Ministri Xhafaj u takua me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Brendshme Federale të Gjermanisë - Ministria e Brendshme
Postuar më: 03/10/2018

Ministri Xhafaj u takua me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Brendshme Federale të Gjermanisë

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj priti Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Brendshme Federale të Gjermanisë, z.Stephan Mayer. Ai i shprehu mirënjohjen Qeverisë gjermane për mbështetjen e ofruar Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian dhe vlerësoi me nota shumë pozitive marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Marrëdhëniet mes dy Ministrive reflektohen në marrëdhëniet e shkëlqyera policore, e shprehur kjo në operacione të përbashkëta, shkëmbim intensiv informacioni, si dhe disa aksione në proces. Më tej, Ministri i Brendshëm shprehu synimin dhe objektivin për të thelluar dhe forcuar edhe më shumë këtë bashkëpunim sidomos në fushën policore, qoftë në nivel operacional, ashtu edhe në nivel institucional.

Gjatë ekspozesë së bërë mbi veprimtarinë e Ministrisë së Brendshme, z. Xhafaj u ndal në disa çështje kyçe, si: lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër terrorizmit, ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm, çështjet e migracionit të paligjshëm dhe azil kërkimit, si dhe procesi i Vetting-ut në Polici.

Sekretari i Shtetit, duke nënvizuar nivelin e lartë të bashkëpunimit policor, theksoi nevojën për ta thelluar atë në vijim, duke deklaruar se bashkëpunimi me Shqipërinë mbetet një prioritet strategjik.

Z. Mayer prezantoi një sërë projektesh të rëndësishme që do të paraqiten në javët në vijim, sidomos asistencë teknike, infrastrukturore e teknologjike për Policinë Kriminale dhe Policinë Kufitare shqiptare. Ai pasi falënderoi ministrin Xhafaj për pritjen shprehu kënaqësinë dhe mirënjohjen për rëndësinë që po u jepet marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me Gjermaninë.

Gjithashtu Sekretari i Shtetit i konsideroi shumë të rëndësishme dhe pozitive rezultatet e arritura nga Shqipëria gjatë vitit të fundit, rezultate të cilat dëshmojnë qartë për progresin dhe hapat që ka hedhur vendi ynë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.