Ministri Xhafaj flet për procesin e Vettingut nga Lezha - Ministria e Brendshme
Postuar më: 04/05/2018

Ministri Xhafaj flet për procesin e Vettingut nga Lezha

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj flet për procesin e Vetting-ut nga Forumi Qytetar për Siguri Publike, në Lezhë:

Ministri Xhafaj: Kam qenë dhe mbetem i bindur çdo ditë që Vetting-u në Policinë e Shtetit ishte dhe është i domosdoshëm, për ta forcuar integritetin e Policisë, për të rritur besueshmërinë brenda radhëve të Policisë, por dhe mbi të gjitha besueshmërinë e qytetarëve tek Policia, të cilët duan të shohin tek polici një njeri me figurë të pastër, njeri me integritet, NJË NJERI NË SHËRBIM TË TYRE.

Dua të distancohem prerë nga disa spekulime që janë lidhur me këtë proces. Ky nuk është një proces letrash. Ky nuk është një proces formularësh, sepse X apo Y, nuk arriti ta bëjë dokumentin në kohë apo nuk arriti ta plotësojë atë sipas formës më të mirë të mundshme që është kërkuar.

E kam thënë dhe e përsëris këtu, meqenëse janë zonja dhe zotërinj të Policisë së Shtetit. Kjo është gjëja më e parëndësishme. Le t’i dorëzojnë në shumicë dhe jam shumë i kënaqur që shumica e tyre, pothuajse në pjesën dërrmuese deri sot që flasim i kanë dorëzuar ato formularët dhe dokumentet e nevojshme që i duhen.

Ne nuk do të shikojmë se cilat janë gabimet teknike. Nuk do të shikojmë edhe nëse mungojnë një apo dy dokumente, sepse janë gjëra që plotësohen në proces.

Nuk është ky problemi që kemi ne. Nuk e kemi ne me atë policin që e vuri në kolonën 1 në vend që ta vinte te kolana 3 dhe e vendosi në kolonën 7 se duhet ta vendoste firmën te kolona 9. Jo, nuk e kemi me ata ne, ata le t’i dorëzojnë ashtu siç i kanë ato.

Ne e kemi me ata, që është çuditërisht polic qarkullimi dhe njëkohësisht është pronar hoteli. Nuk mund të jenë të dyja. Se hotelin nuk e ka bërë nga motori, hotelin e ka bërë nga xhepat e qytetarëve që i ka vjelë në rrugë atje padrejtësisht. Me ata e kemi ne 1, 2, 3, 10 sa janë.

E kemi me ata që shkojnë në mëngjes në zyrë veshin uniformën e policit dhe pasdite dalin dhe u japin garanci atyre për atë çfarë kanë bërë paradite dhe çfarë do të duhej të kishin bërë.

Nuk e kemi me këta që mund të plotësojnë formularin gabim, apo se i mungon një dokument në formular oficerit të Gardës, apo policit, s’e kemi fare me këta.

Është një spekulim e gjitha kjo. Ne e kemi me këtë pakicë të vogël, me disa, me pak njerëz që kanë cënuar rëndë figurën dhe imazhin e punonjësve të policisë, i cili është në këtë funksion për t’i shërbyer ligjit, për t’i shërbyer qytetarëve.