Xhafaj: Prokuroria të mos vetëpërdoret politikisht duke dëmtuar çështjet hetimore - Ministria e Brendshme
Postuar më: 20/10/2017

Xhafaj: Prokuroria të mos vetëpërdoret politikisht duke dëmtuar çështjet hetimore

VIDEO – Prononcimi për mediat i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj:

Ministri Xhafaj: Pardje kur më pyetët për këtë çështje, ju thashë që kjo është një çështje që është iniciuar dhe është duke u shqyrtuar nga drejtësia italiane.

Gjithë të tjerët që flasin sot, nuk kanë pasur dhe nuk kanë asnjë kontribut në këtë çështje. Me sa shikoj, thjesht po duan ta përdorin.

Për sa i përket për atë që më pyetët, nëse do më pyesni nga pikëpamja ligjore, nga pikëpamja legale, ajo çfarë është shkruar nga prokurorët e Krimeve të Rënda dhe për aq sa unë kam lexuar, nuk është një gjë që shpreh vullnetin e ligjit dhe besueshmërinë në prova. Që do të thotë sipas meje që jemi në rastin ku segmente apo individë të Prokurorisë, po vetë-përdoren politikisht në një çështje apo në një situatë të nxehtë politike.

Flas për sa unë kam parë dhe përsa kam lexuar nga ato që janë bërë publike. Nëse prokuroria ka prova dhe çështje të tjera, le të presim dhe le t’i shikojmë.

Siç ju thashë para se të jem ministër, unë jam ligjvënës, jam jurist dhe nga ky këndvështrim, meqenëse më pyetët, po jap opinionin dhe vlerësimin tim. Precedentë të tillë, janë precedentë të rrezikshëm për drejtësinë, por dhe vetë marrëdhëniet parlamentare, për aq sa unë kam lexuar dhe për aq sa janë bërë publike.

Nëse Prokuroria disponon prova të tjera, mbetet për t’u parë dhe për t’u gjykuar. Po flasim për një situatë faktike. Unë druaj dhe jam i preokupuar dhe i shqetësuar, mos ndodhi ajo që ndodhi në operacionin e para pak ditëve në Vlorë ku përpara se prokurori të mendonte për të siguruar provën, për të kqyrur vendin e ngjarjes, për të bërë veprime proceduriale, mendoi se si mund të vetëpërdorej politikisht për një çështje thellësisht hetimore dhe në përgjegjësinë e tij të plotë ligjore.

Gjë që është e përsëritur dhe që është shumë e dëmshme për autoritetin e organit të akuzës.

Pyetje: Me këto prova a do të bëhet heqja e mandatit në parlament të ish-ministrit?

Ministri Xhafaj: Janë dy gjëra të ndryshme. Nëse e keni të qartë se për çfarë fola unë, ajo është një vendimmarrje tjetër, ndërsa ju më pyetët se si e shoh unë këtë aspekt. Janë dy gjëra krejt të ndryshme.

Pyetje: Z. Xhafaj, me kaq kohë sa keni në krye të Ministri së Brendshme, keni bërë ju një grafi të të gjithë situatës, çfarë ka ndodhur gjatë këtyre viteve në Policinë e Shtetit dhe në Ministrinë e Brendshme në lidhje me kultivimin e Cannabis Sativës në Shqipëri, e para, dhe e dyta, ju në ditët e para, para se të merrnit detyrën thatë se do bënit vlerësim në Policinë shqiptare. Çfarë do bëhet me Vettingun në Policinë shqiptare? E kam fjalën për ata zyrtarë policie që po çohen në Prokuroi si….

Ministri Xhafaj: Përsa i përket çështjes a kam bërë një vlerësim, po ju them që koha është e shkurtër, sigurisht nuk mund të bësh një vlerësim të plotë. Jemi duke bërë një gjë të tillë, sidomos për çështjen e luftës kundër krimit të organizuar.

Unë besoj se shumë shpejt do t’u japim mundësinë që ta shihni publikisht këtë vlerësim, me çfarë ne kemi rreth dy muaj që punojmë së bashku me partnerët për të bërë në këtë fushë. Do të shihni prova dhe vullnete konkrete shumë shpejt.

Përsa i përket çështjes konkrete, më vjen keq ta them, sepse ju jeni gazetarë dhe këtu ka shumë gazetarë për të cilët unë kam respekt të veçantë, por duhet të kishit bërë një analizë më të plotë sesi ka ecur kjo çështje.

Edhe rasti i çështjes për të cilën flitet, rasti ‘Habilaj’, ka disa vite që trajtohet kjo çështje, ka dy referime nga Policia e Shtetit në Prokurori për këtë çështje dhe ka pak ose aspak veprime nga Prokuroria në këtë çështje, të referuar nga Policia.

Gjithsesi kjo i mbetet të ardhmes për t’u parë edhe për t’u analizuar.

Pyetje: Si ministër i rendit do kontribuoni me Prokurorinë, po t’ju kërkohet, a do t’i paraqisni dokumentet për veprimtarinë e z.Tahiri si ish-ministër i Brendshëm, sepse ju jeni pasardhësi i tij?

Ministri Xhafaj: Ju mund të bëni gabime sa të doni, se jeni të lirë të bëni edhe për shkak se nuk jeni njeri i fushës, por unë jam njeri i ligjit, kam formim ligjor dhe e di vendin ku është Ministria dhe ku është Drejtësia.

Pyetje: Zoti Xhafaj, Zoti Çako, ka pranuar dje që ka dështuar në rastin e Elbasanit, keni ju një koment, a do ndërmerrni hapa për të shkarkuar?

Ministri Xhafaj: Si gjithmonë ti Klodi për të vajtur në Vlorë i bie nga Berati. Mirë është që të ndjekësh rrugën e ligjit. Zoti Çako ka pranuar ato që tha në konferencë. Mirupafshim!