Vettingu/Shpallen vendet vakante për Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit dhe Sekretariatin teknik - Ministria e Brendshme
Postuar më: 27/04/2018

Vettingu/Shpallen vendet vakante për Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit dhe Sekretariatin teknik

Shpallen vendet vakante per Komisionin e Jashtem te Vleresimit Vettingu.pdf         Shkarko dokumenta

Formulari i Vetëdeklarimit.docx                                                                                       Shkarko dokumenta

Bordi i Përzgjedhjes së Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit Kalimtar dhe Periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme ka zhvilluar mbledhjen e konstituimit, në zbatim të ligjit.

Vendimi i parë i Bordit ishte shpallja e vendeve të lira për 5 anëtarë të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit dhe 15 anëtarëve të Sekretariatit Teknik.

Afati për dorëzimin e dokumenteve të kërkuara për personat e interesuar për t’u bërë pjesë e Komisionit është 15 ditë nga shpallja.

Bordi i Përzgjedhjes rezervon të drejtën për të kryer verifikimin e të dhënave të deklaruara nga kandidatët në aplikimin e kryer.

Më poshtë gjeni kriteret për kandidatët, dokumentacioni i kërkuar dhe formulari i vetëdeklarimit për ta.

VENDIM PËR SHPALLJEN E VENDEVE TË LIRA PËR ANËTARË TË  KOMISIONIT TË JASHTËM TË VLERËSIMIT DHE ANËTARË TË  SEKRETARIATIT TEKNIK

Në mbështetje të pikës 1 të nenit 11 dhe pikës 3 të nenit 12, të ligjit nr.12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme”, Bordi i Përzgjedhjes

SHPALL

Konkurimin e hapur për:

  1. Pesë (5) vende të lira për anëtarë të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit.

 

Mund të aplikojë kandidati që:

a) ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare;

b) ka eksperiencë pune jo më pak se 10 vjet në profesion;

c) nuk ka ushtruar funksione politike ose nuk ka mbajtur pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 3 viteve të fundit;

ç) ndaj tij nuk është nisur një hetim penal dhe ai nuk është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo të një kundërvajtjeje penale me dashje;

d) nuk ka qenë subjekt i ndalimeve të parashikuara në ligjin për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike;

dh) ndaj tij nuk është marrë masa disiplinore e largimit nga puna ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila nuk është parashkruar, sipas legjislacionit që rregullon marrëdhëniet e punës, në momentin e aplikimit;

e) nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit para vitit 1990, sipas ligjit “Për të drejtën e informimit me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;

ë) është nën moshën 65 vjeç

Gjithashtu, në kërkesë kandidati për vendet e lira për anëtarë të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit duhet të deklarojë se, plotëson kriteret e përcaktuara në nenin 10, pika 1, gërma “c”, “dh” dhe “e” të ligjit nr.12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme”.

  1. Pesëmbëdhjetë (15) vende të lira për anëtarë të Sekretariatit teknik pranë Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit.

 

Mund të aplikojë kandidati që:

  1. ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi, ekonomi, financë, matematikë ose shkenca sociale ose të barasvlershme me to, sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë;
  2. ka eksperiencë pune jo më pak 5 vjet;
  3. ndaj tij nuk është nisur një hetim penal dhe ai nuk është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo të një kundërvajtjeje penale me dashje;
  4. ndaj tij nuk është marrë masa disiplinore e largimit nga puna ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila nuk është parashkruar, sipas legjislacionit që rregullon marrëdhëniet e punës, në momentin e aplikimit.

 

Dokumentacioni shoqërues

Kandidatët për vendet e lira më sipër, së bashku me kërkesën duhet të depozitojnë dokumentet e mëposhtme:

  1. jetëshkrimin profesional, që përmban detajet e arsimimit, të punësimit dhe eksperiencave të tjera studimore, profesionale dhe personale, të dhënat e kontaktit, postën elektronike zyrtare dhe adresën postare;
  2. kopje të dokumentit të identitetit;
  3. formularin e vetëdeklarimit, sipas kërkesave të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritet të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Gjithashtu, në kërkesë kandidati për vendet e lira për anëtarë të Sekretariatit Teknik pranë Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit duhet të deklarojë se, plotëson kriterin e përcaktuar në nenin 12, pika 1, gërma “ç”, të ligjit nr.12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme”.

 

Afati për paraqitjen e aplikimeve dhe dokumentacionit shoqërues

Në zbatim të pikës 2 të nenit 11, të ligjit nr.12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme”, afati për paraqitjen e aplikimeve dhe dokumentacionit shoqërues është 15 ditë nga publikimi i thirrjes për paraqitjen e shprehjeve të interesit.

 

Vendi i paraqitjes së aplikimeve

Apikimet do të paraqiten pranë Bordit të Përzgjedhjes, në Ministrinë e Brendshme.