Ministri i Brendshëm Xhafaj në Samitin e liderëve të Londrës - Ministria e Brendshme
Postuar më: 10/07/2018

Ministri i Brendshëm Xhafaj në Samitin e liderëve të Londrës

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj mori pjesë në ditën e tretë të vizitës në Londër, në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimit, së bashku me Kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati. Ky Samit mblodhi bashkë liderët më të rëndësishëm të Bashkimit Europian si dhe Kryeministren e Britanisë së Madhe, Teresa May.

Në Samitin e Londrës për herë të parë u kombinuan elementët që lidhen me sigurinë, reformat në fushën e sundimit të së drejtës, zhvillimin ekonomik të rajonit dhe procesin e ndërlidhjes.

Gjatë punimeve të Samitit, së bashku me Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm, Ministri Xhafaj pati një takim me Kancelaren gjermane Angela Merkel, me të cilën biseduan për disa minuta.

Samiti i Londrës është i pesti në kuadër të procesit të Berlinit, pas atyre në Berlin në 2014, në Vjenë në 2015, në Paris në 2016 dhe në Trieste në 2017.

Gjatë kësaj vizite në Londër, Ministri i Brendshëm mori pjesë në takimin e Ministrave të Brendshëm që i parapriu takimit të liderëve. Në të, u diskutuan çështje të rëndësishme si lufta ndaj kërcënimeve të përbashkëta, bashkëpunimi rajonal në fushën e sigurisë, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe i qenieve njerëzore. Gjithashtu, z.Xhafaj pati takime me Ministrin për Sigurinë dhe Krimin Ekonomik të Mbretërisë së Bashkuar, Ministrin e Shtetit për Policinë dhe Drejtësinë Kriminale dhe Sekretarin e Shtetit britanik për Çështjet e Brendshme.

Samiti i ardhshëm do të mbahet në vitin 2019, në Varshavë të Polonisë.