministerial është pikërisht vlerësimi më i mirë i faktit se krimi në tërësi dhe krimi i organizuar në veçanti, ka përherë edhe më shumë një karakter trans-nacional. Ndaj jemi këtu bashkë të gjithë, për të qenë më të organizuar më të fortë në këtë përballje.

Qeveria shqiptare siç është e njohur ka miratuar në Nëntor të vitit të kaluar (2017), një plan veprimi në luftën kundër krimit të organizuar në mbështetje edhe të një operacioni të gjerë, të fokusuar pikërisht në goditjen dhe ndëshkimin penal të grupeve kriminale dhe në hetimin e aseteve pasurore të tyre, të quajtur Operacioni “Forca e Ligjit”, i strukturuar dhe i organizuar përmes disa Task Forcave Speciale, në nivel qendror dhe rajonal, që janë të fokusuara pikërisht në skanimin dhe goditjen e grupeve kriminale, që veprojnë në territorin e Shqipërisë, apo që janë në ndërveprim me grupe të tjera kriminale jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Është fakt i njohur që gati rreth 10-11 muaj të zhvillimit të këtij operacioni, janë bërë rreth 19 operacione, janë goditur 9 grupe kriminale konkrete, janë mbi 130 të arrestuar si edhe janë rreth 17-18 milionë euro të sekuestruara vetëm me këto grupe kriminale. Natyrisht ky është një proces që vazhdon.

Lufta kundër krimit dhe krimit të organizuar nuk është çështje ditësh, nuk është çështje javësh, muajsh, por meqenëse jemi këtu sot në konferencë po e përsëris dhe ritheksoj faktin, që ne jemi fort të impenjuar, fort të angazhuar në këtë proces edhe brenda vendit, edhe në bashkëpunim me agjenci të tjera ligj zbatuese ndërkombëtare.

Dëshiroj t’ju them që në javët në vijim ju do të shihni disa goditje grupesh kriminale në përfundim të hetimeve të zhvilluara në territorin e Republikës së Shqipërisë apo në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Por ne jemi Ministra, drejtojmë në nivelin strategjik, në nivelin politik, institucional, por çështjet operacionale u përkasin agjencive ligj zbatuese dhe në rastin konkret Policisë së Shtetit.

Report TV: Z. Xhafaj, mbrëmjen e djeshme ka ndodhur një krim në një nga zonat më të sigurta të Tiranës. Çfarë masash do ketë nga ana e Ministrisë së Brendshme pas kësaj ngjarjeje?

Ministri Xhafaj: Besoj se përgjigjja që dhashë pak më lart është e vlefshme dhe për pyetjen tuaj, faleminderit!

Report TV: Dhe një pyetje për Ministrin e Brendshëm të Austrisë, ju në fjalën tuaj përmendët faktin që në rajon ka zhvillime negative nga aspekti politik, mund të na tregoni për çfarë e keni fjalën më konkretisht?

Ministri Kickl: Në fakt unë nuk kam folur për zhvillime negative në rajon, të cilat kanë të bëjnë me zhvillimet politike të brendshme. Kam folur për situata problematike, që kanë lidhje me zhvillimet e migracionit ilegal, trafikimit të qenieve njerëzore dhe këto qëndrojnë sigurisht dhe në lidhje të ngushtë me krimin e organizuar.

Sfondi i të gjithë kësaj është në mënyrë të veçantë dhe në nivel të Bashkimit Evropian, disa kanë besuar se ne i kishim arritur pikat migratore të viteve 2015-2016, të cilat nuk do të përsëriteshin më.

Ajo çka unë shpreha dhe ku ne bashkëpunojmë dhe me partnerë të tjerë të BE-së dhe ndajmë bindjet e përbashkëta lidhur me këtë, pikërisht nisur nga përvoja e viteve 2015-2016, do duhet të jemi të kujdesshëm dhe do duhej që të mund të ndërmerrnim dhe të elaboronim një strategji të përbashkët për mbylljen e itinerarit të Ballkanit Perëndimor dhe të gjejmë mënyra për parandalimin e lëvizjeve të emigracionit të parregullt, të cilat kërkojnë tani më, rrugë të reja dhe mënyra të reja për të depërtuar.

Mendoj se së bashku me partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor ne jemi të vetëdijshëm lidhur me këtë problematikë.

Tani do të duhet të ndërmerrnim masa të konsoliduara edhe lidhur me çështjen për shembull, të angazhimit të FRONTEX në këtë drejtim, pikërisht për të zgjidhur problematikën aktuale, në mënyrë që të parandalojmë lëvizjet migratore, të cilat kërkojnë rrugë të reja për të depërtuar sikurse e thashë. Dhe të mund të rakordojmë së bashku me shtetet e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor pikërisht në strategji dhe në rrugë të reja. Është në interesin më të mirë të të gjitha shteteve tona dhe për angazhimin e deritanishëm unë falënderojë në mënyrë  të përzemërt të gjitha shtetet. Faleminderit!