Nisma/Orë e hapur, nxënësit vizitë në Sallën Operative 112 të Tiranës - Ministria e Brendshme
Postuar më: 13/03/2018

Nisma/Orë e hapur, nxënësit vizitë në Sallën Operative 112 të Tiranës

Vizitorët e sotëm ishin nxënësit e klasës 3-A, të shkollës “Lidhja e Prizrenit”, të cilët panë nga afër Sallën Operative 112, funksionimin e Komisariatit Dixhital, Kamerat e Policisë.

Ata u pritën dhe shoqëruan nga zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko dhe Drejtori i Policisë Vendore Tiranë Kastriot Skënderi

Klodian Bilushi, Shefi i Sallës Operative duke iu shpjeguar detaje nga puna e efektitëve që presin telefonanat dhe denoncimet e qytetarëve, ka theksuar se në aplikacionin ‘Komisariati Dixhital’ kanë mbërritur që nga krijimi mbi 110 mijë denoncime.

Ai shtoi se me vendosjen e numrit unik pa pagesë 112, asnjë telefonatë nuk humbet dhe nuk mbetet pa përgjigje dhe reagim.

Disa nxënës provuan të telefononin ‘112’ duke dhënë informacion për shkelje të qarkullimit rrugor në rrugët e Tiranës.

Mësuesja e Qytetarisë dhe një prej prindërve të fëmijëve vlerësuan me interes vizitën dhe informacionin e ofruar nga ana e punonjësve të Sallës Operative.

Irena, mësuesja e qytetarisë u shpreh: “Shumë faleminderit për këtë që ofruat për fëmijët. Ne kemi njohur tema të “Qytetarisë” në lidhje me shërbimet në komunitet. Është shumë bukur kur fëmijët e shohin drejtpërdrejt edhe mësojnë më shumë”.

Elga, prindi i një prej fëmijëve tha: “Në kuadër të bashkëpunimit të komunitetit të prindërve me shkollën, ne kemi organizuar sot këtë vizitë tek Salla Operative e Drejtorisë së Tiranë në kuadër edhe të mësimdhënies ku mësuesja ka orët e ‘Qytetarisë’, të cilat ne mundohemi t’i organizojmë jo vetëm brenda në klasë por edhe jashtë saj. Falënderoj shumë Zv.ministren e Brendshme Romina Kuko, por edhe Drejtorinë e Policisë së Tiranës që na mundësuan këtë vizitë të fëmijëve këtu në Sallën Operative. Është shumë e rëndësishme që fëmijët që në moshë të hershme të kuptojnë se si funksionon shteti, se si funksionon Policia, në mënyrë që kur të jenë qytetarë të rritur më vonë të jenë më të përgjegjshëm, të dinë të respektojnë ligjin. Por edhe si fëmijë është shumë e rëndësishme, sepse ata mësojnë se si mund të përdorin shërbimet që u ofrohen qytetarëve në çfarëdolloj rrethane.  Sot jeta është bërë shumë intensive, mund të ndodhin ngjarje, aktivitete, fëmijët duhet të jenë të përgatitur. E rëndësishme është që ata të dinë kush është nga ana tjetër kur ata marrin 112-n, në rastin konkret”.