Londër/Xhafaj, takime me 3 ministra britanikë: Thellojmë bashkëpunimin - Ministria e Brendshme
Postuar më: 10/07/2018

Londër/Xhafaj, takime me 3 ministra britanikë: Thellojmë bashkëpunimin

Londër – Ministri Xhafaj, takime me Ministrin për Sigurinë dhe Krimin Ekonomik, Ministrin e Shtetit për Policinë e Drejtësinë Kriminale dhe Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Brendshme të Britanisë së Madhe

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj gjatë qëndrimit në Londër, ku mori pjesë në takimin e Ministrave të Brendshëm në Samitin e Ballkanit Perëndimor, u takua me Ministrin për Sigurinë dhe Krimin Ekonomik të Mbretërisë së Bashkuar, z.Ben Wallance, Ministrin e Shtetit për Policinë dhe Drejtësinë Kriminale z.Nick Hurd dhe Sekretarin e Shtetit britanik për Çështjet e Brendshme, Sajid Javid.

Ministri Xhafaj njohu ministrat me prioritetet e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, si dhe me progresin e bërë në luftën kundër krimit të organizuar dhe sekuestrimin e aseteve kriminale, rezultatet në luftën me zero tolerancë ndaj kultivimit të kanabisit dhe projektin e Policimit në Komunitet, projekt ky i cili ka edhe mbështetjen me ekspertizë të Qeverisë britanike.

Duke u ndalur te operacioni “Forca e Ligjit”, Ministri Xhafaj informoi bashkëbiseduesit lidhur me bashkëpunimin shumë të mirë që është ndërtuar aktualisht ndërmjet policive të dy vendeve, e konkretizuar kjo në një shkëmbim intensiv informacioni, si dhe në hetime të përbashkëta. Z.Xhafaj gjatë bisedës me homologët e tij britanik kërkoi thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe aseteve kriminale.

Z.Wallance përgëzoi Ministrin Xhafaj për rezultatet mbresëlënëse dhe u shpreh i gatshëm për të zgjeruar e konkretizuar më tej bashkëpunimin me Policinë shqiptare, kryerjen e analizave të përbashkëta për grupet kriminale që ushtrojnë veprimtari në të dy vendet, intesifikimin e hetimeve me skuadra të përbashkëta policore, si dhe rritjen e asistencës ndaj Policisë Kriminale dhe posaçërisht ndaj Task Forcës Speciale. Të dy palët ranë dakort të intensifikojnë më tej kontaktet për të dakordësuar një axhendë bashkëpunimi në nivel institucional dhe operacional.

Ministri i Brendshëm zhvilloi, gjithashtu, një takim me Sekretarin e Shtetit britanik për Çështjet e Brendshme, Sajid Javid. Ky i fundit vlerësoi si tepër të frytshëm bashkëpunimin me Policinë shqiptare dhe u shpreh i gatshëm për ta thelluar më tej atë. Ai veçoi bashkëpunimin për çështjet e sigurisë me Shqipërinë, duke theksuar se ky është një element kyç për ndërtimin e shoqërive më të sigurta. Z.Javid iu përgjigj pozitivish ftesës së Ministrit Xhafaj për një vizitë zyrtare në Tiranë.